vipa
muqa 900
mbpzhr
Fillimi / Institucionet / Kryeministri Haradinaj vizitoi Ministrinë e Infrastrukturës

Kryeministri Haradinaj vizitoi Ministrinë e Infrastrukturës

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj e vizitoi Ministrinë e Infrastrukturës, ku u prit nga ministri Pal Lekaj. Në këtë takim ministri Lekaj e njoftoi kryeministrin Haradinaj me stafin e departamenteve të kësaj ministrie si dhe me projektet e shumta dhe madhore që janë duke u zhvilluar, siç është ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit „Arbër Xhaferi“, projekti Prishtinë-Pejë si dhe projekti Prishtinë-Mitrovicë, e projekte të tjera infrastrukturore. Ministri Lekaj, kërkoi nga kryeministri që të ketë përkrahjen e Qeverisë dhe të kryeministrit në mënyrë që disa projekte të cilat kanë filluar tash e disa vite të përshpejtohet përfundimi i tyre. Në këtë takim ministri Lekaj, e njoftoi kryeministrin edhe me projektet rrugore për të cilat janë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me komunat.

Pas këtij takimi u mbajt konferencë për media:

Kryeministri Ramush Haradinaj: “Ishte takimi im i parë në ministritë e Kosovës. Kam nderin që sot jam në ministrinë e Infrastrukturës. Internimi im ishte që të njoftohem, me gjendjen e projekteve, se si kanë shkuar zhvillimet në Autostradën „Arbër Xhaferi“, në çfarë faze janë punimet, pasi që ka mbetur një obligim, financiar i papërmbushur këtë vit. Qeveria do ta gjejë një zgjidhje së bashku me Ministrinë e Financave, pasi që dëshirojmë që ky projekt të përmbyllet në afatin e paraparë të mos ndodhin vonesa. Diskutuam edhe për projekte tjera si dhe marrëdhëniet me disa institucione monetare ndërkombëtare siç është BERZH-i, dhe ka të bëjë me projektin Prishtinë-Pejë, e që në realizimin e këtyre punimeve hetohet një ngecje. Këto proceduar duhet të trajtohen me prioritet. Obligimi i ndërmarrë i Kosovës nga BERZH-i dhe ndërtimi i rrugës të bëhet në kohën e duhur, jo në një ritëm të ngadalshëm dhe jo në një ritëm si ka ndodhë deri sot. E kemi shqyrtuar edhe obligimin që e ka Qeveria dhe ministria në projektet ekzistuese, janë disa projekte që duhet të trajtohen në aspekte ligjore, nga e kaluara dhe duhet të trajtohen. Me kujdesin më të madh do të respektojmë drejtimet zhvillimore ose drejtimet e akseve që janë në rëndësinë e vendit, një përparësi duhet t’i jepet aksit Klinë-Gjakovë, si zgjerim të kësaj rruge. Një kujdes më të shtuar duhet ta kemi ndaj kompanive punëkryese, që të ketë seriozitet në punë dhe aktivitetet që do të zhvillojnë. Vonesat e përfundimit të punimeve nga ana e kompanive do të ishin  një lajm i keq edhe për ne dhe për Kosovën, këtë ne nuk do ta lejojmë më, si ka shkuar deri më tani. Nëse ka marrë dikush me krye punë për këtë vend duhet që punimet të kryhen në afat kohor ose të përjashtohen nga mundësia e marrjes së punëve herave tjera„.

Ministri Lekaj: “Sot patëm nderin që të kemi në një vizitë zyrtare kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Unë së bashku me stafin e njoftuam për politikat zhvillimore, politikat ekzekutive, për rrjedhat e projekteve dhe u betuam që do të jemi në shërbim të mirë të qytetarëve, ndërtimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës. Kjo do të jetë moto e kësaj ministrie“.