muqa 900
rkl vala loja shperblyese
driloni com
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Maxhun Malë Çekaj (10.5.1941 – 11.8.1998)
Maxhun Malë Çekaj (10.5.1941 – 11.8.1998)

Maxhun Malë Çekaj (10.5.1941 – 11.8.1998)

Fshati Irzniq i komunës së Deçanit, para fillimit të luftës në Kosovë ishte ndër fshatrat e mëdha të komunës së Deçanit me rrethinë. Më herët kishte statusin e komunës, kishte zyrën e vendit, e cila u shkatërrua tërësisht, ambulancën, postën e policisë (ndër më famëkëqijat në këtë trevë në periudhën e okupimit serb), kooperativën bujqësore “Përparimi”, xhaminë, shkollën fillore me një traditë të hershme dhe gjimnazin, paralele e ndarë e shkollës “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Në këtë fshat, u lind, jetoi, punoi dhe veproi derisa ra heroikisht dëshmori i kombit, Maxhun Çekaj.

Dëshmori i kombit, Maxhun Çekaj u lind më 10 maj të vitit 1941. Prindërit e tij, Malë Zekë Çekaj dhe Zyhra Jahë Binaku-Çekaj, i lindën dhe i rritën katër fëmijë: Sahitin, Rrustemin, Abazin dhe Maxhunin.

Dëshmori shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollën normale e kreu në Prishtinë në vitin 1964, ndërkaq shkollën e lartë drejtimi Histori-Gjeografi e kreu në SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë. Në vitin 1968 e kreu shërbimin ushtarak në Maribor të Sllovenisë, gjatë së cilës kohë kreu edhe shkollën për oficer rezervë. Ndërkohë e kreu edhe Fakultetin e Mbrojtjes dhe të Sigurisë në Beograd të Serbisë.

Që nga viti 1962 e deri në vitin 1998 Maxhuni punoi me ditar në dorë në edukimin e brezave të rinj. Në cilësinë e mësuesit klasor, në shkollën fillore në Lumbardh punoi në vitet 1962-1963; në Irzniq punoi nga viti 1963 deri në vitin 1980 (fillimisht si mësues klase e më vonë në cilësinë e arsimtarit të lëndëve histori e gjeografi), ndërkaq që nga viti 1980 u punësua në Gjimnzin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ku nxënësit i mësoi për lëndën e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, deri në prag të rënies heroike.

Maxhuni i takon plejadës së intelektualëve të devotshëm, të cilët, pa u hamendur iu bashkuan radhëve të UÇK-së, disa prej të cilëve patën fatin e shenjtë të bien dëshmorë lirie, siç e pati edhe ai.

I dalluar si njeri me tipare të larta njerëzore dhe intelektual me një vetëdije të lartë kombëtare, që nga viti 1992 kishte bërë planin ushtarak për mbrojtje nga pushtuesi serb, në kuadër të fshatit. Për këtë qëllim e kishte formuar edhe grupin për organizimin e kësaj mbrojtjeje, i cili përbëhej nga Maxhun Çekaj, Bajram Dacaj, Shefqet Haskaj, Dinë Osman Çekaj, Beqir Berisha etj., të cilët kishin marrë detyra konkrete që në rast të ndonjë konflikti të armatosur për t’i dalë në ndihmë popullatës, aq më tepër kur në fshatin e tyre ishte e vendosur edhe posta e policisë serbe, me nam të keq për brutalitetin, keqtrajtimet dhe maltretimet e panumërta ndaj popullatës shqiptare të kësaj ane. Këtij plani dhe organizimi të bërë nga Maxhuni, asnjëherë nuk i ra në gjurmë policia serbe.

Me t’u dhënë kushtrimi i luftës për liri, Maxhun, pa asnjë hezitim, ndër të parët iu bashkua njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë arsye largohet me vetëdëshirë procesi mësimor, lë ditarin dhe nxënësit dhe kap armët e lirisë, për t’i dalë zot vendit.

Menjëherë pas betejës së 24 marsit 1998, në Gllogjan, ku pas më se dhjetë orë luftimesh të ashpra, forcat serbe u detyruan të tërhiqen me turp, pa dyshim se banorët e fshatit Irzniq, ishin ndër të parët që u mobilizuan masivisht dhe iu bashkuan luftës për liri. Maxhuni u emërua komandant i Shtabit lokal të UÇK-së për Irzniq. Për disa muaj me radhë ky fshat u shndërrua në njërën ndër bazat më të forta të UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, ku ishte i vendosur Spitali Ushtarak i Zonës, Selia e Policisë Ushtarake të ZOD-it, Selia e Njësisë Speciale për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e Zeza”, etj. Po ashtu, këso kohe në këtë fshat u strehuan qindra të zhvendosur nga lufta.

Luftëtarët e Irzniqit, nën drejtimin e Maxhun Çekajt morën pjesë në shumë fronte të luftës anekënd Dukagjinit, të cilat shpeshherë i lanë me gjakun e tyre. Përveç mbajtjes së përhershme të pozicioneve të luftës në vijën e parë të frontit, tepër të papërshtatshme e të rrezikshme në Gerdaja të Carrabregut, ku komandanti Maxhun Çekaj ishte emëruar nga Komanda e Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit, prgjegjës për këtë vijë të frontit, njësitet ushtarake nga ky fshat morën pjesë vullnetarisht në luftimet e zhvilluara në Baballoç, Prejlep, Rastavicë, Deçan, Carrabreg, Kryshec, Strellc, Voksh, Ratishë, Shqiponjë, Dashinoc, Pozhar, Lumbardh e kudo ku e kërkonte nevoja.

Ofensivat e gushtit të vitit 1998 ishin ndër më të ashprat, ku forcat serbe kishin mobilizuar mbi 5 mijë këmbësorë. Me ta ishte edhe brigada e përbërë nga mercenarë rusë e të tjerë të përgatitur mirë e të armatosur gjer në dhëmbë, të përcjellë me njësi të motorizuara me dhjetëra tanke, praga e mjete të tjera të blinduara të cilat mbuloheshin nga granatimet e artilerisë së kombinuar, të cilët ia kishin mësyrë edhe pikës së Gerdajave, ku i kishte pozicionet Maxhun Çekaj me 50-60 ushtarë të UÇK-së, të cilët për disa orë me radhë i bënë ballë sulmit të armikut serb, me ç’rast u vranë mbi 20 paramilitarë serbë. Pas 12 orë luftimesh të pabarabarta, në Gerdaja (ndërmjet fshatrave Carrabreg e Prejlep), më 11 gusht të vitit 1998, bie heroikisht dëshmori Maxhun Çekaj. Aty bie dëshmor edhe Naser Idrizaj nga Kodralia, ndërkaq merr plagë vdekjeprurëse Gëzim Dervishaj nga Irzniqi.

Dëshmori i kombit Maxhun Çekaj është varrosur me nderime të larta ushtarake, natën e 11 gushtit 1998 në vendlindjen e tij, në Irzniq. Ai la pas vetes gruan, Fatime Qufaj-Çekaj dhe gjashtë fëmijët, pesë vajza e një djalë: Violetën, Teutën, Mirlindën, Florindën, Orhanin dhe Argjirën. Emrin e dëshmorit e mban nipi i tij, i biri i Orhanit, Maxhuni i dytë.

Familjes së dëshmorit i janë ndarë mirënjohje të shumta për djalin e vëllanë dëshmor, si nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇK-së, Komanda e Zonës së Tretë të Mbrojtjes e TMK-së, Komanda e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Komuna e Deçanit, etj.

Dëshmori Maxhun Çekaj është përjetësuar në dhjetëra krijime letrare, në këngë e poezi. Sot trupi i tij prehet në Varrezat e Dëshmorëve të kombit në Irzniq, krahas bashkëluftëtarëve të tjerë dëshmorë, ku në shenjë kujtimi e nderimi, më 11 gusht 2007, u bë përurimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve e Martirëve të fshatit Irzniq, ku është i skalitur edhe portreti i dëshmorit Maxhun Çekaj. Emrin e tij e mban një rrugë në fshatin e tij të lindjes. Po ashtu edhe në vendin e rënies së lavdishme, heroizmi i tij është përjetësuar me pllakë përkujtimore. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Xhelal Bajram Hajda - Toni (19.07.1967 - 6.11.1998)

Xhelal Bajram Hajda – Toni (19.07.1967 – 6.11.1998)

Xhelal Bajram Hajda, i njohur si ’’Kolonel Toni’’ si ’’Komandant Toni’’ e si ’’Toni’’ është ...