Kryetari z. Naim Ismajli u taku me kryesuesin e Grupit Punues për Ballkanin Perendimor në Komitetin e Rajoneve

Kryetari i komunës së Shtimes z. Naim Ismajli, në cilësinë e kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK ) është takuar me z. Franz Schausberger, kryesues i Grupit Punues për Ballkanin Perëndimor në Komitetin e Rajoneve.

Nikoqir i këtij takimi ishte z. Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit dhe një ndër themeluesit e AKK-së.

Në këtë takim, kryetari Ismajli, në emër të Asociacionit të Komunave te Kosovës i dëshiroi mirëseardhje në Kosovë z. Franz dhe e falënderoi nikoqirin e takimit, kryetarin e Gjilanit  për ofertën që e ka bërë për organizimin e këtij takimi.

“Më duhet të them, që ky takim është takimi i parë i këtij formati në Kosovë dhe që menjëherë vërehet se është një takim i natyrës gjithëpërfshirëse dhe në frymën e bashkëpunimit të sinqertë. Është shumë e rëndësishme të theksohet se bashkëpunimi ndërajonal, e në veçanti në shtetet e Ballkanit Perëndimor, të jetë efektiv dhe frytdhënës”, ka thënë kryetari Ismajli, duke shtuar se AKK është një ndër mekanizmat më të rëndësishëm dhe më të domosdoshëm në shoqërinë e Kosovës për zhvillimin dhe fuqizimin e demokracisë lokale. Pastaj tha se ky mekanizëm është multipartiak dhe multietnik, i cili përbëhet nga komunat me shumicë shqiptare, serbe, turke etj., por çka është me rëndësi të theksohet është që AKK është zë i të gjitha komunave të Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë politike, etnike apo fetare, ka shtuar ai, duke potencuar se në Kosovë asnjë proces që i prek kompetencat e komunave nuk mund të ndodhë dhe të realizohet në praktikë pa përfshirjen e AKK-së.

Sa i përket përfshirjes, ai tha se në hartimin  e ligjeve, akteve nënligjore si dhe në ngritjen e kapaciteteve të komunave, AKK është e përfshirë në çdo aspekt dhe kjo e bën këtë mekanizëm shumë të respektueshëm dhe me një imazh shumë pozitiv në Kosovë dhe jashtë Kosovës.

Në vazhdim, z. Ismajli bëri të ditur se AKK është e anëtarësuar në shumë mekanizma ndërkombëtarë dhe gjithnjë mundohet që këto përvoja, natyrisht të mira, të sillen në Kosovë duke vlerësuar AKK si një mekanizëm i cili e fuqizon lidhjen në mes komunave në Kosovë dhe komunave të Kosovës me komunat në rajon dhe Evropë.

Për anëtarësimin e AKK-së kryetari tha se është i anëtarësuar në shumë mekanizma ndërkombëtarë e veç tjerash edhe në një ndër mekanizmat ndërkombëtar me mision ndërajonal siç është rrjeti NALAS.

Pastaj ka folur në cilësinë e Kryetarit të NALAS-it, për të cilin mekanizëm tha: NALAS është rrjet i Asociacioneve të Autoriteteve Lokale të Evropës Jug-Lindore. NALAS në vete ka 16 Asociacione, të cilat përfaqësojnë rreth 9000 autoritete lokale, të cilat janë të zgjedhura drejtpërdrejtë nga më shumë se 80 milion qytetarë të rajonit të Evropës Juglindore. Më duhet të theksoj që në këtë rrjet janë edhe Asociacionet e komunave nga Serbia dhe Shqipëria pra të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe ku bashkëpunimi është në nivelin shumë të lartë. NALAS-i promovon proceset e decentralizimit dhe është një mekanizëm shumë i fuqishëm për shkëmbimin e përvojave nga shtetet në rajon e që këto procese kanë të bëjnë me avancimin e demokracisë lokale. NALAS-i ndërton partneritete në mënyrë që të kontribuojë në proceset e pajtimit dhe stabilizimit në rajon dhe me këtë kontribuon edhe në procesin e integrimeve Evropiane.

Pra, me këtë dua të theksoj që një angazhimi i ketillë politik dhe profesional i autoriteteve lokale në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë do të jetë një sinjal i fortë për angazhimin tonë të përbashkët në agjendën e bashkëpunimit. Me një angazhim profesional dhe politik të sinqertë dhe të dedikuar mund të punohet së bashku për ta kthyer këtë angazhim edhe në veprim e me veprim dhe koordinim të përbashkët do të ndikohet në përmasimin e jetës së qytetarit në të gjitha komunat tona të këtij rajonit.

Agjenda e bashkëpunimit apo siç po thuhet agjenda e lidhjes mund të fuqizohet me projekte konkrete në fusha të cilat prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e qytetarit, siç janë uji, ambient, trajtimi i ujërave të zeza, mbeturinat etj etj. Trajtimi i këtyre çështjeve nuk njeh kufij. Mirëpo në anën tjetër, realizimi i këtyre projekteve kërkon edhe përkrahje financiere. Besoj që me realizimin e projekteve të përbashkëta ndër-komunale dhe ndër-rajonale do të kontribuohet shumë në ngritjen dhe fuqizimin e agjendës së lidhjes apo bashkëpunimit dhe në këtë pikë unë mund lirisht të kërkoj që Komisioni Evropian duhet dhe mund të ndajë fonde për këtë çështje që të fuqizojë këtë lidhje edhe në nivelin lokal sepse ne si kryetar komunash theksojmë që jeta e qytetarit zhvillohet në nivel lokal e jo në nivel qendror dhe përmirësimi i jetës së qytetarit fillon në nivel lokal.

Në fund, kryetari, z. Naim Ismajli, falënderoi z. Franz Schausberger, kryesues i Grupit Punues për Ballkanin Perëndimor në Komitetin e Rajoneve takimin dhe mundësinë për t’i shprehur mendime në emër të AKK-së me shpresën që ky takim do të jetë një shtytës i lidhjes dhe fuqizimit të agjendave për të ardhmen në Ballkanin Perëndimor.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Ferizajt shënon ditën e Tokës me aksion pastrimi

Dita Ndërkombëtare e Tokës është një nga datat kryesore në kalendarin Mjedisor Ndërkombëtarë,ku në këtë …