Loro Kovaçi (1903 - 1966)

Loro Kovaçi (1903 – 1966)

Loro Kovaçi lindi më 30 gusht të vitit 1903 në Shkodër, mësimet fillore i kreu në shkollën e drejtuar nga Jezuitët në Shkodër dhe pastaj ka studiuar për rrobaqepës në një shkollë në Insbruk (Innsbruck, Austri). Kthehet në vendlindje dhe fillimisht ushtroi zanatin e rrobaqepësit.

Debutimet e tij të para në teatrin amator datojnë rreth vitit 1919, në disa pjesë të organizuara dhe të drejtuara nga shoqëritë kulturore Bogdani, Rozafat dhe Vllaznija. Një rol i suksesshëm i Loro Kovaçit në teatrin amator është ai i Skënderbeut, tek drama “Kthimi i Skenderbegut për liri të Shqipërisë” të Henrik Lacaj. Kjo dramë, e cila vihej në skenë nga shoqëria Rozafat me rastin e 25 vjetorit të pavarsisë, pas suksesit të madh në Shkodër u shfaq edhe në Tiranë, në kinoteatrin “Nacional”. Në këtë dramë, gjithashtu, spikatën edhe aktorë të tjerë të shquar të kinematografisë shqiptare si: Gjon Karma, Pjetër Gjoka, etj.

Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Loro Kovaçi braktisi pothuajse të gjitha shfaqjet dhe veprimtaritë e tjera artistike, duke punuar kryesisht në rrobaqepësi.

Pas mbarimit të luftës, Loro Kovaçi aktivizohet në “Teatri i Ushtrisë”, përkrah aktorëve të tjerë si; Ndrek Luca, Marie Logoreci, Besa Imami, Pjetër Gjoka, Violeta Manushi, etj. Karriera si aktor profesionist e Loro Kovaçit filloi më 1 shtator 1946, në “Teatri Profesionist i Shtetit”. Performanca e parë e tij si aktor profesionist është në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës.

Gjatë disa viteve të ardhshme ai u shfaq në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar, TK), duke luajtur kryesisht pjesë nga autorët shqiptarë, por edhe në “Revizori” të Nikolai Gogol, “Mbreti Lir” të Shekspirit (William Shakespeare), “Intrigë dhe dashuri” të Shilerit (Friedrich Schiller), “Rrënjë të thella” të James Gou dhe Armand D’Jusso, etj. Ndër rolet që më shumë kanë mbetur në kujtesën e publikut janë; Tuç Maku tek “Toka jonë” dhe Bejtash Syla tek “Halili dhe Hajrija”, drama këto të shkrimtarit dhe dramaturgut Kolë Jakova. Roli i fundit në skenën e Teatrit Kombëtar është ai i kolonelit italian në dramën “Tri të shtëna pushke” të Ibrahim Uruçi.

Filmografia

  1. Komisari i dritës (1966) …. Baca
  2. Toka jonë (1964) …. Tuç Maku
  3. Detyrë e posaçme (1963) …. Gjergj Nikolla
  4. Debatik (1961) …. Drejtori italian
  5. Furtuna (1959) ….Komandanti Ballist
  6. Fëmijët e saj (1957) …. Beqiri
  7. Skënderbeu (film)

Loro Kovaçi vdiq në Tiranë më 16 korrik 1966.

Burimi:

Kalendari Enciklopedik I

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …