Këngëtarja e talentuar gjirokastrite e polifonisë, Sonila Meni: “Një popull që nuk këndon, vdes”

Këngëtarja e talentuar gjirokastrite e polifonisë, Sonila Meni: “Një popull që nuk këndon, vdes”

(Albert Z. Zholi intervistë  për “Albanian Free Press”, me këngëtaren, Sonila Meni)

“Nuk ka kënaqësi shpirtërore më të madhe se kënga polifonike. Të këndosh polifoni, është ushqim për shpirtin”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press” këngëtarja e re që polifoninë e ka në gjak, Sonila Meni. Duke shtuar se“në këngën polifonike gjirokastrite, e lashtë deri në mjegull, njerëzit përpara se të bashkojnë zërat, duhet të bashkojnë njëherë zemrat, frymën e tyre, të këndojnë si një mushkri e vetme e një njeriu…”. Zëri i saj herë i butë dhe herë i fortë, i shoqëruar nga isoja e fortë buçitëse e grupit të saj ka bërë që kjo vajzë me pamje të brishtë të jetë një ndër më premtueset e polifonisë. Teksa përcjell për këtë të fundit, mesazhe mjaft mbresëlënëse edhe për Gjirokastrën, duke e cilësuar atë si “djep të kulturës”. “Ah, Gjirokastra është djepi i kulturës. Ajo është qyteti i festivaleve folklorike kombëtare për më tepër. Kënga përcjell një varg ngjarjesh shoqërore e familjare. Nga ato kalldrëme të gurta dalin tinguj e zëra për të cilat ne jemi krenarë”, pohon mes të tjerash këngëtarja Meni…

Kur dhe si e filluat të këndoni polifoni?

Pasioni im për polifoninë, për këngën është i trashëguar nga babai im, familja ime ka kënduar brez pas brezi. Mbaj mend në fëmijërinë time tek këndoja shtruar me hallën time, në dasma apo ditëlindje hidhnim bejte mes dy palëve, kujtime të gdhendura këto që i kujtoj me nostalgji. Kënga popullore është përjetësi. Një popull që nuk këndon vdes. Pa mushkëritë e këngës popullore shpirti ynë do të ish më i varfër. Në këngën polifonike gjirokastrite, e lashtë deri në mjegull, njerëzit përpara se të bashkojnë zërat, duhet të bashkojnë njëherë zemrat, frymën e tyre, të këndojnë si një mushkri e vetme e një njeriu. Për herë të parë kam tentuar të këndoj polifoni në moshën 10-vjeçare. Në shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri” ku studioja, kërkoheshin nxënës për koncertin përfaqësues të shkollës në koncert dhe diçka më shtyu të shkoja të provoja. Më pranuan dhe që nga ajo ditë nuk jam shkëputur më prej polifonisë.

Kush ju zbuloi si talent?

Për herë të parë kam kënduar në një grup e më pas jam stërvitur nga mjeshtri i këngës Roland Cenko, i cili më ka aktivizuar në aktivitete të ndryshme derisa formuam një grup të mirëfillte me të rinjtë e Gjirokastrës .

Cila ishte kënga e parë që keni kënduar?

Kënga ime e parë është dhe kënga tradicionale e Gjirokastrës tonë të bukur “Uromë baba, uromë”, apo “Ç’bëhet në shtëpinë tonë” etj.

Si ju vlerësuan?

Perfeksioni nuk arrihet kurrë në zhanrin e këngës polifonike, por jam munduar që të këndoj me shpirt çdo këngë që më është dhënë. Pasioni gjithmonë të bën t’i përcjellësh këngët me emocion tek spektatoret dhe kënaqësia nga ana e tyre ka qenë maksimale kudo që kam kënduar më kanë përgëzuar. Unë kam marrë pjesë edhe në shumë emisione televizive e kur jemi kthyer në Gjirokastër shihnim njerëz që na shikonin dhe pyesnin për ne. Ata na takonin dhe na thoshin se ishin krenarë për ne, po të marrësh parasysh dhe moshën kur kemi filluar të këndojmë, sepse tani jo të gjithë të rinjtë e përkrahin këtë rrymë, por besomëni, nuk ka kënaqësi shpirtërore më të madhe se kënga polifonike. Të këndosh polifoni, për ne është ushqim për shpirtin.

Kush interesohet për grupin tuaj të të rinjve dhe cili është emri i grupit?

Fillimisht, jemi udhëhequr nga mjeshtri Roland Cenko në të shumtën e koncerteve. Më pas kemi ndërmarrë një nismë humanitare në gjithë qytetet e Shqipërisë, ku kemi pasur mbështetje shumë të madhe nga muzikanti Stavri Lula, i cili është interesuar gjatë gjithë kësaj kohe që ta mbajmë grupin të lidhur në çdo koncert që na jepej mundësia dhe e falënderojmë jashtëzakonisht shumë.

Po tekstet e këngëve kush i krijon?

Tekstet e këngëve janë marrë nga autorë të ndryshëm. Disa tekste janë krijuar nga z. Petrit Beqiri, por ka patur dhe raste kur janë thurur vargje nga ne.

Sa këngë keni në repertor?

Mund të jenë rreth 70 këngë të mirëfillta.

Cilat janë këngët më të pëlqyeshme, ato me karakter patriotik apo për dashurinë?

Asnjërën prej tyre nuk mund t’i ndaj apo t’i jap më pak rëndësi se tjetra. Të dy karakteret kanë qenë thelb i këngëve tona.

Në Gjirokastër, aktualisht a ka jetë kulturore të pasur?

Ah, Gjirokastra është djepi i kulturës . Gjirokastra është qyteti i festivaleve folklorike kombëtare për më tepër. Kënga përcjell një varg ngjarjesh shoqërore e familjare. Nga ato kalldrëme të gurta dalin tinguj e zëra për të cilat ne jemi krenarë dhe një nga shumë këngët e thurura për Gjirokastrën tonë që kemi kënduar përcjell pikërisht vargun: “Shtëpitë muze/ ç’bukuri e rrallë, kalldrëmet me gurë sikur të thonë fjalë/ se jemi gjirokastriteë/ kemi çelës të florinjtë/ hapim kanatet e këngës/ në sepetet plot me dritë”, etj.

Në cilat aktivitete keni marrë pjesë?

Ne kemi marrë pjesë në festivalin folklorik të Gjirokastrës së fundmi, në Natën e Bardhë, për 100-vjetorin e gjimnazit “Asim Zeneli”, në aktivitete të ndryshme në nder të emrave me famë të Labërisë dhe Shqipërisë. Kemi prezantuar valle të kënduar në nder të Çamërisë etj. Gjithashtu, kemi përfaqësuar Gjirokastrën në “Top Channel” për dasmat gjirokastrite. Kemi konkurruar edhe në spektaklin “Tu si que vales”. Kemi qenë prezent dhe në panairin e Gjirokastrës çdo vit dhe shpesh herë në panairet në Tiranë, etj.

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …