KMDLNJ

KMDLNj konstaton se Kosova nuk ka burgje të mbipopulluara dhe se radikalizmi përdoret vetëm për qëllime politike

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut konstaton se Kosova nuk ka burgje të mbipopulluara dhe se radikalizmi përdoret vetëm për qëllime politike. KMDLNj thekson se duke parasysh faktin se numri i të privuarve nga liria, brenda një viti kalendarik është 1800 – 1900 individë, kapacitetet ekzistuese janë shumë më të mëdha se që realisht duhen për vendosjen e personave të privuar nga liria. “Bashkimi Evropian ka lansuar projektin me vlerë 2 milion euro që ka për qëllim përmirësimin e kushteve në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe ngritjen e standardeve në gjyqësor me ç’rast përfaqësuesja e BE–së deklaroi se Kosova ka burgje të mbipopulluara dhe që përballen me radikalizëm dhe dhunë e që në fakt nuk përkon me realitetin nëse mbështetemi nga të dhënat monitoruese nga OJQ –të që monitorojnë këto institucione, thuhet mes tjerash në reagimin e KMDLNJ-së.

Mbipopullimi është fenomen që i takon së kaluarës dhe në Kosovë është e theksuar një qasje e mbrapshtë e ndërtimit të kapaciteteve të reja të burgjeve, në shpërputhje të madhe me nevojat që i ka Kosova , duke e krijuar një përshtypje se shoqëria kosovare është shumë e kriminalizuar.  Nëse kemi parasysh faktin se numri i të privuarve nga liria, brenda një viti kalendarik është 1800 –1900 individë, kapacitetet ekzistuese janë shumë më të mëdha se që realisht duhen për vendosjen e personave të privuar nga liria. Me ndërtimin e dy qendrave të paraburgimit në Hajvali dhe Gjilan, me një kapacitet afërsisht 640 vende, me kapacitetet e Q. P në Mitrovicë, Pejë dhe Prizren afërsisht 200 vende, Dubrava me më shumë se 1400 vende, Smrekonica me afërsisht 250 vende, Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc më së paku 300 – 350 vende, Qendra Korrektuese  për të Mitur dhe Femra me kapacitet 120 – 150 vende sigurohen 3200 – 3400 vende që është tejkalim i madh i nevojave si dhe shpenzime të panevojshme që lirisht mund të interpretohet si shpërdorim i mjeteve, qoftë i buxhetit të Kosovës apo fondeve të BE –së”, thuhet në reagim.

Po ashtu thuhet se përzgjedhja e lokacioneve si dhe arkitektura e ndërtimit të këtyre objekteve ka qenë e gabuar duke injoruar aspektet e sigurisë, çështjet e logjistikës dhe krijimin e mundësive për risocializim të personave të privuar nga liria.

“KMDLNj , i përkrahur nga KFOS monitoron qendrat dhe institucionet mbajtëse dhe lobon për përmirësimin e kushteve për persona të privuar nga liria dhe stafin që përkujdeset për ta. Në këtë kontekst e kundërshton pohimin e krijuar dhe i cili përdoret kryesisht për qëllime politike se në burgjet e Kosovës është shndërruar në fenomen përhapja e radikalizmit fetar dhe kjo ndërlidhet ekskluzivisht me ata që janë arrestuar dhe dënuar për shkak të pjesëmarrjes në luftërat në Siri apo se e kanë ndihmuar rekrutimin e qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar në Siri”, thuhet në reagim.

“Realisht, të drejtat dhe liritë fetare në burgjet e Kosovës respektohen në përputhje me Ligjin për Liritë dhe të Drejtat Fetare dhe asnjë i privuar nga liria nuk përjashtohet nga këto të drejta, që nga zbatimi i riteve fetare, shënimin dhe festimin e festave fetare , deri te shfrytëzimi i literaturës fetare që e marrin nga shtëpia apo që gjendet në bibliotekat e burgjeve. Në këtë kontekst është përligjur një diskriminim ndaj besimtarëve islamë që ndërlidhen me një radikalizëm të supozuar dhe politizuar duke iu kufizuar qasje në literaturën fetare në radhë të parë për shkak të papërgjegjësisë së BIK –ut (që i censuron librat me përmbajtje fetare e që vonohet shumë në hartimin e listave për literaturën e lejuar fetare) . Me një fjalë , grupi i personave të privuar nga liria që cilësohen si radikalë islamikë janë të stigmatizuar në burgjet e Kosovës për shkak të situatës së krijuar jashtë burgjeve dhe në rrethanat aktuale risocializimi i tyre thuaja është mision i pamundur për shkak të qëndrimit dhe qasjes përjashtuese ndaj tyre e që KMDLNj e konsideron si të gabuar aq më parë që sipas Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale të gjithë të dënuarit duhet të trajtohen pa bërë dallime etnike, racore, gjinore, moshore, statusit material, bindjeve politike, përkatësisë kulturore dhe specifikave tjera”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Kontrolloni gjithashtu

Dastid Koreshi: Plan i Jashtëzakonshëm i Kosovës për Anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ambasadori dhe përfaqësuesi i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, Dastid Koreshi, ka vlerësuar përpjekjet e …