Familja Meha

Mehmet Bislimi: Tri gjenerata: Emin Lati, Nebih Meha dhe bijtë: Tahir Meha e Beqir Meha

Qëndresa e Tahirit i dha fuqi e guxim të pashembullt popullit shqiptar në atë pranverë të përgjakur drejt përgatitjes për luftë të mëtejme shumëdimensionale kundër pushtuesit serb. Ai bëri të ditur edhe njëherë se me serbin nuk ka zgjidhje tjetër dhe kjo zgjidhje e imponuar është vetëm lufta. Pushka e Tahir Mehës la të vrarë 13 majin e pushtuesit dhe ngriti një 13 maj shqiptar me heroizmin dhe kushtrimin për luftë të pa kompromis ndaj të gjithë atyre që kishin shkelur tokat tona me çizme ushtarake. Ata dhanë shembullin personal se shqiptarët e duan lirinë më shumë se jetën, prandaj edhe flijohen për të!

 

Tahiri nuk e bëri luftën për emër e nam, për këngë e histori, por emri, nami, kënga e historia lindën në themelet e kullës së tij?! Gjyshi i tij Emin Lati – Meha, ishte bashkëluftëtar i Azem Bejtë Galicës ndërsa babai i tij Nebihu ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, dhe më vonë i vëllai i Tahirit, Beqiri që ishte i përndjekur politik, u rreshtua në radhët e UÇK-së, ai luftoi edhe në emër të të vëllait Tahirit, dhe në emër të babait Nebihut, dhe ra me pushkë në dorë për tokat shqiptare – dëshmor i kombit! A ka diçka më madhështore, diçka më hyjnore, diçka më fisnike e fascionuese; në altarin e lirisë së atdheut u fljiuan tre breza me radhë; Gjyshi, babai dhe i biri?!… Tahiri kishte brumin e një familje atdhetare të dëshmuar kombëtarisht, idealin dhe misionin e së cilës ishte i obliguar ta shpie përpara. Tahiri e deshi jetën si edhe të tjerët por mbi të gjitha ai e deshi lirinë e atdheut të vet për të cilin edhe u flijua me heroizëm të paparë!…

Tahir Meha, babai i tij e dhjetëra dëshmorë të tjerë, që janë mburrja jonë, kanë mbetur pa një status dhe kujdes institucional të institucioneve që u ngritën mbi gjakun e tyre. E si për ironi përfaqësuesit e institucioneve tona, kur vjen marsi, maji, nëntori… këta vihen në radhë, e vihen në garë se kush do të shkojë më parë tek varrezat e dëshmorëve tanë për bërë një përkulje krejt servile e indiferente! Përfaqësuesit e institucioneve tona, nuk i vret ndërgjegjja fare për obligimin e papërmbushur përballë Tahir Mehës dhe dhjetëra dëshmorëve tjerë. Mos të harrojmë se ata nuk ranë për dekorata, as për tituj, as për pozita politike. Ata ranë thjeshtë për lirinë e atdheut, duke vënë jetën e tyre në themelet e forta të Shqipërisë e cila pa dyshim se do të bëhet një ditë. Nuk ka çmim tjetër që shpaguan sakrificën e tyre më sublime në shërbim të atdheut përveç lirisë dhe bashkimit kombëtar!

 

Kulla e Tahir Mehës dhe e Mehajve të Prekazit

Edhe kulla e Tahir Mehës ka historikun e vet, sa të dhimbshëm, por edhe krenar e kryelartë. Kjo kullë së bashku me kullat tjera të rezistencës sonë kombëtare, deri te kulla e Komandantit Legjendar Adem Jashari, bënë historinë tonë duke nxjerr nga gjiri i tyre luftëtarët me të denjë të lirisë. Sigurisht se themelet e saja datojnë që nga stërgjyshërit e largët të Tahir Mehës, pra që nga prindërit e Mehës së pare. Mirëpo. pas djegies së saj nga ushtria e Aqif Pasha Turgutit e deri te djegiet pasuese që ia bënë asaj nga xhandarmëria e Serbisë së parë, menjëherë pas kongresit të Berlinit. Kështu që në Kosovë filloi fushat e vrasjeve dhe djegieve të qendrave tonë të rezistencës që kryesisht organizoheshin dhe mbaheshin nëpër kulla ku merreshin vendime të mëdha historike për popullin shqiptarë, si në kullën e Ahmet Delisë, ku Hasan Prishtina kishte mbledhur parinë e Drenicës për të marrë vendime të prera për një kryengritje të përgjithshme kundër pushtuesit Serb.

Pas djegies së kullës së Mehës së parë dhe ngritjes së saj të sërishme, ajo ishte djegur prapë nga Serbia e Karpateve.

Emin Lati me shokë, merr vendimin që kullën e legjendës ta rindërtonin përsëri , që në vitin 1913, punimet për ngritjen e kullës vazhduan dhe kulla ishte gati për banim në pranverë të vitit 1916.

Në ngritjen e saj kontribuan lagjja Mehaj, miqtë dhe shokët e bashkëluftëtarët e Emin Latit, gjyshit të Tahir Mehës.. Në pranverën e viti 1916 përurimin e kullës e bënë bashkëluftëtarët e Emin Latit, atëbotë Shaqir Smaka, Azem Bejta, Mehmet Delia, Fazli Berani, Rifat Banjska, Shaban Manxholli, Mursel Delia, Xhemë Ternavci, Halit Bajrami, Bajram Zena, Lim Qerimi e dhjetëra bashkëluftëtarë tjerë të Emin Latit.

Në këtë kullë kanë bërë konak dhjetëra figura të larta kombëtare, ku janë marrë vendime të rëndësishme kombëtare si: Hasan Prishtina, Azem Bejta, Mehmet Delia, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica e deri te Shaban Jashari me dy të bijtë. Këtu kanë gdhirë net të tëra burrat e dheut, duke qarë hallet e vatanit!

Kulla e Emin Latit ishte djegur prapë në vitin 1945, nga Çetniko komunistët Jugosllav. Serbia familjen e Emin Latit – Mehaj e kishte pengesë të vazhdueshme, prandaj filloi fushatën kundër saj, por tani me metoda më të sofistikuar duke e goditur atë në brezin pasues! Nebih Meha, ishte bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, dhe pasi që kishte shpëtuar gjallë, filloi zbatimi i masave kundër familjes së Emin Latit. Në fakt kullën e djegur me 1945 e ngritën prapë lagjja Mehaj me vet kontributin e tyre- mbase jo në atë arkitekturë që kishte më parë, ngase pushteti komunist i Jugosllvit nuk i lejoi. Me 13 maj 1981, kulla e Tahir Mehës digjet serish po nga pushteti serb për t’u kthyer tani më në Kulla Legjendë e Tahir Mehës nga Prekazi. Origjina e Mehës së parë Që nga Meha i parë i cili në luftime të rrepta me xhandarmërinë Serbe, bie heroikisht me 1912 në fshatin Kollë, aty plagosët rëndë edhe i vëllai i Mehës, Emin Lati i cili i vazhdon përpjekjet e tij për liri në radhët e çetës së Azem Bejtë Galicës. Ndërkaq më pastaj i biri Nebihu vazhdon përpjekjet për liri të atdheut si bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës.

Me 1951, UDB-ja e atëhershme Jugosllave fillon persekutimet kundër familjes së Emin Latit, duke e izoluar atë ekonomikisht dhe politikisht. Kështu, me 1951 ia arreston dhe dënon me vite burg të rëndë, Mehmetin, djalin e vogël të Eminit. Me 1959, ia arreston dhe dënon me vite burg të rëndë në Goli-Otok, edhe djalin e madh të Nebihut, Beqirin. Reprezaljet e pushtuesit serbosllav kundër Mehajve nuk pushuan me kaq, me 13 maj 1981, Policia dhe Ushtria Jugosllave, rrethojnë kullën e Tahir Mehës dhe vrasin Nebih e Tahir Mehën, babë e birë, ua djegin atyre kullën dhe plagosin rëndë vajzën e mitur të Tahirit.

Në këto luftime, pushteti i atëhershëm Jugosllav mori një leksion të mirë nga Tahiri dhe Nebihu.  Origjina e Emin Latit – Mehaj, po ringjallej, si Feniksi. Rrugën e lirisë së atdheut në radhët e UÇK-së i vazhdoi Beqiri , i cili ra heroikisht me pushkë në dorë në fushën e nderit më 1999. Plagoset i biri i tij, Enveri, ndërkaq stërnipi i Emin Latit- Plak, sot Emin Lati- i ri, bartë me nder petkat e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, i cili edhe pse në moshë të re atëbotë, po ashtu pa hezitim ishte bashkangjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequra nga Komandanti ynë Legjendar, Adem Jashari.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …