muqa 900
mbpzhr
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Mazllum Alush Kastrati (6.9.1979 – 3.9.1998)
Mazllum Alush Kastrati (6.9.1979 - 3.9.1998)

Mazllum Alush Kastrati (6.9.1979 – 3.9.1998)

Pothuajse asnjë rrebesh mbi fshatin Zatriq, nuk mbeti pa lënë gjurmë kobi e tmerri të llahtarshëm, si në Zatriq ashtu edhe në fshatrat përreth e në tërë Anadrinin. Zatriqi është fshati i Dan Zatriqit të njohur në këngët tona të epikës historike, është fshat që shtrihet në majat më të larta të Anadrinit, të masivit që ndan Anadrinin prej Llapushe, e së andejmi është pika më e rëndësishme strategjike prej nga shihen si në pëllëmbë të dorës, jo vetëm Anadrini e Llapusha por edhe gjysma e Rrafshit të Dukagjinit dhe tërë Pashtriku, prandaj “Maja e Zezë” e këtij fshati ishte e lakmueshme për çdo pushtues. Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtjen heroike të kësaj maje dhe të fshatit Zatriq, u përjetësuan: Visar Hoti e Safet Latifi të Drinasit, Esat Kastrati, Xhafer Vehapi e Mazllum Kastrati, të tre nga Zatriqi. Megjithatë Zatriqi, me kompaninë e vet asnjëherë nuk u mposht, por luftëtarët e lirisë qenë barikaduar në “Qafën e Dëshmorëve” dhe aty u përjetësua në altarin e lirisë edhe Mazllum Kastrati.
Dëshmori Mazllum Kastrati i xha Alushit dhe i nënës Kumrije, bijë e Berishëve të Kromnikut të Anadrinit, i vëllai i Izetit, Miradisë, Lumnisë dhe Shqipes, është i lindur më 6 shtator të vitit 1979 në fshatin Zatriq. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Rahovec, në shkollën që sot mban emrin “Xhelal Hajda-Toni”, të cilin Mazllumi e Esat Kastrati, së bashku me Xhafer Vehapin, dëshmorë të kombit, e kishte shok, bashkëluftar dhe komandant.
Mazllumi nuk kishte kushte për t’i vazhduar studimet, prandaj edhe ëndërroi rrugën e mërgimit ku i kishte mërguar edhe i ati, Alushi, kurbetçar në Gjermani, Por, aksioni i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 26 prill të vitit 1998, i filluar prej fshatit Drenaj, nën Zatriq e i përfunduar në aksin rrugor Prizren-Gjakovë, te “Ura e Piranës”, bëri që shumë të rinj të Anadrinit, ashtu si Mazllum Kastrati, në moshën shumë të re, t’i braktisin planet e mërgimit, bankat e shkollave të mesme dhe amfiteatrot e fakulteteve dhe kështu të shtegtojnë për t’u armatosur, sepse liria u ishte më e domosdoshme sesa dija dhe paratë e kurbetit. Kështu veproi edhe Mazllum Kastrati. Vendimit të tij i ndihmoi edhe kazermimi i formacionit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Drenaj, përgatitja e stërvitoreve në Zatriq dhe Drenaj, bartja e armatimit dhe shumë operacione të tjera që shënojnë hapat e parë të shtegtimit të Mazllum Kastratit nëpër shtegun kah liria. Në kompaninë e fshatit Zatriq, Mazllumi ishte së bashku me Esatin e Xhaferin, dëshmorë të kombit, dhe me Agim, Mehmet, Veli e Avni Spahiun, Eshrafedin, Shefqet, Asllan, Haki, Selajdin, Hasan e Bahtjar Kastratin, Shefqet e Sami Shabanin, Mensur Zyberajn, Bedrush Gashin, Feim Gashin, Isuf Berishën e me shumë luftëtarë të tjerë, dëshmorë, invalidë të luftës e veteranë të burgosur që u dergjen apo vazhdojnë të dergjen në kazamatet prej Dubrave deri në Schveringen.
Krismat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicën e Komandantit Legjendar Adem Jashari e në Gllogjanin e Luan Haradinjt, Mazllumin e gjetën maturant të gimnazit, prandaj edhe i ra hise e rëndë: të maturohet në Bjeshkët e Zatraiqit, në lugjet e Akavaneve dhe në “Qafën e Dëshmorëve”.
Në betejën e 12 majit 1998 që u zhvillua ndërmjet Bardhatinit dhe Franajakës, afër fshatit Drinas, Mazllum Kastrati zbriti së bashku me shokët dhe braktisi “Majën e Zezë” dhe për herë të parë luftëtarët e Zatriqit u ballafaquan me krismat serboçetnike në Gardhishtë te “Ura e Fshejt” kur përjetësohen dëshmorët e parë të Anadrinit, prej Gexhe deri te “Lugu i Bardhatinit”: Mehedin Morina i Gllarevës, Milaim Krasniqi i Rudinës dhe Elmi Morina i Franajkës. Por hordhitë serboçetnike u thyen në lugjet ndërmjet Bardhatinit dhe Franajakës.
I këtillë ishte Mazllumi edhe në betejat e tjera të araelit luftarak të Anadrinit prej 14 majit të vitit 1998 e deri më 3 shtator të vitit 1998. Këtë ditë, forca të mëdha policore, ushtarake e paramilitare serboçetnike, ia mësynë fshatit Zatriq, duke e rrahur nga të gjitha anët: nga Gurbardhi i Llapushës, nga Panorci, nga Kromniku, nga Burimi i Epërm, nga Nushpali, nga Drenajt, nga Rudina, nga Frashnjeti, nga Guri i Kuq dhe Besniku dhe kështu të pëfunduan tërë atë që serboçetnikëve u pati mbetur pa u përfunduar ndaj gjyshërve të zatriqasve, në fund të muajit ramazan të vitit 1919.
Mazllum Kastrati, më 3 shtator zuri pozicionet së bashku me shokët kah “Lugu i Batares”, “Maja e Akavaneve”, “Maja e Zezë”, “Vorri i Bali Agës” e “Rrasdoli”. Grupi i Esatit dhe i Mazllum Kastratit, së bashku me Xhafer Vehapin, dëshmorë të kombit, vlerësuan potencialet granatuese që priteshin mbi fshatin Zatriq me gjuajtje së largu duke mbajtur në shënjesët “Rrasat e Rahovecit”, “Majën e Shkodranit”, “Lugun e Shqipeve” dhe udhët fushore në kurrizin e “Malit të Madh” e “Malit të Vogël”, prej nga pritej këmbësoria serboçetnike, ngase në këto pjesë me decenie kishin qenë kampet stërvitore të Ushtrisë Jugosllave.
Tre shtatorit i vitit 1998, agoi me granatime mbi çdo pëllëmbë të “Maqinave” për të arritur “Majën e Zezë”, ndërsa kombësoria dështake e thyer nga djelmoshat e Zatriqit, nuk arriti ta kalojë “Lugun e Batareve”, por granatimet goditën grupin e Mazllum Kastratit (Esatin e Kastratëve dhe Xhafer Vehapin). Bashkëluftëtarët arritën t’i zbulojnë trupat e tre dëshmorëve dhe i përcollën me nderime në “Kopshtin e Dëshmorëve” në fshatin Zatriq, ndërsa sot lapidari i madh në “Qafën e Dëshmorëve” flet për luftën e zatriqasve, ndërsa këngët për dëshmorët e fshatit-kështjellë të Anadrinit, jehojnë nëpër festivale e tubime solemne.
Nëna e dëshmorit Mazllum Kastrati, Kumrija, në odën e Alush Kastratit ruan uniformën e Mazllumit, një varg fotografish dhe mirënjohjet nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nga Zona Operative e Pashtrikut dhe nga Brigada 124 “Gani Paçarizi”. Mbrojtja e këtillë heroike e fshatit Zatriq dhe rënia e dëshmorëve me në krye Mazllum Kastratin është edhe një fakt se në histori asgjë nuk zhvillohet rastësisht “Dardha pikë nën dardhë” dhe se me të vërtetë “Nami është i pashë Maliqit, por shpata e Dan Zatriqit” atëherë kur luftëtarët e Anadrinit qenë nisur “Prej Prokuple deri n’Nish”, prandaj edhe fshati Zatriq mbeti halë në sy për serboçetnikët e viteve 1913, 1919, 1945, 1998 dhe në fund edhe më 1999, e për të githa këto, përveç këngëve flasin edhe lapidarët, si ai i ngritur më 1992 kushtuar të rënëve më 1913 e deri më 1945 të cilin e rrënuan forcat serboçetnike, ashtu edhe lapidari i ri i ngritur në “Qafën e Dëshmorëve”. (S. C.)