Naser Zeqir Sekiraqa (5.2.1978 – 18.4.1999)

Naser Zeqir Sekiraqa (5.2.1978 – 18.4.1999)

Naseri u lind më 5 shkurt të vitit 1978 në Fushë – Kosovë, ku edhe kreu shkollën fillore dhe atë të mesme. Qysh si fëmijë e pësoi të njëjtin fat me fëmijët e moshës së tij, kur nën masat e dhunshme administrative regjimi serb i nxori të gjithë shqiptarët nga objektet e shkollave publike dhe shumica dërrmuese e tyre i kryen shkollat në shtëpi private. Kjo bëri, që ai në moshë të re të rinisë ta ndiejë një pjesë të peshës së pushtimit serb. Por pezmi i Naser Sekiraqës kundër okupatorit serb i kishte rrënjët te vepra e gjyshit të tij, Azizit, i cili nga regjimi titist-ranokoviqist jugosllav ishte dënuar 35 vjet burg të rëndë, sepse kishte vrarë xhandarë serbë në Orllan e në fshatin Sekiraqë, të cilët kishin vrarë e masakruar qindra shqiptarë, gjatë dhe pas luftës së Dytë Botërore.
Naseri edhe pse në moshë të re dhe pa e shijuar ende rininë, gjykonte si një burrë shumë i pjekur, sidomos kur bëhej fjalë për çlirimin e popullit shqiptar nga prangat e robërisë jugosllave.
Më 30 mars të vitit 1999 në një aksion që e ndërmorën pjesëtarët e UÇK-së, kundër gjakpirësit serb në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, Naser Sekiraqa zuri pritën në një rrugë të ngushtë dhe me dy bomba dore kishte qëndruar trimërisht, derisa ishte k ryer aksioni.
Thirrjes për mobilizim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu përgjigj së bashku me vëllezërit, Avdylin dhe Azizin, shokët e kushërinjtë.
Ai me 1 prill të po atij viti, vendos të nisej për në Fushë – Kosovë, me qëllim për ta marrë babain e vet, i cili kishte mbetur i vetëm në shtëpi.
Nëna Grishë dhe vëllai Avdyli e kishin lutur Naserin të rrinte vetëm edhe atë natë, meqë binte shi dhe forcat serbe vëreheshin kudo, por Naseri, të cilit i dukej se kishte pritur shumë u nis. “Më mori dy kuleçë të bukës dhe më tha do t’ia dërgoj babait dhe u nis. Krismat bombardimet nuk kishin të ndalur, si nga ajri ashtu edhe nga toka”, – thotë nëna e tij.
“Dua të gjej babain ku është e ku s’është, ta gjej të gjallë apo të vdekur”, thoshte ai edhe pse e dinte se në Fushë – Kosovë forcat barbare serbe po ushtronin gjenocid mbi shqiptarët. Pasi rrugën e kishte kaluar me sukses më në fund arrin të takohet me babain. Tashmë kishte harruar edhe krismat e shumta që vinin nga çdo anë. I rrëfeu babait për rrugën që kishte kaluar nëpër rreziqe. Babë e bir kishin ndarë mendjen. Në natën e 2 prillit të vitit 1999, ata pasi kishin marrë masat paraprake nisen për në Prishtinë, dhe të nesërmen nga Prishtina mësynë Malësinë e Marecit. Fillimisht shkuan te motra e tij, Nexhmija, në fshatin në Makofc.
Atë ditë kur u nis xhaxha Halimi e pyeti si në shaka:
-Ku je nis o Naser?
-Atje ku shkojnë burrat, – ia ktheu Naseri pa u hamendur dhe i sigurt se do të rreshtohej në radhët e luftëtarëve të lirisë.
Kishte biseduar gjerë e gjatë me motrën e tij, Nexhmijen, duke i treguar sa e sa herë qëllimin e tij të vetëm, të luftonte krahas çlirimtarëve, duke treguar gadishmëri edhe për të rënë në altarin e lirisë.
Më 11 prill të viti 1999, Naser Sekiraqa arriti në vendin që e donte më së shumti, në frontin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas një kohe, duke parë përkushtimin dhe vendosmërinë e tij, eprorët e sistemojnë në njësitin intervenues të Brigadën 153, të Zonës Operative të Llapit, në fshatin Zllash të Prishtinës.
Forcat serbe, gjatë atyre ditëve të prillit, kishin zënë të gjitha shtigjet dhe po përpiqeshin ta rrethonin zonën që e mbanin nën kontroll pjesëtarët trima të kësaj Brigade, në krye me komandantin nga Shqipëria, Adem Shehu, i cili tashmë kishte bërë emër për heroizëm dhe strategji luftarake kundër forcave serbe.
Më 18 prill të vitit 1999, Naser Sekiraqa ndodhej në vijën e parë të frontit, ku po luftohej ballë për ballë kundër forcave serbe, të cilat më parë kishin granatuar tërë zonën, duke goditur edhe popullatën civile, e cila kishte gjetur strehë në male duke ia besuar jetën luftëtarëve të lirisë.
Atë ditë ndodhej në pozicione në mes të fshatrave Zllash e Marec, mbi trupin e tij të njomë, por të brumosur me ideale të pastra e çlirimtare, ra breshëria e armëve gjakatare. Ai ra trimërisht, në fushën e nderit, në pranverën e fundit të Kosovës nën robërinë serbe.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Karadakut dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …