Brickos

Kongresi i Lipovicës i vitit 1946, themeli i aspiratave shqiptare për liri, demokraci, vetëvendosje dhe bashkim kombëtar

Kongresi i Lipovicës i vitit 1946, themeli i aspiratave shqiptare për liri, demokraci, vetëvendosje dhe bashkim kombëtar

Më 25 korrik të vitit 1946, ( 71 vjet më parë) në Blinajë, ish Lypovicë, komuna e Lypjanit, për herë të parë në historinë tonë të re kombëtare ishte shpalosur programi atdhetar demokratik i “Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare”. Ky orientim i forcave të vërteta atdhetare sfidonte regjimin komunist, i cili nuk pranonte konkurrencë në ndarjen e pushtetit, edhe pse gjatë luftës ata kishin premtuar se pas fitores do ta lejonin pluralizmin politik dhe përcaktimin e lirë e demokratik të qytetarëve. Ideologët e kësaj Lëvizjeje të re, e cila nuk ishte komprometuar as në përkrahje të forcave nazi-fashiste, por as në forcat partizane komuniste, pretendonte barazinë, lirinë dhe marrjen e pushtetit me ndihmën e forcave anglo-amerikane dhe vendosjen e rendit demokratik. Më këtë rast përkujtojmë ideatorët dhe luftëtarët më të shquar të kësaj date me rëndësi të luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ja si e kishte përkufizuar Gjon Serreçi LNDSH-në, programin dhe synimet, para hetuesve të OZN-së më 10 pill të vitit 1947.

“Kam thënë se duhet të formohet organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….

Kjo deklaratë e Gjon Serreqit dhënë para organeve të OZN-ës jugosllave pasqyron më së miri ripozicionimin e forcave atdhetare të asaj kohe, preokupimin e tyre politik dhe ndërtimin e një strategjie të qartë të veprimit.

Ideatorët dhe pjesëmarrësit e Kongresit të Lypovicës, më 25 korrik 1946

Në kongresin e Lypovicës, i cili është mbajtur më 25 korrik të vitit 1946, në trekëndëshin malor të Blinajës, ish Lypovicë, mes fshatrave Krojmir, Shalë Risinovc, te vendi e quajtur “Vorri i Hoxhës”, sipas shënime të dëshmitarëve pjesëmarrës kanë qenë të pranishëm 130-140 luftëtarë, disa prej tyre edhe me gra e fëmijë.

Ekspozenë e Kongresit e kishte paraqitur Gjon Serreçi, i cili pasi kishte folur për situatën e rëndë në të cilën ndodheshin forcat nacionaliste, familjet dhe të afërmit e tyre, pas konsultimeve paraprake dhe pasi ishte ekzekutuar njëri nga denoncuesit e OZN-së, R.A, i cili ishte zënë duke u munduar ta zhduk dokumentin e OZN-së, Gjon Serreçi në fund  kishte parashtruar dy opsione për debat: Largimin e përkohshëm në Greqi apo qëndrimin definitiv në Kosovë dhe riorganizimin e luftës deri në fitore. Shumica e luftëtarëve kishin përkrahur largimin e përkohshëm, ndërsa Osman Bunjaku me luftëtarët e tij nga Drenica, Vushtrria e Mitrovica nuk ishte pajtuar që forcat atdhetare të largoheshin nga Kosova. Shumica e pjesëmarrësve  në grupe të vigla ishin nisur drejt maleve të Budakovës, ndërsa forcat e Osman Bunjakut drejt Vushtrrisë e Mitrovicës.

Ymer Berisha, Kemajl Skënderi, Hasan Bilalli, ndër organizatorët kryesorë, nuk kanë marrë pjesë në Kongres. Asokohe, Imer Berishën OZN-a jugosllave e kishte vrarë por, lajmin  e kishte mbajtur në fshehtësi.

Më 25 korrik 1946 në Kongresin e Lypovicës kanë marrë pjesë: Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Mulla Arif Shala,  Osman Bunjaku, Hilmi Zariqi, Jetullah Rezalla, Ahmet Selaci, Mulla Ramë Govori, Ixhaid Nazmi Gafurri, Azem Jashanica, Hamid Emini, Osman Bunjaku, Shaban Bunjaku, Ahmet Selaci, Rizah Rexhep Selaci, Hysen Sadik Ramë Lutani, Imer Ahmeti, Xhemajl Murat Gashi,  Kadri Bebë Ribari, Mustafë Kadri Beba, Salih Rexhë Ribari, Rexhep Salihu, Dinë Hoxha me disa luftëtarë nga nga Kaçaniku, Ferizaj dhe Vitia, Shaqir Zariqi, Xhemail Boletini, Isuf Boletini,  Istref Sheqa, Rifat Kotorri, Sylë Hajrizi, Islam Domaneku, Mustafë Domaneku, Zekë Luma, Nezir Buja, Ismail Dragusha, Fetije Kelmendi-Dragusha Hazir Gashi, Rrahman Qaushi, Abdullah Demiri, Shefqet Dulahu, Shaban Maliqi, Tahir Beba, Shyqë Zeneli, Rrahman Smajli, Ibush Hamdiu, i biri i Hamdi Hazir Gashit, Isuf Rysha me vëllezër, Rexhep Gajtani, Brahim Gajtani, Hajdar Kolevica, Ukë Salihu, Emin Shushica, Sadik dhe Sylë Tusha, Sylë Zejna, Selim Limani, Osman Abaz Gagica, Feriz Abazi, Fejzullah Saraçi, Emin Saraçi, Xhemajl Esati, Shaban Sallova, Nazif Shaba, Xhelë Maliqi, Qerim Selimi, Habib Emini, Idriz Mehmeti, Isuf Muharreni, Hajdar Muharremi, Rrahim Rexha, Rrahman Jetullahu Osman Jetullahu, Rrahman M. Qeriqi, Qazim Zogaj, Fetah Bogiqi, Sokol Brahimi, Izet Murati, Jahir Sejdiu, Tafil Sejdiu, Ali Salih Kajtazi, Jetë Hasani Plaku,  Hazir Bajrami, Mehmet Arifi, Shaqir Dugolli, Beqir Bajrami, Izet Jetishi, Selim Salihu, Ali Besheniku, Sadri Duhla, Qerim Ali Gashi, Ilaz Sadiku, Hajredin Mëziu, Bajram Çukovci, Qazim Leskovci, Hajredin Avdyli, Nebih Sahiti, Nebih Jonuzi, Tahir Prokupja,  Hamdi Tmava, Rexhep Hyseni, Rifat Mexhuani, Miftar Gashi, Hasan Salihu,  Bajrush Zuka, Mehdi Zuka, Zenel Morina, Beqë Zeqiri, Ismail Muharrem Ismajli. Dan Berisha, Fejzullah Mehmeti, Brahim Luta, Imer Radisheva, Imer Bajraktari, Hysen Lutani, e të tjerë  …

Ky regjistër e pjesëmarrësve në Kongresin e Lipovicës nuk është i plotë.

Mungojnë edhe shumë emra të pjesëmarrësve. Mund të jetë shënuar gabimisht emri i ndonjë prej pjesëmarrësve, ashtu sikur mund të jetë dhënë gabimisht emri i pranisë së ndonjërit nga  pjesëmarrësit në Kongres. Këta emra janë publikuar duke u mbështetur në të dhënat e disave nga pjesëmarrësit e gjallë të Kongresit të Lipovicës, meqë burimet e dokumentet e kohës ende mungojnë.

Edhe pse Organizata Nacional Demokratike Shqiptare si e tillë, në kushtet dhe rrethanat e ndarjes së sferave të interesit, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk kishte shans për të mbijetuar, ajo mbeti një mesazh i qartë historik, për orientimin politik të shqiptarëve liridashës, të cilët në rirreshtimet e tyre të mëvonshme do të thirreshin në të drejtën e vetëvendosjes, në respektimin e barazisë, duke shtruar edhe kërkesa për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Kongresi i Lipovicës la një gjurmë nderi dhe respekti në historinë tonë më të re, meqë u përgatit dhe u mbajt në rrethana të jashtëzakonshme të luftës, në kohën kur forcat sllave komuniste kishin instaluar pushtetin e tyre diktatorial në Kosovë dhe kishin filluar të vrisnin, të ndiqnin, të persekutonin dhe të shfarosnin të gjithë ata shqiptarë, që konsideroheshin armiq të pushtetit të tyre, të quajtur “popullor”.

Nga kjo organizatë e cila kishte shtrirë rrjetin veprues në shumë treva shqiptare, sipas shënimeve të përgjithshme janë vrarë e pushkatuar me gjyq e pa gjyq rreth 1200 pjesëtarë. Qindra prej tyre kanë qenë të dënuar me vdekje-pushkatim. Mijëra prej tyre kanë mbajtur prej dy deri në 20 vjet burg të rëndë. Të gjitha familjet e tyre kanë qenë të ndjekura të izoluara dhe të keqtrajtuara gjatë tërë kohës së regjimit të Jugosllavisë e Serbisë.

LNDSH-së, organizatë kjo e cila nuk identifikohej me komunistët por as me ballistët, pati fatin  fizik tejet tragjik, por e ruajti të pastër idealin kombëtar në luftë për çlirim dhe bashkim. Meqë në Kosovë prej kohës së çlirimit në qershor të vitin 1999, por edhe pas shpalljes së pavarësisë, në shkurt të vitit 2008 në segmentet e shumta drejtuese të shtetit kanë qeverisur dhe po qeverisin ish strukturat politike nga prejardhja komuniste titiste, trashëgimia e LNDSH-së nuk u trajtua as po trajtohet seriozisht nga institucionet e vendit.

Ende nuk është mbajtur një simpozium shkencor në nivel të vendit për këtë ngjarje madhore të historisë sonë më të re. Përveç shkrimeve autoriale të disa historianëve dhe studiuesve, ende mungon literatura e autorizuar historike shkencore për këtë organizatë kombëtare, e cila prej vitit 1944 e deri në vitin 1951, mbajti barrën kryesore të rezistencës kombëtare në trevat e ri-mbetura nën pushtimin e jugosllav.

Ahmet Qeriqi

25 korrik 2017

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …