Menhend Osman Dërvishaj (17.10.1974 - 28.5.1999)

Menhend Osman Dërvishaj (17.10.1974 – 28.5.1999)

Flijimi për çlirimin e Kosovës, i tre vëllezërve Dërvishaj, Mentorit, Menderesit e Menhendit, nga Zabllaçi i komunës së Burimit, dëshmoi se prindërit e tyre, Osmani e Naxhia, kishin rritur djem për luftë dhe po për luftën kishin bërë edhe pasurinë. Në këtë çerdhe të familjes atdhetare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjeti bazën e sigurt dhe mbështetje të fortë.
Kur krismat e luftës çlirimtare po jehonin në Drenicë, në Dukagjin e në zona të tjera dhe kur tashmë, studenti i deriatëhershëm i Universitetit të Prishtinës, Mentori, kishte zënë pozicionin në istikamet e kësaj lufte, për betejat e ardhshme po përgatitej edhe dëshmori Menhend Dërvishaj. Një ditë, Menhendi i ishte drejtuar të atit, Osmanit, me kërkesën që t’ia jepte 3 mijë marka gjermane. Ndonëse kishte parandjenjën se i ati mund ta merrte me mend se ç’i nevojiteshin atij këto para, si për të arsyetuar kërkesën, ai kishte vazhduar: “Lufta do para, baba!”. Më tutje, Menhendi sqaron se paratë i duheshin për të blerë një armë snajperike, meqenëse, siç ishte shprehur në atë rast, automatiku as që konsiderohej armë. Me këto fjalë nënçmuese për automatikun, ai dëshiron t’ia bëjë me dije të atit se sa të mëdha ishin nevojat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për armatim cilësor. Kërkesa të tilla, Osmanit i kishin shtruar të bijtë edhe herat e tjera. Dhe ai nuk mund të mos u përgjigjej atyre, pasi, tekefundit, edhe për këto nevoja, në atë kohë po derdhnin djersën e tyre në Perëndim, dy djemtë më të mëdhenj, Menda dhe Menderesi.
Pas mobilizimit të Mentorit në radhët e UÇK-së, Menhendi mban lidhjet me të dhe ndërkohë angazhohet edhe në detyra të caktuara në fshatin e tij e në vendbanimet përreth. Ai përcjell situatën në këtë trevë, duke bërë vëzhgimin e terrenit, por organizon edhe furnizimin e fshehtë të UÇK-së me armatim e me mjete të tjera lufte. Këtë aktivitet e vazhdoi deri në maj të vitit 1998, kur u radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjan. Tash e tutje, pozicionet ushtarake të UÇK-së në Gllogjan, në Shqiponjë (ish-Jabllanicë) e në fshatrat e Rekës së Keqe, Junik, Smolicë, Voksh, Gjocaj, Jasiq e në vende të tjera të zonës së Dukagjinit, do të jenë më të forta edhe për një ushtar lirie. Së bashku me të, në zonën ushtarake të Dukagjinit, në detyra ushtarake ishte inkuadruar edhe bashkëfshatari i tij bashkëluftëtar, Bajram Mehmetaj.
Dy muaj pas shkuarjes në front, Menhendi mori lajmin për rënien e të vëllait, Mentorit. Ky lajm nuk e ligështoi atë, sepse ai ishte i vetëdijshëm për faktin se lufta për çlirim ushqehet me gjakun e dëshmorëve. Ai nuk do të humbë forcën e zemrës për të luftuar as në rastin kur, tri javë para se të binte edhe vetë, merr lajmin për rënien edhe të vëllait tjetër, Menderesit. Prandaj vazhdoi betejat.
Menhendi mori pjesë në luftime, në shumë prej vijave të frontit në zonën e Dukagjinit dhe kudo dha shembullin e luftëtarit të vendosur për ta shpënë luftën deri në fund. Ai e kishte trajtuar si akt qyqar e kapitullimi dorëzimin e armëve, si dhe dezertimin nga lufta të një pjese të komandës së shtabit të UÇK-së për zonën e Dukagjinit, pas ofensivës së pushtuesit, në vjeshtë të vitit 1998.
Në kuadrin e konsolidimit të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, pas çorientimit të shkaktuar nga këto akte të dezertimit, Menhendi ishte ndër luftëtarët që u angazhuan për shtrirjen e organizimit të UÇK-së edhe në trevën e komunës së Burimit, si dhe për formimin e brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, e cila do të operojë në këtë trevë. Pas formimit të kësaj brigade, ai veproi në kuadrin e saj, duke u shquar në beteja të shumta kundër forcave të pushtuesit. Përkrah kishte shumë shokë të armës, si Avni Elezaj, Labinot Elshani, Abedin Dërvishaj e të tjerë. Në këtë kohë, Menhendi ishte zëvendëskomandant i njësisë speciale të Brigadës 133.
Ofensiva, të cilën pushtuesi e ndërmori në shkallë të gjerë, kundër pozicioneve të UÇK-së në Tedel (ish-Vrellë), Studenicë e në vende të tjera të komunës së Burimit, më 12 prill të vitit 1999, e detyroi brigadën 133 “Adrian Krasniqi” ta ndërrojë taktikën e veprimit. Pas kësaj date, pjesëtarët e kësaj brigade u përqendruan në aksionet guerile, godit e tërhiqu. Në këtë formë të luftimit u dallua sidomos njësia speciale e Brigadës, ku bënte pjesë edhe Menhendi. Ajo ndërmori sulme kundër forcave serbe, pothuajse në të gjitha vendpozicionimet e tyre. Një sulm i tillë u ndërmor edhe në fshatin Ozdrim, buzë lumit Dri, në lagjen Elshani, më 28 maj të vitit 1999. Në shkëmbim zjarri me militarët serbë, me ç’rast pësojnë disa prej tyre, Menhendi goditet nga plumbat e armikut dhe bie në fushën e nderit, ndërsa bashkëluftëtari i tij, Labinot Elshani, mori 8 plagë në trup. Në këtë luftim të ashpër, bashkëluftëtarët nuk arrijnë ta tërheqin trupin e shokut të tyre të rënë. Ai kapet dhe varroset në varrezat e qytetit të Pejës. Mbi varr ishte shënuar emri e mbiemri i dëshmorit, si dhe numri identifikues. Identifikimi i tij u bë pas përfundimit të luftës dhe më 16 korrik të vitit 1999 u rivarros në varrezat e fshatit Zabllaq, aty ku kishte lindur, ku ishte rritur e edukuar për ta luftuar pushtuesin serb. Po në këtë ditë, në këto varreza, përkrah trupit të Menhendit, u rivarros edhe trupi i vëllait të tij dëshmor, Mentorit, i rënë një vit më herët, në vijën e frontit në Hade të Kastriotit (ish-Obiliq). Pranë dy vëllezërve dëshmorë, më 8 shtator të vitit 1999, do të rivarroset edhe vëllai i tretë dëshmor, Menderesi, i rënë tri javë para se të binte Menhendi, në Trubuhovc të Burimit. Trupat e këtyre tre dëshmorëve prehen në amshueshmëri pranë njëri-tjetrit, ndërsa kujtimin për ta e lartësojnë përmendoret e ngritura mbi varret e tyre.
Në front dhe në aksione sulmi, Menhendi përdorte armën snajperike, por ishte i pajisur edhe me bomba dore e me armatim tjetër personal. Snajperkën e tij e trashëgoi bashkëluftëtari, Bekë Berisha, të cilën ai ia kishte dhënë me rastin e një aksioni gueril, në fshatin Ozdrim.
Dëshmori Menhend Dërvishaj, shkollimin fillor e ka kryer në fshatin e afërt, Zallq, ndërsa shkollën e mesme, në Gurrakoc. Ai ishte i dashur e i hareshëm. Që nga fëmijëria, në familje e kishin thirrur me nofkën “Puçi”. Kështu do ta thërrasin në fshat e në rrethin familjar e shoqëror edhe pasi rritet, madje shumë kush e kishte marrë atë për emër të vërtetë të tij. Po ky emër u bë edhe pseudonimi i tij i luftës, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Para se të inkuadrohej në UÇK, Menhendi ishte martuar. Pak pas rënies, bashkëshortja e tij, Fetia, i lindi dy vajza binjake, të cilat nuk jetuan.
Në familjen trefish dëshmore, ai ka lënë dy vëllezër e dy motra: Mendën, Elbasanin, Rukinë dhe Havën. Kësaj familjeje, lavdia e tij ia la dhembjen e trefishtë, por edhe krenarinë e shumëfishtë. (N.M.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …