Kryekuvendari Kadri Veseli: Kosova mund t’i japë shumë sportit ndërkombëtar

Kryekuvendari Kadri Veseli: Kosova mund t’i japë shumë sportit ndërkombëtar

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në një takim kryetarin e Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare, Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah. Në takim u diskutua për arritjet ndërkombëtare që sporti i Kosovës ka shënuar viteve të fundit, si dhe pranimin e shumë federatave vendore sportive nëpër federata të sportit ndërkombëtar. Kreu i Kuvendit, Veseli, falënderoi kryetarin Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah për pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në Asociacionin e Komiteteve Olimpike Kombëtare, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në afirmimin e sportit të Kosovës.

Sipas një komunikate të Kuvendit, Veseli theksoi se Kosova ka shumë të rinj të talentuar në sporte të ndryshme, e të cilët çdo ditë e më shumë po tregojnë rezultate kulminante. Veseli tha se sporti në Kosovë ka ende sfida, në veçanti në infrastrukturë. Megjithatë, ai theksoi përkushtimin e institucioneve për investime në këtë fushë, ndërtime e renovime të stadiumeve e palestrave sportive, si dhe kanë filluar procedurat edhe për ndërtimin e Stadiumit Nacional.

“Ne si Kuvend do ta mbështesim KOK-un dhe sportin e Kosovës. Me buxhetin për vitin 2018 ka rritje të investimeve. Me infrastrukturë ligjore kemi punuar mjaft, ne veçanti e theksoj Ligjin për Sponsorizime”, theksoi kryeparlementari Veseli. Ai shprehu besimin se mbështetja e Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare për sportin e Kosovës do të vazhdojë, pasi që, siç tha ai, Kosova ka talentë të shumtë në sporte, të cilët mund t’i japin shumë sportit ndërkombëtar.

Kryetarin e Asociacionit Ndërkombëtar të Komiteteve Olimpike Kombëtare, Sheikh Ahmad Al-Fahad Al-Sabah, shprehu kënaqësinë e tij për arritjet e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa konfirmoi vazhdimin e mbështetjes edhe në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmitari amerikan, Shon Bërns, shpjegon para trupit gjykues përmbajtjen e Komunikatës numër 63 të SH të UÇK-së

Në një dëshmi përpara trupit gjykues në Hagë, dëshmitari dhe ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka …