leoni

MPMS ndan 30 certifikata për të rinjtë e Shoqatës “Down Syndrome Kosova”

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli mori pjesë në ndarjen e 30 certifikatave për të rinjtë me sindromin down në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve me sindromën Down”, projekt ky i nënshkruar muaj më parë në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatës “Down Syndrome Kosova”. Synimi i këtij projekti ishte përkrahja dhe zhvillimi i trajnimeve profesionale për të rinjtë me sindromën down e më pastaj duke mundësuar edhe punësime për nevojat e kësaj kategorie në shoqërinë tonë. Këto trajnime janë mbajtur në tri qendrat më të mëdha të aftësimit profesional në Kosovë, Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë. Gjatë këtij takimi zëvendësministri Makolli lidhur me punësimin e të rinjve me sindromën down ka thënë se sipas Ligjit Nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin  nr.05/L-078, kuota  e përcaktuar është se çdo punëdhënës është i obliguar të punësojë një person me nevoja të veçanta në çdo pesëdhjetë punëtorë. “Roli i shtetit për personat me nevoja të veçanta është që atyre t’ju  mundësojë  arsim dhe forma të tjera të aftësimit profesional, pajisje të punës me mjete të nevojshme, përdorimin e shërbimeve me asistent kur është e nevojshme, dhe materialisht të stimulojë punësimin e tyre në një masë të pranueshme dhe t’i detyrojë punëdhënësit për punësimin e tyre” shtoi tutje zv.ministri Makolli. Ndërsa, drejtoresha e kësaj shoqate, Sebahate Hajdini-Beqiri, tha se ky projekt është përmbyllur me sukses, sepse edhe personat me sindromën down kanë potencial dhe kurajo, mirëpo kanë nevojë për më shumë mbështetje. Po ashtu falënderoi Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për bashkëpunimin e deritanishëm me këtë shoqatë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë të Vitisë, aty …