Në Klinë në 10-vjetorin e jubileut të pavarësisë së Kosovës u zhvilluan veprimtari të shumta

Në Klinë janë mbajtur aktivitetet kryesore me rastin e dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Fillimisht është ngritur flamuri shtetëror në intonim të himnit shtetëror e më pas janë bërë homazhe dhe vënë kurora lulesh te shtatorja e komandant Mujë Krasniqit dhe Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në fshatin Grabanicë të Klinës. Është mbajtur seancë solemne e Kuvendit të Komunës së Klinës, në të cilin kanë marrë pjesë, zyrtarë të pushtetit lokal, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të klerit fetar, KFOR-i, familjare të dëshmorëve dhe qytetarë. Në fjalën e rastit, kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Klinës, Fadil Gashi, tha se 17 Shkurti i vitit 2008, është akti më madh i historisë së vendit tonë, është çasti më sublim i gjithë historisë së Kosovës. “ Kjo datë madhore, është kufiri kohor që ndanë historinë e re të Kosovës nga e shkuara e saj tragjike. Shpallja e pavarësisë është rezultat i punës, angazhimit, i dijës dhe i luftës së pandërprerë të popullit të Kosovës për realizimin e së drejtës më themelore të secilit popull, lirisë dhe mëvetësisë së tij”, tha kryesuesi Gashi. Ai në vijim tha se sot dua të kujtoj në mënyrë të veçantë presidentin historik, arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, dr Ibrahim Rugova, komandantët e UÇK-së, Adem Jashari, Mujë Krasniqi dhe gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; kujtoj ish-kryetarin e parë të Komunës së Klinës, Ismet Rracin dhe gjitha ata që u flijuan për të ardhmen e këtij vendi. Kurse kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se 17 Shkurti është akti më madhështor dhe më kulmor në historinë e popullit tonë. “Sot më shumë se asnjëherë më parë kujtojmë dhe nderojmë punën dhe kontributin e çdo luftëtari, çdo atdhetari e kombëtari, të cilët e bënë të mundurën për të qenë aty ku jemi sot”, tha Kryetari Elezaj, i cili, me këtë rast, njëherësh falënderoi SHBA-të, vendet anëtare të NATO-s, BE-në dhe gjithë botën demokratike, që dhanë kontribut të madh në çlirimin e vendit tonë. “Sot në dhjetëvjetorin e pavarësisë dhe 19 -vjetorin e çlirimit të vendit, Kosova ka ndryshuar petkun e saj. Ndryshimet janë të dukshme dhe të prekshme, në të gjitha fushat e jetës. Në këtë dhjetëvjetor ju ftoj që të jemi sa më të bashkuar në mënyrë që vendin tonë ta ndërtojmë dhe zhvillojmë edhe më shumë”, ka thënë ndër të tjera kryetari Elezaj. Kryetari Elezaj i shoqëruar nga Nënkryetari Besim Hoti dhe drejtori Binak Sylaj, kanë vizituar familjen e komandant Mujë Krasniqit, ku janë pritur nga babai i tij Halil Krasniqi. Shoqatat e luftës në Klinë, kanë bërë vizita në familjet e dëshmorëve në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …