Kujtim Stana: Tani nxënësit në Shqipëri po i vrasin me duhan dhe hashash, dikur shkolla ishte "e shenjtë"

Kujtim Stana: Tani nxënësit në Shqipëri po i vrasin me duhan dhe hashash, dikur shkolla ishte “e shenjtë”

(Flet ish-drejtori i disa gjimnazeve shqiptare, nga Mati në Tiranë: Intervisoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI)

 “Duhanpirja dhe hashashi… Sigurisht që as mund të mendoheshin dje këto vese të këqia që po e “vrasin” gradualisht rininë tonë”. Kështu pohon gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, Kujtim Stana, një mësues që prej shumë dekadash ka dhënë mësim në shumë shkolla të vendit, e që sot përcjell me shqetësim gjithë të metat e arsimit shqiptar. “Nuk ka shkollë, që nuk ndeshet me këtë fenomen, ku më shumë e ku më pak. Shkolla dhe shoqëria do të fitojnë vetëm atëherë kur kjo sëmundje e çmenduri, nuk do të ekzistojë më”, shton ai. Për të parashtruar më tej edhe shqetësimin se në shkolla “me zhvillimin e teknologjive të informacionit, vihet re një zbehje e interesit të nxënësit për orën e mësimit”. “Sado thuhet verbalisht e me rregullore, përdorimi i telefonave është një sëmundje që lëngon në çdo klasë të shkollës”, thekson ai…

Në cilën shkollë përcolle dijen si mësimdhënës në fillim të karrierës dhe si reaguan fëmijët?

Për më shumë se katër dekada, nga viti 1974 deri në vitin 2016, në rrethin e Matit dhe në Tiranë kam dhënë kontributin tim për arsimimin e brezit të ri, duke punuar mësues në gjimaze me emër dhe drejtues i shumë prej tyre si “Qemal Stafa”, “Arben Broci”, “Drita e Diturisë”, “Eqerem Çabej”, “Kostandin Kristoforidhi”, “Hasan Vogli” (9-vjeçare) “Hoteleri-Turizëm” dhe së fundi duke e mbyllur në Bashkinë e Tiranës, pranë QEZHEF, si Drejtor i Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve. Për herë të parë, kam dhënë mësim në shkollën e mesme të bashkuar, “Gjergj Kastrioti” në Baz, të rrethit  Mat.

Në bazë të kujt eksperience strukturoheshin tekstet shkollore të asaj kohe dhe a ishin tekste bashkëkohore?

Për nga forma, tekstet shkollore të asaj kohe, më shumë ngjanin me dispenca sesa me tekstet e sotme, pra që në koopertinë nuk ishin tërheqës për nxënësin. Letra dhe lidhja, ishin jocilësore, dizajni pothuaj mungonte krejtësisht, skemat e ilustrimet ishin të pakta dhe pa ngjyra, pra vetëm bardhë e zi. Në përmbajtje, tekstet, më të shumtën e rasteve ishin përkthime të përshtatura nga autorë rusë, duke realizuar programin mësimor, që kishte miratuar Ministria e Arsimit.  Shkolla e mesme në atë periudhë vlerësohej e fortë, ku nxënësit fitonin dije të mira e të qëndrueshme. Lëndët shkencore ishin rigorozisht të sakta, pa gabime dhe të thjeshta në shtjellimin e koncepteve. Nuk parashikoheshin objektivat për temën mësimore siç bëhet sot, detyra-projekte nuk ekzistonin, ndërsa arritjet e të rejat shkencore sfazoheshin me dhjetëra vite nga aktualiteti, pasi bota zhvillohej me shpejtësi dhe izolimi total bënte punë e vet. Tekstet në atë periudhë ishin joalternative, pra unikë për të gjithë vendin dhe miratoheshin nga Ministria e Arsimit. Për lëndët shoqërore, vlen të theksohet se ato ishin tejet të politizuara, pasi çdo gjë i atribuohej, të vetmes parti. U mbushën tekstet duke lëvduar e bërë parajsë tokësore fshatin socialist. Një nxënës kur e pyeta se çfar dinte për fshatin socialist? U përgjigj: – O mësues, unë në fshat jetoj, po ku ndodhet ky fshati socialist që nuk e shoh kurrkund? Eja me mua sot pasdite e të shikosh vetë ku jetoj unë në fshat, që vetëm socialist siç shkruhet në libra nuk është.

Më bëri shumë përshtypje përgjigja e nxënësit tim. E mendoja të varfër fshatin, po deri në atë shkallë s`më shkonte kurrë në mendje,  ndaj pas mësimit u nisa për në fshat bashkë me të. Pasi ecëm në këmbë një ore e ca, arritëm në një shtëpi kasolle. U futëm brenda dhe të them të drejtën m’u kujtuan poezitë e Migjenit për mjerimin. Në nes të dhomës tymonte një vatër zjarri, mbi të cilën  nga trarët e nxirë të tavanit zgjatej çengeli ku varej një gjym me ujë. Rreth vatrës, shtriheshin rrogozat e ngrëna nga përdorimi,  ku në mbrëmje flinin familja dhe nxënësi im, nën jastëkët trungje-druri të zbutur me kashtë të thatë gruri.

 

Nxënësit a ishin të dëgjueshëm dhe të interesuar për mësimin?

Krahasuar me të sotmit, nxënësit ishin më të druajtur, të urtë, më të dëgjueshëm. Interesimi për mësimin përfshinte pjesën më të madhe të klasës. Sigurisht, kishte dhe nga ata nxënës,  që nuk kishin pretendime e vinin në shkollë, sa për të kaluar klasën. Disa vinin të lodhur nga punët e shumta që u ngarkonin prindërit në shtëpi, si ruajtja e bagëtive, punët bujqësore, prerja e druve për ngrohje etj, saqë në mësim  rrinin si të tulatur. Në shkollat e qytetit ndryshonte situata. Nxënësit ishin më aktivë, preferonin lojrat e ndryshme si futboll, volejboll e basketboll, të cilat organizoheshin e ndiqeshin me tifozëri të shumtë në pushimin e gjatë, apo pas orës së fundit të mësimit. Për t`u veçuar është respekti i madh, si në shkollat e qytetit, ashtu dhe në ato të qytetit që nxënësit tregonin për mësuesit e tyre, ku nuk ndodhte kurrë t`u kthehej fjala.

Si ishte vlerësimi për mësuesit në atë sistem nga nxënësit dhe nga populli?

Nga ana e sistemit, mësuesi vlerësohej si ushtar, i cili duhet të shërbente ku të kishte nevojë atdheu. Në shkollat e zonave veriore të vendit, vinin të punonin djem e vajza që nga skaji më jugor i shqipërisë, Gjirokastra. Shumë mësuese vajza, ua falën rininë e tyre për 15-20 vjet, krahinave malore veriore, sa nuk mundën as të krijonin familje, duke jetuar në kushte mjerane, në dhoma përdhese, të siguruara nga fshatarët, pa ujë të pishëm brenda e rrjete higjeno-sanitare. Këto mësuese, siç i përshkruan dhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, qenë “të urta gjer në dhembje, të thjeshta gjer në madhështi”.

Ato shkolluan breza të tërë fëmijësh duke i ndriçuar me dijet që përcollën. Nuk harroj sa fyese ishte për mësuesit, kur na rreshtonin para shkollës për të kontrolluar ditaret.

Krejt ndryshe ishte vlerësimi i popullit për mësuesit, kudo që punonin, në fshat dhe qytet. Ata gjenin te mësuesi, vërtet prindin e dytë të fëmijëve të tyre. Ndanin çdo gjë që kishin me ta, lironin dhomën e tyre për të banuar, u jepnin falas produkte nga bagëtitë e kopshtet e veta, i thërrisnin e i nderonin në të gjitha gëzimet apo festat që bënin.

 

Kur e ke ndjerë veten më keq si mësues?

Në kohështrirjen time dhjetëra-vjeçare në arsim, sukseset i kam matur me numrin e nxënësve që kanë vijuar shkollat e larta dhe sot i gjen si kuadro e specialistë të nderuar në të gjitha fushat e jetës, brenda e jashtë vendit. Gjatë punës si mësues dhe drejtues në arsim, kam kaluar dhe çaste të vështira që më kanë shqetësuar shumë, por që së fundmi kanë patur edhe përfundim të mirë.

Më kujtohet një rast i vështitë për t’u trajtuar e administruar, në një gjimnaz ku isha dhe drejtor. Mes dy maturantësh, pati një grindje në orën e fundit të mësimit, e mandej qenë shkëmbyer dhe grushte. Të nesërmen, pas mbarimit të orës së parë të mësimit, më informojnë se njëri nga nxënësit e konfliktuar  një ditë më parë, kishte ardhur në shkollë me një pistoletë, të cilën e mbante në xhepin e xhupit.

Nxënësi nuk futej në klasë për mësim, por sillej rrotull nëpër shkollë e herë pas here u tregonte dhe armën shokëve. U krijua një situatë e tensionuar dhe paniku në shkollë. Pa kaluar pesë minuta, prindër të ndryshëm filluan të më merrnin në telefon të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre. Mësuesit ndjeheshin të frikësuar dhe të pafuqishëm të ndikonin te nxënësi i armatosur. Dikush sugjeroi të njoftonim policinë, por për momentin nuk e gjykova të arsyeshme. Mendova ardhjen e disa policëve në shkollë, kontrollet për gjetjen e armës pasi nxënësi do ta fshihte atë patjetër, imazhin dhe reputacionin e shkollës.

E njihja prindin e nxënësit, një oficer i nderuar dhe menjëherë e mora në telefon duke ia treguar situatën. Ai e kishte të pamundur të vinte në shkollë pasi ndodhej larg me shërbim. Atëherë vendosa të veproja vetë. Pyeta ku ndodhej nxënësi dhe për dy minuta u ndodha para tij. Nuk i rashë fare në sy se dija gjë, por iu drejtova se kisha shumë nevojë të më shoqëronte diku në një servis jashtë shkollës për të marrë një kompjuter.

Nxënësi u bind dhe dolëm së bashku nga shkolla. Vërtet shkuam te servisi ku formatonim kompjuterat, por tekniku na tha se kishin akoma punë. I propozova të futeshim në një lokal, sikur po më pihej një kafe. Djaloshin e qerasa me një akullore e në përfundim të saj arrita ta bind të ma jepte pistoletën. Ai u habit shumë, se nga e kisha marrë  vesh, por së fundi, arma kaloi nga xhepi i xhupit të nxënësit te kasaforta ku mbaja dokumentat e rëndësishme të shkollës dhe vulën e drejtorisë e prej andej pas disa orësh, te prindi, të cilit i takonte.

 

A njihej mitmarrja në atë sistem?

Në periudhën e shtetit monist, fjalët mitmarrje, korrupsion etj. as që përdoreshin  ndonjëherë. Në atë kohë nuk njihej, puna private, nuk kryheshin tendera, nuk qarkullonin zarfat me para për të arritur një qëllim siç ndodh rëndom sot. Masa e gjerë e njerëzve të vetmen pasuri kishin krahun e punës dhe mendjen. Të dyja këto shpërbleheshin kolektivisht sipas punës që kryhej po kolektivisht. Bëhej një propogandë e madhe kundër  bakshishit në çdo shërbim e konsiderohej si turp kur ndodhte. Në arsim, mësuesit kishin një pagë të caktuar, nuk bënin mësime private as jashtë orarit të punës. Pasdite, vullnetarisht, organizoheshin në shkollë, orë konsultimi pa pagesë me nxënësit që kishin nevojë. Në atë periudhë, nëse  mund të konsiderohet “mitmarrje”, kryeje punë me një kafe e fërnet në lokalin ku bëhej biseda.

Po sot cilat janë problemet e arsimit?

Arsimi i sotëm ka pësuar ndryshime të shumta e thelbësore që i përgjigjen zhvillimit ekonomik e social-kulturor të vendit, rendit shoqëror, koncepteve të reja në mendësi e rregulla të tjera të krijuara nga lëvizja e lirë dhe hapja me botën. Ndryshime thelbësore janë kryer dhe në kurrikulat e niveleve përkatëse të arsimit parauniversitar, metodat e mësimdhënies e mësim nxënies, që realizohen nga mësues që kanë kryer kualifikimet e duhura. Sot arsimi përballet me lëvizje të mëdha demografike, nga zonat rurale në ato urbane.

Emigracioni po vijon si një fenomen që largon elitën intelektuale dhe atë më  aktive të shkollimit e të punës drejt vendeve më të zhvilluara të Europës dhe botës.

Dendësia e nxënësve në kryeqytet sa vjen e rritet, si rezultat i ardhjeve nga të  gjitha rrethet e Shqipërisë, të gjithë atyre që nuk mund të emigrojnë jashtë vendit. Kjo mund të zbutet e normalizohet në standardet e kërkuara, me hapjen e  shkollave të reja.

Me zhvillimin e teknologjive të informacionit, vihet re një zbehje e interesit të nxënësit për orën e mësimit. Përdorimi i telefonave gjatë orës së mësimit sidomos   në arsimin e mesëm është një dukuri e zakonshme me të cilën përballen mësuesit e sotëm. Sado thuhet verbalisht e me rregullore, përdorimi i telefonave është një sëmundje që lëngon në çdo klasë të shkollës.

 Duhanpirja dhe hashashi një problem shqetësues, a mendoheshin dje në shkolla? Si mund të parandalohet sot?

Sigurisht që as mund të mendoheshin dje këto vese të këqia që po e “vrasin” gradualisht rininë tonë. Duhanpirja është rritur shumë në këto dy dekadat e fundit, megjithëse nuk është masive, shpesh merr përmasa të frikshme here-herë, sidomos kur shoqërohet dhe me hashash. Kjo bimë tashmë ka zënë sipërfaqet e mbjella me grurë e miser në gjithë vendin. Nuk ka shkollë, që nuk ndeshet me këtë fenomen, ku më shumë e ku më pak. Shkolla dhe shoqëria do të fitojnë vetëm atëherë kur kjo sëmundje e çmenduri, nuk do të ekzistojë më. Për shërimin e sajë kërkohet ndërgjegjësim, mësues – prindër – shoqëri; ndërveprim mes tyre; luftë frontale me të gjithë aktorët dhe shërbimet psiko-sociale; plotësimin e vakumit që do krijohet me veprimtari gjithëpërfshirëse të pëlqyeshme për masën e nxënësve. Eliminimi i lidhjeve e burimeve që e favorizojnë fenomenin.

Jeni një krijues i poezisë, keni botuar shumë libra, a ka vlerësimin e duhur letërsia sot?

Krijimtaria ime letrare ka nisur në vitet 1969-1973, ku publikova cikle me poezi, tregime e reportazhe në shtypin e kohës, si “Zëri i Rinisë”, “ Drita” etj. Në veçanti librat për fëmijë janë pritur shumë mirë nga lexuesit e vegjël dhe kritika. Ndër vëllimet me poezi për të rritur, veçohen “Aisberg ëndrrash” dhe “Trëndafilat e Janarit”. Nga Revista Emathia, Mat, jam vlerësuar me çmimin “ Pena Budi 2013” për kontributin tim letrar e publicistik. Letërsia e sotme shqipe e shkruar në letër, megjithë konkurencën që i bëhet nga teknologjitë e reja elektronike, mendoj se dominon, është e pranishme kudo, e pëlqyer dhe e kërkuar nga lexuesit. Dua të nënvizoj se letërsia, nuk gëzon vendin e duhur, si institucion vlerash kulturore, estetike, shpirtërorore për njerëzit. Kjo duket qartë, në mungesën e lehtësimit apo mbështetjes shtetërore, të botimeve e promovimeve të vlefshme për shoqërinë, mënyrën e shpërndarjes te lexuesit, tregtimit në rrugë e trotuare, organizimit të konkurseve, etj. Të vjen të çudtesh se si dhe në ndonjë shtet fqinj që mezi mbahet në këmbë si Maqedonia, ministria përkatëse, planifikon e shpërndan fonde për botimin e librave të rinj. Kjo nuk ndodh te ne.

“Ja parimet e mësuesisë që më kanë udhëhequr në jetë”

“Të qenit mësues, ka të bëjë me një mision sa të vështirë, po aq dhe të nderuar e fisnik. Këtë e bën më të rëndësishëm fakti se dhënia e dijeve dhe edukimi i brezave të rinj është një investim afatgjatë, frytet e të cilit kanë të bëjnë me ardhmërinë e kombit.

Në këtë kontekst, parimet e mia si mësimdhënës kanë qënë të qarta e të padiskutueshme për zbatim. Të jem sa më njerëzor dhe vërtetë një prind i dytë për nxënësit. Të jem gjithnjë i përgatitur seriozisht nga ana shkencore e didaktike, i përditësuar me aktualitetin. Të jem i drejtë si me nxënësit ashtu dhe me kolegët e prindërit. Të mos abuzoj në asnjë gjë e për asnjë rast. Të rrezatoj mirësi e dashuri në punën me nxënësit e njerëzit e tjerë”.

 KRITIKA

“Botohen shumë libra, pa ndonjë kriter vlerash”

“Aktualisht, në vendin tonë, ndonëse vihet re një volum i madh përkthimesh nga autorë të huaj, të cilat janë dhe më të kërkuarat nga lexuesit, mjaft libra botohen dhe nga shkrimtarët shqiptarë.

Këto libra botohen pa ndonjë kriter vlerash. Mjafton të paraqitesh në një shtëpi botuese, të paguash tarifat e saj dhe libri del nga shtypshkronja. Në fillimet e pluralizmit, shtëpitë botuese private, kishin në përbërje të tyre një redaksi me kritikë e shkrimtarë të mirënjohur, që vlerësonin prurjet për botim. Sot, mbase dhe nga nga kostot financiare që mbartin me vete, pothuaj këto redaksi janë shuar. Kryesisht, kritika për poezinë, kufizohet me ato reçenca që bëhen gjatë ceremonive festive promovuese, ku më së shumti flitet me superlativa, por dhe kur bën ndonjë vërejtje shikohesh shtrembër apo s`të flitet me gojë.

Kritika të mirëfillta, analitike, me vlera të mirëqena apo mangësi e dobësi, nuk bëhen. Më shumti,  gjithçka i lihet, vlerësimit të lexuesit, kërkesave të tij, nëse një libër mbijeton ose harrohet në pluhurin e dështimit”.

APELI

“Duhet patjetër uniforma për nxënësit e shkollave”

“Jam i mendimit se duhet patjetër. Jo vetëm për shkollën 9 vjeçare por dhe për shkollat e mesme dhe stafet pedagogjike të tyre. Uniforma është e domosdoshme në shkollë se ajo shmang, sfilatat ditore të nxënësve me modele e stile ekstravagante, shpesh të pahijshme dhe jofunksionale në procesin mësimor. Uniforma tregon seriozitet, identitet, respekt, shije dhe mundësi të njëjta në startimin e ditës së mësimit. Imagjinoni si do të realizohej një orë e edukimit fizik pa uniformën përkatëse.

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …