Kolë Jakova 1916 - 2002

Kolë Jakova 1916 – 2002

Kolë Jakova lindi në vitin 1916 në qytetin e Shkodrës. Në këtë qytet, Kola mbaroi shkollën fillore dhe u angazhua në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ishin pikërisht këto vite, kur i riu nisi të shkruajë vjershat e para. “Kënga e tre heronjëve” dhe “Shqiponjat partizane” shumë shpejt nisën të këndoheshin si këngë. Pas çlirimit, në vitin 1953, Kola shkroi veprën “Heronjtë e vigut”. Fusha kryesore në të cilën Kolë Jakova ka dhënë kontribut të veçantë është dramaturgjia. Në vitin 1954 shkruan dramën “Toka jonë”, “Përkolgjinajt” në vitin 1965, “Lulet e shegës” në vitin 1970, “Bashkë me agimin” në vitin 1975 dhe dramën “Lugajanet” në vitin 1997. Këto i dhanë një ndihmesë të konsiderueshme zhvillimit të dramaturgjisë. Njëkohësisht, Kolë Jakova është autor i disa romaneve si, “Fshati midis ujërave”, “Përballë hekurave të kryqëzuara” dhe “Kulla buzë liqenit”. Vdiq më 15 nëntor të vitit 2004.

Tituj të veprave:

Bashkë me agimin (1975)

Fshati midis ujërave (roman satirik, në tri pjesë 1986)

Halili dhe Hajria

Heronjtë e vigut

Kulla buzë liqenit (roman)

Lugajanet (dramë, 1997)

Lulet e shegës (1970)

Përballë hekurave të kryqëzuara (roman)

Përkolgjinajt (1965)

Toka jonë (dramë, 1954)

Mbreti i divave (roman,1982)

 

Riza Lahi: Kolë Jakovën u futën në qeli, pasi e zdruguan, “milicë e  horr xhubleta”

Francezët e kanë himn kombëtar “Marsejezën”; të rrënqethen mishtë nga disa incizimet e saja në Youtube. Provojeni!

Ajo, “Internacionalja”, “Varshavianka” janë këngë që kanë rrëmbyer mendjet dhe zemrat e miliona e miliona njerëzve dhe njerëzimi I ka nderuar duke i mbuluar me lavdi.

Edhe Shqipëria e ka simotrën e tyre. Është kënga “Shqiponjat partizane”. Një këngë aq popullore dhe aq e kënduar, deri edhe nga njerëz të pangrëne e me të vrarë a të varruar mes tyre.

Djaloshi shkodran Kolë Jakova u fut në qeli, sigurisht pasi e zdruguan kolegët e “milic – horr xhubleta”. Burgjet mbusheshin përditë me djalëri shqiptare nga pala tjetër – fashistët dhe kolaboracionistët e tyre.

Siç tregonte më vonë heroi i rezistencës popullore për liri, në qeli i erdhën edhe dy fëmijë. Ndërkohë, atij nuk i punonte mendja as te ndonjë e dashur, as te paratë, e as te qejfet e moshës, por te lufta kundër pushtuesve të atdheut të tij.

Në atë qeli ai krijoi këngën “Bashkoniu, shokë me ne ndër çeta!” dhe ua mësoi me shumë dashuri pionierëve që i kishin zënë duke shpërndarë trakte dhe që, sigurisht i liruan më parë se atë. Por, kur mundi të kapërcente hekurat e kryqëzuara të qelisë së tij, dhe, që andej, mori malet atje ku ishin formacionet partizane , i shtangur, dëgjoi këngën e tij të buçiste me furi dhe ndjeu t’i shpërthenin lotët. Edhe në kohën e lirë por edhe në prag të betejave me fashistët dhe bashibozukët e sahanlëpirësit shqiptarë, kënga e tij fluturonte duke marrë dhenë.

Kështu kaloi “Marsejeza” shqiptare – nga zemra e Kol Jakovës, te ajo e dy pionierëve dhe, që andej mori dhenë për të rendur nëpër shekuj, pavarësisht nga ndonjë brez i turullosur i kombit të shqiptar.

Por Kol Jakova ka bërë edhe këngën e “Tre Heronjve të Shkodrës”. Që të dyja, nuk flasin askund për “luftë civile”, siç është përpjekur ndokush të njollosë këtë luftë heroike të popullit të tij. Në “Tre heronjtë…” tipizohen kështu forcat që u ndeshën me “shqiponjat partizane”: “Milic horr xhubleta/ Shif ku të çon kuleta/ Parja e huaj e shkreta/ Me vra sot vëllanë tand”.

Edhe tani të rrënqethen mishtë, apo jo, i dashur lexues, nga ky mesazh kaq njerëzor, i dhimbshëm dhe realist.

Po për konfliktin jug – veri; lebër e malësorë, që ka nisur ti fryjë tullumbaces dikush këta ditë në ndonjë gazetë. Ja se çfarë shkruan për labin Perlat Rexhepi shkodrani Kolë Jakova, sërish te kënga në fjalë: “Hajde, toska i vogël/ binde mal e kodër/ tuned mbarë një Shkodër/ Oso Kukë taman”.

Ja, ishin një grup prej njëmbëdhjetë lebërish që të frymëzuar nga përplasja e madhështore e epopesë kosovare të vitit 1981, shkatërruan ekipin e dytë në Evropë, “Partizanin” e Beogradit. Të kemi parasysh se, para golit heroik të Kushtës, lebërit i kishin mbathur me dy me zero serbët mu në mes të Vlorës së tyre.

Labi, “toska i vogël” Dilaver Goxhai, u hodh në radhët e UÇK. Dhe, kur në një miting e vunë të fliste si ish oficer i ushtrisë shqiptare dhe që e kishte rritur shtatin në shkollat e shtetit amë; kur pushoi furia e pa pushuar e duartrokitjeve ai iu tha kështu; ja, ky bir i këtyre lebërve “që duan të mburren”: “Mos më duartrokitni dhe aq se unë kam ardhur këtu të laj një borxh. Kam ardhur të laj gjakun e Heroit të Popullit , birit të Kosovës martire, Xheladin Beqirit që ka rënë atje ku kam lindur unë”.

Lufta e popullit shqiptar kundër nazifashistëve nuk ka qenë për asnjë çast luftë civile dhe ndarja veri–jug ka ekzistuar vetëm në ndonjë mëndje të çoroditur! “Hajde, toska i vogël!”…i pari “Hero Populli”- “Karadaku” që dha jetën në Labëri.

Kolë Jakova ka qenë drejtori i parë i Teatrit Kombëtar Shqiptar. Dramat e tija të mrekullueshme – regjisorët tanë u shqyen duke vënë në skenë drama të përkthyera – nuk ua hedh sytë më askush. Ato u ngjanë vajzave të virgjëra, të bukura pafund, të edukuara dhe korrekte, por që, djalëria, ja, e ka mendjen te vajzat me shalët jashtë, me vështrime provokuese dhe që mburren hapur se sa dashnorë ka pasur.

“Kunora e Nuries”, “Halili dhe Hajria” “Lulet e shegës” apo, sidomos “Toka Jonë”, edhe sot, po të viheshin, do të kishin tundur dheun me bukurinë e tyre. Ato, apo, ta zëmë “Shtatë shaljanët” e Ndrek Lucës e “Nora” e Andrea Skanjetit. Por njerëzit, sikur janë vënë në garë se kush më shumë të flakë, të hedhë, të përbuzë, t’i ngërdheshet kulturës tonë autoktone, autorëve tanë vendas, aktualë dhe të traditës.

Aq epokë ka bërë “Toka Jonë” saqë, mbështetur te ajo, një skeç i shkruajtur nga i ndjeri Paulin Selimi dhe vënë në skenë nga trupa shkodrane, ka korrur të qeshur pafund. A ju kujtohet? Kur talleshin me “Grevat e urisë”, që sot nuk ka asnjë dëshirë t’i kujtojë njeri, kurse, skeçin që tallet me ta, mbështetur te Tuçi e te Lokja, e kujtojnë të gjithë..

Kol Jakova iu priu dramaturgëve të mëvonshëm, si Fadil Kraja e Ruzhdi Pulaha.

Romani tre vëllimesh “Fshati në mes ujnave”, që nuk gjendet as edhe një kopje e vetme e tij në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, siç e ka konstatuar poeti nga Mitrovica Sabit Idrizi, për nga humori dhe të qeshurat që shkakton te njerëzit e mentaliteteve shqiptare, është i krahasueshëm me Shvejkun .

Kol Jakova ka lënë edhe romanin “Përball hekurave të kryqëzueme”, dramën “Përkolgjinajt”; një seri veprash për fëmijë si “Mbreti i divave”, “Kopshti i lulëzuem”; “Magu i Mall Përtacit”, “Garda Kruetane”, etj.

Tani, lind pyetja: E ka bërë gjë qytetar nderi vendilnda e tij autorin e Merselezës shqiptare? Shkodra? I ka dhënë ndonjë titull këtij biri të saj që krijoi uraganin e luftës partizane, me këngën e të cilit, kushedi se sa bij nënash u hodhën në sulm për liri? Për turpin e saj, jo?

Po Tirana? I ka ngritur kund atij një bust? Tanimë që ka vdekur? Ai është autori i këngës “Bashkohu shok, me ne në çetë”. Shkroi një jetë vepra monumentale derisa mbylli sytë . Mirë bust, jo. Por emrin ndonjë rruge, a ia ka vënë? Pa dilni të dashur miq e bëjeni harram një ditë e shihni se çfarë emrash gëlojnë në emërtimet e rrugëve të kryeqytetit shqiptar

Le të mos kujtohet askush për Kolë Jakovën e as për veprën e tij shumëplanëshe! As me një bust, as me një emër rruge. Por gjallesa e tij, ky lapidar që hasharitet në zemrat e brezave të popullit shqiptar, “Bashkohu shok me ne në çetë”, u përlesh fytafyt me “Lili Marlen”-in nazist, kur dikush strukej, u bënte hosana apo u rreshtua në të njëjtat llogore ku hapnin zjarr hordhitë të Hitlerit.

Kontrolloni gjithashtu

ASDRENI ( 1972-1947)

ASDRENI ( 1872-1947), poet, atdhetar dhe personalitet i njohur i Rilindjes Kombëtare shqiptare

Aleksandër Stavri Drenova, i njohur me emrin letrar, ASDRENI është emër personalitet shumë i njohur …