Në Mitrovicë u mbajt Konferenca rajonale për zhvillimin e Sektorit Privat

Në kuadër të “Ditët e Biznesit të Vogël 2017”, në Mitrovicë është mbajtur Konferenca Rajonale Informuese për Zhvillimin e Sektorit Privat, në të cilën morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri,  ministrat Hykmete Bajrami, e Avdullah Hoti, zëvendës ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, drejtues të agjencioneve të ndryshme dhe biznesmenë nga rajoni i Mitrovicës.

Pasi foli për rëndësinë e zhvillimit të sektorit privat dhe rezultatet që janë arritur në këtë drejtim, Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë që edhe më tutje të punoi në plotësimin dhe ndryshimin e politikave ekonomike e fiskale, për të fuqizuar edhe më tepër sektorin privat në Kosovë.

“Në rend të parë ajo që duhet të bëjmë është që të përkrahim bizneset private, të zhvillojmë sektorin privat, dhe kur ne e zhvillojmë atë, pastaj edhe sektori publik funksionon shumë më mirë”, theksoi kryeministri.

Duke folur për Mitrovicën, kryeministri Mustafa, tha se i mirëkupton problemet e komunës dhe ato me të cilat këtu ballafaqohen bizneset, andaj në të ardhmen do kihet parasysh që Mitrovica të ketë prioritet. “Do të përkujdesemi për një pozitë preferenciale të Mitrovicës, si dhe për rimëkëmbjen më të shpjet të ekonomisë së saj dhe të “Trepçës”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në fjalën e tij  tha se komuna që ai e drejton ka bërë përpjekje për të krijuar kushte sa më të mira për zhvillimin e bizneseve, në veçanti të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM).

“Në kuadër të komunikimit apo konkretisht të ndërtimit të ambientit për zhvillimin e NVM-ve, Komuna e Mitrovicës ka marrë disa hapa, mes tjerash edhe duke ndarë parcela për ofrimin e mundësisë për investime të bizneseve vendore dhe ato të jashtme, si: Parkun e Biznesit dhe  Parkun Industrial në Frashër, në hapësirë prej 48 hektarësh, ku deri tash janë investuar mbi 500,000 euro, duke u rregulluar 10 hektarë me infrastrukturë”, tha ai ndër të tjera.

Për kushtet e të bërit biznes dhe zhvillimin e tyre, si dhe për infrastrukturën ligjore dhe masat tjera që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, folën edhe Ministrja Hykmete Bajrami, Ministri Avdullah Hoti, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa e biznesmenë të tjerë. Anëtarët e kabinetit qeveritar ju përgjigjen edhe pyetjeve të shumat që atyre ua shtruan pjesëmarrësit e konferencës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij, gjatë qëndrimit në Mitrovicë vizituan Fabrikën për prodhimin e betonit “Burimi”, atë të prodhimit të mobileve “Vali”, Firmën projektuese-ndërtuese “Lin Projekt” dhe Fabrikën e Kërpudhave “Hirano Mushroom” në Gushafc.

Në fabrikën e kërpudhave, Kryeministrin Mustafa dhe bashkëpunëtorët me procesin e prodhimit dhe të pasimit në tregun evropian i njoftoi kryetari Bahtiri.

“Po shpresojmë se do të bëjmë 5 fabrika në tërë Kosovën, dhe t’i tregojmë edhe shteteve tjera që edhe në dimë të prodhojmë. Këto fabrika kur të prodhojnë 50 tonë në ditë, do të jenë 33 për qind eksporti i gjithë Kosovës”, tha kryetari Bahtiri.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …