Marjana Zeneli-Bulku

Marjana Zeneli-Bulku: Demokracia një mision i papërfunduar

Për ne që e mirëpritëm demokracinë si pjesë e atij brezi që jetoi 18 vjet në diktaturë, kohë kjo e mjaftueshme për të kuptuar marrëzinë e një sistemi të padrejtë diktatorial si edhe ato dhjetëra arsye pse prindërit e mi, familja ime, e mijëra shqiptarë mezi e pritën demokracinë, që sot është në  emergjencë jo vetëm kombëtare, mes qindra përseve pa sepse, në një atdhe që gënjente dhe dhunonte vetveten duke na fshehur nga bota e duke pasur frikë nga civilizimi që sillte liria, demokracia sot më shumë se kurrë kërcënohet nga e kundërta e vet. Në 28 vjetët e tjera të kësaj Odiseje ku si në të Penelopës pëlhurë thureshin e shprisheshin ëndrrat për liritë, të drejtat e munguara, mirëqenien sociale dhe atë ekonomike por edhe paqen që nuk erdhi kurrë për shkak të pajtimit me të keqen që e vret sistematikisht atë, demokracia mbeti një mision i papërfunduar, përgjysëm, peng. Po a u kuptua siç duhet ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish?! A ishte e përgatitur shoqëria shqiptare me intelektualët përherë në mërgim, me vlera të burgosura, dhunuara, mohuara, të ndërtonte liri mbi bazë rregullash?! Trashëgimtarët e diktaturës, ata që “ndërtuan” kopshtin shkëmbor të Evropës juglindore do të mbanin gjallë murin e izolimit edhe pse ai i Berlinit u shemb bashkë me autorët e tij, në Shqipërinë postkomuniste muri i korrupsionit na largon nga liria po aq sa ai i komunizmit që diktatura e gjatë prodhoi.  Një debat përherë i hapur që ngre dhjetëra enigma të pazgjidhura, nyje të së shkuarës pa të ardhme.

Ishte Vatra që na mblodhi në një bashkëbisedim mjaft të frytshëm rreth botimit më të fundit të gazetarit dhe publicistit, mendimtarit dhe refleksionistit zotit Fran Shkreli i cili nuk mungon me gjykimin plot peshë e vlerë as shtypit të Tiranës me” Demokracia nuk pret”. Rreth Vatrës nuk mungojnë kurrë idealistët që ia mbajnë gjallë misionin për të cilin ajo u krijua.

Por teksa dëgjon zërin e Dr Elez Biberaj që më shumë se zërin e Amerikës përcolli zërin e të vërtetës dhe atë të shpresës për ne shqiptarët vetmitarë e të izoluar nën dhunën e diktaturës, pohon pa mëdyshje që po, Vatra mundet që vizionin e saj ta kthejë në udhërrëfim për të ardhmen në udhëkryq. E mendjet që i flasin botës shqiptare këtej dhe përtej me maturimin e Sami Repishtit, mprehtësinë analitike të Fran Shkrelit bëhen frymëmarrje shprese. Dr Elez Biberaj shpalos objektivat konkrete se si dilet nga emergjenca kombëtare në të cilën është zhytur vendi në kushtet e cënimit të demokracisë dhe gangrenizimit korruptiv që vret përditë moralin kombëtar. Gazetarët e zërit të Amerikës janë vigjilentë në mbrojtje të sapolindurës së asfiksuar demokraci edhe pse me prezencën e doktor Halim Kosovës, deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, ndihma më e mirë do ti vinte nga vetvetja, institucionet e konsoliduara, sistemi i pastër i gjygjësorit por edhe ai legjislativ, shoqëria civile, intelektualët, pra çdo grup interesi.

Ishte vërtetë bukur që në vatër të shikoje gazetarët e zërit të Amerikës Shkreli, Biberaj, Lamaj si një akademi e vërtetë për gazetarinë e cila ka si mision të edukojë qytetarët me liri përmes mire informimit në këtë botë të mbushur plot me lajme kaotike. Demokracia nuk pret, por demokracia len shtigje meditimi e shprese përmes vullnetesh pozitive që Vatra e mijvjeçarit të 21 çel me drejtuesin e saj zotin Dritan Mishto, gazetën e saj një shekullore Dielli si një tribun lirie dhe shprese se demokracia ka shanse për jetë kur intelektualizmi patriotik nuk mungon.

“Demokracia nuk pret”, një botim që duhet shfletuar edhe për të ushqyer përmes optimizmit objektiv por edhe kriticizmit korrekt që përcjell autori tek çdokush që prej demokracisë priti e u zhgënjye, ëndërroi e u dënua, projektoi e u arratis…por gjithmonë duke pritur para se të jetë vonë.

Dhe në pëmbyllje të këtij reflektimi modest që lind natyrshëm pas atij komunikimi të frytshëm në Vatrën gjithshqiptare, po citoj zotin Frank Shkreli përmes pyetjes retorike që mban dekadat brenda: Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet pro perëndimore të intelektualëve që u mundën prej komunizmit?!

Marjana Zeneli Bulku (23 prill 2018)

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …