Mic Sokoli (1839- 188) luftëtari i betejave të njëpasnjëshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Mic Sokoli (1839- 1881) luftëtari i betejave të njëpasnjëshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Njëri ndër kryetrimat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pa dyshim se ka qenë edhe Mic Sokoli, i njohur sidomos për aktin heroik në Betejën e Koshares e Slivovës më 20 dhe 21 prill të vitit 1881, kur ishte sulur mbi topat e forcave të Perandorisë Osmane dhe gjylja e topit ia kishte këputur trupin në mes.

Mic Sokoli lindi në vitin 1839 në Fang të Bujanit. Ishte luftëtar i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është shpallur  “Hero i Popullit”. Rrjedh nga një familje patriotësh nga brezi në brez si nga paraardhësit ashtu edhe nga trashëgimtarët.

Ai së bashku me Sylejman Vokshin, Ali Ibrën Sefë Kosharen e trima të tjerë udhëhoqi njësi të mëdha luftarake të Lidhjes në shumë beteja. U shqua për strategji, gatishmëri dhe trimëri. Mori pjesë aktive në luftimet që u zhvilluan në verë të vitit 1878, në Gjakovë, kur forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vranë në rrethim, Mehmet Ali Pashë Maxharin, i cili kishte arritur në Kosovë me qëllim që t’ i bindte krerët e Lidhjes shqiptare që të mos kundërshtonin vendimet e Kongresit të Berlinit të qershorit të vitit 1878. Vendimet e tilla bëheshin mbi kurriz të trojeve shqiptare, të cilat Evropa i konsideronte se toka të Turqisë, ndërsa Turqia kërkonte nga shqiptarët që për hir të Stambollit të i jepej Malit të Zi, qyteti i Ulqini, Hoti Gruda dhe Plava e Gucia. (Qare s’ kemi pa e lshue Ulqinin, kem Stambollin muhasere).

Mic Sokli ka marrë pjesë edhe Betejën e Nokshiqit kundër agresorëve malazezë të ndihmuar nga Rusia cariste. Ka marrë pjesë edhe në luftimet që u zhvilluan në Plavë e Guci, në Hot, Grudë, Tuz.

Në verë të vitit 1879 forcat turke e kishin arrestuar në befasi dhe e kishin mbajtur disa muaj në burgun e Pejës nën masa të shtuara të sigurisë. Me rastin e nisjes për në Stamboll, forcat e lidhjes në krye me Sefë Kosharen kishin sulmuar rojet dhe e kishin liruar. Prej asaj kohe ishte në shoqërim të vazhdueshëm sidomos me Sefë Kosharen.

Mic Sokoli me qindra malësorë nga Malësia e Gjakovës dhe të tjerë nga Dukagjini e Anadrini, në bashkëpunim me Sylejman Vokshin, Komandantin e Përgjithshëm të forcave të Lidhjes, pastaj Ili Ibrën, Smajl Hysenin e shumë të tjerë në pjesën e parë të prillit  të vitit 1981 ishin pozicionuar në kodrat e Koshares dhe të Slivovës përballë qytetit të Ferizajt ku ishin stacionuar forcat ushtarake të këmbësorisë dhe artilerisë së Dervish Pashës.

Më 20 prill të vitit 1881 mes fshatrave Koshare dhe Slivovë të Ferizajt janë zhvilluar luftime të ashpra mes forcave pushtuese të Perandorisë  turke në krye me Dervish Pashën dhe kryengritësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilët kishin kundërshtuar traktatet e fuqive të mëdha për copëtimin e tokave të katër vilajeteve. Sipas burimeve historike Dervish Pasha kishte rreth 20.000 trupa me të gjitha formacionet ushtarake, ndërsa Lidhja kishte tubuar rreth 4.000 mijë kryengritës nga malësia, Dukagjini, Drenica dhe Rrafshi i Kosovës. Gjatë luftimeve kanë rënë më shumë se 300 kryengritës, ndërsa burimet për humbjet e forcave turke janë dhënë krejtësisht të minimizuara.

Mic Sokoli ka marrë pjesë në luftimet e 20 prillit në Kodrën mes Koshares dhe Slivovës, në përpjekje për të depërtuar te artileria turke, e cila kishte sulmuar nga distanca dhe kishte vrarë shumë kryengritës.   Ka rënë heroikisht e trimërisht  në përpjekje për të rrëmbyer topat e artilerisë turke.

Akti i tij i trimërisë dhe si dhe varja e Sefë Koshares nga forcat e Dervish Pashait kanë qenë dy momente që i ka shënuar memoria kombëtare, por edhe dokumentet e kohës.

Mic Sokoli në këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Kujtesa e popullit për ngjarjet e së kaluarës, vazhdimisht ka qenë e shprehur  në akord me nevojat e kohës, me qëllim për të mos e harruar atë, për ta ruajtur  dhe për ta rrëfyer  brez pas brezi, për ta ruajtur  në këngë meqë në këngë  kanë hyrë, hyjnë dhe mbesin  vetëm më trimat, ata që me veprat dhe heroizmin e tyre dallohen nga të tjerët  dhe kurdoherë mbesin shembuj që rrezatojnë amanetin nëpër breza. Në këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një vend me rëndësi zënë edhe këngët e kënduara në disa variante për Sefë Kosharen, Mic Sokolin, Smajl Hysenin, Ali Ibrën, Sylejman Vokshin, Abdyl Frashërin e shumë të tjerë.

Figura e Mic Sokolit në këngët popullore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit paraqitet me dimensionin historik, realist në raport me kohën dhe synimet e shqiptarëve për çlirim nga Perandoria Osmane.  Ai paraqitet me pamjen dhe fuqinë fizike të trimave të moçëm të Arbrit, të cilët populli i kujtonte si Trima të motit, si kreshnikët e dikurshëm. Duke bir besnik i Atdheut ai merr bekimin e nënës, e cila ka lindur një trim me fletë, të cilit po qe nevoja do t’ i ndihmonte edhe në fushën e betejës. Ja si e ka përjetësuar heroizmin tradicional shqiptar këngëtari anonim popullor:

 Mic Sokoli n’dy tagana

-Udha e mbare! – m’i ka thane nana-

-Lufto, bir, ti per Shqipni

-mos i le turqit me hy

-n’kofte nevoja, vij me ty, –

Mic Sokoli nji fjale po e flet

po i thote nanes: – Te mire mbeç!

-Pa u farue malsia krejt

-ktu nuk hyn as krajl, as mbret!…

Betejat në Koshare, Slivovë e Shtime, më 20 dhe 21 prill të vitit 1881, që kishte për qëllim për t’ i ruajtur territoret që i kishte shpallur të lira Lidhja Shqiptare e Prizrenit qysh në vitin 1878 ishin beteja të përgjakshme, në të cilat kanë rënë qindra shqiptarë, në mesin e tyre edhe disa krerë të Lidhjes si: Mic Sokoli, Sefë Kosharja e të tjerë.  Këngëtari popullor nuk tregon numër të të rënëve, por rrëfen se në ato beteja kanë rënë shumë luftëtarë, duke veçuar në mesin e tyre, më trimat, ata që u futen dhe mbeten në këngë, për të mos u harruar kurrë.

 Në fushë të Shtimes asht mbledhë jezeri

Haj medet ka mbetë shumë njeri,

Mic Sokoli Smajl Hyseni.

Rënia e Mic Sokolit në fushën e nderit, në altarin e Atdheut, në Fushë të Shtimes, në përpjekje për t’i  rrëmbyer topat e rëndë të artilerisë si Dervish Pashait dhe për t’ i luftuar pastaj turqit me armët e tyre, për shfaqë  pikën kulmuese  të heroizmit, heroizëm të cilin këngëtari popullor e ka përshkruar me elemente hiperbolizuese, për ta veçuar trimërinë e tij përballë topave të ushtrisë së Dervish Pashait.

 Mic Sokolin e vrau reja,

E vrau reja, e vrau moti,

E vrau Dervishi me gjyle topi.

(Gëzim Rredhi: Epika historike kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)

Duke zgjeruar rrëfimin për rënien heroike, këngëtari anonim popullor i ka thurë vargje trimërie heroit, i cili në momentet e fundit të jetës, kujton edhe heroizmin e shokëve, që kanë rënë po për atë ideal. Ata kishin mundësi të shpëtonin, të iknin, por nuk kishin pranuar  ta linin bashkëluftëtarin e tyre, vetëm. Ky shembull  tipik i luftëtarëve shqiptarë nëpër shekuj, manifeston besimin në fitore, rënien dhe varrimin e përbashkët, meqë kishin rënë për një qëllim, për një ideal.

Mic Sokoli ban me dorë,

-More shokë s’ po muj me folë

-se m ka ra do gjak në gojë,

-gjak në gojë e gjak në bark

-shtatë martina i kam n’ shtat.

-Qonja babës një selam,

-Babë pashë Zotin nuk më kanë,

-Qaje Smajlin ma shumë se mue,

-Qaje Smajlin qaje Zeqën,

-Se s’ kanë ikë e me m lanë vetëm.

-Se s’ kanë ikë e vetë s’ m’ kanë lanë,

-Ma mbaroni një vorr t gjanë,

-Bashkë me shokët me na zanë.

-Vorr të gjanë e me pengjere.

-T’i shoh lulet prej pranvere

-Ti shoh lulet dremiçare,

-Ti shoh shoktë neper livadhe.

 (Epika historike II, Tiranë 1981).

Zemra jonë ka gjak sa gurra, mbi armikun bini burra!

Përveç këngëve popullore për Mic Sokolin, me këtë rast do t i referohemi edhe  këngës së krijuar nga  Gjokë Beci,  poetit më  i mirënjohur epik e heroik, që kishte veriu i Shqipërisë. Kjo këngë e kënduar nga  këngëtarja Mrika Trumshit, u përhap anë e këndë trojeve shqiptare, si jehonë topash gjëmimtarë, për të dhënë kushtrimin kuptimplotë orëve jo sa duhet të mësuara të historisë,  sepse nuk duhej harruar porosia e të parëve: “Zemra jonë ka gjak sa gurra, mbi armikun bini burra”.

Veçantia e këndimit të Mrika Trumshit qëndron në dashurinë që ajo ndjen për këngën,  njëzimin me të, bashkimin me  motivin të cilit i këndon. Ajo përveç se këndon me thellësinë e shpirtit, me një pasion të rrallë,  edhe dirigjon me duar, me gjeste, me një emetim të shqiponjës në fluturim, pa i bërë zap emocionet, sepse me to i jep shpirtin këndimit deri në ekzaltim.

Xhamadani i trimërisë

Kërcet topi dhe gjëmon trolli

Xhamadanin hapë Mic Sokoli

Për mes fushës kalldrem me gëzhoja

bash si fletët kur hapë shqiponja!..

 

 Si dy krahë që i ka vatani

Tash po vjen topi Sulltanit

Zemra jonë ka gjak sa gurra,

mbi armikun bini burra…

 

 Kaluan vitet kaloi një shekull,

Koha gërrye  ka gur e hekur

Erdh ndër koha  e iu vesh trollit

Xhamadani i Mic Sokolit.

 

E pat veshë dhe Selam labi

kur për gryke topin e kapi

 

Prapë në botë sot ka sulltana

Që na mbajnë ne ndër nishana

Por se  gjumë  jo s’  ka shqiptaria

Sytë me dritë na i mbushë Liria.

 

Shkëlqen djersa e s´njifet loti

në kët´truall me palcë baroti,

Shkrin çeliku e lulëzoi molla,

Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola.

Personazhi i Mic Sokolit në këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka nota të theksuara të glorifikimit romantik përparimtar, dhe kishte për qëllim frymëzimin atdhetar dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare në luftë kundër robërisë dhe në përpjekje  për krijimin e Shqipërisë së katër vilajeteve. Akti i tij trimëror ka qenë burim frymëzimin ndër luftërat e reja, për gjatë 130 viteve të fundit. Mic Sokoli ka frymëzuar Selam Musa Salarinë, Vojo Kushin, Adem Jasharin, Bedri Shalën e kohës së UÇK-së i cili kishte rënë në përpjekje për ta rrëmbyer tanksin serb dhe për ta dërguar në Drenicë.

( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Demostratat e vitit 1981

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – II

 -10- Konfidenciale E. Montgomery  Ambasada britanike Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                         Beograd Zyra e …