Mine Peza 1885 - 1942

Mine Peza 1885 – 1942

Mine Peza ka lindur në vititn 1885 në katundin Ndroq në familjen patriotike të Alhysëve, familje e varfër por me shpirt atdhetar. Të parët e saj kanë urryer regjimin shtypës të Turqisë, po ashtu edhe rregjimin e Zogut. Në luftën e parë botërore i vetmi vëlla që pati, ka rënë dëshmor duke luftuar kundër pushtuesve serbë. Minia në rininë e saj u rrit dhe edukua me dashurinë për atdheun dhe urrejtjen për shtypësit e shfrytëzuesit, të cilët me reprezaljet që përdoreshin kundër katundarëve për t’i marrë taksat duke i lënë pa bukë në vatër, rritën në shpirtin e Mines, urrejtjen për këta shtypës e shfrytëzues.

Minia u martua me Miftar Bilalin nga Peza e Vogël dhe ky me prejardhje familje patriote që punonte për bukën e gojës. Së bashku me Minën, lindën dhe rritën tre fëmijë dy vajza dhe një djalë. Minia ishte një grua punëtore, mjaft pritëse, bujare, e dashur dhe gojë ëmbël me bashkëfshatarët dhe me miqtë e shokët e shkathët e pa përtuar, ishte shumë e gjindshme për të përkrahur të tjerët në fatkeqësi dhe në gëzime. Të gjithë katundarët e Pezës së Vogël e donin dhe e respektonin si bijën e tyre.

Populli ynë që më 7 Prill 1939, i priti okupatorët fashistë Italian me demostrata dhe me pushkë, duke i treguar se populli nuk e donte pushtimin fashist dhe kërkoj që t’i shporrësh nga Shqipëria dh eta linte të lirë popullin. Dëshirës së popullit për ta lënë të lirë, fashistët dhe përkrahësit e tyre, tradhëtarët e Kombit si Shefqet Bej Vërlaci u vunë në shërbim të okupatorit kundër popullit. Demostratës antifashiste të popullit të Tiranës më 28 Nëntor 1939 të organizuar nga komunistët, nxënësit e shkollave dhe nga gratë antifashiste me parrullat: “Rroftë Shqipëria! Rroftë Flamuri Kombëtar! Qeveria fashiste shqiptare u mundua që ta shfrytëzonte festën e ditës së Flamurit për interest e saj, prandaj nuk përdori arrestime, por vetë parrullat që u hodhën treguan urrejtjen e popullit.

Demostrata e 28 Tetorit 1941 kundër festimit të përvjetorit të marshimit të fashistëve mbi Romë

Kishin kaluar dy vjet nga okupacioni fashist, ku më 28 Tetor 1941 në Tiranë me iniciativën e komunistëve të grupeve shpërtheu demostrata e parë antifashiste, ku protagonist kryesore ishin komunistët, rinia e shkollave të mesme gratë antifashiste dhe populli patriot i Tiranës. Në këtë tubim kur Tefik Mborja, i cili ishte Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Fashiste Shqiptare, i cili mori fjalën e rastit, u ndërpre nga studentët pjesmarrës, të cilët hodhën parrullat: “Rroftë Shqipëria e lirë! Poshtë fashizmi!” Studentët lamë sallën në mënyrë demonstrative duke kënduar këngët patriotike: “Për Mëmëdhenë”, “Eja mblidhuni këtu, këtu” dhe me flamurin kombëtar në krye filluan manifestimin në rrugët kryesore të Tiranës, ku ju bashkuan qindra qytetarë të Tiranës.

Demostruesit në rruget kryesore u përballën me forca të mëdha të karabinierisë e të milicisë fashiste. Gjatë përleshjes pati të plagosur nga të dy palët. Disa demostrues u arrestuan. Kjo demostratë pati jehonë të madhe në tërë vendin, i dha një goditje të rëndë pushtuesve fashistë e shërbëtoreve të tyre.

Mine Peza për arsye se nuk po përballonte jetën në fshat, erdhi në Tiranë. Në shtëpinë ku banonte e ktheu në një bazë të sigurt për ilegalët dhe për fshehjen e antifashistëve dhe komunistëve , ajo ka pritur e kuruar të plagosur; për këtë aktivitet është kontrolluar disa herë nga spiunët fashistë, por me zgjuarsi e shkathtësi ja ka hedhur fashistëve, këtu vinin shumë edhe nga fshati. Minia, i shoqi Miftari, vajza Shaje, djali Qazim Bilali, vajza Ferideja, të gjithë u përfshinë në luftën ANÇl deri në fund. Djali i Mines që në fillim shkoi partizan në Çetën e Babë Myslimit dhe më 5 Nëntor 1943, ra heroikisht në luftë me nazistët gjerman në betejën e Qaf Kallmit. I shoqi i Mines dhe dy vajzat vazhduan luftën antifashiste deri në Çlirimin e plotë të Shqipërisë. Duke marrë dekoratat e Trimërisë, Kujtimit dhe të Çlirimit, ka marrë edhe Statusin e Veteranit të LANÇ-it.

Mine Peza në Tiranë u njoh me komunisten Meriban Najdeni, Nexhmije Xhunglinin etj, dhe mori pjesë në të gjitha demostratat antifashiste që u zhvilluan në Tiranë.

Demostrata antifashiste e grave të Tiranës më 17 Shtator 1942

Pushtuesit fashistë me synim për t’i dhënë goditje lëvizjes NAÇl që kishte marrë shtrirje të gjerë në tërë vendin në mënyrë shumë sekrete, përgatitën plane për internimin në ishujt e Italisë, të dhjetrave të rinjve e të rejave, të burgosur politikë.

Qarkori i PKSH e Tiranës, e vlerësoi këtë moment dhe mori masa të shpejta. U thirr një mbledhje e shpejtë e celulës të shoqeve komuniste në shtëpinë e Meriban Nejdenit. Këtu u shtrua detyra që t’u bëhej thirrje grave e vajzave të qytetit të demostronin përpara burgut në pasditen e 17 Shtatorit, ora 16.00. Dhjetra gra e vajza të udhëhequra nga shoqet komuniste të veshura me çarçaf, nën pretekstin e takimit me njerëzit e tyre të burgosur, iu afruan ndërtesës së burgut, që ruhej nga forca të shumta policore dhe kërkuan të takoheshin me djemtë e vëllezërit e tyre. Ata i kërkuan demostruesve që të hiqnin perçet, por ato refuzuan dhe menjeherë ndërhynë forcat e policisë duke i shtyrë e goditur me qytat e pushkëve. Demostruesit i bën ballë sulmit të policisë dhe ishin të vendosur të mos zmbrapseshin. Nga gjokset e tyre buçitën thirrjet: ”Poshtë fashizmi”, “Mos na i internoni djemtë dhe vëllezërit tanë në Itali”. “Na lironi djemtë”. Me këto thirrje të grave u bashkua dhe zëri i fuqishëm i të burgosurve, të cilët nga dritaret e burgut hidhnin parrulla si: “Poshtë fashizmi! Rroftë Shqipëria e lirë! Fashistë, mos vini dorë mbi nënat dhe motrat tona! Rriftë lufta Çlirimtare!”. Me demostruesit u bashkuan shumë gra e vajza të familjeve që banonin në afërsi të burgut.

Të befasuar nga një demostratë e tillë si dhe nga vendosmëria e grave dhe vajzave të Tiranës, autoritetet e qeverisë fashiste, dërguan forca të shumta policore të komanduara nga vet ëish prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i cili dha urdhër të qëllohej mbi demostruesit dhe u arrestuan shumë gra, të cilat u përplasën në birucat e Kuesturës. Ndërsa gruaja që u godit rëndë nga plumbat e fashistëve, ishte bija nga Peza Heroike Mine Peza. Ajo u bë Dëshmorja e parë nga rrëdhët e grave Antifashiste të Tiranës, e cila i la amanet amanet shokëve dhe djalit të saj që ishte partizan, që të luftonin fashizmin deri në fund të Çlirimit të vendit.

Poeti popullor i ka dedikuar kësaj gruaje trimëreshe, këto vargje në këngë:

Ku kam vajzën, ku kam djalin!

M’i kanë fut n’at burg të zi.

Far’e fisin ma kan tretur,

Larg në ishuj, n’Itali…

Kjo demostratë pati jehonë të madhe në tërë vendin. Ajo tregoi për forcën e rolin e madh të gruas shqiptare në Luftën NAÇl që zhvilloi populli shqiptar për Çlirimin e vendit. Ndërsa kënga u përhap në të gjithë vendin si himn lufte.

Pas Çlirimit Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar titullin më të lartë Heroinë e Popullit. Një nga rrugët kryesore të Tiranës mban emrin Mine Peza. Para burgut të vjetër është ngritur një lapidar kushtuar aktiti heroik që kreu Heroina e Popullit Mine Peza. Kënga e saj është inçizuar dhe këndohet kudo.

Nipi i Mine Pezës, Mehmet Çelmeta është pasardhës veteran dhe aktivist edhe në Shoqatën Patriotike Kulturore “Myslim Peza”. Eshtë vazhdues i idealit të gjyshes dhe dajes duke mbrojtur vlerat e LANÇ-it. Edhe pasardhesit e tjerë nipër e mbesa dhe fëmijët e tyre krenohen që janë pasardhës të Heroinës së Popullit Mine Peza.

Lavdi 75 vjetorit të rënies së Heroinës së Popullit Mine Peza!

MEHMET XHEMAL ÇELMETA

Nipi i Heroines

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …