Mentor Nazmi Morina (20.10.1974 - 18.4.1999)

Mentor Nazmi Morina (20.10.1974 – 18.4.1999)

Mentor Morina lindi në Arllat të Drenicës në një familje me tradita arsimore dhe atdhetare. Gjyshi i Mentorit, mulla Rexhepi, ka qenë hoxhë përparimtar dhe idealist i arsimimit kombëtar. Ai së bashku me disa atdhetarë të tjerë në kohën e regjimit okupator të mbretërisë jugosllave në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar ka shpërndarë ilegalisht abetaret shqipe dhe ka organizuar po ashtu ilegalisht shkrim këndimin e disa bashkëvendësve në gjuhën amtare.
Babai i Mentorit, Nazmiu, dhe nëna, Fetia, rritën tre djem e katër vajza. Mentori, mësimet fillestare i mori në shkollën fillore “Hasan Prishtina” të fshatit Arllat. Ishte nxënës në vitin e dytë të fillores kur u përball me dhunën serbe. Edhe pse fëmijë, policët jugosllavë e rrahin për shkak të deklamimit publik të kërkesës: Kosova Republikë, të cilën ai e brohoriste guximshëm. Mentori mësimet e shkollës së mesme i mbaroi në Bushat (ish-Komoran), drejtimin e shkencave matematikore natyrore. Ka qenë i zgjuar në mësime. Me trup të zhvilluar të atletit, me edukatë të mirë familjare, ndjenja atdhetare të trashëguara nga familja e vet dhe ajo e nënës, qysh në moshë të re kishte ndarë mendjen për t`i dalë zot atdheut të shtypur dhe të robëruar nga okupatori serb, sepse qysh fëmijë kishte përjetuar edhe vetë rrahjen brutale nga gjakatarët.
Nga fundi i prillit të vitit 1993, një muaj pas sulmit të trimave të Adem Jasharit kundër veturës së policisë serbe në Drenas (ish-Gllogoc), policia serbe rrethon shtëpinë e Mentor Morinës në Bushat (ish-Komaran), me pretekst të zbulimit të personave të dyshuar për vrasjen e policëve serbë. Herët në mëngjes, qindra policë me autoblinda dhe automjete policore rrethojnë disa shtëpi të lagjes. Policët thyejnë derën e shtëpisë, meqë Mentori nuk e kishte hapur, derisa e kishte fshehur revolen. Të revoltuar nga qëndrimi i tij trimëror, ata e godasin me grushte dhe kamxhik në prezencë të nënës, e cila ndodhi në shtëpi vetëm me Mentorin. Policët kishin arrestuar edhe Bekim Nazmi Krasniqin nga Tërpeza, të cilin e mbajnë në arrest 13 ditë, në dyshim se kishte marrë pjesë në vrasjen e policëve në Gllogoc.
Maltretimet e policisë në shtëpi mu para syve të nënës nuk e kishin thyer Mentorin. Ai po kalitej në dallgët e jetës, duke besuar se djalëria e Drenicës dhe e mbarë Kosovës po përgatitej për t`i dalë zot atdheut.
Pasi kryen shkollën e mesme, Mentori regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Universitetin e Prishtinës. Kishte kryer me sukses vitin e parë dhe të dytë të studimeve, por për shkak të kushteve të rënda ekzistenciale, u detyrua t`i ndërprejë ato.
Për shkak se familja e Nazmi Morinës ndodhej në shënjestër të pushteti serb, Jetoni, djali i madh i Nazmiut, dhe Bekim Krasniqi, pjesëtar i një familjeje të njohur atdhetare nga Tërpeza, po ashtu i përndjekur nga policia, kalojnë kufirin dhe fillimisht vendosen në Tiranë. Për t`i ikur rekrutimit të dhunshëm në armatën okuptarore, edhe Mentori largohet nga Kosova, me besim të patundur se një ditë, në kushte dhe rrethana të tjera, do të kthehej në Kosovë.
Në vjeshtë të vitit 1995, Mentor Morina shkon në Gjermani. Edhe pse azilant, ai punonte në Munih me qëllim që ta ndihmonte familjen. Në vitin 1997, Mentori me disa shokë, duke qenë se nuk kishte fituar azilin legal në Gjermani, detyrohet të shkojë në Zvicër.
Asokohe ishte në dijeni të zhvillimeve aktuale në Kosovë dhe situatën e përcillte me një vëmendje të veçantë.
Në kohën e shpërthmit të luftës në Drenicë, Mentor Morina së bashku me Fahri Makollin nga Prishtina dhe tre shokë të tjerë nga Zvicra shkojnë në Shqipëri.
Më 13 korrik të vitit 1997, Mentori me disa shokë ndodhet në bazën stërvitore të Krumës, në Shqipëri. Në mbrëmjen e 15 korrikut, një grup prej 24 luftëtarësh të lirisë, në krye me komandant Abedin Rexhën, në mesin e tyre edhe Mentor Morina, nga Arllati, Fahri Makolli nga Prishtina, Imer Imeri nga Ferizaj, luftëtarët: Ismaili dhe Nazifi nga Gostivari, pastaj Imer Imeri nga Ferizaj, Artan Uflla nga Mitrovica, Skënderi, Musaja dhe Shaban Musliu nga Gjilani, Agron Gërvalla nga Deçani, Shemsiu nga Kamenica, Zefi, Doda dhe Sokoli nga rrethina e Gjakovës e luftëtarë të tjerë, gjatë natës kalojnë kufirin dhe futen në Kosovë. Gjatë tërë natës kishin rrugëtuar nëpër shi, ndërsa në mëngjesin e 16 korrikut pushojnë pak në lokalin e Hajdar Shehut në Goden të Hasit.
Grupi prej 24 luftëtarësh të uniformuar të UÇK-së, të armatosur me armë dhe municion, niset për në Drenicë.
Pasi kalojnë nëpër Malet e Zatriqit, qëndrojnë një kohë të shkurtër në Malishevë, pastaj marrin rrugë drejt Drenicës. Mentori me disa prej tyre fillimisht vendoset në shtëpinë e Rexhep Zeqirit në Kopiliq. Pas disa ditësh, Mentor Morina, Fahri Makolli e disa të tjerë, vendosen në Leçinë. Pas pak ditësh, Mentori me bashkëluftëtarë zhvillojnë luftime kundër forcave armike në vendin e quajtur Kodra e Flamurit, ku ishte edhe pika ushtarake e UÇK-së. Edhe pse në një betejë të pabarabartë, meqë armiku kishte epërsi në teknikë lufte dhe në njerëz, luftëtarët e lirisë shënojnë fitore. Armikut iu shkaktuan humbje në njerëz dhe në teknikë, ndërsa nga radhët e UÇK-së pati tre të plagosur. Njësiti luftarak, ku bënte pjesë Mentor Morina, i cili ishte i armatosur me pushkë snajper, merr pjesë edhe në luftimet që ishin zhvilluar në Açarevë.
Pak ditë më vonë, Mentor Morina, Fahri Makolli e të tjerë, me urdhër të eprorëve ushtarakë të Zonës së Drenicës, largohen nga Drenica qendrore dhe vendosen në Malet e Berishës.
Në kohën kur Mentori sistemohet në Kleçkë, për herë të parë takon edhe prindërit, në një tendë, në lagjen Mehaj, në grykën e fshatit Tërpezë. Nënë Fetia dhe babai Nazmiu e porositnin që t`i vizitonte më shpesh.
-Jemi në luftë, na presin beteja të ashpra, por ju mos u shqetësoni, se derisa të jemi gjallë, nuk do të lëmë këmbë shkau të shkelë nëpër këto male, -kishte thënë Mentori dhe së bashku me shokët e tij ishte nisur në drejtim të pozicioneve.
Në kohën e ristrukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mentor Morina caktohet në Njësitë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, në Divjakë, të cilat i komandonte ushtaraku i mirënjohur Tahir Sinani nga Tropoja.
Prej nëntorit të vitit 1998 e deri më 18 prill të vitit 1999, Mentor Morina ka marrë pjesë në shumë luftime që janë zhvilluar në Tërpezë, Arllat, Kleçkë, Kizharekë, Reçak e Carralevë, Shalë e Bushat, së bashku me bashkëluftëtarët e tij. Në mesin e bashkëluftëtarëve me të cilët ka qenë gjithnjë në luftime apo në vëzhgim veçojmë: Naxhi Krasniqin, Arben Krasniqin e Lumni Krasniqin, të gjithë nga fshatit Tërpezë.
Duke qenë se kishte treguar trimëri e zgjuarsi në situata të caktuara gjatë luftimeve dhe disiplinë ushtarake, Mentor Morina emërohet zëvendëskomandant i njësisë speciale Arbri, që vepronte në kuadër të brigadës 121 “Ismet Jashari- Kumanova”. Në mesin e shënimeve që ka mbajtur gjatë luftës, Mentori në një fletë ka shënuar emrat dhe mbiemrat e njësitit të cilin e komandonte. Ata ishin: Gazmend Gashi, Besim Berisha, Ilir Kryeziu, Arben Krasniqi, Sylejman Bytyçi, Petrit Presheva, Burim Nishori, Isuf Krasniqi, Sejdi Qeriqi dhe Sami Qeriqi.
Në janar e shkurt të vitit 1999, Mentor Morina kryen me sukses shkollën e oficerëve “Hamëz Jashari” në Likoc.
Pas fillimit të bombardimit të aeroplanëve të NATO-s kundër armatës jugosllave, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë fillojnë fushatën e shfarosjes së shqiptarëve. Ato po ashtu marrin ofensivë të përqendruar për të thyer bastionet e UÇK-së.
Pika më strategjike dhe bastioni më i pathyeshëm në Rrafshnaltë ishte te Gradina, në Malet e Berishës.
Më 18 prill të vitit 1999, në orën 6 të mëngjesit, forcat serbe fillojnë aksionin frontal për të thyer bedenet e UÇK-së. Fillojnë luftimet në Lladroc, në Tërpezë, në Arllat, në Kizharekë, në Nekoc, në Shalë e në pika të tjera. Epiqendra e sulmit ishte drejtuar te Gradina, ku pozicionet e luftës i mbronin luftëtarët më të sprovuar të UÇK-së. Në mesin e tyre ishte edhe Mentor Morina. Gradina ishte shkëmbi i tij më i dashur, që i kishte ngelur kujtim që nga fëmijëria. Sa e sa herë kishte hipur në atë maje mali së bashku me mocanikët dhe kishte soditur Drenicën e Dukagjinin. Ai i dukej si pjesa më e dhembshme, por edhe më krenare e tokës shqiptare, andaj kishte vendosur të qëndronte vertikalisht dhe trimërisht. Gradina nuk do të binte, as me çminin e rënies të të gjithë luftëtarëve. Ishte ky një betim i të gjithë mbrojtësve. Luftimet nuk ishin ndërprerë për asnjë çast. Breshëria e armës armike kishte vjellë qindra-mijëra predha, granata dhe plumba mitralozësh. Forcat e këmbësorisë armike ishin ngjitur thikë përpjejtë dhe kishin depërtuar deri afër istikameve të luftëtarëve tanë trima. Kacafytjet ishin zhvilluar deri edhe trup për trup. Në vendin e qujtur Guri i Gjyshit, plumbi vrastar i armës armike e godet Mentorin, i cili merrte në shenjë dhe praptonte një pas një ushtarët armiq me snajperin e tij. Po atë ditë në mbrojtje të Gradinës, në mbrojtje të pozicionit më të rëndësishëm të UÇK-së, ranë edhe: Halim Bajraktari, nga fshati Çikatovë e Re, Islam Kastrati nga Kizhareka, Mentor Gashi nga Llapushniku dhe Ramadan Bytyçi nga Gjergjica.
Heroizmi i Mentor Morinës dhe i luftëtarëve të tjerë të lirisë më 18 prill të vitit 1999, te Gradina, pamundësoi përfundimisht depërtimin e këmbësorisë armike në Rrafshnaltë. Ishte kjo thyerja e parë e madhe e forcave armike, të cilat goditeshin nga ajri edhe nga aeroplanët e NATO-s.
Dëshmorët e Gradinës, në mesin e tyre edhe Mentor Morinën, bashkëluftëtarët i varrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, në orët e vona të natës, duke qenë se sulmi i idhshëm i armikut pritej me të zbardhur drita.
Pas çlirimit të vendit nga regjimi kriminal serb, në gusht të vitit 1999, bashkëluftëtarët trupin e dëshmorit Mentor Morina dhe të dëshmorëve të tjerë me nderime ushtarake i rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Gradinë të Kleçkës.
Mentori ka lënë disa shkrime me karakter të njohjes së teknikës dhe të taktikës luftarake. Ai, po ashtu, ka mbajtur edhe ditar lufte, mirëpo në rrethana të caktuara ai është asgjësuar.
Pllaka përkujtimore, në të cilën është skalitur edhe emri i tij, në mesin e 12 dëshmorëve, është e vendosur në kompleksin përkujtimor të dëshmorëve të lirisë në qendër të Bushatit.
Mentori ka lënë përindërit: babë Nazmiun, nënën Fetie, vëllezërit Jetonin dhe Vetonin dhe motrat: Xhevrie, Erëmirë, Minire e Selvete.
Është dekoruar me Mirënjohje nga Ministria e Brendshme e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së- TMK-së, nga drejtoria e Radios Kosova e Lirë, nga Kuvendi Komunal i Drenasit dhe nga nëndega e Bushatit e Rinisë Demokratike të Kosovës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …