KOMF ka adresuar sot dokumentin “Një Kryeministër për Fëmijët”

KOMF: Nevojë emergjente për ndërhyrje në mbrojtje të fëmijëve me aftësi të kufizuara

Bazuar në Indeksin për Mbrojtjen e Fëmijës të publikuar nga KOMF,  Kosova ka arritur rezultatin prej 0,375 nga pikët e mundshme prej 1.0 në veprimet e saj për mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Edhe pse Kosova ka arritur  rezultat relativisht të lartë në veprimet e ndërmarra në legjislacion dhe politika për aftësinë e kufizuar (0,743), të gjitha rezultatet e dimensioneve të tjera të Indeksit: ai i shërbimeve (0,283), kapaciteteve (0,260), llogaridhënies (0,324) dhe koordinimit (0,250), janë shumë të ulëta.

 Kosova ka përcaktuar të drejtën për ndihmë në të holla për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara si element të mbrojtjes, përmes Ligjit për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, por ky ligj nuk garanton mbrojtje gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara, por njeh të drejtën për kompensim material vetëm për fëmijët me aftësi të kufizuara të përhershme. Si i tillë ai bën diskriminim dhe nuk mbulon fëmijët me aftësi të kufizuara të përkohshme dhe as fëmijët me aftësi të kufizuara të pjesshme. Për më tepër, mbështetja financiare prej 100 euro që u ofrohet familjeve është e pamjaftueshme për nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Rekomandohet që MPMS të ndryshojë Ligjin për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara për të përfshirë mbrojtje gjithëpërfshirëse për të gjitha llojet e aftësisë së kufizuar përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara të pjesshme.

Kosova ka krijuar standarde minimale të shërbimeve sociale dedikuar fëmijëve me aftësi të kufizuara. Megjithatë, zbatimi i standarteve është i nivelit të ulët për shkak të kufizimeve financiare me të cilat përballen shumica e këtyre institucioneve. Për këtë arsye, rekomandohet që të krijohen standarde financiare për shërbimet në linjë me standardet e cilësisë të hartuara për fëmijët me aftësi të kufizuara.

 Në nivel komunal, shërbimet sociale në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara janë shumë të kufizuara. Janë bërë përpjekje që qendrat e kujdesit ditor të operojnë (të administruara nga OJQ-të), por shërbimet e tilla kanë mbetur kryesisht nën mbështetjen e agjencive dhe donatorëve të huaj, ndërkohë që mbështetja shtetërore nuk është e qëndrueshme dhe në të njëjtën kohë mbetet shumë e kufizuar. Për më tepër, këto shërbime janë të kufizuara sa i përket fushëveprimit të tyre në komuna. Natyra sporadike e këtyre shërbimeve minimizon përfshirjen e plotë të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe kufizon një plan afatgjatë rehabilitimi që ndihmon fëmijët me aftësi të kufizuara të përmbushin potencialin e tyre. Rekomandohet që përmes nën-kontraktimit, Kosova të krijojë dhe sponsorizojë shërbimet sociale të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara që u përgjigjen nevojave të veçanta të tyre në ofrimin e shërbimeve të përditshme psiko-sociale, për rehabilitimin, socializimin  dhe riintegrimin e fëmijëve.

 Të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, sa i përket qasjes së tyre në arsim, janë të përfshira në Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Ka mungesë të vullnetit institucional në ndarjen e buxhetit për zbatimin e ligjeve në arritjen e arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara. Buxhetet duhet të jenë në përputhje me ligjet dhe strategjitë që shkojnë përtej investimeve kapitale, duke përfshirë stafin profesional dhe mbështetës, asistentët, ngritjen e kapaciteteve për mësimdhënës dhe nevojat e transportit  të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

 Për të gjitha objektet publike, infrastruktura fizike në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet të kërkohet dhe të bëhet prioritet. Politikat përkatëse që rregullojnë këtë çështje janë tashmë në fuqi por ato ende nuk janë zbatuar (p.sh. në spitale, shkolla, gjykata, kuvende komunale dhe në Qendrat për Punë Sociale). Rekomandohet që Kosova të heqë barrierat fizike, transportit, komunikimit, informatave në mënyrë që fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë qasje të duhur me qëllim të zvogëlimit të izolimit dhe varësisë.

Të dhënat për numrin e saktë të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë janë të kufizuara pasi nuk ka ende një institucion publik që i mbledh këto të dhëna. Mungesa e të dhënave të centralizuara në nivel nacional, kufizon planifikimin dhe zhvillimin e programeve mbështetëse për ndërhyrje. Rekomandohet që Kosova të mbledh të dhëna dhe të zhvillojë një bazë të të dhënave në nivel nacional për të përcaktuar numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara me të dhëna të ndara sipas moshës, gjinisë, llojeve të aftësisë së kufizuar dhe komunave.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Edi Rama me Genc Cakajn e Qemal Minxhozin sot në Hagë, kanë vizituar ish kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri Edi Rama, përshpejton krijimin e Komisionit Parlamentar të Posaçëm për Luftën kundër Dezinformimit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka theksuar nevojën për një përparim të shpejtë në krijimin …