leoni

Luljetë Jahir Shala (2.10.1997 - 14.12.1998)

Luljetë Jahir Shala (2.10.1977 – 14.12.1998)

Krahas djalërisë atdhetare shqiptare, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u radhiten edhe shumë bija liridashëse nga mbarë trojet e Shqipërisë. Ndër vajzat e para, që vullnetarisht u radhiten në njësitet e UÇK-së ishte edhe Luljetë Jahir Shala nga Krajkova e Drenicës.
Prindërit e Luljetës, Jahiri dhe Naza, lindën e rritën 11 bijë e bija: Luljetën, Sebahaten, Sedatin, Shpendin, Muhametin, Besën, Meritën, Esatin, Liridonën, Artën dhe Flamurin. Babai, Jahiri, nuk i mori me vete fëmijët në Gjermani, ku ka punuar për shumë vite dhe ku ende punon për të mbajtur familjen.
E lindur në një familje me ndjenja të përkushtuara atdhetare, Luljeta jo rastësisht kishte marrë rrugën e luftës për liri. Babai, Jahiri, ishte i burgosur politik. Ai për herë të parë ishte burgosur në demonstratat e vitit 1981, ku kishte vuajtur dy muaj burg. Herën tjetër, në vitin 1990, për pjesëmarrje në demonstrata kundër regjimit okupator serb, po ashtu dënohet me dy muaj burg. Vazhdimisht ishte i përndjekur nga regjimi. Për të shpëtuar një vrasjeje të kurdisur nga disa bashkëpunëtorë të serbëve, Jahiri, në korrik të vitit 1992 largohet nga Kosova dhe kërkon azil politik në Gjermani. Axha i Luljetës, mjeku Hafir Shala, kishte vuajtur dënimin prej pesë vjetësh në burgun e Prizrenit, të Lepogllavës dhe Stara Gradishkës. Konsiderohet i zhdukur, që nga 10 prilli i vitit 1998. Djali i axhës, Sahiti, është martirizuar në demonstratat e vitit 1990 në Drenas (ish-Gllogoc).
Luljetë Shala lindi më 2 tetor të vitit 1977, në Krajkovë të Drenasit. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa që nga klasa e pestë mësimet i ka vijuar në Drenas. Shkollën e mesme, gjimnazin “Skënderbeu”, drejtimi matematikor-natyror e kreu, po ashtu, në Drenas.
Si nxënëse në shkollën e mesme, ishte anëtare e grupit muzikor të shkollës. Mori pjesë në disa koncerte të mbajtura në komunën e Drenasit dhe në Komoran.
Pas vrasjes së disa policëve serbë në Drenas, në pranverë të vitit 1993 dhe pas vendosjes së policëve në udhëkryqin e rrugës Drenas-Prishtinë, Luljeta dhe kushërira e saj, Zyrafetja, derisa po shkonin në shkollë, ndalohen dhe torturohen fizikisht nga policia serbe. Këtë rast e kishte shënuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Drenas, në kronologjinë e tij të rregullt të së përjavshmes “Zëri”.
Duke qenë se më 28 nëntor të vitit 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte shpalosur publikisht përcaktimin për luftë të armatosur kundër forcave pushtuese, Luljetës, sikur iu shua dashuria për studimet. Ajo tashmë kishte një dëshirë dhe një ideal të vetëm, të kontaktonte me çlirimtarët dhe të radhitej në mesin e tyre. Në pranverë të vitit 1998, Luljetë Shala së bashku me Selvete Elshanin, Melihate Hoxhën, Mexhide Thaçin, Magfire Thaçin e trimëresha të tjera, fillimisht paraqitet vullnetare në Shtabin ushtarak të Drenicës, në Likoc, me qëllim për të kryer stërvitjet ushtarake. Luljeta, Selvetja, Mexhidja, Magfirja e trimëresha të tjera ishin përcaktuar të vepronin në operativë, në fronet e luftës çlirimtare.
Pasi kryen stërvitjet ushtarake, Luljeta me bashkëluftëtaret e saj sistemohet në Njësitin Vëzhgues, “Guri III”, njësit që vepronte në malet e Kozmaqit dhe në fshatrat: Baicë e Elshanit, Domanek, Krajkovë, Llapushnik. Pika luftarake e këtyre trimëreshave qe caktuar në fshatin Poterk, afër Grykës së Llapushnikut.
Ajo ishte takuar me disa nga pjesëtarët e UÇK-së, gjatë muajit prill të vitit 1998. Pas disa konsultimeve që i kishin bërë, Luljeta lejohet të inkuadrohet në radhët e UÇK-së. Inkuadrimi i saj në radhët e UÇK-së, bëhet me 15 maj. Ajo vazhdon një kurs trajnimi ushtarak në grupin e femrave ushtare në Likoc të Skënderajt, deri më 9 qershor 1998.
Luljeta kishte demonstruar aftësi dhe shkathtësi luftarake, në përdorimin e armës dhe në gjuajtjen në distanca të ndryshme. Këto trajnime ishin bërë nga trajnuesja dhe udhëheqësja e grupit të femrave, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, si dhe nga ushtarja nga Gjilani, Shqipja. Selvete Elshani, Shqipja dhe Melihate Hoxha, rrëfejnë se Luljeta ishte treguar më e suksesshmja në gjuajtjet me armë zjarri. Duke qenë se ishte aftësuar ushtarakisht, që nga ajo kohë ajo sistemohet në Grykën e Llapushnikut, në njësinë “Guri 3”, të Brigadës 113, brigadë e cila më vonë mori emrin e dëshmorit Mujë Krasniqi. Aty Luljeta fillimisht ka shërbyer si police ushtarake, kurse më vonë si luftëtare në pikat e frontit.
Në barrikadat e Grykës së Llapushnikut, shërben për dy muaj, ku merr pjesë dhe shquhet në luftimet e ashpra, të cilat janë zhvilluar sidomos më 25 dhe 26 korrik të vitit 1998. Ajo ndodhej në frontin e luftës bashkë me vëllain Shpendin, asokohe 18-vjeç dhe me të zgjedhurin e saj, Hysen Bujupi, i njohur me emrin e luftës “Luani”, i cili gjatë ofensivës në Llapushnik, plagoset nga predhat e armës armike.
Gjatë qëndrimit në këtë njësit, Luljetës iu besua detyra e mbikëqyrjes së grupit të femrave ushtare që vepronin në këtë pikë.
Vazhdojnë pastaj betejat e tjera, si ofensiva e 25 dhe 27 shtatorit të vitit 1998 ku merr pjesë edhe Luljeta.
Me rastin e riorganizimit dhe ristrukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Luljeta me bashkëluftëtaret e saj, sistemohet në Kompaninë e Tretë të Batalionit të Dytë të “Brigadës 113”, të cilën e komandonte Ramadan Qerim Elshani, kompani e cila vepronte në fshatin Krajkovë.
Duke qenë se ishte kalitur në luftime dhe beteja, Luljetë Shala i bashkohet radhëve të luftëtarëve të komandantit Mujë Krasniqi, të cilët në nëntor të vitit 1998 depërtojnë në Shqipëri, me qëllim për t’u furnizuar me armë dhe municion, meqë ato pak rezerva që ishin, qenë shpenzuar në ofensivat e verës dhe të vjeshtës të po atij viti.
Nga njësiti “Gurit III”, kishin vajtur për armatim, Luljetë Shala, poeti, piktori dhe profesori, Gani Elshani, bashkëvendës i Luljetës, pastaj Emin Thaçi, Xhevat Thaçi, Agron Mehmeti, Fehmi Hoti, i zgjedhuri i Luljetës, Hysen Bujupaj “Luani” e të tjerë.
Prej fillimit të nëntorit e deri më 14 dhjetor 1998, luftëtarët e komandant Mujë Krasniqit, kishin qëndruar në Shqipëri. Për shkak të dimrit dhe dëborës që kishte rënë, ata disa herë bëjnë përpjekje për të depërtuar nëpër alpet shqiptare, por ishin kthyer. Pikat nga duhej të depërtonin ishin zënë nga ushtria dhe policia okupatore serbe si dhe nga dëbora e acari i atij dimri.
Luljeta kishte një kondicion të mirë fizik. Ishte shtatlartë, me trup të shëndoshë dhe shumë e fuqishme. Po ashtu, kishte talent në përdorimin e armës, prandaj edhe shumë shpejt e kishte zotëruar atë. Nga fiziku e bukuria e saj, pastaj nga shtati si shtojzovalle dhe duke e krahasuar me vajzat trimëresha të Sulit, bashkëluftëtarët e quanin “Suliotja”. Duke evokuar kujtime nga koha e qëndrimit në Shqipëri, luftëtar Agimi nga Plluzhina e Drenicës, tregon se gjatë stërvitjeve dhe provave në çitje, në bazën e UÇK-së në Cahan të Shqipërisë, Luljeta çdo herë kishte korrë sukses si shenjëtare e shkathtë.
Më 13 dhjetor 1998, Mujë Krasniqi, u kishte mbajtur një fjalë bashkëluftëtarëve. Ai kishte kërkuar nga ata që ishin fizikisht të aftë për të përballuar motin me dëborë dhe acar, të përgatiteshin për të hyrë në Kosovë, meqë ishte luftë dhe kudo që do të ndesheshin me forcat armike, duhej të luftonin. Ata që nuk do të mund të iu përballonin kushteve të rrugëtimit, duhej të prisnin në radhë. Asnjëri prej 143 luftëtarëve të lirisë nuk ishte kthyer pas. Të nesërmen, më 14 dhjetor, formacioni i luftëtarëve të lirisë, i cili përbëhej nga luftëtarët e të gjitha viseve të Kosovës, ishte nisur për të kaluar pash më pash nëpër malet e Pashtrikut plak.
Në ballin e kolonës printe komandant Mujë Krasniqi, vëllai i tij Aliu, luftëtari dhe rapsodi i mirënjohur, Beqir Gashi, poeti dhe piktori, Gani Elshani, profesori i fizikës, Rifat Mëziu, “lulja çlirimtare”, që rrezatonte rreze lirie, Luljetë Shala, Hysen Bujupaj si dhe dhjetëra luftëtarë e luftëtare të dalluara të UÇK-së.
Rrugën për të kaluar në lartësinë mbidetare 1700 metra të rrëpirave të Pashtrikut të mbuluar me dëborë, vende-vende deri në dy metra, e kishte marrë edhe Luljetë Shala, e cila përveç me armën personale ishte ngarkuar edhe me municion rezervë. Ajo ndodhej e shoqëruar nga i zgjedhuri i saj i zemrës, Hysen Bujupaj.
Në mëngjesin me acar të dimrit, më 14 dhjetor, luftëtarët e lirisë pasonin kolonën, të cilës i printe komandant Mujë Krasniqi. Me të arritur në vendin e quajtur te “Likenet e Hasit”, forcat serbe të pozicionuara në pritë, sulmojnë kolonën dhe godasin pikërisht në radhët e para. Sulmi kishte qenë i planifikuar hollësisht nga forcat armike, të cilat kishin filluar breshërinë e goditjeve pasi që shumica e luftëtarëve ishin futur në rrezen ku vepronte arma armike. Kishin filluar përleshjet fyt për fyt, ndërsa luftimet kishin zgjatur disa orë. Në fushën e nderit dhe në altarin e atdheut bie komandant Mujë Krasniqi dhe 34 dëshmorë të tjerë të lirisë, në mesin e tyre edhe trimëresha e Drenicës, bija e Krajkovës, Luljetë Shala, kishte përskuqur dëborën e bardhë të Pashtrikut, me gjakun e saj të kulluar. Afër saj kishte rënë edhe i dashuri i saj, Hysen Bujupaj, nga Burimi (ish-Istog).
Trupat e rënë të dëshmorëve ishin tërhequr nga Morgu i Prizrenit. “Ne, bashkëluftëtarët e kësaj ane, në shkollën e fshatit Krajkovë, organizuam pritje për ngushëllime, meqë shumica e të rënëve ishin nga rajoni i Drenicës”, thotë ish-komandanti Kompanisë të Tretë të Batalionit të Dytë të Brigadës 113, luftëtari i mirënjohur nga Krajkova, Ramadan Elshani.
Më 21 dhjetor 1998, trupat e 35 dëshmorëve, në mesin e tyre edhe trupi i komandantit Mujë Krasniqi, bashkëluftëtarët e tyre me nderime ushtarake i varrosin në “Varrezat e Dëshmorëve” në fshatin Polac të Drenicës. Atje prehet e qetë, në përjetësi, edhe Luljetë Shala, lulja e bajrakut të lirisë, e cila do të mbetet në kujtesë për trimëri, shpirt sakrifice dhe idealizëm të atdhetarisë.
Melihate Hoxha, bashkëluftëtare e dëshmores dhe pjesëtare e njësitit “Guri 3” në pikën nr. 6, duke sjellë në kujtesë Luljetë Shalën thotë: “Që nga 8 qershori i vitit 1998, deri më 9 nëntor të po atij viti, kur një grup i njësitit tonë ishte nisur për armatim në Shqipëri, Lulja ka qenë pjesëmarrëse aktive në të gjitha luftimet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe. Gjatë stërvitjeve në Likoc, Lulja ka treguar aftësi në stërvitje dhe gatishmëri për t’u ballafaquar me armikun. Duhet veçuar me këtë rast stërvitjet në përdorimin e armëve të zjarrit. Luljeta kishte shënuar rekord dhe për këtë ekzistojnë sa e sa dëshmi. Lulja ka qenë luftëtare me karakter të fortë, gjithmonë e qeshur dhe me humorin e saj të lindur na bënte t’i harrojmë edhe momentet më të vështira. Me këngën dhe zërin e saj melodik, ajo na mbante lart moralin dhe bënte që të ndiheshim më të fortë përballë rrebesheve të asaj kohe. Personalisht humbjen e saj e kam përjetuar shumë rëndë, si shoqe dhe bashkëluftëtare e saj. Ka qenë pikëllimi im më i rëndë që e kam ndier gjatë jetës sime, sepse të humbësh një shoqe të luftës është shumë e rëndë.”
Tre vjet pas rënies në altarin e atdheut, Luljetë Shalës dhe të dashurit të saj Hysen Bujupaj, u është ngritur lapidari i përbashkët në Burim, pastaj një pllakë përkujtimore është vënë në vendin e rënies dhe një pllakë tjetër është përjetësuar në Kompleksin e Dëshmorëve, në Drenas. Për jetën dhe veprën e dëshmores Luljetë Shala janë botuar shkrime në të përjavshmen “Zëri”, në gazetën “Zëri i Kosovës”, pastaj në gazetën e përditshme “Rilindja” e shkrime të tjera.
Familja Shala e Krajkovës, për bijën dëshmore, ka marrë “Mirënjohje” nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Kuvendi komunal i Drenasit dhe nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve. Janë publikuar disa shkrime për këtë dëshmore të lirisë në shtypin tonë ditor dhe periodik. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …