Milaim Hashim Qerimi (7.4.1955 - 26.5.1999)

Milaim Hashim Qerimi (7.4.1955 – 26.5.1999)

Milaim Qerimi u lind më 7 prill 1955 në fshatin Repë të Besianës, në një familje të varfër por me traditë patriotike. Kjo familje rrjedh nga familja Musa e Shalës së Bajgorës. Gjyshi i Milaimit, Qerimi ishte luftëtar i dalluar kundër osmanëve dhe hordhive barbare të asaj kohe. Ai e pat refuzuar armatën osmane dhe për 20 vite me radhë qëndroi nëpër malet e Llapit.
Babi i Milaimit, Hashimi, merrej me bujqësi, kurse 16 vite punoi si minator në “Trepçë”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mban lidhje të ngushta me nacionalistin Mulla Ramë Govori nga fshati Herticë. Familja e Hashim Qerimit ishte halë në sy për serbët. Disa herë qenë maltretuar dy vëllëzërit e Hashimit, Bislimi dhe Rexhepi, por nëpërmes tyre asnjëherë nuk u zbulua vendqëndrimin ilegal i vëllait të tyre, Hashimit.
Pas luftës, ai qe burgosur. Një kohë qe mbajtur në burgun famëkeq të Besianës, në “Bodrumin e Zarisë”, në të cilin shumë luftëtarë të Llapit e patën gjetur vdekjen. Nga ajo kthinë e vdekjes e shpëton Selim Shabani – Obrança. Pos kësaj, Hashimi qe detyruar të largohej dhunshëm edhe nga toka e bukës, nga Damjanoviqët e këtij fshati. Në vitet e ’60 ai blen për të tretën herë tokën e tij të konfiskuar nga pushteti serb.
Dëshmori i kombit, Milaim Qerimi, ndonëse në kushte të rënda ekonomike kishte synim shkollimin. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshatin Pollatë, ku ishte nxënës shembullor, Shkollën Normale e filloi në Podujevë dhe e mbaroi në Prishtinë, në vitin 1975.
Pas përfundimit të Normales, pranohet mësues në shkollën fillore “Ramiz Sadiku” (tani “Shefki Latifi”) të Pollatës, në paralelen e ndarë në Sllatinë. Pastaj ka punuar në Zhiti për t’u kthyer më vonë në Pollatë. Në vitin 1981, përkrah pa rezervë demonstratat e studentëve, me ç’rast edhe merr pjesë në to, së bashku me kolegun e punës, Tahir Abdylin. Pasi regjimi i atëhershëm zbulon pjesëmarrjen e tyre në demonstratat studentore të marsit dhe prillit të vitit 1981, Milaim Qerimi dhe Tahir Avdyli përjashtohen nga puna. Pas largimit nga puna Milaimi shkon në Zvicër te vëllai, Emini, ku gjen punë për ta mbajtur familjen, por asnjëherë nuk e ndërpren aktivitetin e tij dhe nuk i shkëput lidhjet me vendlindjen.
Edhe në Zvicër merr pjesë në demonstratat e organizuara nga mërgata shqiptare, në Cyrih, Bern, Bruksel e vende të tjera. Duke qenë se mbante lidhje me organizatat atdhetare të kohës, Milaimi kohë pas kohe ilegalisht sillte në Kosovë edhe materiale propagandistike që botoheshin atje në Perëndim.
Kontaktet e para me UÇK-së i mori në vitin 1998, me rastin e formimit të pikës ushtarake në fshatin Repë, të cilën e komandonte Faik Durmishi.
Luftën e UÇK-së, Milaimi e ndihmoi edhe materialisht. Për ushtarët dhe popullatën e zhvendosur dha mbi 13 mijë kilogramë grurë dhe shumë artikuj të tjerë ushqimorë. Ai çdo herë ishte aktiv dhe aty ku e kërkonte nevoja ishte çdo kohë. Armën e kishte siguruar vet dhe u bashkohet ushtarëve të Brigadës 152 “Shaban Shala”. Artin luftarak, si dhe terrenin në atë anë e njihte mjaft mirë. Megjithatë, ai kishte vështirësi, ngase lëngonte nga dhembja në këmbën, të cilën e kishte lënduar gjatë punës së rëndë në Zvicër, ku edhe ishte operuar.
Për angazhimin dhe aktivitetin e tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës flet eprori i tij, komandant Faik Durmishi. Ai rrëfen se më 16 tetor të vitit 1998, në fshatin Sylevicë ishte vendosur pika vëzhguese në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala”, në të cilën paraqiteshin ushtarët e rinj, në mesin e të cilëve u paraqit edhe Milaim Qerimi. Ai e kishte armën personale, por duke pasur parasysh angazhimet tjera të tij në familje, si dhe shëndetin e tij, ai kursehet nga disa detyra ushtarake, siç ishte roja dhe ushtrimet ushtarake, të cilat mbaheshin në fshatin Sylevicë. Për shkaqe të tilla vendoset që Milaimi të caktohet vëzhgues në fshatin e tij, në Repë dhe të veprojë në logjistikën e luftës, në shpërndarjen e ushqimit për popullatën e zhvendosur nga fshatrat tjera të Llapit.
Punët dhe detyrat që i caktoheshin, Milaimi i kryen me përpikëri dhe përgjegjësi të plotë. Që nga 24 marsi i vitit 1999, bashkë me luftëtarët e tjerë të lirisë, në mesin e të cilëve kishte edhe ish – nxënës të tij, merr pjesë në disa beteja, duke përballuar me sukses sulmet e forcave serbe. Ka qenë pjesëmarrës i rregullt duke hyrë në vijën e parë të frontit në ofensivat, në fshatrat Tashefc, Pollatë, Repë, Metehi etj.
Gjatë ofensivës së njohur të marsit të vitit 1999, në kufirin Kosovë -Serbi, në fshatin Tashefc, tërë ditën kishte qëndruar në istikame, së bashku me Ilaz Selimin dhe Musë Qerimin (të dy dëshmorë të kombit), në vendin e quajtur “Bregu i Lamës” në Repë.
Më 25 maj të vitit 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë të ashpër në shumë drejtime, në mënyrë që ta detyrojnë të dorëzohet atë pjesë të popullatës, e cila kishte mbetur nëpër malet e Grykës së Llapit. Forcat ushtarake e policore serbe sulmojnë nga të gjitha anët, si nga Tashefci, Sllatina, Uglari, Tërnavica, Murgulla, Zhitia, Sylevica, Breca, Pollata, Repa, Metehia dhe nga Shala e Bajgorës. Në këto anë u zhvilluan luftime të rrepta në mes të UÇK-së dhe njësiteve ushtarako-policore dhe paramilitare. Gjatë asaj kohe Milaimi ka merr pjesë aktive në luftime. Më 26 maj 1999, derisa ishte duke qëndruar i palëkundur në pozicionet e UÇK-së, në fshatin Repë, te vendi i quajtur “Llaze” te “Bregu i Lamës”, në orën 15 bie heroikisht, bashkë me Musë Qerimin dhe Ilaz Selimin.
Pasi forcat serbe ishin shumë afër dhe çdo lëvizje vërehej, bashkëluftëtarët, trupat e tre dëshmorëve, në mesin e tyre edhe trupin e Milaimit, i varrosin në fshatin Repë, gjatë natës ndërmjet 28 e 29 majit të vitit 1999. Trupin e tij në ato orë të vona të natës, e bartin rreth tri kilometra, bashkëluftëtarët dhe familjarët: Aziz Qerimi, Xhevat Selimi, Salih Sejdiu, Naser Sejdiu, nga Repa dhe Blerimi nga Sibofci.
Babai i dëshmorit, Hashimi, jetoi në bashkëshortësi me Bahtijen nga fshati Revuçë. Ata lindën dhe rritën vajzat: Hyrën, Halimen, Rahimen, Fatimen, Havën, si dhe katër djemtë, Qerimin, Eminin, Milaimin dhe Ramadanin. Milaimi ishte i pesti me radhë. Ai ishte i martuar me Miradie Tafilajn nga fshati Shtaricë i komunës së Klinës, me të cilën ishin njohur gjatë shkollimit në Normalen e Prishtinës. Dëshmori Milaim Qerimi la pas vetes gruan dhe pesë fëmijë, tri vajzat: Artën, Arditën dhe Valentinën dhe djemtë: Artonin dhe Hashimin.
Një pllakë përkujtimore për dëshmorin është vendosur në hyrje të fshatit Repë e Epërme, në vendin e quajtur “Te lëndinat”, aty ku ishte vendosur pika e parë e UÇK-së në këtë fshat. Aty është skalitur emri dhe fotografia e Milaimit dhe e katër dëshmorëve të tjerë të këtij fshati, të cilët ranë në luftën e UÇK-së për lirinë e Kosovës.
Emri i Milaimit është përjetësuar edhe në lapidarin e fshatit Pollatë, së bashku me dëshmorët e Kompanisë së UÇK-së të këtij fshati.
Pas rënies është dekoruar nga SHP UÇK-së, Zona Operative e Llapit dhe nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …