Nexhadi Ferid Kuçi (31.3.1968 – 24.3.1999)

Nexhadi Ferid Kuçi (31.3.1968 – 24.3.1999)

Nexhadi Kuçi u lind më 31 mars të vitit 1968 në fshatin Lumbardh të Komunës së Kaçanikut. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Nexhadiu nuk mund t’i vazhdonte mësimet e shkollës së mesme, sepse qysh në moshë te re u bë krah i punës në familje. Mori mori pjesë në protestat e organizuara në vitet e ’90 të shekullit 20.
Pas shpërthimit të luftës në Drenicë dhe formimit të njësiteve të para edhe në Kaçanik, Nexhadiu vendosi kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në dhjetor të vitit 1998 përmes Milaim Lokut, në kuadrin e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Ai vepronte në dy fronte, duke mbajtur kontaktet me shtabin e brigadës në Kaçanik dhe në propagandimin dhe mobilizimin e të rinjve. Mirëpo për fat të keq në fshatrat e Lumbardhit, Ivajës dhe Gajres kishte edhe bashkëpunëtorë shqiptarë të armikut të strukturuar si informatorë në sistemin e okupatorit të cilët vështirësonin punën e UÇK-së e të Nexhadit.
Ushtria serbe kishte vënë në zbatim taktikën e tokës së djegur edhe në territorin e komunës së Kaçanikut kundër banorëve të Lumbardhit. Pas humbjeve që forcat serbe pësuan në betejën e Puseve të Nikës, Gajres e Ivajës, ndërmorën një ofansivë të ashpër më 24 mars të vitit 1999 në fshatin Lumbardh, e cila u shtri edhe në fshatrat Gajre, Ivajë, dhe Puset e Nikës. Përballë pushtuesit rezistuan njësitet e brigadës 162 “Agim Bajrami”. Në mëngjesin e hershëm të 24 marsit 1999 filluan granatimet dhe zjarri i artilerisë së armikut duke djegur e shkatërruar shtëpi, shkolla, e masakruar, fëmijë, gra e pleq. Në këtë betejë, në mbrojtje të popullatës ra heroikisht Nexhadi Kuqi, si dhe bashkëluftiëtarët e tij Mahi Loku, Ismajl Kuqi, Sali Vlashi, Neshat Rexha, Sabit Loku, Sabri Loku, Izija Loku, Cenë Loku, Xhemajl Kuqi dhe Adnan Loku. Ushtria serbe kishte masakruar edhe shumë qytetarë civilë, si Minah Kuqi, Sherif Kuqi, Danush Kuqi, Ismajl Loku, Agim Loku, Garip Loku, Beran Loku, Naser Loku, Ibush Loku, Naser Loku dhe Ismet Loku.
Rruga luftarake e Nexhadiut si dhe e luftarëve të tjerë të lirisë ishte e vështirë dhe plot sakrifica, por fitorja kundër një armiku shumëfish më të madh dhe të armatosur deri në dhëmbë bëri që lavdia e UÇK-së të ishte shumë më e madhe.
Nexhadiu mori pjesë në shumë betejat të zhvilluara në rrethinën e Kaçanikut. Ai gjatë luftës tregoi një guxim të madh deri në momentin e rënies heroike.
Pas luftës u bë rivarrimi i dëshmorit Nexhadi Kuqi dhe i dëshmorëve të tjerë të trevës së Kaçanikut, në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.
Nexhadiu pas vetes ka lënë bashkëshorten, Xheziden dhe fëmijët Nesimin, Zilqifliun dhe Nexhadiun e ri, i cili lindi pas rënies së të atit, më 9 dhjetor 1999. Po ashtu, i ka lënë prindërit, Sherifen dhe Feridin, vëllezërit Beqirin dhe Musliun, si dhe motrën Emrijën. Në nderim dhe përkujtim të tij e të bashkëluftarëve, i është zbuluar pllaka përkujtimore në vendin e rënies, në fshatin Lumbardh.
Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e dëshmorit Nexhadi Kuçit, familjes së tij i kanë dhënë mirënjohje Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe kuvendi Komunal i Kaçanikut. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …