driloni com
mbpzhr
vipa
muqa 900
vala – old
Fillimi / Zgjedhjet vendore 2017 / Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi: Rinia do ta udhëheqë Prishtinën në katër vitet e ardhshme
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi: Rinia do ta udhëheqë Prishtinën në katër vitet e ardhshme

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi: Rinia do ta udhëheqë Prishtinën në katër vitet e ardhshme

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një takimi që ka pasur sot me të rinjtë, ka thënë se ekipi që ai drejton përbëhet nga të rinjtë më të mirë që i ka kryeqyteti, të cilët do ta drejtojnë Prishtinën në katër vitet e ardhme. “Prishtina është kryeqyteti me popullsinë më të re në Evropë. Rinia do ta udhëheqë dhe do ta orientojë Prishtinën kah vlerat qytetëruese euro-atlantike. Të gjithë të rinjtë e Prishtinës, në ekipin e qeverisjes që unë do ta drejtoj, do të gjejnë përfaqësimin më të dinjitetshëm dhe më efikas për interesat e tyre. Lidhja Demokratike e Kosovës ka traditë dhe është dëshmuar se është e aftë dhe e gatshme për t’iu përshtatur proceseve reformuese të shtetit dhe shoqërisë tonë”, ka thënë Abrashi.

Siç njofton LDK, ai ka shtuar se LDK, si prijatare e të gjitha proceseve pozitive në Kosovë, e ka kuptuar mirë dhe e ka gjetur formën se si ta realizojë. “Këtë mision, LDK-ja ka vendosur t’ua besoj të rinjve. Jo duke i lënë vetëm në mes të rrugës. Por, duke ua vënë në dispozicion dijen dhe përvojën e gjeneratës së artë të Kosovës, që artikuloi, mbrojti dhe përfaqësoi interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj për gati 30 vjet. Për vitet më të rënda, por edhe më të mirat e Kosovës”, ka thënë Abrashi.

Ai ka pohuar se “neve na është dhënë mundësia ta ndërtojmë Prishtinën e nesërme dhe këtë mundësi ne duhet dhe do ta shfrytëzojmë”. “Sot, Prishtina ndodhet përpara një sfide të re, për kapërcimin e së cilës ne jemi të përkushtuar që bashkërisht të punojmë. Ne kemi dëshmuar që punojmë në shumë fusha për të përmirësuar jetën e njerëzve, të rinisë sonë të mrekullueshme, me investime të mëdha në sport, me rritjen e buxhetit për rini, me subvencionimin e shumë programeve dhe me përfshirjen e saj në shumë nisma rajonale dhe europiane”, pohoi Abrashi.

Ai nënvizoi se si kryetar i ardhshëm i Prishtinës, shpreh përkushtimin e parezervë për të rritur pjesëmarrjen tuaj në vendimmarrje. Abrashi pohoi se kryefjala e këtij programi është Fondi i Punësimit. “Kontrata ime 4 vjeçare me qytetarët e Prishtinës, në funksion të zhvillimit ekonomik konsiston në krijimin e Fondit të Punësimit. Ky fond do të krijohet për punësimin e të rinjve të Prishtinës. Brenda mandatit 4 vjeçar do të përkrahen mbi 30.000 persona duke i dhënë prioritet të rinjve”, ka shtuar ai.

Abrashi është zotuar se në përputhje me rregullativën ligjore, “Pallati i Rinisë” do të kthehet në pronësi të Komunës së Prishtinës. “Një vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë edhe zbatimit të Programit tonë për sportin. Ky program parasheh intervenime dhe përkrahje sipas nevojave dhe kërkesave të sportistëve dhe të klubeve, në pajtueshmëri me kriteret e BE-së dhe institucioneve më të larta sportive, siç janë FIFA, UEFA, FIBA, IAAF, EHF etj. Do të investohet në potencialin ekzistues, masivizimin e sportit shkollorë dhe rekreativë dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në sport”, shoi ai.