Komandanti i lartë i NATO-s, Curtis Scaparrotti: Në Ballkan po rritet ndikimi rus, mund të kemi probleme atje

Komandanti i lartë i NATO-s, Curtis Scaparrotti: Në Ballkan po rritet ndikimi rus, mund të kemi probleme atje

Komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali amerikan, Curtis Scaparrotti, është shprehur i shqetësuar për shtimin e ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit, ku sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë humbur përqendrimin e tyre. Gjenerali Scaparrotti, që është edhe komandant i trupave amerikane në Evropë, i bëri këto komente gjatë një dëshmie në komisionin për shërbimet e armatosura në senatin amerikan, gjatë së cilës ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja po punojnë së bashku për t’iu kundërvënë kërcënimeve më të mëdha për sigurinë në Evropë – ekstremizmit të dhunshëm dhe përpjekjeve ruse për destabilizim. “Zona për të cilën jam i shqetësuar është Ballkani. Rusia po punon në Ballkan dhe ne e kemi hequr vëmendjen nga ajo hapësirë”, tha ai.

Moska e cila nuk i sheh me sy të mirë integrimet në Bashkimin Evropian dhe posaçërisht në NATO të vendeve të Ballkanit, ka shtuar përpjekjet për të shtrirë ndikimin e saj në rajon, posaçërisht duke shfrytëzuar Serbinë dhe serbët e Bosnjës për shkak të lidhjeve historike. Gjenerali Scaparrotti, tha se Rusia po provon të nxitë trazira në Ballkan nëpërmjet fushatave të dezinformimit drejtuar popullatave lokale. “Ky është një rajon në të cilin mund të kemi probleme në të ardhmen”, tha ai. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim në disa raste edhe për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore.

Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan. Moska kërkon që personelit të saj t’i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave. Qendra ruse që u hap fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse të NATO-s prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë, që kujdesen për sigurinë e shtetit të ri që para pak ditësh kremtoi dhjetë vjetorin e pavarësisë, që kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj, Rusia.

Kontrolloni gjithashtu

Christopher Hill

Prokuroria për krimet në fushën e teknologjisë, në Serbi, fillon hetimet për kërcënimet që iu kanë bërë, ambasadorit Hill

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi ka filluar hetimet lidhur me …