Naser Ademi ( 2.12.1965 – 29.7.2001)

Naser Ademi ( 2.12.1965 – 29.7.2001)

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në trojet shqiptare të Maqedonisë. filloi në pranverë të vitit  2001 dhe u intensifikua sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Konçulit, të 13 shkurtit të vitit 2001 ku shumë luftëtarë të UÇPMB-së, të pakënaqur me nënshkrimin e Marrëveshjes,   me armatimin e tyre depërtuan në Likovë, Kumanovë dhe gjithandej në trojet shqiptare, Shkup Tetovë e deri në Gostivar. Gjatë disa muaj të luftimeve në frontet e luftës çlirimtare kanë rënë 97  dëshmorë e 43 martirë. Nga Shqipëria kanë rënë pesë dëshmorë, nga Kosova kanë rënë 15 dëshmorë, ndërsa dëshmorët e tjerë janë nga Kumanova, Shkupi, Tetova dhe  Gostivari. 

Naser Ademi nga fshati Negotin i komunës  së Gostivarit, ishte një luftëtar emblematik çlirimtar,  i cili ka marrë pjesë në katër luftëra çlirimtare, kundër burgut të popujve, që quhej Jugosllavi dhe që kishte filluar të shpërbëhej në fillim të viteve të 90, kur po binte edhe Perandoria komuniste e Lindjes. Ai ka luftuar kundër robërisë së popujve nga Jugosllavia duke filluar nga lufta çlirimtare e popullit kroat në Kroaci, në Vukovarin e legjendave të trimërisë së popullit kroat,  në vitin 1991, pastaj ka qenë luftëtar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999, në radhët e UÇPMB-së në vitin 2000  dhe së fundi në vitin 2001 në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në Iliridë. Është mbase ndër të rrallët,  në mos i vetmi luftëtar i katër luftërave çlirimtare, tani dëshmor i kombit.

Të rrallë kanë qenë trimat si Naser Ademi, i cili vitet më të mira të jetës i kaloi ndër luftërat çlirimtare, ndërsa  shembulli i tij na përkujton luftëtarët e përjetshëm të së kaluarës së lashtë ilire-shqiptare  cilët “nga luftërat vijnë e në luftëra shkojnë”. I tillë ishte edhe ky marathonamak i lirisë, luftëtar emblematik  i katër luftërave çlirimtare .

Naser Ademi lindi në Negotin të Gostivarit më  2  tetor të vitit 1965. Rrjedhë nga një  familje bujare  me traditë të njohur atdhetare. Shkollën fillore  e kreu në vendlindje. Edhe dy vjet të gjimnazit i  kreu po në Negotin. Më vonë ka kryer shkollën e tregtisë,  në Tetovë.

Me rastin e shpërthimit të demonstratave e protestave, në pranverë të vitit 1981, në Kosovë,  gjendja me tensione mbretëronte edhe në trevat shqiptare në IRJM, ku dhuna kundër shqiptarëve ishte më e shprehur se kudo nën robërinë e RSFJ-së.  Asokohe, Naseri largohet nga vendlindja dhe vendoset në qytezën e Borovës, afër Vukovarit, në Kroaci, ku jetonte dhe punonte babai i tij.

Fillimi i luftës  në Kroaci Naserin e gjeti në qytetin Vukovar. Ai, sikur edhe shumë shqiptarë të tjerë liridashës, që jetonin dhe punonin në Kroaci iu bashkua radhëve të vullnetarëve kroatë dhe luftoi krah për krah tyre, për çlirimin e Kroacisë nga regjimi despotik i Beogradit. Duke qenë trim dhe i dalluar në aktivitetet e tij luftarake, Naser Ademi ndër të parët bashkë me kryetarin e atëhershëm të Vukovarit organizon mbrojtjen e qytetit, i cili ishte rrethuar nga të katër anët nga forcat e shumta të ushtrisë e policisë jugosllave, por edhe të bandave të armatosura paramilitare të falangave fashiste të Sheshelit e të Arkanit. Shembull i luftëtarit internacionalist, liridashësve kroatë u përkujtonte luftën heroike të Spanjës kundër fashizmit të diktatorit Franko, ku kishin marrë pjesë edhe luftëtarët kroatë ashtu sikur edhe shqiptarët dhe shumë liridashës nga vendet e ndryshme të botës.

Me fillim e luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Ademi ashtu sikur edhe qindra luftëtarë nga trojet shqiptare iu bashkua radhëve të çlirimtarëve të Kosovës. Për më tepër, ai kishte fituar edhe një përvojë të merituar në luftë kundër forcave policore e ushtarake serbe. Në pranverë  të viti 1999 ishte  në radhët e luftëtarëve të lirisë së  bashkë me shokët e tij idealit, të cilët kishin lenë familjet dhe jetën luksoze  në perëndim dhe iu kishin bashkuar luftës për çlirim nga robëria shekullore.

Neseri  ishte inkuadruar në radhët e Brigadës 138, Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit, në fronin e luftimeve në Koshare, ku mori pjesë aktive në luftimet për ta zhbërë kufirin, që i ndante mes për mes trojet e Shqipërisë. Asokohe ndodhej së bashku me eprorët e lartë të UÇK-së, Fadil Hadërgjonaj dhe Rustem Berisha. Luftëtari  sypatrembur nga Negotini i Gostivarit njihej me nofkën,  “Naser Gostivari”. Ashtu sikur pati fatin ta shoh të çliruar popullin kroat dhe Kroacinë, për çlirimin e së cilës kishte meritë të veçantë, pati fatin të jetë edhe në mesin e çlirimtarëve të Kosovës, me rastin e fitores  kundër Serbisë, në  qershor të vitit 1999. Me rastin e demobilizimit të UÇK-së, Naser Ademi rreshtohet në radhët e Trupave Mbrojtës e të Kosovës, por nuk ndihej i qetë, meqë edhe shumë troje shqiptare kishin mbetur nën robëri.

Asokohe kishte filluar lufta për çlirimin e viseve shqiptare të Kosovës Lindore dhe Naser Ademi me idealistë e çlirimtarë të tjerë do t’ i bashkohej edhe kësaj lufte, e cila kishte për qëllim ta mbronte popullatën shqiptare nga dhuna dhe presioni serb për pastrimin etnik të kësaj pjese të Kosovës, ku nga dhuna sistematike serbe ishin shpërngulur në mijëra shqiptarë.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Konçulit në shkurt të vitit 2001. ashtu sikur edhe shumë luftëtarë të tjerë çlirimtarë edhe Naser Ademi inkuadrohet në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Asokohe kontakton me Komandantin  e tri luftërave çlirimtare, Tahir Sinanin, me të cilin kishte themeluar Brigadën 116 të UÇK-së, në rrethinën e Gostivarit, ku pritej të ndërmerrej sulmi vendimtar kundër forcave policore e ushtarake sllavomaqedonase.

Rrugëtimi i tij i gjatë nëpër frontet e luftërave çlirimtare po e përmbyllte trajektoren e tij jetësore, po në Gostivar nga ku ishte larguar afër 15 vjet më parë.

Në korrik të vitit 2001, Naser Ademi ishte së bashku me komandantin e Brigadës 116, Tahir Sinani pastaj me bashkëluftëtarët: Brahim Ademi nga Kosharja e Ferizajt,  profesoreshën e gjuhës shqipe, luftëtaren e dalluar të UÇK-së, Hyrë Emini, po ashtu nga Ferizaj dhe me Hisa Fazliun nga Gostivari.

Po atë ditë, në malet e Korabit, në vendin e quajtur “Kukul Zabel” të Tanushës së Gostivarit  bien në krye të detyrës, komandanti i Brigadës, 116, Tahir Sinani, eprori dhe luftëtari i katër luftërave çlirimtare, Naser Ademi dhe bashkëluftëtarët: Hyrë Emini, Brahim Ademi dhe Isa Fasliu.

Në nderim të dëshmorit, është ngritur shtatorja në vendlindjen e tij në Negotin, ku ndodhet edhe shkolla  e mesme e cila mban emrin e dëshmorit, Naser Ademi.

Kontrolloni gjithashtu

Maxhun Brahim Berisha (9.10.1962 - 28.3.1999)

Maxhun Brahim Berisha (9.10.1962 – 28.3.1999)

Vetëm sot, kur Kosova po merr frymë thellë në elementin e vet dhe kur shqipet …