Në Kuvendin e Kosovës u mbajt një seancë solemne në shënim të 9-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së vendit tonë

Në Kuvendin e Kosovës u mbajt një seancë solemne në shënim të 9-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së vendit tonë

Sot në Kuvendin e Kosovës u mbajt një seancë solemne në shënim të  9-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Për nder të kësaj dite, është organizuar  pritje shtetërore, ku përveç krerëve më të lartë të shtetit, si kryetari Thaçi, kryeministri Mustafa, kryekuvendari Veseli, kanë pjesë edhe diplomatë të akredituar në Prishtinë. Në shënim të datës më të rëndësishme të vendit, kryetarin Hashim Thaçi dhe institucionet e Kosovës i kanë uruar: kryetari amerikan Donald Trump, Mbretëresha Elizabeta e Dytë e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, ambasadori i Britanisë, në Prishtinë  Ruairí O’Connell e të tjerë.

Hashim Thaçi: Institucionet e Kosovës të përkushtuara për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave

Kryetari i Kosovës Hashim Thaçi Kosovës mbajti fjalimin e parë për ditën e pavarësisë, mirëpo, derisa ai fliste, atë nuk e dëgjuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kishin vendosur ta bojkotonin atë.  Institucionet e Kosovës kanë qenë dhe mbeten të përkushtuara për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Vënia e këtij gur themeli në Merdar për ndërtimin e kësaj pike të kalimit ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë është edhe një dëshmi tjetër e rrugës së duhur që kemi ndjekur në procesin e dialogut. Ndoqëm rrugën e bashkëpunimit dhe dialogimit për të mirën e qytetarëve, rrugën e ndërtimit të urave dhe vendkalimeve të reja. Kryetari Thaçi  tha se ky pik kalim është vetëm një nga gjashtë pikë kalimet kufitare të përhershme të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, të cilat do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Isa Mustafa: U jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë shkrirë mendjen dhe kanë dhënë jetën për Kosovë

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Isa Mustafa tha se në këtë përvjetor u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë shkrirë mendjen dhe kanë dhënë jetën, që Kosova sot të frymojë e lirë, sovrane, e pavarur dhe demokratike. Ky kontribut i patriotëve shqiptarë ndër shekuj dhe dekada, kulmoi në vitet e 90-ta me Presidentin historik dhe ideologun e shtetit Dr. Ibrahim Rugova, i cili aspiratën tonë për liri, pavarësi dhe demokraci e bëri realitet dhe mori përkrahjen e miqve tanë euroatlantikë. Kryeministri Mustafa në fjalën e tij nga foltorja kryesore e sallës së seancave të Kuvendit, tha se Kosova në këto vite, në bashkëpunim me aleatët euroatlantikë, ka konsoliduar demokracinë dhe i ka forcuar institucionet shtetërore, për të garantuar sovranitetin dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Kadri Veseli: Forca e Sigurisë së Kosovës është gati që të marrë rolin e saj të domosdoshëm

Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mbajti fjalimin e tij, përmes të cilit tha se 17 shkurti është data që ndan epokat dhe i jep kuptim shtetit të Kosovës, e cila shumë shpejtë do të ketë edhe ushtrinë e saj.  Në anën tjetër, Forca e Sigurisë së Kosovës është gati që të marrë rolin e saj të domosdoshëm në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe globale. Kosova do t’i kontribuojë paqes dhe sigurisë globale kudo që kërkohet nga ne. Tanimë këtë e kemi dëshmuar duke qenë pjesë aktive dhe efektive e koalicionit global kundër terrorizmit. Ne kemi vizionin e qartë për t’u bërë anëtarë të NATO-s, organizatës më të madhe të sigurisë dhe rendit demokratik në botë. Ne do të jemi në NATO. Për këtë kemi garancinë e plotë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ka ende shumë punë për të bërë në forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e klimës investive në vend, orientimin kah rinia, investimet në inovacion, në teknologjinë informative.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …