Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji dhjetor

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji dhjetor

Më 1 dhjetor të vitit 1885 lindi Eqrem Bej Vlora. Ai  ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, diplomat, politikan, shkrimtar dhe historian shqiptar. Familja e tij ishte një nga familjet më të pasura të trojeve shqiptare të jugut, familje e cila falë zotësisë së të atit në ekonomi e administrim, pasuria e familjes së tij në 25 vjet u gjashtëfishua. Në vitet1900-1906 kreu studimet në Akademinë Orientale mbretërore e perandorake në Vjenë, ku u specializua në çështje ballkanike.  Në vitin 1906, u emërua Sekretar i gradës së III në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, në Stamboll. 1907, Sekretar i gradës së III në Ambasadën e Perandorisë Otomane në Shën Petersburg për tre muaj. 1909, Sekretar i II në zyrën e përkthimeve Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane-Stamboll. Hapën të parin klub “Bashkimi” në Stamboll më 1908 me miqtë e tij. Punonte të botonte gazetën e re “Shqiptari” bashkë me ikanakun nga Struga, Dervish Hima dhe shkodranin Hilë Mosin. Po atë vit merr mandat nga kolonia shqiptare e Stambollit që bashkë me Dervish Himën t’i përfaqësojë në Kongresin e Manastirit por pengohet nga shefi i tij. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike ai shërbeu si komandant i batalionit territorial të Vlorës me gradën major në rezervë. Pas disa luftimesh të suksesshme me forcat greke në zonën e Bregut ai u thirr në Vlorë nga xhaxhai i tij, Ismail beu. Tek vëllimi “Kujtime” gjejmë deklaratën në një bisedë me Murad bej Toptanin se zotëronte 9 gjuhë të huaja, të vdekura dhe të gjalla. Në verën e vitit 1944, ai u bë ministër i Jashtëm dhe i Drejtësisë para se të shkonte në mërgim në Itali me ardhjen e komunistëve në pushtet. Qëndroi për 10 vite në Itali derisa u shpërngul në Austri. Vdiq në Vjenë, më 25 maj  të viti 1964.

 

Më 1 dhjetor 1929 u lind në Shkodër, Alfred Mojsiu, djali i Spiro Moisiut. Gjatë viteve 1941 – 1945 ndoqi gjimnazin e Tiranës. Pastaj  ndoqi shkollën e Inxhinierisë Ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Në vitet  1949 – 1951 ishte  instruktor në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”. Në vitet 1958 – 1966 ishte oficer në Drejtorinë e Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes. Në 1966 – 1971 u caktua komandant i Brigadës së “Urave të Rënda” në Kavajë. Prej vitit 1971 deri në vitin 1981 ishte  drejtor i Xhenios dhe i Fortifikimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Pastaj zëvendësministër i Mbrojtjes dhe më pas komandant i Kompanisë së Xhenios në Burrel deri më 1984. Më 1985 deri më 1991 nxirret në pension. Më 1991 – 1992 u emërua ministër i Mbrojtjes. Në vitet 1992 – 1994 emërohet këshilltar i ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulali. Më vonë zëvendësministër për Politikën e Mbrojtjes. Nga viti  1994 deri në vitin  2002 ishte president i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut. Ishte  dhe ministër i Republikës së Shqipërisë që nga 24 qershori i vitit 2002 deri më 24 korrik të vitit 2007. Alfred Moisiu është autor i mjaft shkrimeve, artikujve dhe studimeve të botuara në shtypin shqiptar e të huaj, për problemet e artit ushtarak, të politikës së mbrojtjes e të sigurisë rajonale si dhe për zhvillimet në Kosovë.

 

Më 1 dhjetor të vitit 1941, në Gorishovë të Mallakastrës lindit aktori i njohur, Luftar Paja. Pas mbarimit të shkollës së mesme elektrike në vitin 1963, mbaron studimet për aktor pranë Teatrit Popullor, me pedagogë emra të shquar të artit skenik shqiptar. Talenti i tij spikati që në konkurrimin e tij parë, në vitin 1957, me një variete në të cilën fitoi çmimin e parë. Luftari është nderuar me medalje të çmimit të parë në vitin 1969, për kontributin e dhënë në grupet amatore, është nderuar me medaljen Naim Frashëri e klasit të parë. Ka marrë pjesë në rreth 15 filma artistikë, duke filluar nga filmi “Streha e re” “Këshilltarët”, “Guna mbi tela”. “Udha e shkronjave”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Pas takimit të fundit”. Për kontribut cilësor është vlerësuar me tri çmime të para në konkurrime estradash, ndërsa në Festivalin e Humorit në maj të vitit 1996, që u zhvillua në Tiranë, u cilësua “Aktori më i mirë i karrierës”. Gjatë 45-vjetësh jetë artistike në skenë ka interpretuar në shumë gjini, kemi parasysh monologun, dialogun, pantomimën, parodinë, mikrokomedinë, komedinë, role në dramë, kinematografi etj. Ka marrë vlerësime shumë pozitive, por është dalluar në interpretimin e mjaft roleve të karaktereve. 700 role mbi supe dhe 130 premiera estrade janë vite pune që nuk e kanë lodhur pasionin e artistit për figurat e humorit.

 

Më 2 dhjetor të vitit 1987 vdiq në Pejë historiani i mirënjohur shqiptar, Ali Hadri. U lind më 3 mars të viti 1928 në Lushnjë. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Gjakovë. U diplomua në vitin 1956 në Fakultetin Filozofik të Beogradit dhe pastaj po aty magjistroi  në vitin 1960. Disertacionin e doktoratës Lëvizja nacional­çlirimtare në Kosovë 1941-1945 e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në vitin 1970. Ishte dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, profesor ordinar i Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i Institutit të Historisë të Kosovës. Ishte drejtor i revistës “Përparimi”, kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” (seria historike) dhe kryeredaktor i revistës “Kosova”. Për shumë vite i drejtoi studimet pas­universitare dhe udhëhoqi shumë magjistrantë dhe doktorantë. Ishte kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Historianëve të Jugosllavisë dhe bashkë­punëtor i një numri revistash historike. Në fushën e shkencës së historisë botoi, duke filluar nga viti 1957, qindra punime. Botoi dhjetë vepra monografike dhe shumë tekste të his­torisë së popullit shqiptar për shkollën fillore dhe për shkollën e mesme. Ka marrë pjesë me referate e koreferate në simpoziume dhe në tubime të tjera shkencore. Për shkak të qëndrimet të tij kombëtar në përkrahje të kërkesave për Republikën e Kosovës u persekutuar dhe u dënua me burg.

 

Më 2 dhjetor të vitit 1944, lindi Ibrahim Rugova, njëri ndër ideatorët e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. U lind në fshatin Cerrcë, komuna e Burimit. Shkollën fillore e kreu në Burim, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.  Më 23 dhjetor të vitit 1989,  u zgjodh në krye të LDK-së dhe që nga themelimi e deri në vdekje ishte kryetar i kësaj partie. Ibrahim Rugova u rizgjodh kryetar i Kosovës në zgjedhjet e mbajtura nën okupimin serb,  në mars të vitit 1998. Vdiq me 21 janar  të viti 2006, u varros me nderime te larta shtetërore dhe ushtarake.

 

Më 2 dhjetor të vitit 1998 kanë rënë, në Prishtinë,  dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hyzri Talla, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi.

 

 

Më 3 dhjetor të vitit 1901, vdiq në Shën Pali të  Brazilit, poeti i madh arbëresh-shqiptar, Zef Serembe. U lind më 6 mars të vitit 1844 në Strigari, në San Cosmo Albanese  të krahinës së Kozencës. Ka qenë poet lirik arbëresh. Studioi në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitrin ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan Seremben të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. I pushtuar nga  humbja e bashkëshortes, meqë nuk pati fëmijë ai mori detin për në Brazil, në vitin 1874. Me ndihmën e një letre-porosi nga princesha rumune  me origjinë shqiptare Dora d`Istria, ai u prit në oborrin perandorak të Dom Pedros së  Dytë.  U kthye në Evropë, i zhgënjyer e i pikëlluar nga jeta e oborrit. Me kthimin e tij më 1875 ai pësoi edhe një kthesë tjetër fati edhe më të keqe. Atij iu vodhën te gjitha paratë që kishte, me sa duket në portin e Marsejës. Iu desh të kthehej në këmbë nga Franca  për në Itali dhe gjatë rrugës humbi shumë dorëshkrime. Në Livorno, arbëreshi  Dhimitër Kamarda e pajisi me një biletë treni për pjesën e mbetur të rrugës për në Kozencë. Në vitin 1866 shkoi te arbëreshët në Sicili, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin. Po nuk gjeti asgjëkundi qetësinë e shpresuar. Shkroi shumë poezi dhe disa prej  vjershave qarkulluan si poezi popullore. Në vitin 1893 udhëtoi për në Amerikë, ku jetoi për dy vite. Një vëllim i vargjeve të tija në italishte u botuan në vitin 1895 në Nju Jork. Në vitin 1897 ai emigroi nga Kalabria për në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u përpoq të rifillonte një jetë të re në Buenos Aires Argjentinë. Në vitet që pasuan u sëmur dhe vdiq më 3 dhjetor të vitit 1901 në Shën Pali, të  Brazilit.

 

Më 3 dhjetor të vitit 1924 lindi Eshref Pumo, inxhinier, gjeolog, profesor e pedagog.  Eshref Pumo u lind në Gjirokastër më 3 dhjetor 1924. Këtu mori arsimin fillor dhe gjysmën e Gjimnazit, kurse pjesën tjetër e vazhdoi dhe e mbaroi në Tiranë më 1943. Duhet theksuar që në fillim, se Eshrefi bashkë me familjen e tij e përqafuan herët LANÇ. Kështu, vëllai i madh, Pertefi, u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ndërsa Eshrefi, në moshë të re, u bë anëtar aktiv i Rinisë Antifashiste më 1942. Eshref Pumo ka marrë pjesë aktive në demonstratat e zhvilluara në Gjirokastër dhe, më vonë, në ato të organizuara në Tiranë me të rinjtë e gjimnazit. Për vendosmërinë dhe veprimtarinë e tij aktive kundër okupatorit, ai pranohet në radhët e PKSH që në dhjetor të vitit 1943. Bashkë me Qemal Xhangon e Reis Çanin ka shtypur komunikata, trakte, qarkore dhe këngë për brigadat partizane, ka realizuar shumëfishim të gazetave “Kushtrimi i lirisë” dhe “Zëri i Popullit”, që vinin nga Tirana, si dhe broshura të ndryshme me përmbajtje revolucionare. Falë kontributit që dha gjatë LANÇ, ai mban tri dekorata lufte, si dhe të tjera pune. Pas çlirimit të vendit ai shkoi për studime të larta në Poloni, ku, më 1952, në qytetin e Krakovit mbaroi Akademinë Minerare. Kur u kthye në atdhe, u emërua kryeinxhinier në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjeologjisë. Më tej ai u ngarkua me detyra të rëndësishme shtetërore në sektorin e gjeologjisë. Nga viti 1965 dhe deri në fund të jetës, Eshref Pumo ka qenë Dekan i Fakultet të Gjeologjisë.  Vdiq në vitin 2006.

 

Prej datës 3 dhjetor të vitit 1941 e deri më  4 janar të vitit 1943, në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë, ka funksionuar Qeveria kuislingë e Mustafa Krujës. Ai në  fillim të karrierës së tij ishte nacionalist dhe antifashist, por më vonë pranoi të qeveriste nën regjimin italian. Mustafa Kruja ishte kryeministër dhe sekretar shteti i Punëve të Brendshme., Hasan Dosti – ministër sekretar shteti i Drejtësisë, Shuk Gurakuqi – ministër sekretar shteti i Financave, Xhevat Korça – ministër sekretar shteti i Arsimi, Iljaz Agushi – ministër i Punëve Botore dhe ministër i Kosovës, Fuat Dibra, ministër sekretar shteti i Ekonomisë Kombëtare, Eqerem Vlora –  ministër sekretar shteti i Tokave të Lirueme, Dhimitër Berati – ministër sekretar shteti i Kulturës Popullore. Jup Kazazi – ministër sekretar shteti i Partisë Fashiste.

 

Më 3 dhjetor të vitit 1998 ka rënë dëshmori i UÇK-së, Hysni Xhafer Duraku

 

Më  4 dhjetor  të vitit 1912 ishte themeluar  Qeveria e parë shqiptare, që nga koha e Skënderbeut e vitit 1443. Atë  ditë Kuvendi i Vlorës zgjodhi Qeverinë me kryeministër Ismail Qemalin, i cili në atë kohë kishte edhe funksionin e Ministrit të Jashtëm. Ajo qeveri e re kishte në përbërje të saj 10 ministra, politikanë, aktivistë, njerëz të shquar të lëvizjes politike e patriotike, publicistikës e jetës fetare në Shqipëri: Zëvendës-kryeministër u zgjodh Dom Nikollë Kaçorri, një personalitet i spikatur i kishës katolike, sekretar i Argjipeshkëvisë së Durrësit; Ministri i Brendshëm, Myfit Libohova, politikan i shquar shqiptar; Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike; Ministri i Drejtësisë, Petro Poga, botues i gazetës “Drita” të Stambollit; Ministri i Bujqësisë Pandeli Cale; Ministri i Financave Abdi Toptani; Ministri i Luftës, Mehmet Pash Dërralla, njër ndër luftëtarët më të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878; Ministri i Punëve Botore, Mit’hat Frashëri një tjetër figurë e spikatur në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit 2o-të dhe Ministri i Postë Telegrafit, Lef Nosi, nënshkrues i Aktit të Pavarësisë.

 

Po më 4 dhjetor të vitit  1912, vetëm 6 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u krijua edhe Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet Pashë DERALLA (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm i drejtuar nga major Ali Shefqet SHKUPI. Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe Xhandarmëria me 12. 000 pjesëtarë. (Kalendari Kombëtar: RKL TV-DIELLI)

 

Më 4 dhjetor, në Malet e Pashtrikut në përpjekje për të sjellë armatim për luftëtarët e lirisë së Kosovës kanë rënë dëshmorë: profesor Muhamet Malësori, pastaj  Skënder Hameli, Hysni Duraku,  Sedat Hoti, Isak Hoti, Ismet Hoti, Hida Hoti dhe Sinan Hoti.

 

Më 4 dhjetor të vitit 1998  ka rënë në altarin e lirisë, Myrvete Salih Maksutaj, në përpjekje për ta nxjerrë nga Spitali i Pejës të arrestuarit nga Policia serbe, Afërditë Zekaj dhe Naim Lushi, të cilët ishin plagosur dhe mbaheshin nën vëzhgim të policisë.

 

 

Më 5 dhjetor kalendari kujton Shën Pelinin, martir shqiptar nga Durrës. Shën Pelini lindi në Durrës rreth vitit 620. Ishte murg bazilian, opozitor i herezisë monotelite në Bizant. Kundërshtoi fuqishëm qëndrimet e Kostandinopojës e për këtë arsye, funksionarët e perandorisë Bizantine, më urdhër të basileusit e internuan në Korfinio të Abruços  në Itali), ku u dënua me vdekje dhe u vra së bashku me dishepujt e vet, më 5 dhjetor të vitit 662.

 

Më 5 dhjetor të vitit 1942, në fshatin Grackë e serbëve, afër Lypjanit  u vra,  Emin Duraku,  U lind në vitin 1917, në Gjakovë, ku edhe i mori mësimet e para. Në vitin 1932 së bashku me disa shokë kalojnë kufirin ilegalisht dhe shkojnë në Shqipëri  me qëllim për të ndjekur  mësimet në gjuhën amtare, meqë Jugosllavia monarkike jo vetëm që nuk lejonte shkollimin shqip por ndëshkonte çdo përpjekje për ta mësuar atë.  Me të arritur në Tiranë, regjistrohet në shkollën e mesme të qytetit nga e cila më 1935 edhe përjashtohet për shkak të angazhimin e tij në grupet  revolucionare, majtiste, që vepronin në kuadër të Lëvizjes komuniste të kohës. Në vitin 1939 kthehet në Gjakovë. Sërish kalon kufirin dhe  kthehet në Shkodër ku merr pjesë në demonstratat antifashiste kundër pushtimit italian që u mbajtën më 28 nëntor të vitit 1939. Duke qenë se bie në sy si militant dhe i vendosur forcat fashiste e arrestojnë dhe e internojnë  ishujt italian Ventotene. Në vjeshtë të vitit 1942, Emin Duraku kishte kontaktuar grupet komuniste në rrethin e Lypjanit, në fshatin Suhadoll, në një rreth aktivistësh serbë. Përcjellësi i tij serb, ishte kapur nga karabinieria dhe me qëllim për të shpëtuar kishte denoncuar  vendin ku ndodhej Emin Duraku. Atë natë, në Kuesturë kishte ndodhur, në detyrë, Ismail Dragusha, i cili e kishte njohur Emin Durakun, dhe ishte përgatitur të nisej me qëllim për ta shpëtuar, por një ushtar italian e kishte goditur me armë. Emini ishte plagosur rëndë dhe Ismail Dragusha, kishte urdhëruar që sa më parë ta dërgonin në Spitalin e Prishtinës. Ai iu  kishte lutur Ismajlit,  të cilin e njihte dhe i besonte,  që ta niste për në Spitalin e Prizrenit, ku do të ishte afër familjes. Ata ia kishin plotësuar dëshirën, por pa arritur në Spital kishte vdekur më 5 dhjetor të vitit 1942.

 

Më 5 dhjetor 1935 lindi Faslli Haliti, në fshatin Plug të Lushnjës.  Ka mbaruar Liceun Artistik “Jordan Misja” për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë.  Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ishte qortuar dhe ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhrin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.

 

 

Më 6 dhjetor të vitit 1690, vdiq në Prishtinë, Pjetër Bogdani, prift katolik. Lindi në Gur të Hasit, mes fshatrave Gjonaj dhe Breg Drini në rrethinat e Prizrenit, në vitin 1625. Sipas njoftimeve nga nipi i tij, Dom Gjon Bogdani  bëhet e ditur se ai qysh në moshë të njomë ishte shkolluar në kolegjin e  françeskanëve në Çiprovec, sot në Bullgarinë veri-perëndimore. Dihet me siguri që më 1642 u përcoll nga ungji André në Romë. Vijoi studimet e larta në kolegjin e Loretos, ku gjeti edhe bashkëkombas të tjerë si Martin Kryeziu, Gjurë Gallata, Kolë Vladanji e Marin Spica. Më 1650 kreu studimet dhe u shugurua meshtar në Bazilikën e Loretos. Pranverën e 1651 mori doktoratën në teologji me brohoritje të të gjithëve. Pas një qëndrimi rreth nëntë vitesh në Itali, Bogdani u kthye në atdhe dhe pati si fushë veprimi misionin e Gashit në Ipeshkvinë e Pultit. Më 1656 u emërua ipeshkëv i Shkodrës, ku shërbeu për njëzetenjë vite, u emërua gjithashtu administrator i Arqipshkvisë së Tivarit deri më 1671. Gjatë viteve të trazuara të luftës Austro-Osmane, 1664-1669, u strehua në fshatrat e Rrjollit dhe Barbullushit në rrethinat e Shkodrës. Një shpellë në Rrjoll ku ka qëndruar, mban ende sot emrin e tij. U zu nga osmanët dhe u burgos në kalanë e Shkodrës. Ipeshkvi i Durrësit, Shtjefën Gaspri, i raportoi më vonë Propagandës Fide që Bogdanin e shpëtuan vëllezërit Nikollë e Pepë Kastori. Mori pjesë në mobilizimin e popullatës së krishterë në luftën e forcave austriake të Pikolominit në fund të vitit 1989, në Shkup dhe Kaçanik. Turqit e kishin dënuar me vdekje, edhe pse thuhet se ai vdiq nga murtaja.

 

Më 6 dhjetor të vitit 1797 u lind, Naum Veqilharxhi, i njohur si Naum Panajot Bredhi. Ai ishte ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar iluminist e veprimtar i shkollës shqipe. U lind  në fshatin Vithkuq të rrethit të Korçës, Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin. Babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, me familjen emigroi në Tara të Rumanisë. Naumi, i ndikuar  nga idetë atdhetare arriti të bëhej një nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes, në Rumani. Më 1838, vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve rumune. Po në këtë periudhë, ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçare për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët. Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet pas me krijimin e shoqërisë “Drita” pas vdekjes, në vitin 1848. Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët.

 

Më 7 dhjetor të viti 2015 vdiq Rrok Mirdita. Ka lindur në Këllezen të Ulqinit, më 28 shtator të vitit 1939. Shkollën fillore dhe të mesme e ka ndjekur në vendlindje. Ka kryer Liceun Klasik dhe studimet filozofike dhe teologjike në Zagreb, me rezultate të shkëlqyera U shugurua meshtar më 4 korrik 1965 nga Arqipeshkvi i Tivarit, Aleksander Tokic. Deri në 1973 ka zhvilluar veprimtarinë e vet baritore ndër famullitë shqiptare të dioqezës së Tivarit. Në këtë vit dërgohet nga Arqipeshkvi i Tij Në Nju York për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë, pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronks.  Në vitin 1985 Kradinal O’Connor e emëron administrator të qendrave Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe “Shën Pali”. Në 28 shtator 1989 emërohet nga i njëjti arqipeshkv, famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës”, e themeluar nga vetë Rrok Mirdita. Në 1991 viziton Shqipërinë, që e kishte njohur përmes emigranëve shqiptarë në Amerikë. Në 1992 Papa Gjon Pali i II e emëron Arqipeshkëv i Durrës – Tiranë. Pas këtij emërimi largohet për tu vendosur në Shqipëri duke u përkushtuar për ngritjen shpirtërore dhe promovimin njerëzor të popullit besuar kujdesit të tij baritor.

 

Më 7 dhjetor të vitit 1926 ka lindur  Tish Daija, kompozitori i njohur shqiptar. U lind në Shkodër ku edhe mori mësimet e para. Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, etj. Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija është autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, etj. Tish Daija ka vdekur në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2004.

 

Më 7 dhjetor të 1937 në Hoqë të Vogël të Komunës së Rahovecit, u lind shkrimtari, Sylejman Krasniqi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa gjimnazin në Prizren. Ka qenë e dënuar me burg për shkak të aktivitetit të tij kombëtar. Burgun e ka mbajtur në Rahovec, në Prizren dhe në Serbi në vitet 1952-1953. U arratis për në Shqipëri me përkushtimin për të bërë të pamundurën për çështjen kombëtare. “Shpëtimin” mendoi se do ta gjente në Shqipërinë nënë, kur më 1958 i dolën lot gëzimi teksa shkelte për herë të parë në Shqipëri. Fjala shqip e ushtarëve të kufirit teksa i thoshin “Ndal” iu duk si përshëndetja më e ëmbël në atë vend që akoma se kishte mirëpritur dhe nuk do ta mirëpriste edhe për një kohë të gjatë. Ka kryer studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi Shqipe, në vitet 1963 – 1967. Ka punuar si mësues i shkollave të mesme në Mat dhe në Tiranë deri në vitin 1982, kur iu dha titulli shkrimtar në profesion të lirë, Vdiq në Tiranë më 16 korrik 2011. Në jetën e tij letrare shkroi mbi 20 vepra historike dhe shumë artikuj e shkrime publicistike Ndër veprat më të njohura janë:  Tri motra, tri histori,  novelë, Qielli i përflakur, Prijësja e komitëve, Mic Sokoli, Besëlidhja shqiptare, Pushka top, Bajram Curri e të tjera

 

Më 8 dhjetor të vitit  1994 ka vdekur në Tiranë, Behar Shtylla, arsimtar, nëpunës, deputet, diplomat dhe ministër i shtetit shqiptar. U lind në Kolonjë më 11 mars të vitit 1918. Ndoqi liceun frëng të Korçës. Më 13 qershor 1940 përfitoi nga një ndihmë e Këshillit të Ministrave për të studjuar në Romë. Në nëntor-dhjetor 1942 u caktua mësues i gjuhës frënge në liceun e Korçës Nga prilli i 1944 e deri prillin pasardhës qe sekretar i Komitetit Antifashist për Korçën. Deri qershorin e 1945 qe sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Më 1945 ishte  sekretar i Sekretariatit të Frontit Demokratik, pastaj  sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe vitin pasardhës drejtor politik i dikasterit. Më 1954 – 1982 qe deputet. Ishte ministër i shtetit shqiptar në Romë, pastaj  ministër i Punëve të Jashtme, kryetar i Kuvendit Popullor dhe i shumë funksioneve të tjera shtetërore.

 

Më 8 dhjetor të vitit 1947 doli numri i parë i revistës së ilustruar “Shqipëria e Re“,  e cila vazhdoi të dalë në dritë gjatë gjithë kohës së regjimit komunist në Shqipëri.

 

Më 8  dhjetor të vitit 1944 u lind, Vilhelme Vranari. Kreu studimet në degën Histori-Gjeografi, ku u diplomua me rezultate maksimale në vitin 1975. Punoi 25 vjet punëtore e vetëm më 1990-të rifilloi punë në arsim dhe u mor me publicistikë. Pas viteve 1990 ka punuar për emancipimin e gruas dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare.  Ka botuar 35 vepër letrare, në mesin e tyre  18 romane. Ka qenë redaktore e Gazetës “Kanina”.

 

 

Më 9 dhjetor të vitit 1890 u lind,  Zija Dibra, atdhetar e revolucionar i njohur shqiptar. Kreu një shkollë ushtarake në Stamboll dhe pati karrierë si ushtarak i lartë në ushtrinë osmane. Kthehet në Shqipëri më 28 mars 1921, ku emërohet ministër Punëve Botore në qeverinë Evangjeli. Qe ndër ministrat që provokuan krizën e dhjetorit për rrëzimin e kësaj qeverie. Radhitet në krahun e opozitës, në atë që u quajt “Lidhja e Shenjtë”. Spikati si njëri prej organizatorëve të kryengritjes së marsit të vitit 1922. Më 5 prill 1922 dënohet me vdekje në mungesë. Sipas një marrëveshjeje u ra dakord të lihej të dilte nga Shqipëria. Më 1923 ndodhej në Vienë me Hasan Prishtinën dhe Irfan Ohrin ku qe bërë pjesë e një organizate antizogiste të themeluar nga Aqif pashë Elbasani. Mbi bazën e një ujdie të bërë, lejohet të kthehet në Shqipëri. Falet më 2 qershor 1924 nga Kuvendi Kushtetues, kthehet në qershor të 1924. Përkrahu Lëvizjen e qershorit dhe qeverinë Noli të dalë pas saj. Me ardhjen e Zogut në pushtet arratiset për në Jugosllavi, por autoritetet e atjeshme e kthejnë. I akuzuar në atdhe për ide komunste më 20 janar vendos të internohej prej Durrësit në Berat, i shoqëruar nga një aspirant i vetëm. Në Harizaj të Kavajës, i iku aspirantit dhe u përpoq të arratisej me kalë. Pas thirrjeve të aspirantit, nuk u bind të kthehej dhe ai e goditi me një plumb në kokë më 20 janar të vitit 1925.

 

Më 9 dhjetor të vitit 1910, në fshati Duhle të Therandës u  lind Sadri Sahit Çatani, luftëtar popullor, pjesëmarrës në luftime nga radhët e Lëvizjes Nacional-demokratike Shqiptare. I edukuar me ide atdhetare, luftoi kundër riokupimit serb të Kosovës, në vitin 1945. Ka qenë i plagosur rëndë në luftimet e 8 gushtit të vitit 1946  në Hoqë të Prizrenit. Ka qenë e dënuar dhjetë vjet burg për shkak të aktivitetit të tij atdhetar. Vdiq më 27 tetor të vitit 1987 në fshatin Krojishtë Lypjanit.

 

Më 10 dhjetor të vitit 1909 u lind, Osman Bunjaku, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, në një familje me tradita atdhetare. Duke qenë se familja ishte në shënjestër për shfarosje nga regjimi i Jugosllavisë monarkike,  familja Bunjaku dhe katër familje të tjera nga ai fshat, në vitin 1924  shpërngulen dhe vendosen në Turqi. Për shkak të zënkave dhe vrasjes me një familje turke, në vitin 1926 kthehen dhe vendosen në Fier të Shqipërisë. Në prill të vitit 1941, Osman e Shaban Bunjaku së bashku me forcat italo-gjermane kthehet në Kosovë së bashku me një pjesë të familjes. Duke qenë se kishte kryer shkollim ushtarak në Shqipëri sistemohet në njësitë mbrojtëse të Kosovës në Zonën e Llapit. Ka qenë ndër personalitetet më të vendosura dhe emblematike të NDSH-së. Në kongresin e Lypovicës  me 25 korrik të vitit 1946 ka kundërshtuar me forcë largimin e forcave nacionaliste nga Kosova dhe me bashkëmendimtarët e bashkëluftëtarët e tij formojnë, Divizionin Ibrit.  Së bashku me Shaban Bunjakun, Hilmi Zariqin, Jetullah Zabelin, Azem Bellaçevcin Ajet Gërgurin e të tjerë ka ndihmuar organizimin e radhëve të NDSH-së. Më 1 shkurt të vitit 1947 me Shaban Bunjakun, Rrahman Selacin, Ajet Gjelin e Çirezit, Hajriz Klinakun, Qamil Pakashtivën e të tjerë bien në pritë të forcave jugosllave me ç rast pas një luftë dy ditore kanë rënë 15 luftëtarë të NDSH-së. Osmani me disa luftëtarë kishte çarë rrethimin dhe kishte vazhduar luftën. Kapet gjallë më 10 mars të vitit 1947, me qëllim për ta shpëtuar gjallë vëllanë  17-vjeçar, Rexhepin. Dënohet me vdekje dhe pushkatohet më 31 gusht të vitit 1947, në vendin e quajtur Strelishte në Prishtinë.

 

Më 10 dhjetor 1922 u themelua Biblioteka Kombëtare. Ajo fillimisht kishte 6000 tituj librash dhe drejtohej nga shkrimtari atdhetar, Hilë Mosi. Drejtori i parë i kësaj Biblioteke ka qenë Karl Gurakuqi

 

Më 10 dhjetor të vitit 1979, shqiptarja,  Gonxhe Bojaxhiu e njohur në botë si Nënë Tereza ka marrë  Çmimin Nobel për Paqen në Oslo të Norvegjisë. Dihet nga të gjithë se Nënë Tereza është me origjinë shqiptare, por ajo ishte indiane, italiane, amerikane, angleze, nga të gjitha vendet e botës, ku motrat e saj u shërbenin më të humburve, më të mënjanuarve, më të padashurve. E të gjithë e konsideronin të tyren këtë murgeshë të brishtë katolike, që kërkoi gjithë jetën Zotin në rrugët e mjerimit.

 

Më 11 dhjetor të vitit 1947 vdiq në Bukuresht, Aleks Stavri Drenova, Asdreni. U lind më 11 prill të vitit 1872 në Drenovë të Korçës. Shkollimin e mesëm e nisi në gjimnazin e qytetit. I mbetur jetim mërgoi në Rumani në 1885, por  u rikthye në atdhe në vitet 1889, 1914, 1937. Kreu Akademinë Tregtare të Bukureshtit dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të atjeshëm, të cilin nuk arriti ta përfundonte. Asdreni ka qenë veprimtar i shquar i kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe sekretar i saj për një periudhë mes viteve 1913-1925, ndërsa  në periudhën 1922-1934 shërbeu, me disa ndërprerje, si sekretar i Konsullatës Shqiptare të Bukureshtit. Asdreni mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912, në të cilën u vendos të shpallet pavarësia e Shqipërisë. “Betimi mbi flamur” e vjersha të tjera me frymëzim atdhetar luajtën një rol të shënuar në forcimin e ndërgjegjes kombëtare në prag e pas Shpalljes së Pavarësisë dhe në periudhën e konsolidimit të shtetit shqiptar. I shqetësuar gjithnjë për fatet e Atdheut botoi artikuj në gazetat e kohës: “Albania”, “Drita”, “Shqipëria e Re” ku  trajtoi probleme politike e shoqërore përmes një vargu artikujsh me orientim demokratik e frymë konstruktive. Idealist i përkushtuar, Asdreni e mbylli jetën në varfëri të plotë. Vepra e Asdrenit është studiuar  dhe është nxjerrë në dritë nga profesori dhe akademiku Rexhep Qosja.

 

Më 11 dhjetor të vitit 1887 lindi Sotir Papahristo, studiues dhe hartuesve të teksteve të para të pedagogjisë dhe përkthyes i klasikëve të letërsisë antike greke. Lindi në Vëmbell, afër Follorinës,  tani pjesë e Greqisë. Mësimet e para i mori në shkollën e vendlindjes, më pas të mesmen në gjimnazin e Korçës. Shkon tek disa të afërm në Manastir, ku vazhdoi gjimnazin e atjeshëm, por më pas u kthye në gjimnazin grek të Korçës – që e përfundoi më 1907. Mitropolia e Korçës i mundësoi bursë për të vijuar studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Athinës. U kthye në Korçë, ku nisi të japë mësim greqishten e vjetër, latinishten dhe historinë e përgjithshme deri në vitin 1922. Pas mbylljes së shkollave greke dhe dëbimit të mitropol, Jakovit,  Sotir  Papahristoja nisi t’i përkushtohej më tërë energjitë e tij arsimit shqip. Me Spiro Kondën u thirr delegat i gjimnazit grek në Kongresin Arsimor të Tiranës po atë vit dhe më tej u emërua kryeinspektorë i shkollave të prefekturës së Korçës. Në mars 1925, ai u ftua në Tiranë, për të marrë në dorë drejtimin e arsimit shqiptar në postin e drejtorit të Drejtorisë së përgjithshme të Arsimit shqiptar, që në atë kohë zëvendësoi Ministrinë e Arsimit,  detyrë që e kreu për 6 muaj. Pas këmbënguljes së tij për t’u rikthyer në vendlindje, u caktua drejtor administrativ në Liceun e Korçës. Vdiq më 21 shtator të vitit 1979.

 

Më 11 dhjetor të vitit 1962 u hap Festivali i Parë i këngës në Radio. Kënga e parë quhej “Këndoj” shkruar nga Ismail Kadare, e kompozuar nga këngëtari, Avni Mula.

 

 

Më 12 dhjetor  të viti 1939 vdiq  Kolë (Nikollë) Idromeno. U lind  në Shkodër, 15 gusht  të viti 1860. Ai ka qenë artist,  piktor, skulptor, fotograf, butaforist, skenograf, muzikant si dhe arkitekt. Konsiderohet si i pari përfaqësues i historisë së pikturës moderne shqiptare. Idromeno dha po ashtu të parat shfaqjet kinematografike në Shqipëri, qysh në vitin 1913. Si arkitekt projektoi dhe zbatoi planet e mbi 60 ndërtimeve kryesore, private dhe publike në qytetin e Shkodrës. Idromenot kishin prejardhjen nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali pashë Tepelenës për t’u vendosur në Korfuz. Prifti, Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e Ungjillit sipas Matheut dhe Dhjatës së Re në gjuhën shqipe me alfabet grek.  Në vitin  1884 Idromeno u martua me Gjuzepinën e Gaspër Muzhanit. Më 20 korrik 1886 u lindi djali, Zefi, i cili vetëm pas dy vjetëve më 15 korrik 1888, ndërroi jetë. Gjatë viteve 1902-1906 si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm, Simon Rrota. Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit. Më 1911 hartoi programin e karnavaleve të organizuar nga klubi «Gjuha shqipe». Në gusht të viti 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze Jozef Shtauber për të importuar pajisje kinematografike dhe u bë njeriu i parë që hapi kinemanë e parë rudimentare ku u shfaqën pamjet e para filmike.

 

Më 12 dhjetor të vitit 1913 u lind, Abas Ermenji në fshatin Ermenj të Skraparit. Mësimet fillore i kreu në Berat, kurse studimet e mesme në gjimnazin e Shkodrës. Në vitet 1934-1938 kryen në Sorbonë të Parisit, Fakultetin e Letërsisë me specializim në Histori. Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe emërohet profesor në Liceun e Korçës ku jep mësim deri në muajin nëntor të vitit 1939. Arrestohet nga italianët si një nga organizatorët e rinisë korçare në manifestimet e 28 Nëntorit të viti 1939 kundër pushtimit fashist dhe internohet në ishullin e Ventotenes, prej ku lirohet në vitin 1941. Sapo kthehet në Shqipëri merr pjesë në organizimin e rezistencës së armatosur kundër pushtimit të huaj në zonën Skrapar-Berat dhe arrin ta mbajë Beratin të lirë prej italianëve. Ishte një nga organizatorët e Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit qendror të tij. Pas fitores së Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri, detyrohet të largohet nga atdheu dhe të marrë rrugën e gjatë të mërgimit. Vendoset në Paris ku drejtoi Komitetin Kombëtar Demokrat, “Shqipëria e Lirë”, i cili ka lozur një rol të madh në përpjekjet për një Shqipëri të lirë dhe për çlirimin e Kosovës nga shtypja dhe tirania e Serbisë. Profesor Abas Ermenji u nda nga jeta më 10 mars 2003.

 

 

Më 13 dhjetor të vitit 1683 ka vdekur, Andrea Bogdani, kryeipeshkëv i Shkupit, personalitet i shquar i Kishës dhe i kulturës shqiptare të shekullit të XVII, i cili punoi shumë për arsimimin e popullit shqiptar. Hartoi një gramatikë të shqipes, shkroi shumë tekste për nevojat e mësimit shqip dhe u mor me mbledhjen e visarit gjuhësor popullor. Për këto vepra, siç shënon i nipi i tij, një tjetër prelat i madh i Kishës shqiptare, Pjetër Bogdani, i cili bashkë me selinë kryeipeshknvore, trashëgoi edhe arkivin e të unxhit, “u tretën si kripa në ujë”, gjatë peripecive të panumërta të jetës së autorit, “Çeta e Profetëve”. Veprat, pra humbën, ndërsa Pjetri ndiqej nga turku pushtues e fshihej bashkë me faqet më të rëndësishme të arkivit të trashëguar nga imzot Andrea Bogdani.

 

Më 13 dhjetor të vitit 1929 vdiq,   Rexhep Demi, atdhetar, veprimtar çam.  U lind në Filat të Çamërisë në vitin 1864. U shkollua në medresenë  e Hoxhë Tahsinit, dijetarit të madh shqiptar të asaj kohe. U burgos nga Perandoria turke për shkak të veprimtarisë së tij atdhetar. Më 7 shtator 1908, në Filat, ishin hapur dyert e një shkolle fillore në gjuhën shqipe. Në një telegram, të dërguar nga Musa Demi, thuhej: “Me gaz të madh u japim një sihariq se sot çelmë këtu, me shumë lavdëri, një shkollë shqip dhe i bëmë disa fjalë mëmëdhetarisht. Afërsisht, po në atë kohë u hap një shkollë tjetër shqipe në Luros të Çamërisë. Mësuesit e parë të shkollës së Filatit ishin: Qamil Izet Çami, drejtor e mësues dhe Hamit Demi, mësues.

 

Më 13 dhjetor të vitit 1914, u lind Azem Bajram Jashanica, i njohur edhe si Azem Bellaçevci. Mësimet e para i mori në mejtepin e fshatit, më vonë u regjistrua në shkollën serbe, meqë regjimi i Pashiqit, nuk lejonte shkollimin në gjuhën shqipe dhe ndëshkonte me burg e me likuidim gjetjen edhe të një abetareje të vetme. Më vonë, aftësohet për teknik të hekurudhës. Gjatë qëndrimit në Shqipëri në vitin 1941 takohet me Ajet Gërgurin, pastaj edhe me krerët politikë e ushtarakë të kohës si, Hilmi Zariqi, Osman Bunjaku, Kadri Beba, Gjon Serreçi, Mulla Sadri Pestreshi e të tjerë. Ka qenë personalitet me rëndësi i NDSH-së dhe pjesëmarrës aktiv në të gjitha organizimet e saj. Më 21 shkurt të  vitir 1947 ndodhej në Zonën e Prapashticës, së bashku me luftëtarin e atdhetarin Musli Dumoshi, i ndjekur këmba këmbës nga agjentët e OZN-së. Kapet pabesisht në shtëpinë e Maliq Kallpakut, në fshatin Prapashticë dhe vritet nga një milic  shqiptar i OZN-së, pastaj i graduar në komandant policie.

 

 

Më 14 dhjetor të vitit 1965 vdiq Visarion Xhuvani, prift i  parë  i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare nga viti 1929 deri më 1937, bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit. Senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 marsi i viti 1920 deri më 20 dhjetor të viti 1920. Përkthyes i “Mesharit” dhe “Jetës së Shën Jon Vladimirit Visarion Xhuvani u lind në lagjen Kala. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Shkollën Priftërore, në Athinë. Kreu shkollën për Teologji ku u diplomua me gradën fetare të klerikut. U emërua prift i komunitetit grek në Sofje. Në vitin  1919, qytetaria elbasanase e priti mirë,  shërbesën e parë fetare dhe e bekoi qytetin e tij. Më 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës ku u zgjodh senator i prefekturës së Elbasanit. Më 1922 Arhimandrit Xhuvani merr pjesë në Kongresin e Beratit, ku u shpall Autoqefalia. U dorëzua peshkop në Kotorr të Mbretërisë Jugosllave nga Peshkopi Viktor i Pejës dhe Kryepeshkopi Dhimitër i Kishës Ruse në mërgim. Më 1947 arrestohet dhe dënohet 20 vite burg, shumicën e të cilëve e kaloi në burgun e Burrelit, bashkë me Gjon Shllakun. U lirua nga burgu, në nëntor të vitit 1962, në moshën 76 vjeçare, duke përfituar 5 vjet amnisti.  Vdiq në vitin 1965.

 

Më 14 dhjetor të vitit 1998, në vendin e quajtur “Likenet e Hasit”, një formacion luftarak i UÇK-së, në krye me komandantin, Mujë Krasniqi, kishte rënë në pritë të forcave policore dhe ushtarake serbe. Gjatë luftimeve krejtësisht të pabarabarta kanë rënë dëshmorë pjesëtarë të radhëve të UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës dhe e Pashtrikut,  në mesin e tyre edhe Komandanti Mujë Krasniqi me bashkëluftëtarët e tij. Në mëngjesin e acartë të dimrit në Pashtrik, në relacionin “Lkenet e Hasit-Gorozhup”, me të rënë agu i parë mëngjesor, forcat serbe, të cilat paraprakisht kishin zënë pritë, godasin mu në mes të kolonës, me qëllim të krijimit të hutisë. Lufta nis nga të tri anët ku ishin pozicionuar forcat armike. Luftimet ishin  zhvilluar fyt për fyt me forcat ushtarake e policore serbe. Breshëria e armës armike kishte përshkuar trupin e Mujë Krasniqit, të Beqir Gashit, Ali Krasniqit, Rifat Mëziut dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë. Disa prej tyre kishin mbetur në dëborë dhe ishin ngrirë. Disa të tjerë ishin plagosur. Nëntë prej tyre, shumica të plagosur dhe gati të ngrirë nga acari,  ishin zënë robër nga forcat armike. Edhe forcat armike kishin pësuar humbje të konsiderueshme në njerëz.

Më 14 dhjetor të vitit 1998, në vendin e quajtur Likenet e Hasit, gjatë luftimeve, në një pritë të forcave ushtarake e policore serbe  në Gorozhup të Pashrikut kanë rënë dëshmorë: Mujë Krasniqi, Afrim Musliu, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Ali Krasniqi, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Beqir Gashi, Besim Qarri, Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hazir Kryeziu, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Luljeta Shala, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Maliq Karaçica, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Rifat Mziu, Selim Selimi, Sylejman Elshani, Qenë Qenaj, Veli Ballazhi, dhe Xheladin Xheladini, Xhevat Thaçi, Avni Kutllovci.

 

 

Më 15 dhjetor të vitit 1879 lindi Kristo Luarasi, veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Nxuri në shkollën e Hotovës, ku i dha mësim Petro Nini Luarasi. Si shumë bashkëkohës të tij vajti në mërgim, dhe posaçërisht në Rumani. U vendos në Bukuresht ku lëvizja çlirimtare e shqiptare po ecte përpara me botimin e librave në gjuhën amtare. Kristoja hyri në shkollën që kish hapur në Bukuresht atdhetari, Nikolla Naço ku njëkohësisht mësonte në një shtypshkronjë rumune mjeshtërinë e tipografit. Punon për traktatin teologjiko-filozofik, Fletoret e Bektashinjve  të Naim Frashërit. Nga viti 1896 bashkë me Kosta Jani Trebickën shkoi në Bullgari dhe u vendos në Sofje, ku shqiptarët e mërguar në këtë qytet me 1893 kishin themeluar shoqërinë “Dëshira”. Në vitin 1922, Kristo Luarasi u transferua familjarisht dhe me te gjithë shtypshkronjën në Tiranë ku vazhdoi punën e tij të mëparshme. Vdiq me 7 korrik 1934 në Tirane. Në vitin 1937 Theodhori që administronte shtypshkronjën i ndërroi emrin asaj duke ia kthyer në shtëpia botuese “Kristo Luarasi”. Kështu ajo vazhdoi deri në vitin 1947 kur edhe u shtetëzua.

 

Më 15 dhjetor të vitit 1916 lindi Kolë Jakova, poet, shkrimtar, dramaturg dhe intelektual i njohur shqiptar. Kolë Jakova lindi në vitin 1916 në qytetin e Shkodrës. Në këtë qytet, Kola mbaroi shkollën fillore dhe u angazhua në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ishin pikërisht këto vite, kur i riu nisi të shkruajë vjershat e para. “Kënga e tre heronjëve” dhe “Shqiponjat partizane” shumë shpejt nisën të këndoheshin si këngë. Pas çlirimit, në vitin 1953, Kola shkroi poemën “Heronjtë e vigut”. Fusha kryesore në të cilën Kolë Jakova ka dhënë kontribut të veçantë është dramaturgjia. Në vitin 1954 shkruan dramën “Toka jonë”, “Përkolgjinajt” në vitin 1965, “Lulet e shegës” në vitin 1970, “Bashkë me agimin” në vitin 1975 dhe dramën “Lugajanet” në vitin 1997. Këto i dhanë një ndihmesë të konsiderueshme zhvillimit të dramaturgjisë. Njëkohësisht, Kolë Jakova është autor i disa romaneve si, “Fshati midis ujërave”, “Përballë hekurave të kryqëzuara” dhe “Kulla buzë liqenit”. Vdiq më 15 nëntor të vitit 2004. Ka shkruar veprat:  Bashkë me agimin, Fshati midis ujërave, Halili dhe Hajria, Heronjtë e vigut, Kulla buzë liqenit, Toka jonë, Garda krutane   e shumë të tjera.

 

Më 15 dhjetor të vitit 1942 vdiq në Uashington. Faik Konica, publicist e shkrimtar, studiues i historisë kombëtare i gjuhës shqipe dhe  botues. Lindi në Konicë, në oxhakun e bejlerëve të njohur si Zenelbejllinjtë. Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues të familjes. më 1883 shkoi të vizitonte të motrën, Xhevën, që në atë kohë banonte në Shkodër. Ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve në dy vite shkollore 1883-1885 ku mësoi italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kthehet në vendlindje dhe më pas vijoi shkollimin në Liceun Perandorak të Gallatasarajit në Stamboll, gjatë viteve 1886-1887. Pastaj studioi në Francë. Përfundoi studimet universitare me diplomën në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit. 16 Nëntor të vitit  1895, u pagëzua i krishterë katolik me emrin Domenik. Ka qenë intelektual kontrovers. Ka mohuar krijimtarinë e Naim Frashërit dhe të shumë autorëve të kohës së tij. Për një kohë ka botuar gazetën Albania.  Në vitin 1926 u pajtua me Ahmet Zogun dhe ai  e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në Amerikë post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington.

 

Më 15 dhjetor të vitit 1998 ka rënë duke luftuar kundër forcave pushtuese ushtarake e policore serbe, luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shkordan Fejza.

 

 

Më 16 dhjetor  të vitit 1941 vdiq në Tiranë,  Kristo Dako.  U lind në Korçë më 24 dhjetor 1876, i biri i Anastas Dakos. Më 1887 Dako emigroi në Bukuresht, Rumani, ku mbaroi shkollën e mesme më 1898, dhe më 1902 Fakultetin e Matematikës. Nga ky vit u u aktivizua në shoqëritë Shpresa dhe Dituria të kryeqytetit rumun. Më pas shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku ndoqi dhe mbaroi Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Oberlindit në vitet 1906-1913.  Më 1908 u kthye në atdhe dhe më 1909 qe pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit. Më 1913 u zgjodh president dhe redaktor i gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarëshqiptare Vatra. Dako mori më vonë pjesë në Konferencën e Paqes së Parisit në vitin 1919. Ai është takuar dy herë me presidentin e Shteteve të Bashkuara Wudrou Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë. Më 1921-1922 qe deputet i Partisë Përparimtare dhe më pas u bë pjesë e “Bashkimit të Shenjtë”. Më 1921 u caktua ministër i Arsimit në qeverinë disa ditëshe të  Hasan Prishtinës gjatë krizës së dhjetorit. Më pas u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua arsimit. Më 2 tetor 1922 hapet instituti “Qiriaz”, më 11 prill 1925 iu vendos guri i themelit në godinën e re në Kamëz.

 

Më 16 dhjetor të vitit 2000, vdiq Jashar Salihu, veprimtar dhe atdhetar i përkushtuar çështjes kombëtare shqiptare. Ai u lind në fshatin Batushë më 10 shkurt të vitit 1953. Shkollimin fillor e kreu në fshatin Molliq, ndërsa shkollën e mesme e mbaroi  në Gjakovë. Ka kryer Fakultetin Filozofik-dega e gjuhës angleze, në Prishtinë. Prej viteve 70, në kohën kur studionte në Prishtinë Jashar Salihu ishte anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve Shqiptare në Jugosllavi. Ishte ndër anëtarët më aktiv të grupeve ilegale të asaj kohe që vepronte brenda organizatës ilegale të quajtur “Komiteti” për Deçan, në kuadër të lëvizjes së udhëhequr nga ideologu, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla. Bashkë me vëllanë e tij Hajdarin, ishin dalluar për guximin e tyre politik- atdhetar. Më 1 maj të vitit 1990, do ta drejtojë tubimin tek Verrat e Llukës, ku kishte më se 500 mijë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, ku do të arriheshin 106 pajtime; 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.     Që nga koha e themelimit, Jashar Salihu ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”. Vdiq më 16 dhjetor të vitit 2000, në spitalin kantonal të Araut të Zvicrës.

 

 

Më 17 dhjetor të vitit 1919 u lind Kristaq Tutulani, atdhetar, dëshmor i LANÇ-së. Më 6 korrik të vitit 1943 u pushkatua nga fashistë italianë, së bashke me motrën e tij, Margarita Tutulani.

 

Më 17 dhjetor të vitit 1916 lindi në Plavë, Esad Mekuli poeti i parë i Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore.  Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm-gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936. Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë në Universitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në pastaj në Zagreb e në Italia. Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959. Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Tri herë është dënuar  me burg. Ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Esad Mekuli ka meritë të veçantë për botimin e tregimeve dhe romanit, “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit, në revisten letrate “Jeta e Re”, të cilën e kishte redaktuar për shumë kohë. Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare. Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane e të tjera. Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore. Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.

 

Më 17 dhjetor të viti 1920, u lind në Stamboll, Kristo Frashëri, historiani ndër më të njohur të kohës së tij. Ishte  djali i parë i patriotit dhe rilindasit Anastas Frashëri dhe i Evdhoksi Ogrenit dhe rrjedh kështu prej njërës nga dinastitë e familjeve të Frashërit. I pagëzuar në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati si kumbar Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli. Më 1940 ka qenë pjesë në Grupin Komunist të të Rinjve. Më 19 prill 1943 figuron si ilegal në listën e të akuzuarve nga regjimi italian. Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e parë  Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit.  Vdiq më 31 janar të viti  2016, në Tiranë. Botimet e tij shkencore  janë: Lidhja e Prizrendit,  Rilindja kombëtare shqiptare Tre vëllezër pishtarë : Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri. Skënderbeu – jeta dhe vepra, Historia e Tiranës e shumë vepra të tjera.

 

Më 17 dhjetor të vitit  1998, kanë rënë duke luftuar trimërisht kundër forcave pushtuese serbe, luftëtarët e përkushtuar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Valon Osman Malaj  dhe Dominik Pergegaj

 

  

Më 18 dhjetor të vitit 1888 lindi,  Osman Haxhiu, veprimtar i njohur i Lëvizjes Kombëtare, atdhetar i njohur, përkrahës i Ismali Qemalit.  Pas largimit të Ibrahim Avdullahut, u vendos që administrimin e Vlorës ta merrte Osman Haxhiu në emrin e prefektit. Ishte shumë aktiv që në fillim të shekullit, një nga mbështetësit kryesor të Ismail Qemalit. Më vonë do të ketë një karrierë të shkëlqyer, edhe si  Kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombetare” të Luftës së Vlorës, delegat në Longresin e Lushnjës, deputet në parlamentin Shqiptar. Vdiq  më 12 mars të vitit 1937.

 

Më 18 dhjetor të vitit 1981, vdiq Mehmet Shehu. U lind më 30 janar të vitit 1913, në Tiranë. Shkollën Teknike në Tiranë, të cilën e kreu më 1932. U regjistrua në Shkollën e Oficerëve në kryeqytet, por nuk u pranua për shkak të moshës. Më 1934 nis punë në fermën e Shkollës Teknike, me ndërhyrjen e miqve të familjes i mundësohet një bursë ushtarake për në Kolegjin e Napolit. Kthehet në atdhe dhe për shkaqe kundërshtie ndaj regjimit të Zogut, burgoset 2-3 muaj në Tiranë.  Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve, ku në vitin 1937 edhe gradohet. Në dhjetor 1937 shkon në Spanjë ku merr pjesë në brigadën, Garibaldi së bashku me Petro Markon, Asim Vokshin, Xhemal Kadën, Zef Hotin dhe shumë të tjerë.  Kërkon të kthehet në Shqipëri në gusht të viti 1942, burgoset në Durrës dhe lirohet me ndërmjetësinë e Qazim Koculit dhe Ferid bej Vokopolës. Në Vlorë del në ilegalitet dhe bashkohet me Hysni Kapon, caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës. Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare ka kryer një numër detyrash. Ishte komandant i Çetës Plakë të Mallakastrës. Prej gusht të vitit 1943 komandant i Brigadës I Sulmuese, pastaj komandant i Divizionit të parë Sulmues me gradën e kolonelit. Në tetor të 1944 i jepet grada gjeneral-major. Ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Enver Hoxhës gjatë dhe pas luftës  Që nga viti 1948 deri në vitin 1981 ishte anëtar i Byrosë Politike. Fliste 5 gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe rusisht. Versioni zyrtar i kohës tregon se kreu vetëvrasje në Tiranë më 18 dhjetor të viti 1981.

 

Më 18 dhjetor të vitit 2000 ka rënë aksidentalisht, luftëtari, veterani dhe invalidi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lulzim Gani Morina

 

 

Më 19 dhjetor të vitit 1919 u lind  në Elbasan, Murteza Peza, shkrimtar dhe gazetar i njohur. Pas kryerjes së shkollës normale në vendlindjen e tij, Myrteza Peza shkon në Firencë të Italisë për studime, por Lufta e Dytë Botërore ia  ndërpret ato. Më vonë shpërngulet në Maqedoni, ku punon si mësues në disa fshatra dhe në qytetin e Gostivarit. Në fillim të vitit 1946 emërohet redaktor i emisioneve në gjuhën shqipe të  radio Shkupit. Pas 7 muajsh të emërohet redaktor përgjegjës dhe drejtor i gazetës “Flaka e Vëllazërimit” në të cilin post mbetet deri nga mesi i vitit 1962. Në vitin 1962 themelon revistën, “Jehona” të cilën si drejtor e udhëheq deri në vitin 1968. Nga mesi i vitit 1968 kalon sërish në Radio Shkup dhe udhëheqë programet në gjuhën shqipe dhe turke. Që nga viti 1942, Murteza Peza është marrë  me letërsi; ai është autor i pesë dramave, tre romaneve, 150 novelave, mbi 150 humoreskave dhe satirave. Vdiq më 1 dhjetor të vitit 1981.

 

Më 19 dhjetor të vitit 1954 u lind në Tetovë, Alajdin Demiri, profesor, gazetar dhe veprimtar. Nga 1973 deri në 1977 ka studiuar sociologjinë në Sarajevë. Nga viti 1977 deri më 1978 ka punuar si gazetar në Radiotelevizionin e Maqedonisë – redaksia në gjuhën shqipe. Prej vitit 1978-1983 dhe 1983-1988 ka qenë profesor i sociologjisë dhe filozofisë në një shkollë të mesme në Tetovë dhe më pas ka punuar në bibliotekën e qytetit. Prej viteve 1990-1995, ai ka studiuar frëngjisht në Lozanë, Zvicër, duke u kthyer në 1995 më vonë dhe duke u përfshirë në skenën politike në kuadër të PPD-së. Në vitin 1997 ai ishte zgjedhur kryetar i komunës së Tetovës, ndërsa në vitin 1998 ai ishte dënuar me dy vjet burg për vendosjen e flamurit kombëtar para komunës së Tetovës, ngjarje e njohur që kishte ndodhur paralelisht me komunën e Gostivarit, që kishte përfunduar me dhunë brutale të policisë së asaj kohe, që ka shkaktuar viktima dhe të arrestuar. Parlamenti Evropian kishte kërkuar lirimin e tij dhe ai ishte liruar sipas një Ligji mbi Amnistinë. Më pas, në periudhën e fund viteve të 90-ta, ai ishte emërohet ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zvicër. Pas kthimit të tij, ai ishte angazhuar si profesor universitar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Vdiq më 13 prill të vitit 2019.

 

Më 19 dhjetor të vitit 2009, vdiq në Prishtinë,  Avdyl Krasniqi, historian, veprimtar, atdhetar dhe luftëtar i lirisë. U lind më 1 maj të viti 1939 në Drenoc. Mësimet fillestare i mori në Carrallukë të Malishevës, ndërsa  të mesmet në Normalen e Prizrenit. Studimet për histori-gjeografi i kreu në Shkollën e lartë Pedagogjike në Gjakovë, ndërsa Fakultetin e Historisë, në Tiranë. Për disa vite punoi mësimdhënës në Ujmir, Malishevë e në Drenoc. Arrestohet nga regjimi jugosllav  për veprimtarinë atdhetare. Më 22 maj 1971, Avdyl Krasniqi kishte nxjerrë nga Shpella e Perçevës, të Klinës, eshtrat e kryetrimit të Drenicës, Azem Bejtë Galica, së bashku me dajën e tij  Kadri Imer Berisha dhe xhaxhanë  Sadri Krasniqi. Eshtrat u nxorën nga shpella  në thellësi prej 73 metrash.  Pas nëntë orë pune të pandërprerë, me shat e lopatë, me kujdesin më të madh u grumbulluan eshtrat e trimit të pavdekshëm, Azem Bejtë Galicës, të cilët u rivarrosen në vendlindjen e tij, në Galicë. Më 21 shtator 1971 iu dorëzua vendimi për largim nga puna, për shkak të aktivitetit që binte ndesh me pushtetin. Të gjithë bijtë e bijat e Avdyl Krasniqit kanë qenë pjesëmarrës në luftën e UÇK-së,  në mesin e tyre edhe bija e tij, Xhevë Krasniqi, bashkëshortja e idealit dhe e jetës e Fehmi Lladrovcit. Avdyl Krasniqi ka qenë edhe publicist e poet.

 

 

Më 20 dhjetor të vitit 1832 u lind, Haxhi Zeka, atdhetar, veprimtar  i njohur i kohës dhe udhëheqës i dalluar i Luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ishte djali i Mehmet Abedinit nga Shoshani dhe Zelfije Docit nga Deçani. Lindi, në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës, prej nga u shpërngul me familjen në Pejë. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së Dervish pashës. Udhëhoqi qëndresën e armatosur popullore që shpërtheu në Kosovë në vitin 1897 dhe themeloi “Besëlidhjen shqiptare”. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 Kuvendin e Pejës ku u zgjodh kryetar i Komitetit të saj. Pa marrë parasysh kundërshtimet e Stambollit dhe pengesat e Fuqive të Mëdha e të qarqeve shoviniste fqinje, Haxhi Zeka i vazhdoi përpjekjet për forcimin e Lidhjes gjatë gjithë vitit 1900 derisa ushtria osmane e shtypi atë Më 21 shkurt 1902 Haxhi Zeka u vra në Pejë pabesisht nga,  Adem Zajmi, një agjent i vënë nga qarqet shoviniste serbe, që patën edhe përkrahjen e autoriteteve osmane.

 

Më 20 dhjetor të vitit 1943 u vra Ali Demi, atdhetar, hero i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.  Hero i popullit. Lindi më 28 janar të vitit 1918 në Çamëri, ishte anëtar i njësitit gueril të Tiranës, u vra në Vlorë gjatë luftimeve kundër  forcave fashiste italiane.

 

Më 20 dhjetor të vitit 1966 vdiq në Tiranë, Ali Asllani poet, atdhetar dhe diplomat shqiptar. U lind në fshatin Vajzë të Vlorës më 28 nëntor të vitit 1884. Ngeli jetim në moshë të re, kur ishte ende 6 vjeç,  Me ndihmën e të afërmve dhe miqve të të atit, mundi të ndiqte shkollën e mesme të Vlorës. Gjithashtu ndiqte shkollën greke. Në vitin  1898 nisi të studiojë në Janinë. Në Institutin e Lartë administrativ “Mylkije” në Stamboll, u diplomua në vitin  1906. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit “Bashkimi”. Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke. Mundi t’i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Janinës. Në vitin 1910 u kthye në Stamboll. U emërua sërish nënprefekt me ndërhyrjen e Shahin bej Kolonjës, por me kusht që të punonte në viset shqiptare.  Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 – 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Me vendosjen  e regjimit komunist në Shqipëri ishte  ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ali Asllani është poet realist, i njohur për satirën e tij goditëse. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

 

Më 21 dhjetor të vitit  1964 vdiq Justin Rrota,  frat françeskan, arsimtar dhe gjuhëtar shqiptar. U lind në Shkodër, më 17 shkurt të vitit 1889 i pagëzuar me emrin Ndoc.  Mësimet e para i mori në shkollën shtëpiake të Tinës së Nikës, në Serreq. Pastaj pesë klasë fillore e një klasë qytetëse i kreu te françeskanët. Më 22 gusht 1902 hyni në Kolegjin françeskane, ku ishte drejtor Gjergj Fishta. Pas  një viti kaloi në Troshan ku studjoi teologji. Në vitin 1907 shkoi në Klagenfurt të Austrisë për të thelluar studimet në teologji por kthehet pa e mbushë motin për arsye shëndetësore dhe i kryen studimet në Shkodër nën drejtimin e At Gjergj Fishtës dhe At Ambroz Marlaskajt. Për Justin Rrotën dokumenti i parë i shkrimit shqip ishte “Perikopeja e Ungjillit të Pashkës”, pastaj Formula e pagëzimit e vitit 1462.  Justin Rrota Ai ishte i pari studiues i cili në vitin 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të  Gjon Buzukut nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, të cilën  do ta transkiptonte pas 40 vjetësh miku i tij, Eqrem Çabej, dhe e botoi  në vitin 1956, në titullin “Hulumtimi dhe shënjime mbi Gjon Buzukun” ku argumenton edhe prejardhjen e autorit të lashtë, prej Kraje, krahinë në perëndim të liqenit të Shkodrës.

 

Më 21 dhjetor të vitit  1935  u lind ne Gjirokastër, Vilson Kokalari, inxhinier shqiptaro- amerikan që luajti një rol kyç në fluturimet e programit Apollo, duke përfshirë edhe udhëtimin e parë të njeriut, në Hënë.  Rrjedhë vjen nga familja e shquar Kokalari. Ishte vetëm një vjeç e gjysmë kur e gjithë familja e tij u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ati, Hilmi Kokalari ishte biznesmen i shkathët. Qysh në fillim filloi biznes me produktet e Shqipërisë. Kjo përpjekje për të mos u shkëputur tërësisht nga Shqipëria për pak i kushtoi rëndë Hilmiut që në vitin 1939 u kthye nga Shqipëria vetëm pak ditë përpara pushtimit italian. Djemtë e tij dhe i vëllai, u dashuruan pas inxhinierisë. Vilsoni shkoi në Universitetin amerikan  ku shkojnë pothuajse të gjithë ata që bëhen astronautë.  Në vitin 2001 për herë të parë vizitoi  Shqipërinë dhe u njoh me kushërinjtë  me te cilët ishte ndare kur ishte vetëm 1 vit e gjysmë. Sërish kishte vizituar Shqipërinë pas se bashku me te bijën,  Rena. U nda nga jeta më 24 mars 2014 në moshën 78 vjeçare.

 

Më 21 dhjetor të vitit 1998, trupat e 36 dëshmorëve, tok me Mujë Krasniqin, bashkëluftëtarët e tyre  i varrosin në Polac të Drenicës, me nderime ushtarake. Nëntë të zënët robër dërgohen në burgun e Nishit, të cilët më pas shkëmbehen me tetë oficerë serbë, që i kishin zënë në pritë luftëtarët e UÇK-së në Zonën e  Shalës.  5 të rënë të tjerë të cilëve u kishin humbur gjurmët në dëborën e madhe janë zbuluar nga bashkëluftëtarët e tyre një muaj pas mbarimit të luftës.

 

 

Më 22 dhjetor të vitit 1947 vdiq Tefta Tashko-Koço.  Ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashri i Përmetit, Thanas Tashko, i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë, Tefta njihej  si këngëtare dhe data 26 qershor  të viti 1926 mbahet koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në  Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”- në Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote, Neço Muko. Me përfundimin e studimeve, kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen. Tefta Tashko  së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja kanë marrë pjesë në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence të Italisë më 30 Maj të 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali e të tjerë.  Vdiq në moshën 37-vjeçare. Tefta Tashko ka qenë e  martuar me Kristaq Koçon dhe pati një djalë me të, dirigjenitin e njohur  Eno Koço, Arstist i Merituar.

 

Më 22 dhjetor të vitit  1905  u lind në Shkup, Abdurrahim Buza në një familje gjakovare.  Në moshën tetë vjeçare mbeti jetim dhe patrioti, Bajram Curri kujdeset për shkollimin e tij. Kryen mësimet në Shkodër, Tiranë dhe në Normalen e Elbasanit. Pastaj fiton bursë dhe në vitin  1928 dëgjon një vjet në Akademinë e Arteve të Bukura në Torino. Studimet e rregullta i kryen në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence pranë artistit Galileo Kinit.  Në vitin 1933 kthehet në Tiranë, ishte ndër pedagogët e parë të Shkollës së Vizatimit. Më 1947 u punësua në Liceun Artistik Jordan Misja si pedagog i vizatimi dhe më vonë si zëvendës-drejtor. Pikturat e para janë të inspiruara nga qëndrimi i tij në Pogradec. Më vonë ai e thjeshton teknikën e tij por e shndërron artin në simbolikë të lartë. Motivet etnike nga Gjakova, Kosova, dhe veriu i Shqipërisë bëhen subjekt i shpeshtë i tablove të tij. Ngjyrat e impresionizmit ndikojnë në të gjer në fund. Vdiq më 7 nëntor të  vitit  1987, në Tiranë.

 

Më 22 dhjetor të vitit  1998  ka rënë në një pritë pranë  në shtëpisë e tij, duke luftuar kundër forcave policore e ushtarake serbe, Jahë Salih Kabashi, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor i kombit.

 

 

Më 23 dhjetor të vitit 1943 u vra Ajet Xhindole, luftëtar, “Hero i Popullit”. U lind në Sukë të Roskovecit në vitin 1922. Mësimet e para i mori në Shkodër. Ishte komisar i Batalionit të Rinisë: “Margarita Tutulani”.

 

Natën e 23 dhjetorit të vitit 1949 kanë rënë duke luftuar Salih Rexhë Ribari dhe djali i tij, Rexhep Salihu. Atë natë dimri ata ndodheshin në një shtëpi të fshatit Petrovë, afër Shtimes. Po atë natë mes 23 dhe 24 dhjetorit është kapur gjallë dhe një javë më vonë është ekzekutuar mizorisht, Nezir Buja nga fshati Bujan, ndërsa është zhdukur pa shenj e gjurmë edhe Zekë Luma nga fshati Kraishtë.  Çeta e Salih Rexhëp Ribarit kishte qëndruar në malet e Kosovës prej dimrit të vitit 1945 e deri në fund të vitit 1949, në përpjekje për të riorganizuar luftën e përgjithshme të armatosur kundër Jugosllavisë së kohës. Në vitin 1944, Salih Rexha me  urdhër të Ilaz Agushit e pëlqimin e Kadri Bebë Ribarit  ishte caktuar komandant i njësive vullnetare të Lypjanit me rrethinë, në Frontin e Prapashticës. Së bashku me Sadri Duhlën, Qerim Gashin e të tjerë ka qenë roje sigurie e terrenit në vendin ku ishte mbajtur Kongresi i Lipovicës, më 25 korrik të vitit 1946. Ka marrë pjesë në luftimet mbi Hoqë të Prizrenit kundër forcave ushtarake jugosllave, më 8 gusht të vitit 1946.  Gjatë atyre viteve, Salih Rexha me çetën e tij kanë kryer aksione të shumta dhe duke qenë se kishin vepruar me besë, maturi e trimëri nuk ishin zbuluar asnjëherë. Salih Rexha me çetën e tij në dimrin e vitit 1947 kanë çarë rrethimin e forcave të OZN-së, në vendin e quajtur “Zhablak”, me ç’ rast është vrarë bashkëluftëtari i tij Islam Domaneku, një natë më parë ishte vrarë, Mustafë Dragusha, ndërsa gjatë thyerjes së rrethimit ishte plagosur rëndë, Zekë Luma.

 

Natën e 23 e 24 dhjetorit të vitit 1949, forcat e UDB-së, të pasuar nga gjashtë operativistë shqiptarë katër nga Petrova e dy nga Shtimja, në krye me shqiptarë-vrasësin, Sava Shurbatoviq, Cveta Qanoviq e të tjerë dhe shumë milicë, pasi kishin ndriçuar vendin me një reflektor, kishin sulmuar odën ku ishte strehuar Salih Rexhë Ribari me djalin e tij, Rexhepin dhe gjatë përpjekjeve për ta çarë rrethimin kishin rënë të dy. Në tri ditët në vijim kufomat e Salih Rexhë Ribarit dhe të Rexhep Saluhut milicët i kishin ekspozuar para komunës në Lypjan, me qëllim të denigrimit për së vdekuri. Më pas, agjentët e UDB-së  i kanë varrosur me një vend të panjohur. Eshtrat e tyre nuk janë gjetur. Zekë Luma  konsiderohet i zhdukur që na 23 dhjetori i vitit 1949. Nezit Buja ishte masakruar mizorisht më 31 dhjetor të vitit 1949.

 

 

Më 24 dhjetor të vitit 1917 u vra At Stath Melani, klerik ortodoks,  atdhetar. U  lind në vitin 1858. Ishte pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, i cili vendimet e e Kongresit për përhapje e gjuhës shqipe i zbatonte në fshatrat e Shqipërisë së jugut. Edhe përkundër faktit që turqit ia dogjën tri herë shtëpinë, ai nuk e ndali veprimtarinë e tij. Në të njëjtën kohë vepra e tij atdhetare përcillej edhe nga priftërinjtë ortodoksë grekë të cilët organizuan edhe vrasjen e tij. Kështu, më 24 dhjetor 1917 banda vrastare e Josif Suropullos i zuri pritën e vrau dhe i masakroi kufomën duke i prerë kokën për t’u tërhequr vërejtjen dhe frikësuar veprimtarët e tjerë shqiptarë ortodoksë. Veprimtaria patriotike e At Stath Melanit, kap një periudhe rreth 35 vjeçare dhe që u zhvillua në Stamboll, në Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe mbi dhjetë vjet në Shqipëri, Për veprimtarinë atdhetar te tij hedhin drite një mori shkrimesh, në libra, gazeta e revista të kohës, që kur ishte gjalle dhe pas rënies dëshmor. Ai as pasurinë e gjithë botës nuk e vinte përpara detyrës se shenjte ndaj Atdheut. Vrasja e At Stathit shkaktoi një valë te madhe hidhërimi jo vetëm në popullsinë e krahinave te Përmetit, Leskovikut dhe Kolonjes, por edhe te Gjirokastrës, Tepelenës, Delvinës, Sarandës, Çamërisë dhe Vlorës, si dhe ndër shqiptaret jashtë atdheut të cilët kishin mbajtur protesta tek autoritetet italiane te pushtimit, nëpërmjet te cilave kërkonin zbulimin dhe ndëshkimin e vrasësve.

 

Më 24 dhjetor të vitit 1975 vdiq Stavro Vinjau. U lind më 1893 në Përmet. Mbaroi Fakultetin për Drejtësi në Romë, ku ishte bërë anëtar i Partisë Socialiste Italiane. Në vitet  1921-1925 ka qenë deputet në dy legjislatura, më 1921 anëtar themelues i Partisë Popullore. Ka qenë anëtar i “Krahut Kombëtar”, organizatë e njohur, e cila përfshinte Sejfi Vllamasin, Sulejman Delvinën, Bahri Omarin, Ali Këlcyrën dhe figura të tjera në politikën, administratën dhe xhandarmërinë e kohës. Në vitin 1923 ka qenë pjesë e grupit demokrat të Gjirokastrës, së bashku me Fan Nolin dhe Koço Tasin anoi nga grupi i deputetëve të Shkodrës kryesuar nga Luigj Gurakuqi; duke u bërë kështu ndër opozitarët më të zëshëm të diskutimeve parlamentare. Njihej në parlamentin shqiptar për pikëpamjet e tij të majta, duke deklaruar se në Shqipëri ekzistonte bolshevizmi. Në vitin  1924 mori pjesë në demonstratën përpara kryeministrisë për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Avni Rustemit. Përkrahu Revolucionin borgjez të Qershorit me Fan Nolin në krye  duke u emëruar ministër i Drejtësisë dhe i Arsimit në qeverinë revolucionare. U largua nga Shqipëria me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në dhjetor të 1924. U vendos në Brindisi, ku më 1938 kishte marrëdhënie me organizatën “Bashkimi Kombëtar, që ishte përvijuese e “Krahut Kombëtar”. Më tej, i tërhequr nga jeta politike u mor me tregti. Ndërroi jetë më 24 dhjetor të vitit 1975.

 

Më 24 dhjetor të vitit  1994 vdiq në Florida të Amerikë, Ago Agaj,  inxhinier, nëpunës dhe ministër i Ekonomisë Kombëtare. U lind më 7 mars të vitit 1897 në Ramicë të Mesaplikut. Studimet e mesme dhe të larta në Vjenë të Austrisë për inxhinieri Agrikulture. Kthehet në Shqipëri në vitin  1919. Mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës më 1920. Në çetën e Shullërit, punoi si praktikant në Shlezinë e Sipërme, në Gjermani. Gjatë viteve 1920 – 23 bashkëpunon me Prof. Dr. Ernst Nowak, të Universitetit të Kölnit, për hartimin e Kartës Gjeografike, Topografike dhe Gjeologjike të Shqipërisë, dhe më 1924 bën pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipërisë. Punon edhe dy vjet në Poloni e Moldavi dhe kur kthehet në Vlorë, emërohet agronom i zyrës së bujqësisë. Ishte ndër nënshkruesit e mbledhjeve të opozitës në ceremonitë e zhvilluara pas vrasjes së Avni Rustemit. Përkrahu Lëvizjen e qershorit.  Më 1937 arrestohet për kryengritjen e  Delvinës dhe dënohet me burgim të përjetshëm, por lirohet pas pushtimi italian të Shqipërisë në vitit 1939. Pas vitit 1941 shkon në Mitrovicë, ku emërohet prefekt, drejton organizimin e administratës shqiptare, atë të xhandarmërisë vendase dhe të hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Pas vendosjes së regjimit komunist në atdhe, u largua fillimisht në Austri e Itali dhe më pas u vendos Egjipt së bashku me gruan dhe 5 vajzat. Qëndroi 20 vjet atje dhe punoi për administrimin e pasurisë së Aziz Izet Pashë Arnautit.

 

24 dhjetori i vitit 1998 shënon Betejën e Llapashticës dhe rënien e 10 dëshmorëve të UÇK-së. Ndonëse betejat e dhjetorit të vitit 1998 filluan në Tabet e Llapashticës, vazhduan edhe në fshatrat tjera të Llapit ku djemtë e lirisë luftuan në mbrojtje të vendit si në Vendenis, Kastrat, Bradash e fshatra tjera. Në vijën e parë të frontit në Tabe patën rënë heroikisht dëshmorët: Isë Havolli, Ismet Dërguti, Lulëzim Jashari, Skënder Zejnullahu,  Miftar Zejnullahu, Bajram Murati, ndërsa në Vendenis, Avni Selamni e Fatmir Selmani, kurse tri ditë më vonë në Kastrat, arsimtari, Remzi Demolli dhe ish nxënësi i tij, Jetullah Kastrati.

 

 

Më 25 dhjetor bota e krishtere nderon njërën nga festat më të mëdha fetare – Lindjen e Jezu Krishtit. Sipas Ungjillit Jezu Krishti lindi në Betlehem të Judesë. Profeti Danijel ka parashikuar se Krishti do të shfaqej 490 vjet pas rindërtimit të tempullit në Jerusalem. Nëna e tij, Maria shtatzënë, së bashku me Jozefin kanë shkuar në Betlehem. Aty, nuk kanë gjetur strehim dhe ishin të detyruar të vendoseshin në një shpellë jashtë qytetit, ku barinjtë mbyllnin delet. Pasi Maria ka lindur birin e saj, në qiell është shfaqur një engjëll. Ky i fundit ka lajmëruar barinjtë përreth se ka lindur Shpëtimtari. Në kalendarin popullor festa e Krishtlindjeve fillon në orën 12.00 të natës, kur dilet për kolendra. Kolendarët bëhen vetëm beqarët, të fejuarit dhe burrat e sapomartuar. Deri në të gdhirë ata shkojnë derë më derë dhe këndojnë këngë festive për shëndet, lumturi dhe berqet. Kolendarëve u jepen ushqime dhe para.

 

Më 25 dhjetor të vitit 1907 u lind Kristaq Antoniu, këngëtar, tenor dhe bariton, Artist i Popullit. Ishte me  origjinë nga Korça, ndërsa u  lind në Rumani. Atje  përfundoi Akademinë Mimodramatike të Bukureshtit. Interpretoi rolet e para në disa filma kinematografie, ku dhe u bë shumë i njohur. Si koncertist dhe këngëtar operetash, zhvilloi turne me një trupë nëpër Evropë. U kthye në Shqipëri në vitin 1935, ku dhe nisi një veprimtari të gjallë artistike. U shqua në interpretimin e arieve nga operat klasike dhe të këngëve popullore. I dha një kontribut të madh artit të muzikës gjatë kohës së regjimit socialist. Vdiq më 17 mars të vitit 1979, në Tiranë.

 

 

Më 26 dhjetor të  vitit 1947, Gjykata Supreme e Serbisë  mori vendimin definitiv për pushkatimin e Kadri Bebës nga fshati Ribar i Madh. Nuk është shënuar data e pushkatimit, në vendin e quajtur “Strelishte”, në Prishtinë. Kadri Beba u lind në vitin 1878. Në kohën e Mbretërisë serbe, kroate,  sllovene ka qenë i përndjekur familjarisht nga regjimi. Në vitin 1937 është dënuar për aktivitete kudër regjimit dhe në vuajtje të dënimit është dërguar në Pozhegë të Uzhicës, në Serbi.  Në pranverë të viti 1941 ka përkrahur depërtimin e forcave italo-shqiptare në Kosovë dhe në viset shqiptare, të cilat nga vitit 1918  i kishte  mbajtur  nën pushtim Jugosllavia monarkike.  Ilaz Agushi, ministër i Kosovës në Qeverinë e Tiranës,  e kishte emëruar kryetar të komunës së Lypjanit. Gjatë periudhës prej vitit 1941 e deri në fillim të fund të vitit 1944 ka mbajtur kontakte me krerët më të lartë të kohës. Ka kontribuar në dërgimin e forcave vullnetare për mbrojtjen e kufijve të  Shqipërisë së Madhe, sidomos në Frontin e Prapashticës ku kishte caktuar, Salih Rexhën, komandant të njësive të rrethit të Lypjanit.  Në vitin 1944 ishte në radhët e Nacional-demokratike shqiptare, së bashku me Ajet Gërgurin, Gjon Serreqin, Arif Shalën, Ibrahim Lutfiun, Azem Jashanicën, e shumë të tjerë. Ka marrë pjesë në Kongresin e Lypovicës më 25 korrik të vitit 1946, dhe në luftimet në Hoqë të Prizrenit më 8 gusht. Duke qenë se forcat partizane komuniste ia mbanin në burg të gjithë meshkujt e familjes, duke e kushtëzuar me dorëzimin e tij, ai pranon të sakrifikohet për familjen dhe arrestohet  në prill të vitit 1947. Dënohet me vdekje pushkatim si kundërshtar i regjimit komunist jugosllav.

 

Më 26 dhjetor të vitit 1917, lindi Prenk Jakova, kompozitor, “Artist i Popullit”. Lindi më 27 qershor të vitit 1917 dhe vdiq tragjikisht më 16 shtator të vitit 1969. Ishte kompozitor i shquar dhe themeluesi i gjinisë së operës kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Mrika” . Kjo e fundit ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Opera e dytë e Prenk Jakovës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më e arrirë  sesa  “Mrika”.

 

 

Më 27 dhjetor të vitit 1936, vdiq në Stamboll, Mehmet Akif Ersoj, poet dijetar, shkrimtar. Lindi më 20 dhjetor të vitit 1873 në Stamboll në një familje me origjinë shqiptare. Përveç poet  ishte edhe mësues, veteriner, mjek dhe politikan. Mehmet Akif Ersoj është autori i himnit kombëtar turk “Marshi i Lirisë”. Shpesh herë kujtohet me sinonimet “Poet i atdheut” e “Poet kombëtar”. Ishte poeti i himnit kombëtar turk, që për herë të parë u recitua para deputetëve të parlamentit turk,  më datë 12 mars 1921. Ishte është me origjinë shqiptare nga Kosova.

 

Më 27 dhjetor të vitit 1923, Fan Noli  ishte zgjidhet deputet i Korçës, në Kuvendin e Shqipërisë së asaj kohe. Ishte përkrah, Bajram Currit, Avni Rrustemit, Luigj Gurakuqit, Elez Isufit, Hasan Prishtinës, dhe krahut politik  më përparimtar e më atdhetar të kohës. Më 27 dhjetor të vitit 1924 – Fan Noli, i shoqëruar nga një personel prej mbi 70 vetash dhe  ministrat e qeverisë së tij, i hipën anijes në Vlorë, kalon ngushticën e Otrantos dhe mbërrin në Brindizi. Mes atyre që ikën me peshkop Nolin, dhe që u përhapën nëpër kryeqytetet e Evropës, ishin sekretari i tij personal, Sejfulla Malëshova, pastaj  Lazar Fundo dhe Tajar Zavalani; këta të tre nga Brindizi shkuan në Moskë,  Mustafa Kruja shkoi në Romë, dhe Ali Bej Këlcyra u vendos në Paris. Më 30 dhjetor, Fan Noli shkoi në Romë dhe në takime me zyrtarë të qeverisë italiane dhe gazetarë, shprehu çudi dhe keqardhje që Italia nuk e kishte mbështetur atë kundër Zogut dhe kundër jugosllavëve. Ish-kryeministri Noli deklaroi se do të kthehej në Amerikë, dhe kurrë nuk do të merrej më me politikë. Nga Roma, Noli shkoi në Vjenë, pastaj në Amerikë, por në Shqipëri nuk u kthye kurrë më.

 

Më 27 dhjetor 1969 vdiq Jaho Gjoliku, atdhetar, komandant partizan, “Heroi i Popullit”. U lind në Kuç të Vlorës  në vitin 1885. Ishte kundërshtar i regjimit të Zogut. Që në fillim iu bashkua luftës partizane. Ishte baba i dy dëshmorëve dhe zyrtar i lartë i pushtetit komunist të kohës.

 

 

Më 28 nëntor të vitit 1927 lindi Fatmir Haxhiu, piktor i merituar, autori qindra tablove me karakter historik dhe nga jeta në regjimin socialist të kohës. Rrjedh nga një familje e mesme qytetare, patriotike nga qyteti i Përmetit. Në vitin 1930 familja e tij u vendos me banim në qytetin e Tiranës, ku kaloi gjithë jetën deri në ditët e fundit më 10 mars 2001. Kreu shkollën fillore në “Shkollën e Kuqe” një nga shkollat e dëgjuara me mësues patriot si Sotir Milto Gura, Sali Morina të cilët qenë të parët që e inkurajuan Fatmirin të vizatonte duke parë dëshirën e tij për tu bërë piktor. Kreu studimet në shkollën e mesme, në Liceun e Tiranës. Nga viti 1941 edhe pse ish rreth të 14 dhjetave merr pjesë në rininë komuniste shqiptare të shkollës. Gjatë pushtimit fashist në vitin 1942 përkrah lëvizjen çlirimtare dhe në shtator të vitit 1943 del partizan dhe lufton deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1945 Fatmiri shkon për studime ushtarake në Beograd, ku për 6 muaj mori njohuri të përgjithshme ushtarake dhe pas ndarjes së degëve ai vazhdon studimet në Zagreb në shkollën e artilerisë. Pas një pune kolosale në krijimin e qindra tablove sidomos me përmbajtje nga historia kombëtare, piktori i madh shqiptare Fatmir Haxhiu ndërroi jetë më  10 mars të vitit 2001, në Tiranë.

 

Më 28 dhjetor të vitit  1856 në Staunton, në shtetin Virgjinia të Amerikës, lindi Tomas Vudrou Vilson. Vdiq më 3 shkurt të vitit  1924, në Uashington. Prej viti 1913 deri në vitin 1921 ishte President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Gëzon respekt të madh për  kombin shqiptar  për rezistencën e fuqishme dhe kategorike  që bëri mos-copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë, nga Greqia, Jugosllavia me përkrahje të të gjitha shteteve së shteteve të Evropës. Kryetari amerikan, Vudrou Vilson asokohe përdori veton dhe Shqipëria shpeti nga shpërbërja. Qeveria e Nolit e pas Revolucionit të qershorit të vitit 1924 i vuri emrin Qyteti Uillson, qytetit të Shëngjinit në nder të kryetarit  Wilson, të cilin e kishte dashur dhe nderuar më shumë se askënd tjetër.

 

 

Më 29 dhjetor të vitit 1918 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës, Vatra, nën kryesinë e Anastas Pandelit, zhvillon një konference për krijimin e një Fond monetar Kombëtar, për të mbështetur çështjen e të drejtave kombëtare në Konferencën e Paqes në Paris. Në përgjigje të thirrjes, emigrantet shqiptarë në Shtetet e Bashkuara mblodhën një shumë prej 150 mijë dollarësh, pjesa më e madhe e së cilës iu dërgua përfaqësuesve të Vatrës në Paris për të ndihmuar përpjekjet e tyre në mbrojte të pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë.

 

Më 29 dhjetor të vitit 1924 vdiq, Elez Isufi. Ka lindur në vitin 1861 ne Fshatin Sllovë të Dibrës. Ishte djali i Isuf Ndreut, nga një familje që do bëhej simbol i Dibrës. Mbas vdekjes së Xhelilit, Elezi hodhi sytë drejt Sllovës. Ndërtoi aty një kullë me tre kate. Më 1908, kur u mbajt Kongresi i Manastirit dhe  ishte Elez Isufi me 200 djem mbanin të sigurt vendin ku kishte zhvilluar punimet Kongresi. Që nga viti 1912 e deri në vitin 1924, Elez Isufi mori pjesë pothuaj në të gjitha ngjarjet e mëdha politike të Shqipërisë, duke bërë një emër të madh në historinë e vendit tonë. Ai që në fillimet e rezistencës së vet u shqua për kërkesat e qarta për liri. Për këtë arsye edhe u arrestua në Gostivar më 1910 dhe u mbajt në burgjet e perandorisë në Manastir dhe Selanik. Elez Isufi mori pjesë në shumë luftëra e beteja si kundër forcave turke, ashtu edhe atyre serbo-malazeze, por vlejnë për të përmendur ato të kryengritjeve të viteve 1912-1913-të, kryengritja e shtatorit e vitit 1913, goditja e Divizionit të Nishit, në 5 dhjetor të vitit 1915-të etj. Si rezultat i kësaj veprimtarie, forcat serbe i dogjën tri herë kullat e familjes Ndreu. Elez Isufi nga fillimi i vitit 1916 e deri në tetor 1918, me përjashtim të një vizite që bëri në Vjenë, ku u dekorua prej Kajzerit, kohën tjetër qëndroi në Sllovë. Kur Hoxhë Kadri Prishtina themelon në Shkodër komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës,  Elezi mori pjesë përkrah Bedri Pejanit, Sotir Pecit, Ishte kundërshtar i ashpër i aneksimit të tokave shqiptare.

 

29 dhjetor të vitit 1998, në luftën e UÇK-së, kundër forcave pushtuese ushtarake e policore serbe  bie dëshmor,  Ibrahim Shabani

 

 

Më 30 dhjetor të vitit 1903 lindi Odhise Paskali, akademik, skulptor i kombit. Lindi në Përmet. Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927. Vite më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Po kështu, përfundon me rezultate të mira edhe Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Torino dhe më pas studion edhe për histori arti. Që në vitet e hershme, dallohet për shpirtin e iniciativës. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20. Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: Monumenti i Pavarësisë, Vlora. Gjergj Kastrioti, dhuruar në 1968 qytetit arbëresh Hora e Arbëreshëvet, Siçili. “I urituri”, “Lufëtari Kombëtar”, “Themistokli Gërmenji”, në Korçë; “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri); “Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë;  “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968 “Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)” “Isa Boletini”, “Fan Noli”,“Onufri” “Jeronim De Rada” “Pashko Vasa” “Zef Skiroi” “Çerçiz Topulli” “Naim Frashëri” “Vojo Kushi” “Migjeni” “Enver Hoxha” “Idriz Seferi” e shumë vepra të tjera.

 

Më 30 dhjetor të vitit 1912 vdiq,  Gjergj Qiriazi, veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Ai lindi në vitin 1868, në Manastir. Së bashku me vëllanë, Gjerasimin, ndoqi shkollën greke në vendlindje, dhe kolegjin amerikan në Samokov. Edhe ai u mor në punë nga Shoqëria Biblike Britanike dhe Botërore. Pas vdekjes së të vëllait,  Gjerasimit më 1894 mori në dorë drejtimin e shkollës së vashave në Korçë, kurse më 1908 ishte delegat në Kongresin e Manastirit. Gjergj Qiriazi ishte një nga themeluesit e gazetës në gjuhën shqipe “Bashkim’ i kombit” më 1909, duke u dalluar vazhdimisht për një aktivitet politik. Përveç hristomatisë së të vëllait, ai botoi një përmbledhje me vjersha fetare me titullin “Këngë të shenjtëruara”. Gjergj Qiriazi qe aktiv sidomos në botime tekstesh shkollore. Ai botoi një tekstin “Fizika”, Bukuresht, në vitin 1899, si dhe një numër artikujsh në organe shtypi të kohës. Vdiq në Manastir më 30 dhjetor të vitit  1912.

 

Më 30 dhjetor  të vitit 1949 u vra  në  tortura mizore,  Nezir Buja. U lind në fshatin Bujan në vitin 1910. Ne rastin e depërtimit të forcave italo-shqiptare në Kosovë, iu bashkua radhëve të nacionalistëve shqiptarë. Ishte pranuar në punë në komunën e Lypjani ku ishte kryetar Kadri Beba. Ka marrë pjesë në shumë luftime në ndjekjen e forcave çetnike në Kosovë që cilat kishin në shënjestër familjet atdhetare. Në vitin 1945, regjimi i Titos i kishte pushkatuar vëllanë, Selmanin. Ka qenë pjesëtarë i çetës së Salih Rexhë Ribarit, së bashku me Zekë Lumën nga Kraishta e luftëtarë të tjerë. Ka marrë pjesë në Kongresin e Lypovicës,  më 25 korrik të vitit 1946, i cili ishte mbajtur në Blinajë. Ka qenë ndër luftëtarët e parë në luftimet që ishin zhvillura mbi fshatin Bilushë të Prizrenit kundër ushtrisë jugosllave bashkë me Sali Rexhën, Sadri Sahit Çatanin e shumë të tjerë. Së bashku me Salih Rexhë Ribarin, Rexhep Salihun dhe Zekë Lumën kanë çarë rrethimin e forcave serbe në Lypovicë në dhjetor të vitit 1947, me ç rast ishin vrarë Islam Donameku dhe Mustafë Domaneku. Është kapur tinëzisht në fshatin Petrovë të Shtimes natën mes 23 dhe 24 dhjetorit të vitit 1949. Për një javë rresht forcat e OZN-es e kanë torturuar publikisht e mizorisht duke e mbajtur lidhur para popullatës në fshatrat serbe. Natën e 30 dhjetorit të atij viti trupin e tij, pasi më parë  ia kishin hequr kokën,  vrastarët komunistë serbë e kishin varrosur te zabeli i fshatit Bujan.

 

 

Konferenca e Bujanit ka filluar më 31 dhjetor 1943 dhe ka  përfunduar  më 2 janar të vitit 1944. Aty është nënshkruar një Rezolutë, ku Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Konferenca e Bujanit është mbajtur si rikonfirmim i rrethanave të reja të krijuara pas Mbledhjes së Mukjes, si dhe rezultat i mos përfshirjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën sundimin e ish Mbretërisë SKS. Konferenca e Bujanit u mbajt pikërisht për t’i kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ-it në Jajcë, në nëntor të vitit 1943 dhe mos përfshirjes së Kosovës si subjekt i pavarur, e cila  deri atëherë ishte përfaqësuar përmes Malit të Zi. Bujani i Malësisë së Tropojës  ishte zgjedhur si një vend pritje të  përfaqësuesve të dy kombësive, shqiptarëve dhe serbëve që kërkonin një marrëveshje për parandalimin e konflikteve të mëtejshme ndëretnike. Mbledhja e Konferencës u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, që ndodhej pranë bazës së Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës dhe të Komitetit Krahinor për Kosovë e Rrafshi i Dukagjinit, ku morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste etj.

 

Më 31 dhjetor të vitit 1944 në konferencën e Bujanit morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin popullin e Kosovës dhe forcat politike të rreshtuara te Fronti Antifashist Nacional-çlirimtar i Kosovës. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar) ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviqeviq (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Millan Zeçar (anëtar) dhe Ali Shukriun. Rezoluta e Konferencës së Bujani për vetëvendosje të  shqiptarëve të Kosovës  ishte pezulluar nga komunistët jugosllavë në gusht të vitit 1945, në Mbledhjen e Prizrenit ku u mos vendim që Kosova të mbetej nën sundimin e Serbisë  e Jugosllavisë federative.

 

Kontrolloni gjithashtu

Marrëveshja e Mukjes

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Gusht

Kalendari,  Gusht Më 1 gusht të vitit 1942 vdiq, Abdi Toptani, atdhetar, veprimtar i njohur …