Edi Rama dhe Aleksandar Vuciq

Lulzim Shkreli: Nëse Rama nuk do të fliste për Kosovën, në Beograd do duhej larguar sa më parë nga posti i tij

 Në vitin 1981, pas demonstratave të njohura të pranverës së atij viti, një funksionar i lartë serb në Kosovë, Dushan Ristiq, deklaronte se “Kurrfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”. Përse thirrjet e sotme janë si dy pika uji me thirrjet e ristiqëve. Së dyti, mund ta mbrosh Berat Buzhalën kur oligarkët e politikës turke kërkojnë ta arrestojnë, dhe mirë bën. Në fund të fundit është një shenjë e mëvetësisë së shtetit të Kosovës. Por nuk mund t’i drejtohesh shtetit shqiptar, liderëve të tij, me zhargonin e rrugëve dhe “patriotizmin” e Berat Buzhalës.

Ka një dallim mes të parës dhe të dytës: në të parën nuk lejon askënd të abuzojë me të drejtën e shtetësisë tënde; në të dytën ti vetë abuzon me këtë të drejtë, duke ia mohuar të tjerëve ndjenjën e kombit. Edhe sikur të kemi jo një, jo dy, si ndodh aktualisht, por tre shtete shqiptare, përsëri mbi to, sipërore, është ndjenja e kombit. Secili shtetar ka të drejtën, por edhe detyrën të flasë për, dhe jo në emër të… secilës pjesë të kombit tonë. Në të gjitha vitet që shkuan ndjenja e kombit ka qenë mbizotëruese. Një pjesë e madhe e mëvetësisë së Kosovës ka ardhur pikërisht nga shteti shqiptar. Unë i kuptoj meskinët, të cilët, të frymëzuar prej idesë së tregtisë me ndjenjën e kombit, shesin çfarë munden, deri edhe nderin, të vërtetën,ndërgjegjen, por nuk i kuptoj dot njerëzit e zgjuar, prej të cilëve jo rastësisht është pritur e vazhdon të pritet shumë më tepër se sa kaq.

Unë i kuptoj një plejadë neotitistësh, mëria e të cilëve është kaq e madhe ndaj Shqipërisë, sa do të kishin pranuar disfatën e kombit për të arritur një fitore të brendshme, kosovarizmin.

Edhe më patrioti në Kosovë e jashtë saj duhet të respektojë të vërtetën e lirisë tradicionale të shtetit amë për vete dhe për gjakun e njëjtë. Unë e di se në Kosovë ka mjaft njerëz të dehur me titizmin. Djalli i së keqes, shkruante Karl Stjuarti, mbreti i Anglisë, merr shpesh pamjen e engjëllit të reformës. Mohuesit e vlerave, që nxisin forcërisht këtë luftë absurde mes pjesëve të një kombi, as nuk i bren ndërgjegjja dhe as nuk janë të shqetësuar. Nëse Edi Rama nuk do të fliste për Kosovën ai do të kishte bërë një faj të rëndë dhe duhej larguar sa më parë nga posti i tij. Nëse nuk do të kishte folur ai duhej linçuar politikisht.

Unë nuk trazohem nga rryma neotitiste, unë shqetësohem deri në palcë për miqtë e mi, shumë nga të cilët, kur u betuan si luftëtarë të UÇK-së, u betuan se do të luftonin deri në fund për bashkimin e kombit. Shumë vite më parë, Ukshin Hoti, politologu më i madh dhe më i ndershëm shqiptar thoshte se “Kush është për republikën e Kosovës, të vijë pas meje. Kush është për bashkimin e kombit, ai le të prijë dhe unë do i shkoj pas”. Politologu mentar e dinte dhe e shprehte se liria e Kosovës mund të vinte vetëm përmes luftës, ndërsa bashkimi kombëtar përmes proceseve evropiane. Ende në Kosovë nuk ka një përmendore të denjë për Ukshin Hotin. Mund të kishte, nëse udhëheqësit e Kosovës do ta kishin dashur më shumë kombin. Nëse liderët e Shqipërisë londineze do të kishin qëndruar në atë pozicion ku i ftojnë tash rrymat filotitiste dhe çupërlinat gazetareske, sikur ato në vitet 1998 dhe1999 të kishin thënë se “nuk mund të flasim as për Kosovën e as në emër të saj” e, shumë gjëra do të kishin qenë ndryshe. Një valë e shfrenuar e mohimit të vlerave ka nisur prej disa kohësh në Prishtinë dhe në Tiranë. Po nëpërkëmben shumë gjëra, po njësohen krimet serbe ndaj shqiptarëve me ngjarjet ende të pasqaruara të pasluftës, liderët e UÇK-së po njësohen me nazistët dhe Gjykata Speciale me Gjyqin e Nurenbergut, sikur fashizmi ishte në Kosovë dhe jo regjimi i Millosheviçit ishte një regjim thellësisht fashist, kundër të cilit u bashkua e gjithë bota demokratike; mijëra e mijëra shqiptarë të vrarë, të zhdukur, të varrosur në betonierët “harrohen”, sepse sot nuk është “moderne” të dëshmosh të vërtetën, por të mbrosh krimin. Qëndrimi i shtetit shqiptar dhe i liderëve të luftës lirisjellëse në Kosovë ka qenë e mbetet i njëjtë: larg romantizmit nacionalist, ne jemi me shtetin shqiptar, në të njëjtën rrugë drejt Evropës.

Se fundi, duan apo nuk duan një shtresë pinjollësh titistë, Shqipëria është vendi ynë amë, dhe sado të bëjmë krahasime romantike për nacionalizmin në Kosovë, Shqipëria mbetet thelbi i kombit.Më thoshte në telefon një mik i imi, në njërin ndër Institutet më të rëndësishme evropiane se, “Sikur edhe një lider nga Venezuela të mbronte Kosovën në Beograd, do i thonit “faleminderit”, jo më një politikan fqinj, i të njëjtit komb, i cili, duhet të jeni të bindur se disa nga deklaratat e tij politike, lidhur me Kosovën, nuk i lëshon në tymrat ballkanike, por nën dritën e Evropës”

I rikthehem Ukshin Hotit. “Kosova, shkruante ai, nuk mund ta ndërtojë demokracinë në baza të ekskluzivitetit nacional, e as të antikomunizmit. Të provohet e kundërta do të thotë të dhunohet demokracia dhe të provokohet e ardhmja demokratike” Nuk ka gjë më të shëmtuar kur bashkimvllazëruesit e djeshëm na shiten sot si nacionalistë.

Anglezët thonin dikur – budallaqja si paqja. Ne mund të themi sot, nuk ka luftë më budallaqe se sa kjo që duan ta shpikin. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …