mbpzhr
muqa 900
vipa
driloni com
vala – old
Fillimi / Dëshmorët / Mark Zef Sopjani (26.4.1960 – 4.9.1998)
Mark Zef Sopjani (26.4.1960 – 4.9.1998)

Mark Zef Sopjani (26.4.1960 – 4.9.1998)

Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me aktivitete luftarake guerile në fshatin Drenaj të Anadrinit më 26 prill të vitit 1998, mundësoi ” përshpejtimin e dinamikës të shtrirjes jo vetëm të Ushtrisë Çlirimtare kah Anadrini, por edhe të operacioneve që kishin për të dëshmuar prezencën e “Djelmoshave të Adem Jasharit” në akset e magjistraleve dhe të rajonaleve deri në kufirin shqiptaro- shqiptar. Kjo u reflektua që në hapin e parë, pra më 26 prill të vitit 1998 kur luftëtarët e lirisë, ndërsa lëviznin në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë, ndërmjet fshatrave Krushë e Vogël dhe Piranë, te ura mbi “Prronin e Keq” sulmuan dhe shkatërruan patrullën policore serboçetnike.

Më 12 maj të atij viti, në Betejën e Bardhatinit, më 14 maj në Betejën te “Qafa e Gardhishtit”, më 19 maj me rastin e përcjelljes së Ymer Delisë në Rahavec, më 6 qershor në Drinas, më 19 qershor në fshatin Kromnik, më 18 korrik në Betejën e Fortesës, më 19 korrik në “Betejën te Ujësjellësi i Rahavecit”, më 21 korrik gjatë “Betejës në Majën e Shkodranit”, më 25 korrik në Betejën te “Lugu i Shqipeve”, e më 3 shtator gjatë “Betejës në Qafën e Dëshmorëve” të Zatriqit, luftëtarët e lirisë zhvilluan një veprimtari të dendur logjistike, informative e operative në tërë territorin të cilin më vonë do ta mbulojë Brigada 124 “Gani Paçarizi” e Zonës Operative të Pashtrikut, e lindur në fshatin Drenaj të Zatriqit, dhe e shtrirë shumë shpejt në tërë arealin luftarak të Anadrinit.

Në betejat e përmendura të Anadrinit, veçanërisht gjatë luftimeve në drejtim të “Majës së Zatriqit”, si kah Burimi e Gurbardhi, ashtu edhe kah Palusha e Kromniku buzë Drinit të Bardhë, forcat serboçetnike pësuan humbje dhe shkatërrim total prandaj edhedetyrohen të tërhiqen. Gjatë luftimeve të fillimshtatorit, kah Zatriqi përjetësohen: Esat e Mazllum Kastrati dhe Xhafer Vehapi, në fshatin Palushë, përjetësohen: Shani Hoti e Afrim Bajraktari, ndërsa në brigjet e Drinit të Bardhë, në Rogovë të Hasit, më 3 shtator plagoset për vdekje Fehmi Berisha dhe afër fshatit Lugmir (ish-Dobidol) më 4 shtator përjetësohet edhe dëshmori i kombit, Mark Sopjani.

Dëshmori i kombit Mark Sopjani, i Zefit dhe i Diles, i vëllai i Nikollës dhe i Zojës, bashkëshort i Lizës, baba i Dolit, Bezhit, Eduardit, Musës dhe i Albertinës, është i lindur më 26 prill të vitit 1950. U lind në një familje me tradita patriotike; të parët e njohur për qëndrimet antiserbe të ndjekur prej pushtetit sllavokomunist prandaj edhe përherë të angazhuar në protestat kundër dhunës serboçetnike të instaluar veçanërisht pas “Kushtetutës së Gazimestanit” në Kosovë. Shkollën fillore, vetëm katër klasë, Marku i mbaroi në Drinas (ish-Ratkoc) dhe merrej me bujqësi, mirëpo ndjekjet, burgosjet e herëpashershme dhe mundësitë e kufizuara materiale që të merrej me bujqësi intensive e detyrojnë

Markun të marrë rrugën e kurbetit së bashku me të vëllain Nikollën, i cili kurrë nuk u kthye në Kosovë. Vdiq si i ndjekur edhe në Austri. Por me të dëgjuar për vrasjen e mësuesit Halit Geci, dhe me të parë “Treshin e Parë” që publikisht i drejtohet popullatës gjatë ceremonialit të përcjelljes së mësuesit dëshmor, edhe Mark Sopjani, i njohur si Markazefi braktis kurbetin dhe i kthehet Anadrinit dhe familjes në Lugmir (ish-Dobidol).

Menjëherë aktivizohet në kompaninë e Lugmirit e cila shtabin e kishte vendosur pikërisht në shtëpinë e Nikollë Sopjanit dhe së andejmi drejtoheshin operacionet luftarake të Grupit të Lugmirit.

Në moshën pesëdhjetëvjeçare udhëton për në Shqipëri së bashku me “Grupin e Mensur Zyberajt” dhe armatoset disa herë. Me që ishte i përgatitur, i stërvitur mirë për përdorimin e e shumë llojeve të armatimit, kyçet në aksionet e para dhe në frontet e Anadrinit që drejtoheshin nga Xhemë Gashi, Gani Paçarizi, Selim Krasniqi e Skënder Thaçi. Përveç kësaj Marku mori pjesë edhe në mbrojtjen e fshatit Vraniq të Dushkajës kur sulmohen Markalleshët. Së bashku me bashkëluftëtarët: Mensur Zyberaj, Bedrush Gashi, Feim Gashi, Afrim Gashi, Bajram Sallahu, Milaim Krasniqi, Xhevdet Morina, Skënder e Pajazit Thaçi, Smajl Krasniqi e Lekë Gashi, merr pjesë në çdo betejë të Rrafshit të Anadrinit, madje edhe deri në Frontin e Kijevës dhe të Qëndresës (ish- Gllarevës). Në çdo fushëbetejë Marku është shembullor; operativ dhe kooperativ, shok i mirë me të gjithë.

Por, pas luftimeve që divizioni famëkeq i Prizrenit zhvilloi kundër luftëtarëve të lirisë në arealin luftarak të Vrrinit, me Lez e Jeshkovë, forcat e mëdha të grumbulluara në hordhi të egra e barbare pretendojnë të shtrihen në fshatrat buzë Drinit të Bardhë e ta vënë nën kontroll aksin rrugor që fillon te “Ura e Fshajt” dhe mbaron te “Ura e Rakavinës”.

Brigada 124 “Gani Paçarizi”, veçanërisht Batalioni i Tretë i Drinasit, i komanduar nga Smajl Latifaj, dhe Togu i Zatriqit, i komanduar nga prof. dr. Idriz Vehapi, përqëndrohen për të mos i lëshuar pozicionet. Por nga “Ura e Rakavinës” (aksi i rajonale Klinë-Gjakovë) e “Bokat e Kromnikut”, forcat serboçetnike depërtojnë në afërsi të fshatit Çifllak dhe së andejmi pushtojnë kurrizin vreshtar “Rrezinat”, kodër kjo në të cilën pozicionojnë njësitin e motorizuar dhe tentojnë marrjen e Zatriqit, breshërojnë mbi popullatën civile të fshatrave Palushë (ish-Palluzhë), Rudinë (ish-Pastasel), Dejë, Boboc e Lugmir, madje deri në Breg të Drinit.

Këmbësoria serboçetnike përpiqej që Zatriqin ta marrë duke sulmuar në të gjitha drejtimet, por veçanërisht nga “Rrasdoli” e nga “Podi i Dushkajës” (Rahavec) dhe kështu gjatë luftimeve në “Qafën e Dëshmorëve” përjetësohen zatriqasit: Esati, Mazllumi e Xhaferi, e bri një rruge që shkon në drejtimin Palushë-Guri i Kuq, te “Shkoza e Doganit” përjetësohen palushasit Shani Hoti e Afrim Bajraktari, në afërsi të Boboceve, te “Livadhi i Linohut”, përjetësohet Arben Sadri Bytyçi me motrën Leonorë, ndërsa në orët e pasditës, kah ora 15.00 te “Llugar e Drinit” përjetësohet dëshmori Mark Zef Sopjani, rezistencën e të cilit e panë shokët dhe të gjithë dëshmojnë se luftoi deri në fishekun e fundit. Shokët, në krye me Skënder Thaçin e plagosur, arrijnë për ta tërhequr dhe vendosur në një vend të sigurt trupin e pajetë të

Markut, ndërsa më 5 shtator kompania organizon ceremonialin e përcjelljes ushtarake të shokut dhe bashkëluftëtarin Mark Sopjani. Sot, Mark Sopjanin dhe emrin e tij, krahas epitetit madhështor “Dëshmor i Kombit” e nderon medalja e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Medalja e Zonës Operative të Pashtrikut dhe ajo e Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, ndërsa po ky emër e nderon edhe njërën prej rrugëve të Rahavecit, e me shkrimet e veta Mark Sopjanin e nderuan krijuesit si Agim Metbala, Milazim Bajraj, e Miftar Thaçi. Në qendër të fshatit Lugmir, bri cepit të rrugës ku u zhvillua lufta, në Lugmir shkëlqen edhe lapidari i ngritur për dëshmorin Mark Sopjani, lapidar ky që flet për Markun dhe luftën e dëshmorëve të Anadrinit. (S.C)