Kryetari Bahtiri vizitoi Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka dhe  drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Vlora Haxhimedi, ka inspektuar repartet e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ku nga drejtuesit dhe personeli mjekësor është njoftuar për  kushtet e punës  dhe ofrimin e shërbimeve mjekësore për qytetarë.

Drejtuesit e QKMF-së dhe personeli tjetër mjekësor i saj, i thanë kryetarit Bahtiri se po bëjnë përpjekje maksimale për të ofruar shërbime sa më cilësore dhe efikase shëndetësore për qytetarët e komunës së Mitrovicës.

Sipas tyre, niveli i shërbimeve që u ofrohet qytetarëve është i kënaqshëm dhe kjo mund të shihet edhe nga ajo se ankesat e qytetarëve, qofshin ato të drejtpërdrejta apo përmes kutive të vendosura në hapësirat e QKMF-së, janë të pakta.

Ata thanë po ashtu, se gjatë punës së tyre në ofrimin e shërbimeve hasin në probleme të ndryshme dhe në veçanti kur është fjala për furnizimin e pacientëve me barna nga lista esenciale, pasi që ato mungojnë shpeshherë, për shkak se Ministria e Shëndetësisë nuk po e bënë furnizimin me kohë të QKMF-ve.

Kryetari Bahtiri, vlerësoi pozitivisht punën e personelit mjekësor dhe të drejtuesve të QKMF-së dhe i inkurajoj ata që të vazhdojnë edhe më me përkushtim për tu ofruar qytetarëve shërbime shëndetësore sa më cilësore dhe efikase.

“Jam në dijeni që keni probleme sa i përket furnizimit me barna, se punoni me aparatura të vjetruara etj. Jam i vetëdijshëm se keni vështirësi në punën tuaj për të ju ofruar qytetarëve shërbime çfarë ata kërkojnë, prandaj do të organizoj takime në Ministrinë e Shëndetësisë për të parë se çka mund të bëjmë për përmirësimin e kësaj gjendje.

Do shikojmë edhe mundësitë për gjetjen e donacioneve nga shtetet e ndryshme dhe në këtë drejtim ka shpresa që të bëjmë një zgjidhje nga Japonia. Por, ju duhet që edhe në kushte të këtilla, ashtu sikur që suksesshëm keni bërë deri tash, pacientëve të ju ofroni shërbime me kohë dhe ashtu si duhet”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …