driloni com
vipa
mbpzhr
muqa 900
vala – old
Fillimi / Dëshmorët / Kemajl Ruzhdi Hetemi (10.2.1968 – 28.9.1998)
Kemajl Ruzhdi Hetemi (10.2.1968 - 28.9.1998)

Kemajl Ruzhdi Hetemi (10.2.1968 – 28.9.1998)

Kemajli  lindi më 10 shkurt të vitit 1968 në Ferizaj. Babë Ruzhdiu dhe nënë Habibja, u përkujdesën duke punuar me mund e djersë, për të krijuar kushte për edukimin dhe rritjen e mbarë të  tre bijve të tyre.

Mësimet fillestare Kemajli i kreu në shkollën tetëvjeçare “Tefik Çanga” në Ferizaj. Më pas ka mbaruar shkollën e mesme ekonomike po në qytetin e tij të lindjes.

Qysh i ri ndikohet nga literatura me përmbajtje kombëtare. Ishte nxënës i klasës së shtatë të shkollës fillore kur shpërthyen demonstratat e rinisë studentore më 3 prill të vitit 1981në Ferizaj.  Kemajli me disa shokë të tij të shkollës iu bashkohen demonstruesve. Qysh atëherë me qenien e tij të njomë ishte ballafaquar me dhunën e forcave okupatore dhe të atyre që ishin vënë në shërbim të pushtetit titist-rankoviqist. Skenat e përleshjeve të rinisë me policët, martirizimi i dy demonstruesve, në qendër të qytetit, plagosja e shumë të tjerëve nga forcat policore, gazi lotsjellës,  ishin fokusuar thellë në vetëdijen dhe ndërgjegjjen e tij të zgjuar patriotike.

Së bashku me vëllezërit, Hasanin e Bekimin dhe me kushërinjtë: Fadilin Qamilin e të tjerë, ka marrë pjesë aktive në demonstratat e protestat e viteve 1988-1990. Kemajli nuk mjaftohej vetëm me pjesëmarrje në radhët e demonstruesve në Ferizaj, edhe pse qyteti i  Ferizajt  asokohe ishte një bastion i qëndresës, por merr pjesë në demonstrata që u zhvilluan edhe në Prishtinë, në mbrojtje të autonomisë dhe institucioneve të Kosovës. “Ka marrë pjesë në të gjitha  demonstratat e protestat e asaj kohe, thotë babai, Ruzhdiu duke sjellë në kujtesë hapërimin e pandalshëm kombëtar të djalit të tij, Kemajlit.

Prej vitit 1991 deri në vitin 1997, Kemajli me vëllezërit Bekimin e Hasanin  merren me veprimtari tregtare. Ata hapin një lokal tregtie në Gjilan së bashku me Rexhep Veselin.

Kemajli, edhe pse për nga natyra ishte i tërhequr dhe nuk imponohej në bisedë, ai përcillte me vëmendje zhvillimet aktuale politike. Ai i besonte vetëm forcës kombëtare dhe nuk kishte pikë dyshimi se forcat të caktuara patriotike vepronin ilegalisht. Për këtë qëllim kishte blerë një revole, për të cilën mendonte se do t’i duhej. Në dimër të vitit 1997 policët serbë me rastin e intervenimit të befasishëm në shtëpinë tonë në Ferizaj e zbulojnë revolën. Për armëmbajtje pa leje Kemajli dënohet një muaj burg dhe me gjobë 500 DM, rrëfen babai i Kemajlit, Ruzhdi Hetemi.

Më 28 nëntor të vitit 1997, së bashku me shokun e tij Rexhep Veseli merr pjesë në varrimin e mësuesit dëshmor, Halit Geci në fshatin Llaushë të Drenicës. Qysh atëherë Kemajli kërkon të futet në radhët e UÇK- por nuk arrin, meqë kjo forcë guerile, e cila më vonë do ta çlironte Kosovën, ende nuk ishte zgjeruar sa duhet. Gjatë kthimit nga Llausha për në Ferizaj e ndalojnë pjesëtarët e policisë okupatore dhe e torturojnë, meqë kishte marrë pjesë në varrimin e mësuesit dëshmor.

Në verë të vitit 1998, Kemajl Hetemi viziton më shpesh miqtë e tij në fshatin Shalë (ish-Sedllar) të Drenicës jugore. Atje kupton se UÇK-ja kishte zgjeruar radhët deri në Shalë, Krojmir dhe Pjetërshticë. Më 6 korrik, së bashku me mikun e tij, Vehbi Hoxha nga Shala, shkon në shtabin lokal të Krojmirit dhe lajmërohet te Sylë Qeriqi dhe Elez Durmishi. Kemajli kontakton edhe me autorin e këtij shkrimi, nga i cili kërkon të pranohet në radhët e UÇK-së. Pesë ditë më parë në shtabin lokal të Krojmirit ishte radhitur kushëriri dhe shoku i tij i idealit, Fadil Hetemi. Edhe pse  asokohe në Krojmir nuk kishte armë dhe uniforma të mjaftueshme, Kemajli pranohet në radhët e UÇK-së. Fillimisht sistemohet në vendroje të shtabit lokal që ndodhej në lagjen e Qeriqve, te shtëpitë e Mehdi dhe Vehbi Qeriqit.

Kemajli kërkonte të shkonte për armatim në Shqipëri, por meqë dinte të përdorte armët, ai sistemohet në radhët e forcave vepruese luftarake në mesin e luftëtarëve: Jetë Hasani, Sylë Qeriqi, Elez Durmishi, Ramiz Qeriqi e të tjerë.

Në korrik të vitit 1998, dhjetëra revolucionarë nga Ferizaj kishin depërtuar në Krojmir. Pasi i kishin shpëtuar arrestimit, në Krojmir vendosen edhe Milaim Jashari, Adem Metushi, Ekrem Metushi, Minker Zuka, Flamur Zuka e shumë të tjerë. Kemajli dhe Fadil Hetemi edhe pse ishin të kyçur në frontet e luftës në vijen Carralevë, Zborc, Blinajë deri në Fushaticë, kishin shfaqur gatishmëri që të depërtonin në zonën e Neredimes, e cila kishte filluar të zgjerohej e të konsolidohej.

Kemajl Hetemi së bashku me kushëririn Fadil Hetemi, me Jetë Hasanin, Milaim Behën, Sylë Qeriqin, Ajvaz Karpuzin, e të tjerë kanë marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Zborc, Vërshec dhe në Fushticë.

Më 24 korrik të vitit 1998, Kemajli me Fadilin, Jetë Hasanin e të tjerë merr pjesë në luftimet që u zhvilluan në afërsi të fshatit Fushticë, kundër forcave serbe.

Më 25 korrik, me rastin e fillimit të ofensivës të forcave ushtarake e policore serbe, kundër pozicioneve në Zborc, Carralevë dhe në Llapushnik, Kemajl Hetemi ndodhet në pikën e Zborcit. Pas 30 orë qëndrese heroike, me ç`rast bie dëshmor Ruzhdi Salihu dhe plagosën pesë luftëtarë të tjerë, forcat tona çlirimtare tërhiqen në pozicionet e dyta  në malet e Caralevës dhe të Pjetërshticës.

Më 27 korrik, Kemajl Hetemi, Fadil Hetemi, Driton Islami, Luan Jahiri, e Muharrem Salihu, marrin leje nga shefi i Shtabit lokal, Elez Durmishi, dhe fillojnë të depërtojnë në Zonën Operative të Neredimes, të cilën tanimë e kishin përforcuar dhe konsoliduar komandantët: Shukri Buja, Imri Ilazi,  Fehmi Mujota e të tjerë.

Pesë luftëtarët e lirisë në krye me Kemajl Hetemin nisen në drejtim të Javurit me qëllim që të depërtojnë në zonat e luftës në Zonën e Neredimes. Të nesërmen, pasi bisedojnë me komandant-Ismet Jasharin-Kumanovën, Kemajl Hetemi me bashkëluftëtarë depërtojnë rrugën me sukses, dhe fillimisht ndalojnë në fshatin Papaz. Ndërkohë sistemohen në fshatin Jezerc.  Atje, komandantët Shukri Buja dhe Imri Ilazi ua caktojnë pikën e parë të mbrojtjes, në malet e Jezercit, në relacion Jezerc Neredime, pikërisht përballë pozicioneve më të sofistikuara të forcave armike, të cilat kishin një bazë të fortë ushtarake në Ferizaj.

Asokohe, në Zonën e Jezercit, Kemajl Hetemi takon edhe dy vëllezërit, veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, ish të burgosur e të përndjekur nga regjimi okupator: Bajram Sylejmani dhe Gursel Sylejmani, pastaj Agim Bajramin, Xheladin Kurtajn, Besnik Beguncën, Bashkim Vishin, Nazim Terziun dhe shumë luftëtarë të tjerë të përkushtuar të luftës çlirimtare.

Me vendosjen e Kemajlit në Jezerc, komanda e Zonës e cakton zëvendëskomandant të pikës së parë të Nënzonës së Neredimes në vendin e quajtur  Te Kisha e Re. Pikën e parë e ruanin Kemajl Hetemi, Fadil Hetemi, Daut Ilazi dhe luftëtarë të tjerë të sprovuar.

Pikërisht përballë forcave serbe, të cilat granatonin pandërprerë, Kemajli me bashkëluftëtarët kishte vendosur flamurin kombëtar, në pozicionin luftarak Te Kisha. Valimi i flamurit përballë hordave vrastare serbe ishte një provokim i rëndë për forcat okupatore. Ata po përgatiteshin për të sulmuar këtë bastion të ri të luftës çlirimtare.

Më 9 gusht të vitit 1998, Kemajl Hetemi, së bashku me kushëririn Fadil Hetemi dhe luftëtarin Vezir Jashari, marrin leje nga komanda për të depërtuar gjatë natës, në Ferizaj, te familjet e tyre. Po atë natë nisën për në Gabrricë të Kaçanikut edhe Agim Bajrami, Besnik Begunca dhe Xheladin Kurtaj. Ata një pjesë të rrugës e hapërojnë së bashku dhe pastaj ndahen. Nuk e kishim menduar se po ndaheshim për të mos u parë kurrë më me Agim Bajramin, Xheladin Kurtajn dhe Besnik Beguncën thotë Fadil Hetemi, duke përkujtuar atë natë të dhembshme, meqë në mëngjesin e 10 gushtit, pasi ishin rrethuar në Gabrricë nga forcat serbe, ata bien dëshmorë. Me të mësuar lajmin e rënies së tyre, sapo u err, së bashku me Kemajlin, dhe Shaban Mustafën, nga Mallapolci me vendbanim në Ferizaj, i cili i dinte mirë rrugët, me traktorin e tij u nisem drejt Jezercit. Gjatë rrugës na përcollën vëllai i Kemajlit Hasani dhe vëllai im Qamili, të cilët kishin vëzhguar me kujdes terrenin-shton Fadili.

Pika e parë e Zonës së Neredimës vazhdonte t`i provokonte forcat serbe të cilat granatonin sidomos nga pozicioni i tyre  afër Bazenit të fshatit Neredime.

Më 25 shtator forcat ushtarake dhe policore serbe ndërmorën sulm në shkallë të gjerë kundër pozicioneve të UÇK-së në Jezerc. Nënzona e Jezercit ishte vënë në bllokadë nga të gjitha anët. Granatimi në distancë i pozicioneve nuk u ndal disa ditë rresht. Luftëtarët çlirimtarçë qëndronin nëpër istikame duke përballuar breshërinë e armës armike dhe duke pritur në shënjestër derisa të afroheshin forcat e këmbësorisë armike.

Më 26 shtator, forcat armike goditën nënzonën e Jezercit nga  të gjitha drejtimet: nga Neredimja, Kodra e Shtimes, nga Gremja Zaskoku e Pleshina si dha nga Zhupa e Siriniqit. Në të gjitha pikat luftëtarët çlirimtarë kishin qëndruar të patundur. Edhe pse raporti i forcave në këto luftime  ishte krejtësisht i pabarabartë qëndrimi luftarak i çlirimtarëve shënonte epërsinë e tyre morale.

Edhe më 27 dhe 28 shtator të vitit 1998, luftimet nuk ishin ndërprerë. Luftëtarëve çlirimtarë kishte filluar t iu mbarohej municioni. Forcat armike kishin avansuar në drejtim të pikave. Nga mesdita e 28 shtatorit, Kemajl Hetemi, Bajram Sylejmani, Gursel Sylejmani e të tjerë  luftonin ballë për ballë forcave armike, në mes të dy pikave.

Në pikën dy ishin vrarë tre ushtarë serbë dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Pika e parë ishte sulmuar rrufeshëm. Në logun e trimërisë kishte rënë  Bajram Sylejmani. Aty rreth orës 16.00-17.00, të ditës së hënë të 28 shtatorit, pasi nuk dëgjohej zëri i Bajram Sylejmanit, Kemajl Hetemi me disa luftëtarë, nën breshërinë e armëve armike afrohet barkas deri te pozicioni i tij. Në çastin kur po bëhej gati të hedhte bombën e dorës në drejtim të forcave armike, arma vrastare e godet idhshëm. Kemajli bie mbi trupin e bashkëluftëtarit Bajram Sylejmani të cilin ishte munduar ta tërhiqte. Atë ditë në pozicionet e pikave luftarake të Jezercit bien trimërisht dhe heroikisht, Kemajl Hetemi, Bajram Sylejmani, Gursel Sylejmani, Bashkim Vishi, Nazim Terziu, Sejdi Sejdiu, Salih Baliu, Lulëzim Guta dhe  Salih Baliu.   Shumë të tjerë kishin marrë plagë të lehta dhe të rënda.

Të nesërmen bashkëluftëtarët e dëshmorëve, në mesin e tyre edhe Fadil Hetemi, i tërheqin trupat e dëshmorëve dhe i varrosin në fshatin Jezerc.

Lufta për çlirimin e Kosovës kishte vazhduar deri në ditën e fitores. Bashkëluftëtarët e dëshmorëve luftuan derisa u shporr përgjithmonë nga Kosova ushtria okupatore serbe.

Më 12 shtator të vitit 1999, trupi i dëshomit Kemajl Hetemi dhe i dëshmorëve të tjerë rivarroset në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në hyrje të Ferizajt. Atje prehen në përjetësi eshtrat e Kemajl Hetemit dhe të shumë dëshmorëve të tjerë.

Kemajli ka lënë prindërit: babanë, Ruzhdiun dhe nënë Habiben. Pastaj bashkëshorte Teutën e cila përkujdeset për djalin Valmirin i cili ishte vetëm gjashtëveçar kur babai i tij Kemajli ra dëshmor për çlirimin e Kosovës. Valmiri me ëndje i dëgjon rrëfimet për babanë dhe ka mësuar të gjitha  ngjarjet e luftës ku mori pjesë babai i tij dëshmor.

Kemajli ka lënë edhe vëllezërit Hasanin e Bekimin dhe motrat: Eminen, Shpresën dhe Besën.

Familja Hetemi ka marrë mirënjohje për dëshmorin, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe nga asociacione të tjera të luftës çlirimtare. Një rrugë në Frizaj mban emrin e dëshmorit Kemajl Hetemi. Emrin e dëshmorit Kemajl Hetemi e mban edhe shkolla fillore e fshatit Rahovicë. Në pllakën e përbashkët përkujtimore të pesë dëshmorëve në fshatin Softaj, ndodhet i skalitur edhe emri i dëshmorit të kombit Kemajl Hetemi. (A. Q)