Naim Azem Tiku (23.2.1966 – 14.4.1999)

Naim Azem Tiku (23.2.1966 – 14.4.1999)

Rënia e Komandantit Legjendar Adem Jashari në epopenë e lavdishme të Prekazit të 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998, shtoi pezmin e urrejtjes kundër pushtuesit shekullor serb dhe mobilizoi mijëra luftëtarë të lirisë, jo vetëm në trevën e Drenicës, por anekend Kosovës, për të kapur armën e për t’i dalur përballë armikut vrasëtar. Brenda një periudhe të shkurtër, grupe luftëtarësh në fshatra e lagje fshatrash, fillimisht në zonën e Drenicës, u organizuan e u betuan në himnin e flamurit kombëtar, për t’ia marrë hakun legjendarit Adem Jashari, e për ta çuar deri në fitore luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata pothuajse rrufeshëm ngrenë pikat ushtarake, hapën istikamet dhe ngjeshën armët që kishin për t’ia bërë benë pushtuesit serb, i cili tashmë e kishte mbushur kupën. Jashtë këtij angazhimi nuk kishin mbetur as djemtë trima të fshatit Verbovc të Drenasit. Afër lagjes Tiku, Goshani e Prokshi, në një pyll të fshatit me pozitë strategjike për veprime luftarake ishte formuar Pika e Parë ushtarake e UÇK-së në këtë fshat, në përbërje të luftëtarëve Naim Tiku, Zejnullah Prokshi, Tahir Goshani, Besim Tiku, Nasuf Goshani, Skënder Prokshi, Halim Goshani e të tjerë. Përgjegjës i Pikës ishte caktuar Zejnullah Prokshi. Luftëtarët ishin armatosur me armë të lehta personale, madje edhe me pushkë gjuetie, por me zemër të madhe. Naim Tiku ishte pajisur me murtajë, e më vonë me pushkomitraloz.

Dëshmori Naim Tiku është i lindur më 23 shkurt të vitit 1966, në fshatin Verbovc të Drenasit. Prindërit e tij, Azemi e Ajetja rritën dhjetë fëmijët e tyre: Fadilin, Milaimin, Naimin, Kimeten, Shukrien, Fetien, Lumnien, Valbonën, Vjollcën dhe Ganimeten.

Meqenëse lagjja Tiku e Verbovcit kufizohet me fshatin Qëndresë (ish – Terstenik) dhe ka pozitë më të përshtatshme gravituese me këtë fshat, Naimi kishte kryer shkollimin fillor e kreu në shkollën “Zenel Hajdini” të Qëndresës, ndërsa arsimin e mesëm në shkollën teknike të Drenasit “Leonik Tomeo”. Pastaj punoi në ndërmarrjen e ujësjellësit në Drenas, si teknik i hidromekanikës. Ndërkohë ai ishte martuar me Kymeten, të cilëve u lindën tre fëmijë: Bleranda, Bledari e Besiana, të cilët sot jetojnë me krenarinë që janë bij dëshmori. Këtë krenari të lartë, për të birin dëshmor e ushqen edhe babai i Naimit, Azemi, i cili shprehet i lumtur e me fytyrë të ndritur që djali i tij e ka derdhur gjakun për lirinë e vendit të vet.

Naimi dhe bashkëluftëtarët e tij, pas mobilizimit në UÇK morën pjesë në aksione të shumta luftarake të karakterit mbrojtës e sulmues kundër armikut serb, kudo që e kërkonte nevoja, si në Verbovc, Qëndresë, Gllobar, Vasilevë e fshatra të tjerë. Ata koordinonin aksionet e tyre me luftëtarët çlirimtarë të pikave të tjera ushtarake në fshat e në fshatrat përreth.

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin radhitur edhe vëllai i Naimit, Fadili dhe dy bijtë e axhallarëve, Besimi e Ardiani.

Pas riorganizimit të formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vjeshtë të vitit 1998, njësiti i Pikës ushtarake ku bënte pjesë Naim Tiku veproi në kuadrin e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”. Kjo brigadë përfshinte një rreze të gjerë veprimi në Zonën Operative të Drenicës, kryesisht në fshatrat e komunës së Drenasit.

Betejën e fundit kundër pushtuesit serb, Naimi e zhvilloi më 14 prill të vitit 1999. Atë ditë, pjesëtarët e UÇK-së ishin përballur me sulmin e egër të forcat serbe në fshatrat Vasilevë, Gllanasellë, Grabovc e në zonat rreth tyre. Në këto luftime kishte marrë pjesë dhe ishte shquar për zgjuarsi e trimëri edhe dëshmori Naim Tiku. Mirëpo rreth orës 16 të asaj dite, te “Bregu i Sukës”, në afërsi të fshatit Vasilevë të komunës së Drenasit, grupi i luftëtarëve çlirimtarë i përbërë nga Naim Tiku, Bejtë Rexhepi, Fazli Qerkini, Agron Berisha, Mehdi Hoxha e Hajzer Rexhepi, bie në pritën e organizuar nga forcat e armikut. Në betejën e zhvilluar për jetë a vdekje për t’i rezistuar pritës dhe për ta mbijetuar atë, në altarin e lirisë bie dëshmori Naim Tiku dhe përkrah tij edhe pesë bashkëluftëtarë të lirisë. Trupin e dëshmorëve, nga vendi i rënies i kishin tërhequr bashkëluftëtarët, ndër ta edhe djali i axhës së Naimit, Besimi, dhe i kishin varrosur në fshatin Poklek të Drenasit. Pas përfundimit të luftës çlirimtare, u bë rivarrimi i tyre në Varrezat e Dëshmorëve në Polac të Skënderajt.

Kujtimin e përjetshëm për dëshmorin Naim Tiku e rrezaton përmendorja e ngritur në fshatin e lindjes, Verbovc, për katër dëshmorët e lagjes Tiku e Goshani: Naim Tikun, Besim Tikun, Tahir Goshanin e Nasuf Goshanin.

Vetëm dy javë pas rënies së dëshmorit Naim Tiku, në fushën e nderit, në Shtuticë të Drenasit u përjetësua edhe djali i xhaxhait të tij dhe bashkëluftëtari, Besim Tiku, si dhe bahkëluftëtari tjetër Tahir Goshani.

Ndërsa, tri javë më parë, më 24 mars 1999, militarët serbë e kishin vrarë pranë shtëpisë së tij në Verbovc, xhaxhain e Naimit, babain e Besimit, Rizahiu. Historia e vrasjes së burrave të familjes Tiku e të familjeve të tjera shqiptare, nga uniforma e pushtuesit serb po përsëritej. Në vitin 1945, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, baballarëve të dëshmorëve Naim e Besim Tiku u ishin vrarë në vende të ndryshme por edhe simbolike, tre xhaxhallarët, si bashkëkryengritës të Shaban Polluzhës e të cilë- suar si ballistë. Xhemaili ishte vrarë në fshatin Rezallë të Skënderajt; Hyseni në Prekaz, kurse Alia në Gostivar. Për t’i dhënë fund këtij cikli historik të vrasjeve, dhanë gjakun e tyre të freskët, dëshmorët Besim Tiku, Naim Tiku dhe të gjithë dëshmorët e kombit të cilët gjatë luftës së UÇK-së ranë në altarin e lirisë së Kosovës. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Familja Morina nga fshati Gjergjaj i komunës së Drenasit, gjatë viteve 1939–1945 ishte vatër e …