vipa
muqa 900
mbpzhr
Fillimi / Dëshmorët / Muharrem Rexhë Zeneli (5.7.1957 – 19.5.1999)
Muharrem Rexhë Zeneli (5.7.1957 – 19.5.1999)

Muharrem Rexhë Zeneli (5.7.1957 – 19.5.1999)

Dëshmori Muharrem Zeneli rrjedh nga një familje e ndershme atdhetare e fshatit Ticë të komunës së Skënderajt, e cila edhe në të kaluarën ka derdhur gjak për Kosovën dhe trojet shqiptare. Fekë Zeneli, xhaxhai i dëshmorit, kishte luftuar kundër hordhive të ushtrisë pushtuese serbe, në kuadrin e njësiteve kryengritëse të tribunit ushtarak nga Drenica, Shaban Polluzha, më 1945, kur edhe kishte rënë në fshatin Ternavc të Skënderajt. Pa dyshim, sakrifica e xhaxhait të tij, i flijuar për lirinë e atdheut, do të kenë ndikuar në ndjenjat atdhetare të pjesëtarit të devotshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Zeneli, i flijuar në altarin e atdheut më 19 maj të vitit 1999.
Dëshmori Muharrem Zeneli është i lindur më 5 korrik të vitit 1957, në fshatin Ticë, që ndodhet në fqinjësi me fshatrat Kopiliq, Rezallë, Likoc e të tjera, të cilat gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin çerdhe e rezistencës dhe vatër e aksionit kundër pushtuesit serb. Prindërit e tij, Rexha e Xhemilja kishin rritur me mund e djersë pesë fëmijët e tyre, katër djem e një vajzë: Muharremin, Zenelin, Hysenin, Tafën dhe Mexhiden. Muharremi nuk kishte vazhduar shkollimin pas kryerjes së arsimit fillor katërvjeçar, prandaj për ta ndihmuar familjen materialisht, ushtroi mjeshtërinë e muratorit. Një kohë të caktuar punoi edhe në Slloveni, në ndërtimtari. Rreth moshës 23-24 vjeçare ishte martuar por për 18 vjet martesë nuk pati fëmijë.
Pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe daljes së saj publike, e sidomos pas flijimit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, si në shumë prej fshatrave të zonës së Drenicës, edhe në Ticë u mobilizuan luftëtarët e lirisë për ta formuar pikën ushtarake. Në mesin e atyre që pa hezitim e deklaruan vullnetin për angazhim në këtë detyrë ishte edhe dëshmori Muharrem Zeneli. Së bashku me bashkëluftëtarët dëshmorë Gani e Ismet Uka, me Xhevdet Danin, Bedri Qorrin e të tjerë, të gjithë nga Tica, në pranverë të vitit 1998 ai formon pikën ushtarake në fshat dhe prej atij momenti nuk do ta ndërpresë luftën kundër armikut pushtues serb deri në ditën e rënies për atdhe.
Duke parë nevojën për armatim që shtronte masivizimi dhe shtrirja e frontit të luftës së armatosur, në pranverën e vitit 1998 Muharremi kishte shkuar në mënyrë të orgnizuar për të sjellë armatim nga territori i Shqipërisë administrative. Një pjesë të armatimit që solli nga atje, kryesisht automatikë kallashnikovë dhe municion, e kishte dorëzuar në shtabin e ngritur në Likoc. Vetë ai ishte i armatosur me automatik dhe me bomba dore.
Ndërkohë, pas masivizimit të UÇK-sç, në radhët e saj ishin mobilizuar të gjithë vëllezërit e Muharremit, qoftë në aksione të drejtpërdrejta luftarake, qoftë në operacione logjistike.
Brenda një kohe të shkurtër lufta çlirimtare u zgjerua edhe në zona të tjera, prandaj intensiteti i luftimeve sa vinte e shtohej. Tani edhe për luftëtarët e pikave ushtarake të ngritura nëpër fshatra e në lagje të tyre shtrohej nevoja për të shkuar në ndihmë të pikave të tjera më të largëta apo edhe në zona të tjera të luftimeve. Kësisoj edhe Muharremi, gjatë vitit 1998 mori pjesë në shumë fronte luftimesh që nga fshatrat Açarevë, Makermal, Rezallë, Vojnik, e deri në Llapushnik e në Kijevë. Pothuajse në të gjitha frontet ishte krahpërkrah me bashkëluftëtarët e bashkëfshatarët Xhevdet Dani, Gani Uka e Ismet Uka.
Pas ristrukturimit ushtarak e operativ të UÇK-së, në vjeshtë të vitit 1998, formacioni ku vepronte Muharrem Zeneli i përkiste Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës, e cila kishte rrezen e veprimit që përfshinte pjesë të territorit të Skënderajt, Drenasit, dhe Klinës.
Në mëngjesin e 18 majit të vitit 1999, forcat militare serbe kishin ndërmarrë ofensivë për të depërtuar në drejtim të Ticës e pastaj të Likocit, nga Tushila, Turiçevci e Plluzhina. Ky depërtim ishte planifikuar të bëhej nga ana veriore e fshatit, ku ndodhej edhe pozicioni i Muharrem Zenelit me bashkëluftëtarët Ramadan Hasani, Bedri Qorri, Sefer Emini nga Plluzhina, Mehdi Qorri, Hasan Hasani (dy të fundit të pamobilizuar). Në luftime e sipër, në përpjekje për të pamundësur depërtimin e mëtejmë të forcave serbe, në atë mëngjes, luftëtari Muharrem Zeneli plagoset nga katër predha automatiku, dy prej të cilave e kishin goditur në krahun e majtë dhe dy të tjera në shpinë. Megjithëse me plagë të rënda, ai arrin të tërhiqet në drejtim të fshatit Tushilë, ku në familjen Kecolli merr ndihmën e parë dhe sërish strehohet në mal. Për plagosjen e Muharremit dhe për ngjarjen e zhvilluar, bashkëluftëtari i tij, Xhevdet Dani e kishte njoftuar vëllain e Muharremit, Zenelin, i cili kishte qenë në një pozicion tjetër të fshatit. Ata së shpejti shkojnë së bashku për ta kërkuar Muharremin, të cilin arrijnë ta gjejnë në vendin ku ishte strehuar dhe përpiqen ta ndihmojnë e t’ia lehtësojnë dhembjet gjatë tërë natës midis 18 e 19 Majit, por gjithçka ishte e pamundshme, pasi plagët ishin të rënda, kurse mundësia për t’i ofruar trajtim mjekësor në ato rrethana nuk ekzistonte. Në mëngjesin e 19 majit 1999, dëshmori Muharrem Zeneli mbyll sytë, i flijuar për lirinë e Kosovës.
Varrimi i tij u bë në varrezat e fshatit të lindjes, Ticë. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë eprorë të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” Hysni Shabani, Enver Osmani nga Plluzhina, Xhevdet Dani nga Tica, Bedri Qorri nga Tica e bashkëluftëtarë të tjerë.
Së bashku me të, një ditë më parë ishin plagosur edhe Ramadan Hasani, Mehdi Qorri dhe Hasan Hasani.
Në shenjë kujtimi për dëshmorin Muharrem Zeneli, familjarët e tij e rajnë një pjesë të uniformës ushtarake të cilën ai e kishte pasur veshur gjatë betejës. (N. M.)