Lasgush Poradeci (1899 - 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Lasgush Poradeci (1899 – 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Llazar Gusho u lind në Pogradec, më 27 dhjetor të vitit 1899. Ka vdekur në Tiranë, më  12 nëntor 1987. Në letërsinë shqipe është  i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci, qe poet, shkrimtar e përkthyes shqiptar. Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci. Lasgushi është Autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” botuar në vitin  1933 dhe “Ylli i zemrës” në vitin 1937, Këto dy përmbledhje poetike i ka botuar në Bukuresht të Rumanisë. Vëllimin e parë e ka  botuar me ndihmën e mërgatës shqiptare në Konstancë; ndërsa vëllimin e  dytë i botuar me ndihmën e Mitrush Kutelit. Përmbledhja e dytë poetike  përmban edhe vargje të përpunuara nga vëllimi i parë me poezitë me vargënimin e melodinë më të hollë në gjuhën shqipe.

Përpos dy vëllimeve, Poradeci botoi tregime në prozë ndër të përkohshmet e viteve ’30-’40. Veçanërisht tek “Përpjekja shqiptare” e redaktorit Branko Merxhani. Shkrime prej tij janë shfaqur edhe në të përkohshmet Drita dhe Nëntori, të cilat të bluara siç qenë nga censorët e kohës ishin hapësira më të volitshme për serën e shqipëruesve.

Lasgushi është autor i më se shumë se  100 poezive, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Ishte adhurues  i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike  popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe.

Veç të tjerash, janë të njohura poemat: “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si: “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, e poetëve të therë të njohur botëror

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, kryetari i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i Kombit” dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin “Qytetar nderi”.

Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin Lasgush Poradeci.

Në lagjen Kombinat në Tiranë ndodhet shkolla “9-vjeçare Lasgush Poradeci”.

Rruga te Diga te Liqeni artificial i Tiranës mban emrin Lasgush Poradeci.

Literatura

Anglisht”Albanian Literature in Translation” Lasgush Poradeci jetëshkrim nga Robert Elsie. (Vikipedia)

 

 

 Ç’u mbush Mali

 

Shqipëri! moj nëna ime,

Më ke rritur me thërrime!

Shqipëri! të qofsha falë,

Të kam nënë e më ke djalë

Ç’u mbush mali me dëborë,

Ç’u mbush deti me pamporë,

Seç u mbush e shkreta Vlorë

Plot me krushq e me dasmorë,

S’janë Toskë e Malësorë

Me flamur të kuq në dorë

Si dhëndurë me kurorë.

Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:

Nga çdo anë seç na ardhë

Shqipëtarët gunë-bardhë,

Seç na ardhë palë-palë

Duke rutulluar malë

Kush më këmb’e kush më kalë

Kush më shpejt, kush më ngadalë;

Kush i lum e kush i gjorë

Kanë zbritur mun në Vlorë,

Mun në Vlorën e lirisë,

N’atë thelb të Shqipërisë.

 

Poradeci

 

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir

Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.

Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,

Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

 

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:

Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

 

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…

Zotëroj më katër anë errësira…

Po tashi:

Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…

 

Vdekja e Nositit

 

Me zjarr ju flas… me zjarr

Në gjirin tim kam hapur varr…

Që t’i jap shpresë- edhe t’ja marr…

 

Un’ ik liqerit zemërak

Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,

Po zemra ime kullon gjak:

 

Se vijnë- urtuar zogjtë-e mi,

Dh’u jap ushqim me dashuri-

Një dashuri për llaftari:

 

Pa nis ah! Gjirin ta godas…

Dh’e hap ah! gjirin për një ças…

Dh’i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!…

 

Ahere – helmohet e buçet

Pas mallit tim liqer-i shkret,

E rrit tallazin posi det.

 

Ay e tund , ay e shkund,

Ay e hap sa me të mund,

Gjer mun në gjit,gjer mu në fund.

 

E shpirtin dyke ma përcjellë

Më thotë ah! shih sesa ‘sht’i fellë…

Ky gjir’i em që të pat pjellë…

 

Me zjarr ju flas…

Me zjarr…

 

 

Malli

 

Syri-i bukur që t’u mvrenjt –

Syri yt që më lëndon

Do më lerë-a von a shpejt,

Do më lerë-a shpejt a von.

 

Sapo shpirti m’u delir –

Shpirti im i nxirë krejt –

Do më lerë me pahir

Syri-i bukur që t’u mvrenjt.

 

E do mbetem përnjëmend

Varfanjak si mbret pa fron:

Mbretëresha që më çmend

Do me lerë-a shpejt a von.

 

Do me lerë-a von a shpejt,

Do me lerë-a shpejt a von,

Syri i bukur që t’u mvrenjt –

Syri yt që më lëndon.

 

Do më lerë…A! po si –

Qoftë-aherë-ose tani –

Do të qaj aq dashuri

Që të humb me mall te ti?

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …