Mehmet Pashë Deralla, personalitet meritor i luftës për liri dhe bashkim kombëtar (1843-1914)

Mehmet Pashë Deralla, personalitet meritor i luftës për liri dhe bashkim kombëtar (1843-1914)

Mehmet Deralla lindi më 1843 në Gradec të Gostivarit.  Shkollën fillore e kreu në Tetovë, ndërsa shkollën e mesme  në Shkup. Më pas regjistroi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me sukses meritor. Pas kryerjes së Akademisë për disa vite rresht ka shërbyer  në një regjiment këmbësorie në Anadoll. Ndërkohë  ka  ndjekur shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi. Suksesi në karrierë falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin Mehemtin që në moshën 35-vjeçare të përligjte kualitetet e titullit të “Pashait”, që nënkuptonte atë të gjeneralit. I graduar kështu me gradën më të lartë të kohës do të niste nga detyrat e reja që do t’i besonte komanda e lartë, fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë për t’u transferuar më tej në Selanik, i cili në atë periudhë përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan. Prej Selanikut Mehmet Pashë Deralla, do të merrte emërimin në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij, në Shkup për të vijuar më vonë në funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë edhe Tetova, Gjakova dhe Luma. Pikërisht me këtë detyrë gjeneral Deralla, do t’i jepte fund karrieres si oficer i Ushtrisë osmane. Më tej, për të fillon një karrierë tjetër, me një profil të ri. Ai në shenjë proteste hoqi spaletat dhe yjet e gjeneralit të Ushtrisë turke dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Pas këtij momenti gjenerali u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Jemi në kohën kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare kulmonte një moment historik. Mehmet Pashë Deralla u caktua këshilltar i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të kabinetit qeveritar, Në të njëjtën linjë vazhdon aktiviteti atdhetar i Mehmet Derallës edhe pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit nga ushtria osmane e dërguar nga Stambolli. Prej këtij momenti trishtues, gjenerali Dërralla do të kontribuonte në Lidhjen e Pejës. Janë përpjekjet e personaliteteve shqiptare të vitit 1899, të cilët në drejtimin e Haxhi Zekës, ndërmorën aksionin për të realizuar atë që nuk mundi ta bënte Lidhja e Prizrenit. Sidoqoftë përballë taboreve osmane, kjo lëvizje detyrohet të dështojë. Në këtë krizë Mehmet Pashë Deralla u kap nga forcat okupatore dhe u internua në shkretëtirat e Irakut prej nga u kthye aty nga viti 1908, falë një amnistie të përgjithshme, që u dha pas kryengritjes xhon-turke. Në situatën e mëvonnshme Mehmet Derallës, ju ofrua një funksion i lartë në ushtrinë osmane, por ai e refuzoi prerazi, duke vënë në dukje se, tanimë i përkiste tjetër kauze që kishte të bënte me idealin kombëtar.

Roli i Mehmet Pashë Derallës në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912. Ishin këto beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish- qendrës së vilajetit të Kosovës. Kryengritësit shqiptarë, tashmë tronditën tërë mjedisin ballkanik, në të cilin faktori shqiptar filloi të bëhej i njohur.  Në fokusin e lëvizjes së tyre u vendos në këtë periudhë shpërfillja e hegjemonizmit të shteteve fqinje siç ishte, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, të cilat prej kohësh investonin për strategjinë e tyre që kishte të bënte me mohimin e ekzistencën e kombit shqiptar, në mënyrë që të zgjeronin territoret e tyre. Gjenerali Dëralla ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë veriore. Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi.

Në zanafillën e shtetit të ri shqiptar, me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, Kuvendi i mbledhur në Vlorë e në të cilin merrnin pjesë të gjitha viset shqiptare, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali, qe Mehmet Pashë Deralla, i propozuar në këtë post të lartë nga Isa Boletini. Gjatë kohës dhe në shumë dokumente arkivore të kohës, Deralla quhej dhe Kalkanderi, emër i Tetovës ku ai kishte lindur.

Në moshën 35-vjeçare u gradua Pasha i Perandorisë Osmane. Dita e Festës Kombëtare të Ushtrisë, 4 dhjetor 1912, kohë në të cilën qe ministër Mbrojtje, lidhet dhe me emrin e kontributin e Mehmet Derallës.

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …