rkl vala loja shperblyese
vipa
driloni com
muqa 900
Fillimi / Kultura / Kuvendi i Korpilianit i vitit 1371 dhe rruga drejt paparashikueshmërisë
Milush Kopiliqi

Kuvendi i Korpilianit i vitit 1371 dhe rruga drejt paparashikueshmërisë

(Kapitull i romanit në dorëshkrim, “Guri i Betimit”, i autorit, Ahmet Qeriqi)

Murgu Damjanus me të marrë lajmin nga një murg i besueshëm, kishte qenë i pari që kishte thirrur parinë në Pallatin e Nikollë Danait, në Korpilian dhe u kishte dhënë kumtin.

Atë ditë të vjeshtës së vonë të vitit 1371, në Pallat, përveç  Mark Gjetanit ishin ftuar, dy prijësit,  bijtë e Nikollë Danait, Miroshi e Fitoshi,  Kolë Nikoni me të birin, Jakun, Bdek Zografi, Miran Gjylani, Gjel Gjetani, Nikollë Mati, Gjergj Alpushi dhe kalorës të tjerë si Mhill Shaljani, Nik Kurulli, Tomë Bahori,  Nak Gashani. në Tubim kishte marrë pjesë edhe Ati Mikail me dy murgj.

Fjalën për humbjen fatale të rashjanëve dhe hordhive  të Vukashinit e Ugleshës në Marizzë e kishte marrë murgu Damjanus, meqë ishte njeriu më i informuar i kohës, falë lidhjeve të mbante me murgjit endacakë, por edhe përmes letrave që dërgonte e merrte përmes  pëllumbave lajmëtarë. Ai ishte paraqitur me veshjen e tij të rëndomtë, një pallto e gjatë prej leshit, të cilën e mbante në verë e në dimër.

– Besimtarë të Krishtit e të së drejtës fe të bekuar. Nga të gjitha të dhënat që kam mbledhur nga shtegtarët, nga disa  kalorës që janë kthyer gjallë nga beteja, si dhe nga murgu Stefanos, që sot herët kishte arritur, në Dhimitri, ju kumtoj se humbja në brigjet e lumit Marriza, jo larg Adrianopolisit, të cilin disa vjet më parë e kanë pushtuar  turqit, ka qenë një humbje fatale, humbja më e madhe që njeh historia jonë. Nuk e them që është fat yni, që për shkak të armiqësisë me rashjanët nuk morën pjesë në betejë, sepse atje u derdh rrëke gjaku i të krishterëve, por e them me bindje se ata që e kanë nisur dhe e kanë mbështetur një kryqëzatë të tillë, kanë gabuar rëndë dhe ne kemi bërë shumë mirë që nuk kemi marrë pjesë në të. Kjo nuk do të thotë se kemi shpëtuar, sepse turqit, me të filluar pranvera mund të mësyjnë drejt nesh dhe as duan ta dinë se ne nuk kemi marrë pjesë në ekspeditë.

Në fjalën e tij para prijësve, Bdek Zografi, me veshjen e tij të zbukuruar me ngjyra e motive nga atë që i punonte vetë dhe me një zë serioz  e burrëror kishte shpjeguar arsyet e qëndrueshme për çka në  ekspeditë nuk kishin marrë pjesë jo vetëm arbrit, por as principatat greke, meqë sipas tij, prijësit rashjanë, Vukashini e Uglesha kishin qenë faqja e nxirë e krishterëve dhe bëmat e të ligat e tyre kishin dhënë edhe rezultatin fatal. Ai po ashtu kishte dënuar qëndrimin e mbretit magjar i cili kishte shpallur fitoren ndërkohë që asnjë ushtar nuk e kishte lejuar të futej në betejë.

– Kjo tregon se ne jemi të përçarë, vëllezër. Mbreti magjar ishte bekuar nga Papa,  kishte premtuar se do të vihej në krye të ekspeditës dhe ai kishte marrë bekimin, e jo Vukashini e Uglesha, por ai e përdori paditurinë dhe egërsinë e tyre dhe bashkë me ta i futi në greminë edhe mijëra njerëz, në mesin e tyre gra e fëmijë madje edhe burra të moshuar.

– Po kush u tha rashjanëve të merrnin gratë e familjet e tyre me veta?- kishte pyetur Tomë Bahori, kalorësi i njohur i Korpilianit.

– Ata menduan se po shkojnë të pushtojnë vise, ashtu sikur erdhën këtu te ne, dhe na i pushtuan trojet gjashtë shekuj më parë. Ata mendonin ta pushtonin Adrianopolisin  dhe të vendoseshin atje së bashku me familjet dhe trofetë që do të merrnin.

– Ka edhe diçka tjetër në këtë mes kishte thënë, Mark Gjetani, komandanti i kalorësve të Drenisës. Të gjitha humbjet tona në kryqëzata, Papa dhe krerët tanë i kanë  shpallur fitore, edhe pse nuk ishin të tilla. Por nuk ishin trajtuar si humbje sepse atje po digjej e po shkatërroheshin dhe  ishin plaçkitur e djegur vendet e huaja. Te ne nuk kishte arritur tymi i shkretëtirave  të Arabisë, por kishte arritur ari, kuajt, plaçka e luftës. Ishte fituar bindja se ata mund t’i mundim kur të duam, po ja që na doli papritur forca  turke që nuk pyet për Evropë, për Papë e lërë më për ne. Ndëshkimi për krimet dhe barbaritë që i kemi punuar për 200 vjet mbi arabët, oguzët, kurdët e të tjerët, tani kanë filluar të derdhen mbi kokat tona. Merreni me mend, vetëm 2000 turq kanë mundur ushtrinë me  50000 luftëtarë. Kjo ka ndodhur vetëm njëherë në Greqinë e lashtë, në Maratonë.

– Nuk ishin ushtarë, komandant i nderuar kishte thënë Mhill Shaljani, njeriu i shpatës dhe i Kuvendit, njëri ndër oratorët më të zotë të kohës,  Ata Ishin banditë, vrastarë, kurvarë, hajna dhe dhunues, të cilët u shkuan pas dy prijësve më të ligj e më të pështirë, që i ka njohur popullata e kësaj ane.

– Edhe Topiajt  vazhdimisht janë sulmuar nga Vukashini, i cili në Bizant njihej si sundimtar  i vendit tonë e  i  gjithë Maqedonisë  deri  në  Kostur.    Pikërisht  me  ndihmën  e  Balshajve,  Andrea  Muzaka i dytë një vit më parë më  1370 pranë Kosturit theu keqas ushtrinë  e  Vukashinit.   Kjo fitore  u përshëndet edhe nga perandori i Bizantit,  Gjon Paleologu, i cili me këtë rast i konfirmoi Andrea  II  Muzakës  titullin  e  despotit,  duke i  dhuruar  fronin  bashkë  me  shenjën  përkatëse dalluese,  shqiponjën me dy krerë e me yll në mes.   Ne nuk kishin si merrnin pjesë në ushtritë e Vukashinit. Ai vazhdimisht ka përgjakur, ka robëruar e nënshtruar njerëzit tanë. Por edhe me Muzakajt nuk merremi vesh, sepse ata na trajtojnë si robër të Vukashinit.

Madje ka edhe diçka për të cilën nuk po flasim apo nuk po e dimë. Ju e dini se  shtatë vjet më parë, unë me disa luftëtarë kam marrë pjesë në mbrojtje të Adrianopojës, të cilin e humbën. Ne kemi armë më të mira, por ata janë shigjetarë dhjetë herë më të mirë se ne. Ne vishemi me pancirë me mezi lëvizin kur luftojmë, ata luftojnë me rroba si ato të femrave  me krahët e përvjelë. Kjo ka qenë epërsia e tyre. Ne pimë verë e raki dhe dehemi para betejës e pastaj nga një turk na bëhen tre, ndërsa ata nuk pinë verë as raki. Ne dëfrehemi në orgji me femra para betejave, ndërsa ata e kanë të ndaluar rreptësisht tu afrohen grave një javë para se të fillojë lufta. Nuk janë vetëm këto fakte, ka edhe shumë të tjera, mbi të gjitha ata  kanë disiplinë, rregull nënshtrim të plotë ndaj Sulltanit, besim të pathyeshëm ndaj Zotit  të tyre, që e quajnë Allah dhe të cilit i falën pesë herë në ditë, duke i rënë përtokë, të gjithë pa dallim, madje  edhe vetë Sulltani. Andaj lufta kundër tyre do të jetë tepër e rëndë,  për të mos ndjellë zi dhe për të mos thënë se do të jetë e pamundur  t’i ndalim,  nëse nuk reformohemi, nëse nuk zgjohemi nga gjumi, nëse nga armiku nuk e mësojmë taktikën e tij të luftës. Dhe ne për këto që po them nuk na bëhet vonë.

– Eu Mhill  Shaljani, po ç’ na ftohe e na bërë akull, i kishte ndërhyrë në fjalë, Tomë Bahori. Ja pra pse një luftëtar i tyre vret 30 për një. Kjo nuk është magji, ky është realitet, kjo ka ndodhur vëllezër dhe kjo do të përsëritet, nëse dehemi nga fitorja pa marrë pjesë në luftë, sikur bënë magjarët. Ne dimë vetëm të krekosemi, dhe të shpallim fitoret, por ata dinë të luftojnë shumë herë më mirë se ne. Të rënda si tunxhi janë këto fjalë,  por të gjithë po e kuptojnë të vërtetën sado të hidhur.

– Po thonë se komandanti i luftës paska qenë, një nga gjaku ynë, një Haxhi Yllbeg nga dera e arianitëve, Marin Arianiti, të cilin e kam njohur kur ishim së bashku në Kështjellën e Adianopolisit. Ai ishte dorëzuar dhe kishte ndërruar fenë së bashku me vëllezër e kushërinj. Por edhe atij ia paska humbur kokën, Lala Shahini, në vend se ta gradonte, sepse nuk donte që fitorja më e madhe e kohës të lidhej për një njeri me gjak të krishterë, edhe pse ai kishte ndërruar fenë.

– Unë përkrah plotësisht Mark Gjetanin dhe Mhill Shaljanin ndërhyn në bisedë Mirosh Nikollë Danai, prijës trashëgimtar i Korpilianit dhe kishte vazhduar:

– Po kur turqit janë aq të fortë, aq të disiplinuar, aq të drejtë sikur na thoni, pse atëherë të mos lidhemi me ta dhe të lirohemi nga rashjanët?. Këta ma vranë babanë jo turqit! Pse i nderuar, Tomë Bahori dhe ju kalorës i kalorësve,  Bdek Zografi kurrë nuk na keni folur kështu për turqit. Si ka mundur atje të bëhet komandant një njeri i gjaku tonë, njeriu që ka korrur betejën më të famshme deri tani në tokat tona? Nuk na keni folur kurrë për ta. Tani kur ata po na afrohen, ju na tregoni se kush është Sulltani. Fjalët e Mirosh Nikollë Danait ishin pritur pak  me mospëlqim nga shumica e të pranishmëve në Kuvend,  përveç murgut Damjanus dhe Tomë Bahorit.

– Turqit, vinë për të na ndëshkuar, pa dallim, në radhë të parë  për kryqëzatat. Ata nuk na kursejnë, sepse atje kemi mbjellë farën tonë të ligë, të cilën e korrëm në Marizzë, kishte ndërhyrë sërish në bisedë, Murgu Damjanus, me qëllim për ta bindur Mirush Danain por edhe ata që i njihnin mirë rrethanat, por nuk ua bënte zemra ta pranonin. Ata vinë edhe për të na nënshtruar dhe për të na pushtuar tokat tona. Megjithatë, armiqësia shekullore me rashjanët, dhuna që kanë ushtruar dhe ushtrojnë kundër nesh, në njëfarë mënyre na bën aleatë, por jo të barabartë. Diçka të tillë turqit kurrë nuk do të pranonin.

– Ka të drejtë prijës, kishte pohuar Bdek Zografi dhe kishte vazhduar. Në kohën kur  isha në Kontandinopolis, kam dëgjuar shumë për turqit, kam njohur turq të zënë robër dhe mund t’ iu them si vëllezërve se janë më të drejtë se gjindja jonë, janë shumë më punëtorë se ne. Por kjo nuk do thotë kurrgjë. Sulltani nuk bën pazare me të krishterë, ashtu sikur as prijësit tanë nuk bëjnë pazare me ta. Në fakt jemi armiq, jo me fajin tonë as të tyrin, por me faktin se u përkasim dy besimeve, që luftojnë njëri tjetrin dhe të krishterët e Evropës me Papa Inoçentin ishin të parët, që e kishin filluar luftën kundër tyre. Ata janë hakmarrës, por i falin robërit dhe kur i falin sillen mirë ndaj tyre, sidomos nëse ata e pranojnë fenë e tyre.

– Ka afër 150 vjet që ne vuajmë nën dhunën e rashjanëve, kishte ndërhyrë Ati Mikail, ulur, në ballë të parisë së vendit. Nga respekti për të e kishin vendosur në vendin ku duhej të rrinte komandanti i Kështjellës, Mark Gjetani. Paraqitja e tij me petkun e një igumeni të pa pranuar nga Kisha e Deçanit, por shumë të dashur  e të respektuar nga arbërit  ishte mirëpritur nga të gjithë në Kuvend.

– Ata kanë demonizuar kishat tona, u kanë ndërruar emrat vendeve dhe njerëzve tanë, Korpilianin tonë e quajnë Kopiliq, Vajanikun, Vonjik, Trezanikun, Terstenik, Devijanën Deviq, krahinën e Ndrenikut, Drenicë. Edhe fëmijët tanë i pagëzojnë me emra rashjanë, me mbaresat e tyre, të cilat janë krejt pa lidhje dhe vështirë shqiptohen. Ne nuk  e kemi shkrimin shenjtë në gjuhën tonë, andaj fëmijët tanë po detyrohen ta mësojnë në gjuhën e tyre, ose në gjuhen helene. Kështu si jemi katandisur, për disa vjet ne do të shuhemi, do të bëhemi rashjanë. Ata nuk pranojnë gjuhë tjetër veç gjuhës së tyre, nuk i pranojnë shenjtorët tanë, i vrasin tinëz priftërinjtë tanë ashtu sikur vranë prijësin tonë, Nikollë Danain  dhe murgun, Gjersim Gjetani. Na i kanë pushtuar tokat tona. Në Kanunin e Dushanit ne jemi  robër, ndërsa  atyre u lejohet të bëjnë çka të duan me ne. Marrin të drejtë të na shpërfytyrojnë për së gjalli, të na presin duart apo këmbët, të na lënë shenja në fytyrë, në ballë  dhe  në shtat.  Është fati ynë që ne duke bashkëpunuar  me mbretin Dushan dhe duke luftuar në radhët e tyre, e ruajtëm njëlloj mëvetësie, por ata na kanë goditur dhe prore na godasin parapa shpine. ishte natë kur e dogjën Korpilianin dhe po të mos ishin kalorësit tanë do të na kishin shfarosur, ashtu sikur i dogjën dhe i shfarosën shumë vjet më parë të gjithë njerëzit tanë në Dhimitri, apo Mitrovica,  sikur i thonë ata.

I masakruan, i hodhën në lumë, kufomat e fëmijëve tanë ua hodhën qenve të rrugës. Nga duhma e  kufomave u sëmurën me qindra të tjerë, jo vetëm nga gjaku ynë por edhe nga rashjanët. Këta janë çartur e janë prishur ashtu sikur njerëzit e Sodomës në kohën e profetit Lot. Pikërisht për këtë Zotynë i dënoi me dorën e turkut, në Marizzë, ku po thuhet se 2000 turq i mbytën 60 mijë rashjanë të djallit.

Pas fjalës së Atit Mikail, i cili për fund kishte pëshpëritur një lutje, fjalën e kishte marrë sërish kryemurgu, Damjanus.

– T’i falemi Zotynë dhe të lutemi për shpirtrat e martirëve tanë. Fjalët e Atit tonë të nderuar i kemi kuptuar të gjithë dhe shumica nga ne edhe i kemi ditur. Kemi mbijetuar vetëm falë organizimit,  bashkimit, qëndresës dhe trimërisë së njerëzve tanë dhe ende po rrojmë nën hijen e prijësit Nikollë Danai e tani të prijësve Mirosh e Fitosh, komandantit tonë dhe burrave të mençur që kanë parë dhe njohin botë sikur, Bdek Zografi, përndryshe do të ishim katandisur si mijëra të tjerë. Po të mos ishim kështu si jemi, po të iu kishin besuar atyre, do të na kishte marrë lumi i Marizzës. Por tani nuk mjaftojnë vetëm konstatimet. E kaluara të na vlejë për mësim ndërsa tani që turku po na vjen duhet të jemi të përgatitur. Këtu dua mendimin Tuaj. Çfarë të bëjmë në rast se turqit vinë papritur. Të rezistojmë dhe të mbyteni të gjithë, apo të ikim nga trojet tona drejt veriut dhe të humbin vend shtëpi e katandi?

Në dhomën e madhe të prijësit kishte rënë qetësi e jashtëzakonshme. Vetëm hapja e derës nga shërbëtorët e Pallatit, të cilët kishin sjellë verë dhe mishin të pjekur në helli kishte prishur qetësinë e të pranishmëve, në përpjekje për ta marrë fjalën dhe për t’ u përgjigjur në pyetjet e Damjanusit, njeriut që mbante lidhje me shërbimet e fshehta të Bizantit e të Romës.

– Më e lehta është ta ulim kokën dhe t’i nënshtrohemi pa kushte Sulltanit, po kjo nuk është zgjidhje, përderisa mund të arrijmë më shumë liri nëse paraprakisht lidhin një marrëveshje me ta. Të paktën fitojmë kohë, kishte thënë komandanti i Kështjellës, Mark Gjetani. Ne nuk kemi përse luftojmë në anën e rashjanëve. Po të ishte kjo edhe lufta e prijësve tanë të Dukagjinit, Balshës, Arianitëve, kjo ka arsye por jo për mbetjet e Vukashinit dhe Ugleshinit, jo për ata që na kanë nxirë jetën më shumë se 150 vjet, sepse kjo nuk ka kuptim.

Sërish kishte rënë qetësi. Ndokush nga të pranishmit ngrehte dolli por edhe atë në heshtje, sepse bisedat ishin shumë serioze, meqë ishte kërkuar një rrugëdalje e domosdoshme,  me kusht që ajo të ishte  e keqja më e vogël.

– U dëgjova me vëmendje të nderuar vëllezër të mi të gjuhës e të gjakut. Nga ato që i thatë me përgjegjësi dhe largpamësi, konsideroj se duhet ta gjejmë rrugën e mesit, meqë në këtë rrugë na shtyn nevoja për të ekzistuar dhe për të pranuar atë që ka për të qenë e keqe më e vogël. Sa më përket mua, Bdek Zografit, vëllait tuaj, mua më duket çmenduri të ndeshemi me turkun, për interesa të atyre që po na vrasin prapa shpine.

Jemi në një situatë kur duhet   të pranohet fakti se e keqja më e vogël është ndonjë lidhje me turqit e fuqishëm, të cilët e kanë vënë në rrethim Bizantin dhe po e shkallmojnë dita ditës, sesa të shkojmë si cjapi te kasapi, nën komandën e rashjanëve, të cilët në çdo rrethanë e situatë do të na dëmtojnë, sidomos tani që janë egërsuar kundër turqve, pas humbjes fatale në Marizzë.  Ata edhe ashtu kanë filluar të hapin fjalë se jemi lidhur me turqit, përmes arianitëve dhe balshajve, edhe pse ne e dimë mirë se është sajesë e tyre, me qëllim për të na fajësuar pse nuk morëm pjesë në ekspeditën e tyre fatale. Mllefin që ata kanë kundër magjarëve, të cilët i futen në kurth dhe nuk ua shkuan në ndihmë, atë zemërim kafshëror do ta derdhin te ne, te njerëzit tanë kudo në trojet tona.

Gjatë tërë bisedave,  Mirosh Nikollë Danai kishte dëgjuar me kureshtje aq të madhe sa dukej se nuk merrte frymë. Kishte shfrytëzuar qetësinë pas fjalëve të Bdek Zografin, të cilin e konsideronte si baba të dytë dhe kishte folur.

– Nuk di a më takon edhe mua të flas, meqë jam më i ri dhe mund edhe të gaboj. Të gjithë kishin aprovuar njëzëri, kush me zë e kush me kokë.

–  Nga të gjitha fjalimet, po kuptoj se lidhja me turqit, tani për tani ka për të qenë e vetmja derë, ku duhet të trokasim përmes njerëzve tanë. Me lejen Tuaj unë me vëllanë tonë të madh Damjanus, të veshur ndryshe, do të niseshim  në këtë rrugë. Më lejoni njëherë  të dal jashtë kështjellës, për t’ u bindur në mundësitë dhe forcën time.

Në Kuvendin e asaj dite kur po vendosej e ardhmja e arbërorëve  të veriut, fjalët e Mirosh Danait kishin zënë vend dhe nuk kishte pasur kundërshtime….

Kontrolloni gjithashtu

Adil Fetahu: Kështu mejtonte Azemi

Adil Fetahu: Kështu mejtonte Azemi

Ky është titulli i librit publicistik, që përmbanë disa  intervista, biseda, letra të hapura, fjalime, ...