muqa 900
mbpzhr
vipa
Fillimi / Kultura / Kënga e Azem Galicës, dëshmi epike e një historie luftarake, autentike
Kënga e Azem Galicës, dëshmi epike e një historie luftarake, autentike

Kënga e Azem Galicës, dëshmi epike e një historie luftarake, autentike

Këngëtari popullor, madje edhe kur ka qenë i njohur, në të shumtën e rasteve është trajtuar  i panjohur,  sepse kënga, pavarësisht krijuesit të parë, meqë nuk ka qenë e shkruar, është kënduar edhe nga këngëtarë të tjerë, të cilët kanë bërë edhe ndryshime e plotësime, e nganjëherë edhe amputime e shtrembërime.

Kënga e Azem Galicës, dy pjesë, versioni i kënduar nga Dervish Shaqa por edhe nga qindra këngëtarë të tjerë të hershëm e të vonë, për vlerësimin tim është rrëfimi më autentik dhe në pajtim me të gjitha faktet  e të dhënat dokumentare për Azem Galicën, Shote Galicën dhe bashkëluftëtarët  e tyre.
Është folur, por edhe mund të jetë spekuluar se këngën e parë për Azem Bejtë Galicën e ka shtjelluar, rrëfimtari dhe mentari i njohur i asaj kohe, Dervish Goxhulli, nga fshati Makermal i Drenicës. Versioni i kënduar nga Dervish Shaqa, i cili duke qenë rapsod dhe njohës shumë i thellë e këngëve, edhe mund ta ketë   korrektuar ndonjë varg, apo në bashkëpunim me këngëtarë dhe ndonjë njohës të mirë të kësaj historie, mund të edhe të ketë bërë intervenime të caktuara, është versioni më monolit dhe përgjithësisht i mbizotëruar deri në këndimet e rapsodëve të sotëm.

Azem Bejtë Galica (1889-1924) ka qenë njëri ndër luftëtarët më të njohur të historisë së popullit shqiptar, kundërshtari dhe luftëtari më i pa kompromis  i pushtimi të Kosovës dhe viseve të tjera nga Serbia e shtetet fqinje, strategu dhe heroi i kohës së tij, i cili për 12 vjet rresht, veproi dhe luftoi për çlirimin e viseve shqiptare nga robëria sllave. 12 vjet në male, në luftëra e beteja, në shtegtime nëpër shtigje, duke u përballur me e sa prita, 12-vjet pa pushuar edhe një ditë si duhet, 12 vjet pa e bërë edhe një natë gjumë si duhet, 12 vjet në vapë, shi, dëborë, acar, shpeshherë i pa ushqyer si duhet, shpeshherë i sëmurë dhe me plagë në trup…  Po çuditërisht, edhe krahas tërë asaj luftë dhe militantizmi atdhetar, krahas rezistencës më të fortë dhe të pakrahasueshme të kohës,- edhe sot e kësaj dite, madje edhe nga studiues shqiptarë, Azem Galica konsiderohet “kaçak” mali, madje edhe “krye-kaçak i Drenicës” apo i kaçakëve.  Këtë njollë emrit të Azem Galicës nuk ia ka hequr deri sot “historia” zyrtare e Kosovës apo e Shqipërisë  dhe ky është një turp më shumë për të mos thënë krye-turpi që ka arritur deri në kohën tonë.

Cili popull në botë do të pranonte që një kryetrim si Azem Galica dhe një krye-trime si Shote Galica të trajtoheshin “kaçakë”, hajdutë, vrastarë, vetëm sepse ashtu e ka trajtuar regjimi, me këtë rast regjimi shqiptar-vrasës dhe shqiptar-shfaronjës i Nikolla Pashiqit dhe i regjimeve të tjera serbe e sllave deri në vitin 1999.
Njolla që ia bënë, me apo pa vetëdije, Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare, një klasë e tërë historianësh, duke e quajtur Lëvizje Kaçake, sipas sintagmës serbe “Koçaçki pokret”, le t’ iu mbetet atyre në ndërgjegje.

Personaliteti luftarak, qëndresa dhe lufta e organizuar e Azem Galicës dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët prijës ideorë kishin Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Hoxhë Kadriun dhe organizatën Mbrojtja Kombëtare e Kosovës,  janë të denja për piedestalin e heroizmit shqiptar në shekuj.
Azem Galica, nuk ishte vetëm një trim popullor, që nuk e honepste robërinë. Ai nuk luftonte vetëm për çlirimin e Drenicës, apo për ti ia lënë një nam më tepër vendlindjes  së tij, nuk luftonte për t’u pasuruar duke i zgjeruar pronat në Galicë,  por së bashku me trimat e trimëreshat e tij luftonte, kundër një regjimi barbar, kundër regjimit më barbar të kohës të Serbisë së Nikolla Pashiqit, e cila kishte program shtetëror, shfarosjen  kolektive të shqiptarëve. Lufta kundër një Serbie të tillë nuk ishte e pamundshme dhe këtë më së miri e provoi, Azem Galica me trimat e tij, në kohën e tij,  ashtu sikur nuk do ta konsideronte të pamundur luftën kundër regjimit barbar të Milosheviqit, Adem Jashari në kohën e tij.  Dhe këtu kemi një koincidencë interesante. Regjimi i Pashiqit, Azem Galicën e trajtonte “kaçak, bandit vrasës”, dhe e kishte likuiduar me tërë familjen, ndërsa regjimi i Milosheviqit, Adem Jasharin e trajtonte dhe e trajton vrasës, terrorist e bandit, dhe po ashtu e kishte likuiduar gati me tërë familjen.

Kënga e Azem Galicës, të cilën e këndonte me një përkushtim të veçantë rapsodi, Dervish Shaqa, dhe e cila këndohet e dëgjohet edhe sot me respekt nga shumë idealistë shqiptarë është këngë e heroizmit, këngë e trimërisë spartane, ku një çetë çlirimtare shqiptare e Drenicës kishte sfiduar divizionet luftarake të një regjimi, që dispononte  armatimin më të fortë e më modern të kohës dhe epërsinë numerike: një me njëqind.
Këngëtari popullor, në hyrje të këngës, në paraqitjen e kompozicionit, shpjegon rrethanat në të cilat gjendej Kosova pas largimit të Perandorisë Osmane, ku ai përshkruan realisht situatën kur pushtues historik nga Azia, po zëvendësoheshin  me pushtues nga Austro-Hungaria e Serbia.

Prej saj sene që u que Hyrrijeti
Kësaj Kosove kurr’ nuk iu nda gazepi,
Que Hyrrijeti Osmanlija,
Na erdh Nemcja na erdh Serbia.

Pastaj përshkruan barbarinë e pushtuesit të ri, i cili ishte edhe më vrastar se ai i vjetri, madje ai kishte plan shfarosjen kolektive të tërë një kombi. Sipas këngëtarit popullor, Nikolla Pashiqi kishte dhënë urdhër që Lëvizja e Rezistencës së Azem Galicës të shpartallohej me divizione të ushtrisë, që kishin arritur nga Shkupi, qendra e Vilajetit të Kosovës, e cila ishte pushtuar nga serbët, me ndihmën e Rusisë Cariste, në vitin 1912.

Ai Pashiqi në kambë na u que,
Kosovaret thot du’ me i farue,
Në telefon Pashiqi ka shkue,
Shku Zhupanit i ka kallxue,
Divizinë me ma shtrëngue,
N’ at Drenicë po domë me çue,
Azem Bejten me rrethue,
Po e rrethojmë me asqeri.

Ai zhupani n kambë asht que,
Batalionat  i ka shtrengue,          ,
Në vagona i ka ngujue,
N’Mitrovicë  janë shkarkue,
Janë shkarkue në Mitrovicë,
Paskan msy me dale n’Drenicë.

Kënga, e cila përputhet me dokumentet e kohës tregon se mijëra ushtarë serbë me armatim të rëndë me topa e mitralozë, me një epërsi të madhe numerike në ushtarë, kishin filluar ekspeditën vrastare, fillimisht duke i rrethuar fshatrat fqinje të Galicës, me qëllim për të mos lejuar, që ata të largoheshin.

N’atë Drenicë  kur po shkojnë,
500 vetë po ja rrethojnë kullën.
500 vetë pe rrethojnë Galicën,
500 tjerë Mikushnicën,
Mikushnicën me Lubovec,
Bajshin trimat haj medet,
Tri katunde maruen krejt.

Duke parë se rrethimi ishte i hekurt, ndërsa Azem Galica kishte një numër të kufizuar luftëtarësh dhe me mungesë të theksuar armatimit e municionit, kryetrimi i Drenicës dhe i Kosovës së asaj kohe, e kishte ruajtur gjakftohtësinë, virtyt  ky i luftëtarëve të sprovuar, me qëllim për të mbijetuar në situatat e papritura.  Nuk ishte hera e parë që ishte rrethuar, por ishte hera e parë, që ishte rrethuar me divizione, madje nuk iu kishte rrethuar vetëm Kulla e tij, apo  vetëm fshati, por ishin rrethuar edhe fshatrat përreth. Për të çarë rrethimin dhe për t’i kapur bjeshkëve të Qyqavisë duhej strategji, veprim unik luftarak, heroizëm sakrificë, syçeltësi, trimëri, ashtu sikur kishin bërë spartanët e lashtë, ashtu sikur kishin bërë trimat e Kastriotit nëpër shekuj

Azem Bejta po rri n’krevet,
Rrin n’krevet po kqyrë n’frëngji,
O ku jini o shoktë  e mi!.
Azem Bejta na qu në kambë,
Me shokë të vet nji dert pe ban,
Delni shokë ju o për qat anë,
Vet po i dal ushtrisë në mejdan.
Kur ka dal  Azemi n’lamë,
E ka vra nji kapedan,
Po lifton gryk-a-m’grykë,
Shtatë xhanar  i ka vra në kapexhik.

Kë mbaron pjesa e parë e këngës, e cila është ndarë, në radhë të parë për shkak të transmetimit në Radio. Përderisa pjesa e parë mund të interpretohet edhe si hyrje në rrëfimin e qëndresës së Azem Galicës me kryetrimave e tij, pjesa e dytë, fillon me përshkrimin e sulmit masiv të forcave serbe dhe luftimet fyt për fyt të forcave ndërluftuese.  Kjo pjesë është kryesisht epike  heroike.
Në sulmin masiv të forcave  serbe kundër kullës ku ndodhej Azem Galica me 12 bashkëluftëtarët e tij dominon përshkrimi i zhvillimit të betejës, sidomos në kohën  kur trimat ishin lëshuar në veprim të koordinuar  dhe kur komunikimi i tyre, zërat, brohoritjet kishin hutuar forcat serbe, të cilat edhe ashtu kishin dëgjuar sa e sa herë dhe ishte përhapur fjala se Azem Galica fluturonte dhe nuk kishte plumb që e shponte.

Krisi topi na i ra zidit,
Po i  pisket Azemi, Halitit,
Po ku t’ kam Halit  Bajrami,
Ndiçmi ushtrinë përmas gardhi,
Gjithë janë kanë djemtë e gashit.
Azem Bejta shka u ka thanë,
Djemt e Gashit gjithmonë  janë kanë,
Vet sa herë qi kam luftue,
Luboveci m’ kanë ndihmue.

Me rastin e rrethimit të fshatrave Galicë, Mikushnicë, Lubovec, nga forcat e shumta serbe të Pashiqit, një pjesë e shqiptarëve të këtyre fshatrave që kishte armë, ua kishin drejtuar serbëve, qoftë për ballë qoftë prapa shpine, me qëllim për ta ndihmuar Azem Galicën e trimat e tij.  Fillimi i krismave nga çdo anë, nga të gjitha fshatrat kishte bërë që ushtria armike që e kishte rrethuar  Galicën, me synim goditjen deri në rrënim të kullës së Azem Galicës, të ndodhej edhe vetë në rrethim të befasishëm e të papritur. Në një gjendje të tillë kaotike, kur topat kishin pushuar dhe kur luftohej fyt për fyt, luftëtarët e sprovuar 12 vjet ndër beteja kishin shpartalluar forcat armike. Këngëtari popullor ka përshkruar luftimet me tërë dinamikën e zhvillimeve, duke përshkruar një për një rezistencën e të gjithë trimave, heroizmi i të cilëve atë ditë kishte prekur piedestalet.

Pa u provue nuk njihet trimi,
Shumë po i vret Xheladini,
Shtatë xhandar na i vrau Qerimi,
Shumë po vret Halit Bajrami,
Tanë po i len mbas njaj livadhi,
Xhemë Ternavci pushkën me lala,
Një bylyk po ma qet përpara,
Po pisket Shaban Manxholli,
Mjeri unë i mjeri Azem m’ pshtoi majori.
Tri paqeta une i harxhova,
N’ ta i shtina tri paqeta,
Kurrnja n’ trup veç neper tesha.
Po pisket Bajram Ternoci,
Shumë selam nanës t’ mi bani,
Shumë selam nanes me m i que,
Me i thanë nanës mos kaj për mue,
Shtatë herë veten e kam pague,
Me zabitllarë ket ditë jam ndërrue,
12 vetë n kullë që jem qillue,
Nja i shnoshë nuk jemi pshtue,
Dikush vdekun dikush varrue,
Azem Galicës tuj ndihmue.

Te Zhupani po bjen buria,
Kthenu thotë e hiqnu tina!
S ka shka u bajnë të shtatë krajlia.
Dy asllana qi i ka Shqipnia,
Azem Bejta, Mehmet Delia,
Në ta n sherr  koka ra Serbia.

Këto vargje me të cilat është përshkruar beteja vendimtare dhe e fundit e Azem Galicës janë të njëjta me vargjet homerike të Gjergj Fishtës, të lahutës së Malcisë. Ka qenë praktikë e provuar sa e sa herë e luftëtarëve shqiptarë në të kaluarën, që gjatë luftimeve të lëshonin zëra kumbues, mobilizues, që për ta hutuar armikun, të thërrisnin me emër njëri tjetrin për të treguar se ishin gjallë dhe po luftonin, me qëllim për të demonstruar moralin e  lartë që e manifestonin gjatë luftimit. Po ashtu ka qenë praktikë luftarake edhe këndimi i ndonjë vargu të këngëve të trimërisë. Në 28 vargjet e përshkrimit të betejës për ta çarë rrethimin, janë plot 28 skena luftarake të përmbledhura në rrëfimin e plotë të përshkrimit të luftimeve fyt për fyt, janë 28 skica rrëfimesh, që përbëjnë historinë e asaj dite, e cila për shumë vjet e deri në ditët tona ishte rrëfyer e rirrëfyer, rrëfehet edhe sot dhe përkujtohet me pietet, rezistenca spartane shqiptare, e asaj pjesës së shqiptarëve, të cilët kurrë dhe asnjëherë nuk ishin pajtuar me robërinë, cilado të ketë qenë ajo, Roma Bizanti, Turqia,  Austri-Hungarisë, Italia, Gjermania, Jugosllavia apo Serbia.
Vargjet që e përshkruajnë këtë betejë janë pjesa më e fuqishme në mesin e këngëve shqiptare epike heroike,  janë vargje të dala nga gryka e pushkës. Këngëtari popullor, me një imagjinatë të veçantë  ka përshkruar dimensionin realist të betejës. Në këtë mes spikatin vargjet e Bajram Ternocit, i cili pak para se të përjetësohet në altarin e lirisë i bën të fala nënës duke kërkuar nga ajo që të mos qajë, as të mos e vajtojë sepse e ka shpaguar veten, sepse është ndërruar me zabitllarë, sepse fatin e tij e kanë pësuar edhe shumë shokë të tij duke luftuar përkrah Azem Galicës.

Pjesa e tretë e këngës në saj të kompozicionit të diskursit të rrëfimit ka të bëjë me rënien e kryetrimit të kohës, Azem Galica, i cili kishte marrë plagë vdekjeprurëse dhe shokët e tij nën breshërinë e predhave armike e kishin nxjerrë nga rrethimi dhe kishin arritur në bjeshkët e Qyqavisë, në strehën dhe katakombin e tyre.

Azem Bejta na u ka varrue,
Shoktë e mir’ ngat ju kanë qillue.
Halit Bajrami një djalë kreshnik,
E ka marrë Azemin n’ gryk.
E ka qitë në Qyqavicë.
Azem Bejta asht lodhë me vdekë,
U ka lanë shokve nji amanet,
Askund vorr mos me m’ u gjetë,
Se do të shkojnë dy a tri vjet,
Nuk e dinë hala e kam vdeke,
Krejt Serbia po jet me ilet.
Azem Bejta  ka ndërrue jetë,
Atij i  i pastë shpirti rahmet,
N’ shpinë pe marrin shoktë  e vet,
E kanë que na at’ Gllarevë,
E kanë que Azemin  n’nji shpellë.
Ku del dielli e praron hana,
Azem Galicë nuk ban ma nana.

Azem Bejta i porositë shokët që mbajnë fshehtë rënien  dhe ta varrosin në një vend të fshehtë në mënyrë që trupin e tij të mos e gjejnë armiqtë serbë  dhe për disa vjet të kujtojnë se është gjallë, gjithnjë në frikë  mos i godet në befasi. Porosia e fundit e Azem Galicës hap një dimension tjetër të shpirtit të tij luftarak, të karakterit burrëror e trimëror shqiptar. Ai edhe pak çaste para se të ndërronte jetë shprehej  i vetëdijshëm se lufta për liri do të vazhdonte deri në fitore, pavarësisht sakrificave, sfidave dhe rrethanave. Ishte heroi që ishte njëzuar në heroizmin shekullor dhe për së vdekuri kërkonte ta sfidonte pushtuesin barbar e gjakatar, për jetë e mot, atëherë e sot….
Dy vargjet e fundit, me të cilat zakonisht përfundojnë këngët epike e heroike të trimërisë, “Ku del dielli e praron hana Azem Galicë nuk ban ma nana”, si ornament autentik shekullor, më së miri e skalitin  në përjetësi e amshim, Azem Galicën, kryetrimin  kohës, që u bë  frymëzim për brezat, për Shaban Palluzhën e Mehmet Gradicën, Tahir Mehen e Nebih Mehën, Sahaban Jasharin, Hamëz Jasharin dhe Adem Jasharin, legjendarin e legjendave të Shqipërisë, Anteun e kohës sonë.

Ahmet Qeriqi