MINISTRI BYTYQI VIZITOI DY SHKOLLA NË KOMUNËN E KAÇANIKUT

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar komunën e Kaçanikut, ku është takuar me kryetarin e Komunës, Besim Ilazi dhe ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Jusuf Gërvalla” në Biqec dhe shkollën e mesme profesionale “Feriz Guri dhe Vëllezërit Qaka”. Ministri Bytyqi, me këtë rast ka shprehur shqetësimin e tij për ngecjen në përmirësimin e infrastrukturës shkollore në këtë komunë, duke ofruar bashkëpunimin e Ministrisë së Arsimit në këtë drejtim. Ministri Bytyqi theksoi mbështetjen e parezervë për komunën e Kaçanikut dhe komunat tjera, qoftë në zgjerimin e hapësirave shkollore, apo edhe përmirësimin e cilësisë në arsim. “Po mundohemi që me secilën komunë të kemi bashkëpunim dhe takime sa më të shpeshta. Bashkëpunimi i duhur jep rezultate të mira. Organizimi i Testit Pisa ka dëshmuar se kur angazhohemi me përgjegjësi të lartë nuk mungojnë rezultatet. Duhet të shohim mundësitë e ecjes përpara, në mënyrë që të mos pengohet ngitja e cilësisë në arsim”, ka thënë ministri Bytyqi. Ministri Bytyqi, po ashtu kërkoi nga mësimdhënësit dhe drejtuesit e sektorit të arsimit në këtë komunë ngritjen e përgjegjësisë profesionale dhe qasje sa më korrekte në detyrat që kanë, në mënyrë që bashkë me nivelin qendror t’i qasen zgjidhjes së problemeve në sistemin arsimor. Ndërsa, kryetari Besim Ilazi shprehu besimin se, MAShT do ta ketë në fokus Kaçanikun, duke qenë se me buxhet vetanak ka qenë e pamundur të bëhet diçka më tepër në infrastrukturën shkollore, që është parakusht për ngritje të cilësisë. Kryetari Ilazi e falënderoi Ministrin për gatishmërinë e bashkëpunimit dhe shprehu bindjen se kjo qasje do të reflektojë pozitivisht në sistemin arsimor të kësaj komune. Ministri Bytyqi dhe kryetari Ilazi kanë folur edhe rreth përgatitjeve që po bëhen në përgatitjen e Testit të Maturës dhe shkollat të cilat janë me prioritet për investim në infrastrukturë.

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …