Brickos

Nexhmi Brahim Llumnica (20.6.1958 - 18.5.1999)

Nexhmi Brahim Llumnica (20.6.1958 – 18.5.1999)

Pjesëmarrja e rinisë militante revolucionare e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është jashtëzakonisht e madhe. Pjesa dërrmuese e luftëtarëve të ardhshëm të lirisë, ishin kalitur në demonstrata, nëpër burgje dhe në qëndresë aktive kundër pushtuesit. Nexhmi Llumnica i takon grupit militant të Besisë, i cili më 2 prill të vitit 1981, së bashku me shokët kishte barrikaduar rrugën në hyrje të Prishtinës dhe kishte çarmatosur njësitët policore rezerviste, që vinin nga Nishi e Kurshumlia për ta shypur me gjak rininë shqiptare revolucionare të vitit 1981. Me automatikun që Nexhmiu ua kishte rrëmbyer serbëve më 2 prill, 17 vjet më vonë u rrjeshtua në luftën e UÇK-së, në zonën e Llapit, ku luftoi derisa ra dëshmor.

Nexhmiu lindi më 20 qershor të vitit 1958 në fshatin Barilevë të komunës së Prishtinës. Mësimet fillestare i ndoqi në shkollën e fshatit Breznicë, ndërsa shkollën e mesme të Bujqësisë, e mbaroi në Prishtinë. Ishte pjesëtar i një familjeje fshatare, bujare dhe atdhetare. Qysh i ri nën ndikimin e literaturës që sillej tinëz nga Shqipëria dhe nën ndikimin e disa asrimtarëve patriotë, Nexhmiu frymëzohet në rrugën e tij pakthim drejt çlirimit të trojeve të robëruara të Shqipërisë.
Ishte shquar sidomos në protestat e rinisë studentore të marsit dhe prillit të vitit 1981. Në mëngjesin e 2 prillit të atij viti Nexhmiu së bashku me vëllezërit: Avniun, Hanefiun, pastaj me Sami Lecin, Izjadin Hoxhën, Agim Lecin, Zenel Krasniqin, Agim Selmanin, Vehbi Lecin, Ibush Kelmendin, Shemsi Lecin, Ruzhdi Gjakën e shumë të tjerë barrikadojnë rrugën në fshatin Besi në hyrje të Prishtinës. Fillimisht pjesëtarët e këtij grupi iu rrëmbejnë dy armë rojtarëve të objektit dhe me to çarmatosin njësitin e parë rezervist të milicisë që po vinte nga Kurshumlia. Dhjetëra të rinjë militantë, në mesin e tyre edhe Nexhmiu, barrikadojnë rrugën dhe nuk lejojnë depërtimin e milicisë dhe armatës jugosllave për të hyrë në Prishtinë.
Prej asaj kohe familja e Nexhmiut mbetet në shënjestër të përhershme të milicisë jugosllave, dhe të disave që ishin vënë nën shërbim të saj. Vëllai, Avniu dënohet 4 vjet burg për të mitur, të cilin e mban në Goli Otok. Në kushte dhe rrethana të tilla Nexhmiut i pamundësohet shkollimi. Për ta ngritur ekonomikisht famijen, zë punë në “Fabrikën e Tjegullave” në Prishtinë, ku ka punuar tri vjet. Pastaj punon në “Kosovashped”, deri më 1990, me rastin e dëbimit nga puna nga administrata e dhunshme të regjimit të Milosheviqit
Vazhdimisht ishte në kontakt me rininë revolucionare. Ka marrë pjesë aktive në të gjitha demonstratat që u zhvilluan gjatë viteve 1988-1990. Karakteri i tij i lindur kundërshtues ndaj robërisë dhe temperamenti shpërthyes ndikonin në mobilizimin e rinisë, e cila demonstronte duke kërkuar të drejta, barazi dhe liri.
Nexhmiu e dinte se liria nuk fitohej vetëm me protesta dhe organizime ilegale. Ishte tejet i vetëdijshëm se me kohë, sapo të piqeshin kushtet do t’i vinte radha edhe grykëhollës, të cilën nuk e kishte dorëzuar as pas shumë torturave. Automatikun e kishte konservuar me vaj e pastë dhe pastaj e kishte fshehur në një vend, për të cilin nuk dinte askush përveç tij.
Me rastin e futjes së masave të dhunshme pas pezullimit të autonomisë së Kosovës, për shkak të kundërshtimit të tij konstant, e pushojnë nga puna ashtu sikurse kishin pushuar edhe mijëra të tjerë në tërë Kosovën. Mirëpo ai nuk jepej. Sa më shumë që ushtronte presion pushtuesi, aq më tepër zgjerohej urrejtja e pezmi kundër forcave okupatore.
Duke qenë gjithnjë në shënjestër të rojave të territ dhe të milicisë vrastare, Nexhmiu në vitin 1990 largohet nga Kosova dhe vendoset përkohësisht në Suedi, me ç`rast merr azil. Jetoi dhe veproi atje tri vjet, por nuk mund të qëndronte më gjatë në një vend të huaj, derisa Kosova lëngonte nën robëri dhe pacifizëm të neveritshëm. Më 1993 kthehet në Barilevë te familja dhe shokët. Zë punë në një firmë private dhe tërë aktivitetin e tij e orienton në drejtim të rezistencës aktive.
Ishte në dijeni të veprimeve të grupeve çlirimtare në Llap dhe në Drenicë. Pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor të vitit 1997, Nexhmi Llumnica fillon të identifikojë bashkëluftëtarët e tij të ardhshëm. E kishte nxjerrë automatikun nga vendi i fshehtë dhe e kishte pastruar me kujdes. Tani e ka kohën, thoshte me vete. Tani erdhi radha të vazhdojmë atje ku e nisëm, qysh në pranverë të vitit 1981. Kontakton me shokun e tij të ngushtë të idealit, Sami Leci, i cili në vitin 1981 qe dënuar nga regjimi titist 15 vjet burg për veprimtari antijugosllave. Të dy ishin të mendimit se kishte arritur stina e armëve. Të dy kontaktojnë edhe me shumë bashkëmendimtarë të tjerë dhe pa vonuar formojnë njësitin sulmues gueril “Ulpiana 44”. Nexhmiu caktohet komandant i njësitit.
Trimëria e lindur, vendosmëria e sprovuar sa e sa herë, guximi i kalitur nëpër protesta e demonstrata, bënë që Nexhmiu të fitojë shumë shpejtë simpatinë e ushtarëve të UÇK-së. Vetëflijimi dhe lufta titanike e legjendarit Adem Jashari, fryma militante e Zahir Pajazitit, i akordonin temperamentit luftarak të Nexhmiut, thotë bashkëluftëtari i tij, Bedri Gubetini.
Venqëndrimi i tij i rregullt ishte në odën e Kemajl Llumnicës, Shpendit, kushëririt të tij cili po kështu iu kishte bashkuar radhëve të UÇK-së në Barilevë. Asokohe kontakton me Rrustem Mustafën dhe me trimat e trimëreshat e Llapit. Në bashkëpunim dhe në marrëvjeshje me komandën e Zonës Nexhmi Llumnica, i njohur si komandant Gjoni, operon nnë pikat luftarake në Kozaricë, Rimaninshtë, Majac e gjetkë. Në radhët e UÇK-së ishin inkuadruar pothuajse të gjithë bashkëluftëtarët, të cilët më 2 prill të vitit 1998 kishin barrikaduar hyrjen në Prishtinë. Po kështu, asokohe në Barilevë kontakton edhe me luftëtarin Bedri Gubetini.
Në tetor 1998. Nexhmiu caktohet komandant i njësitit vendor të UÇK-së në Barilevë. Mbante lidhje të pandërprera me njësitin Kështjella 26, baza në Vanovc, në mes të Halabakut dhe Rimanishtës, në pikën e luftëtarit Bedri Gubetini, shok i ngushtë i Zahir Pajazitit. Tre shokët më të ngushtë të Nexhmiut ishin: Kemajl Llumnica, Sami Leci dhe Bedri Gubetini, të gjithë pjesëtarë të Brigadë 151 Zahir Pajaziti.
Në janar të vitit 1999 forca të mëdha të armatës dhe policisë jugosllave marrin ofansivë kundër Zonës Operative të Llapit. Sulmi i koordinuar i forcave serbe kishte goditur te Tabet e Llapashticës, të cilat qenë bërë bedene të pathyeshme për ushtrinë okupatore. Lufta zhvillohej në të gjitha pikat e fronteve, në Prapashticë, në Llapashticë, në Marec, në Majac e Kozaricë. Kudo ishte edhe Nexhmiu, kudo ku e kërkonte detyra dhe strategjia e luftës çlirimtare, thotë kushëriri dhe bashkëkutëtari i tij i ngushtë, Kemajl Llumnica.
Në fillim të majit të vitit 1999 në pikën luftarake të Rimanishtës zhvillohet një betejë e përgjakshme. Me luftëtarët e tij, te lagjja Rexhaj, Nexhmiu ishte pozicionuar te një dardhë, nga ku sulmonte pa ndërprerë. Në ballin e frontit luftonin edhe: Kemajl Llumnica, Naser Krasniqi, Ramadan Selmani e të tjerë. Pas betejës, luftëtarët e lirisë u tërhoqen pa pasoja, ndërsa forcave serbe iu morën armatim të shumtë.
Pas kësaj beteje Nexhmiu me bashkëluftëtarët e tij vendoset në Sharban. Prej Sharbanit, Kemajli zëvendësi i tij, së bashku me 20 ushtarë ndihmuan të plagosurit në drejtim të fshatit Majac, ku ishte spitali ushtarak dhe ku luftëtarët i trajtonte mjeku, Rizah Binishi. Nexhmiu radhitet në pozicionet e luftës në Sharban, në maj të vitit 1999.
Kishim mbetur disa ditë pa bukë. Ishim të uritur tejmase. Nexhmiu, pa na lajmëruar fare shkon në shtëpinë e tij dhe ua merr atë pak bukë që e kishin familja, përkujton një detal për bashkëludftëtarin e tij Sami Leci ish i burgosur i rezistencës dhe luftëtar i përkushtuar i lirisë.
Më 3 maj njësitët e brigadës 151 Zahir Pajaziti depërtojnë në Gollak, me urdhër të shtabit të zonës. Fillimisht vendosen në bazën ushtarake në Vanoc te Bedri Gubetini. Për shkak të sulmeve të pandërprera të forcave armuike, dhe me qëllim të taktizimit nëpër pozicione, Nexhmiu sërish kthehet në Sharban. Merr pjesë në luftimet që u zhvilluan kundër forcave serbe në fshatin Koliq. Pastaj merr rrugëtimin e tij luftarak për në Kozaricë. Asokohe me Nexhmiun ishin edhe Imri Shala, Naser Krasniqi, Nexhmedin Çunaku e të tjerë.
Më 17 dhe 18 maj 1999 Nexhmi Llumnica ishte duke kaluar nëpër fshatin Konushevc. Më 18 maj së bashku me Avni Kutllovcin dhe Enver Berishën, pas një rruge të gjatë e të mundimshme, Nexhmedini has në pritë të forcave armike, në vendin e quajtur Te plepat. Në orën 4 të mëngjesit bien në pritë. Nexhmiu bie heroikisht në altarin e atdheut ndërsa plagoset bashkëluftëtari i tij Naser Krasniqi. Fillimisht e varrosin në fshatin Penuhë. Trupi i tij u zbulua më 3 korrik 1999. Vendin ku ishte varrosur e zbulon Avniu, vëllai i tij. Më 4 korrik bëhet rivarrimi.
Nexhmi Llumnica, komandant Gjoni, ishte luftëtar militant i luftës sonë çlirimtare. Lufta dhe përkushtimi i tij kanë mbetur faqe lavdie dhe heroizmi në historinë tonë më të re. Me rastin e rënies forcat serbe i kishin marrë ditarin e luftës dhe tërë dokumentacionin. Televizioni i Serbisë kishte publikuar lajmin për rënien dhe për të gjithë shokët e tij që gjendeshin në pikat e fronteve.
Nexhmiu ka lënë nënë Feriden e cila kujton me mall e krenari djalin e saj dëshmor. Bashkëshortja Drita Kamberi nga Baksi i Drenicës përkujdeset për bijat: Shpresën, Besën, Teutën dhe Doruntinën.
Nexhmiu ka lënë edhe vëllezërit, luftëtarë të lirisë: Hanefiun, Avniun dhe Bedriun.Vepra e tij heroike është përjetësuar me monumentin përkujtimor në vendrënie, në fshatin Penuhë dhe me emërtimin e rrugës Nexhmi Llumnica, të cilin e mban rruga mbi hekurudhë, në Lagjen e Trimave në Prishtinë.
Mirënjohje familjes së dëshmorit Nexhmi Llumnica i ka dhënë Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Llapit dhe asociacione të tjera të dala nga lufta e UÇK-së. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Mirsad Salih Gashi (1.2.1980 - 16.4.1999)

Mirsad Salih Gashi (1.2.1980 – 16.4.1999)

Salih Gashi nga Buzëllapi (ish – Dobërdoli) i Llapit ishte i martuar me Sabile Zekën …