Brickos

Migjeni

Migjeni, meteor ndriçues që nuk shuhet kurrë në qiellin e kulturës dhe letërsisë shqiptare

Pavarësisht përpjekjeve 25-vjeçare të rojeve të errësirës, për të rrënuar gjithçka nga e kaluara, pavarësisht pretendimeve të disa qarqeve anti-kulturore dhe në esencë antishqiptare për të damkosur të gjitha personalitetet unifikuese shqiptare, Migjeni po qëndron si meteor ndriçues, lart, në pjesën e kthjelltë të qiellit shqiptar të kulturës dhe letërsisë, ashtu si Naimi, Çajupi, Fishta, Mjeda e shumë të tjerë.

 Ky vend plot rreze frymëzimi i Migjenit po bëhet gjithnjë e më i shquar në kohën kur po vazhdon erozioni sistematik drejtuar kundër vlerave kombëtare i  një soji të njëmendësisë së quajtur demokratike, me qëllim  për t’ i përmbysur vlerat e vërteta humane, kombëtare e politike, për t’ i zëvendësuar ato me pseudo ovlera aziate, mesjetare, inkuizicionale, shtrigane, të cilat kanë ngalluar si hithrat, që rriten e zgjerohen shpejt  mbi plehun e  zi dhe mbi mbeturinat e çdo lloji.

Me kot mundohen  radovanët, fricët, jurishnikët, priftërinj e hoxhallarë gjysmakë, ta denigrojnë personalitetin dhe veprimtarinë letrare artistike të Migjenit. Ata, u frikësohen vargjeve të pavdekshme të tij, më shumë se djajve të shpifur, që u rrinë si grerëzat te koka, më shumë se uraganit shkatërrimtar, më shumë se diellit përcëllues në verë e acarit drithërues në mesin e dimrit.

Kjo frikë e ka bazën e vetë në shterpësinë e mendimeve dhe ideve  të mendje-robërve, në hipokrizinë e disa klerikëve, në shpirtin e korruptuar të politikanëve, në mendjet eunuke të disa skribëve shkarravitës, në shpirtngushtësinë e disa drejtuesve të institucioneve, pikërisht në kohën kur antivlerat po bëjnë përpjekje t’i rrëzojnë vlerat e njëmendta krijuese me përmbajtje sociale e kombëtare.

Migjeni, të gjithë priftërinjve hipokritë, pedofilë e pederast u shfaqet në figurën e djallit, që iu rri te koka dhe i grushton në tëmtha, u rri galuc në atë trohë ndërgjegje që u ka mbetur politikanëve të korruptuar, protesta e tij kumbon si kambanë alarmi mbi kokat e mashtruesve, moral shthururve, trafikantëve që tregtojnë çdo vlerë njerëzore, vetëm për të arritur qëllimet e tyre të ndragëta. Andaj ky soj njerëzish iu kanë vërsulur Migjenit dhe jo vetëm atij, sepse proza  dhe poezia e Migjenit ka çjerrë e çjerr maska, sepse zëri i tij kryengritës ka frymëzuar dhe frymëzon ndërgjegjen e pastër njerëzore e kombëtare, sepse grushti i tij kryengritës prore e godet babëzinë e makutërinë, prore godet ndërgjegjen e tradhtuar dhe të gjitha veset e nopranitë njerëzore.

“Poeti i mjerimit”, ka qenë zëdhënësi më besnik dhe më i ndërgjegjësuar i kohës kur njeriut të thjeshtë, fshatarit e punëtorit shqiptar, iu kishte rrezikuar qenia, kur apoteoza e perëndive ishte strukur në kokrrën e misrit, kur malësori që kishte përballuar uraganin shkatërrimtarë të robërisë, po vdiste urie, në kohën kur Mbreti Zog  organizonte ballo në Tiranë, prishte parat e Shtetit duke forcuar xhandarmërinë, jo për ta ruajtur Shqipërinë e përgjysmuar e të leckosur, jo për t’i ndihmuar çetat kryengritëse të Azem e Shote Galicës, që luftonin robërinë barbaroide serbe, por për të ndëshkuar kundërshtarët politikë, duke i vrarë pas shpine duke i ndjekur madje edhe në dherat e huaja, duke i syrgjynosur e duke i katandisur për jetë të jetëve.

Andaj, edhe sot vargjet kuptimplote të Migjenit fuqishëm lëshojnë alarmin dhe çjerrin maskat e shfrytëzuesve, të gjakpirësve të veshur me petkun politik, të stolisur me hipokrizitë e premtimeve të shumta, të dalldisur në orgjitë e përditshme, me qëllim  për të mbetur përgjithmonë në pushtet, me qëllim  për ta gllabëruar e për ta shitur çdo cep të Shqipërisë.

 Secila poezi, skicë, rrëfim a novelë e shkruar nga Migjeni, është antologjike, për faktin se ai ka arritur që me vizionin e tij krijues të shkruajë për të gjitha plagët sociale të njeriut, të shqiptarit të kohës, por jo vetëm të atij. Në rrugën e tij të shkurtër jetësore, nuk ishte kursyer, as atëherë kur ishte dërrmuar fizikisht dhe  sëmundja i thoshte, hesht, mor hesht!. Ishte i ndërgjegjshëm se po shuhej dalëngadalë, se skenat e vurratat e mjerimit shoqëror ia kishin katandisur shpirtin dhe trupin, se e kishin plagosur në trup e në shpirt, por ishte i ndërgjegjshëm se në mos më shumë i kishte përshkruar diagnozën fatale shoqërisë së kohës, e cila marshonte e sigurt në theqafje.

Pavarësisht interpretimeve, për dhe kundër krijimtarisë së tij, pavarësisht se regjimi komunist për 50 vjet rresht e shfrytëzoi krijimtarinë e tij për ta diskredituar regjimin e Ahmet Zogut, fenë e zakonet  prapanike, pavarësisht se në 25 vitet e fundit kleri dhe neozogistët po mundohen ta diskreditojnë krijimtarinë e tij, Migjeni po mbetet gjithnjë në piedestalin e poetëve më të mëdhenj dhe më të frymëzuar të kombit, po mbetet në mesin e poetëve më të frymëzuar. Për të ilustruar thellësinë e mendimit të tij realist, dialektik, po i referohemi poezisë së titulluar: “Kënga e Perëndimit”, në të cilin Migjeni ka shpalosur idenë e tij për të ardhmen e njerëzimit, të botës perëndimore kapitaliste, e cila për dallim nga Dielli alegorik, (si fije e besimit të dëshiruar),  kënga e njeriut të perëndimit është kënga e njeriut të dehur nga besimi në vete.

 

Kanga e perëndimit

 

Kangë Perëndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete

Kanga e tij, një fe tjetër, me tempuj të tjerë, me meshë solemne,

ku prej mëngjesit deri në mbramje shkrihen ndjesitë  njerëzore

n’apoteozën e hekurit; shpirtënt përshkohen në tymore,

 

Të cilat në fishkllim i përqeshen zotit të vjetër edhe qiellit

e me re të ndyt’ tymi të dendun ndriçimin ia vrasin diellit.

Fe tjetër, fe e çmendun e Perëndimit të mrekullueshëm…

i ekzaltuem shklet njeriu në delirium të pakuptueshëm.

 

Dëgjon zanin q’i thotë feja. Plagos qiellin, e shpon tokën,

i shkyen horizontet e bardhë, zhvesh natyrën – ia heq kotllën.

Kult’ i tij – kult i zhveshun! Nuk ia bren ma trutë enigmi –

e varros, mbi varr ia vë një shenj përbuzje o nderimi.

 

Kangë Perëndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete

Kanga e tij, shpres’ e bukur, me flatra të një tjetër jete

në të cilën dielli do ndërrojë udhën: ka për t’u lindë nga Perëndimi

– por deh! nga lumnia tash humb kokën rruzullimi.

 

Me një “tango” qejfi tash ia ngatërron fijet zotit të vjetër

ka me ia skandalizue të birtë besnikë në planetë të tjerë,

Kanga Perëndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete…

Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung’ avulli në pika djerse.

               Askush më mirë se Migjeni në kohën e tij nuk e kishte kuptuar zhvillimin dialektik të shoqërisë, botën kapitaliste, (sipas tij)  në rrugë të pashmangshme drejt theqafjes, madje nuk e kishin kuptuar as grupet komuniste të kohës, të cilat sado që e simpatizonin poetin, nuk ia kishin besën, sepse ai nuk ishte komunist i ekzaltuar, nuk ishte fare komunist dhe përveç ndonjë vargu frymëzues, nuk gjejmë një poezi të mirëfilltë, ku do ta ketë glorifikuar valën e diellit alegorik.

            Migjeni ishte realist. Ishte intelektuali, që rrezatonte me filozofinë e tij, sepse ishte shumë më i emancipuar se rrethi intelektual i kohës ku jetoi dhe krijoi. Ai kishte përhapur idetë dhe mendimet e tij realiste mbi botën, njerëzit dhe problemet e shoqërisë shqiptare, por edhe njerëzore. Në ndonjë frymëzim momental i referohet edhe Niçes, krejt pa të keq, ashtu sikur i referohet edhe “paçavureve” të vjetra mijëvjeçare, ku  “krahët i kanë varë pa shpresë-simbolet e shpresave të humbura, që me klithma të dëshpëruara bëjnë fjalë mbi jetën e perëndueme”, meqë kishin besuar se kishte mbetur dikur larg koha, ”kur kështjellat mijëravjeçare si xhixha shkëlqenin të lumtura”.

             Migjeni i çori maskën klerit që nuk shprehte as përkujdesjen elementare për skamnorët, për më tepër  ishte bërë pjesë e aparatit shtypës dhe shtypte edhe ndjenjat e skamnorëve, duke mos u hapur asnjë rrugë tjetër në jetë, përveç duke u premtuar jetën e përtejme, në të cilën gati askush prej tyre nuk besonte.

Vepra e Migjeni i ka përballuar dhe po i përballon me sukses  baltosjes intrigante e djallëzore të qarqeve anti kulturore, ashtu sikur i ka përballuar nëpër shekuj dhe po i përballon edhe sot, “Dekameroni” i Bokaços, “Komedia Hyjnore” e Dantes, “Parajsa e humbur” e Miltonit,  “Don Kishoti” i Servantesit, “Shpirtrat e vdekur” të Gogolit, “Karamazovët.” e Dostojevskit, e qindra vepra të tjera të fuqishme të artit, letërsisë e kulturës në përgjithësi.

Ahmet Qeriqi

  1. 10 2015

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …