Nezir Myrtaj: 17 dhe 18 Marsi 2004

Nezir Myrtaj: 17 dhe 18 Marsi 2004

Ahmet QERIQI: Libri 17 dhe 18 Marsi, i autorit, Nezir Myrtaj – kontribut në  pasqyrimin realist të revoltave popullore të 17 dhe 18 marsit 2004

Libri me analiza dhe komente 17 dhe 18 Marsi 2004 shquhet në shumë pikëpamje, qasje dhe vrojtime origjinale autentike, shquhet mbi të gjitha për një këndvështrim të thellë, realist, të guximshëm dhe të gjithanshëm të rrethanave aktuale politike dhe shoqërore.

Ky është libër analitik që trajton esencën e revoltave tanimë të njohura dhe, mbi të gjitha, dallohet për zbërthimin e thellë të të gjithë faktorëve relevantë që nxitën revoltat qytetare, shquhet veçmas për vizion, sa të qartë, aq edhe të kundërt me versionin zyrtar lidhur me këto revolta. Është libri i parë i këtij lloji, i botuar deri tani në vendin tonë, për revoltat e marsit të këtij viti, në të cilin pasqyrohet realiteti faktik, i përjetuar nga të gjithë ne.

Revoltat e 17 dhe 18 marsit ende janë të pranishme në mendjet tona dhe në perceptimin tonë, ende janë aktuale në skenën tonë politike vendore e ndërkombëtare, ende nuk është gjetur trupi i mbytur në lumë i Florent Veselit, ende thyhen heshtat për dhe kundër këtyre protestave, të cilat nuk ishin shkak i një ekspansioni a shpërthimi nacionalit ekstremist, sikur padrejtësisht interpretohen nga qarqe të caktuara. Përkundrazi, revoltat ishin pasojë e politikave të gabuara, të papërgjegjshme dhe të dështuara të aktorëve politikë, vendorë e ndërkombëtarë, në të njëjtën kohë. Dhe, pikërisht për shkak të këtyre kundërshtive, për shkak të mungesës së konsolidimit të faktorit politik shqiptar në përgjithësi dhe për shkak të mungesës së konsolidimit dhe të unifikimit të faktorit politik shqiptar në Kosovë, në veçanti, ndodhi Marsi i përgjakshëm i këtij viti, në disa segmente i njëjtë me Marsin dhe Prillin e vitit 1981. Dhe, nuk do të duhej të habiteshim nëse vazhdojnë të rindodhin protesta dhe revolta të tilla, sepse ato ndodhin si rezultat i mungesës së qëndrimit dhe trajtimit të drejtë e realist të problemeve, me të cilat po ballafaqohen njerëzit tanë dhe me të cilat është mbarsur shoqëria jonë.

Libri 17 e 18 Marsi është një sintezë e mrekullueshme e zbërthyer me vizion kreativ shkencor, jo vetëm mbi një ngjarje të vetme, por mbi tërë roshamoniadën aktuale shqiptare. Sepse, sundimtarët, sado vasalë, ziliqarë a diktatorë qofshin, edhe pse pretendojnë, nuk e ndalojnë dot rrjedhën e historisë, as mund t`i ndalin dot proceset historike, nuk i ndalojnë dot as ata që mendojnë për veten e tyre se disponojnë farë forcash, qofshin ato edhe forca gjigante në një kohë të caktuar.

Revoltat si këto të 17 e 18 marsit, sipas autorit të këtij libri, janë pasojë, e jo shkak dhe pikërisht për këtë duhet të japin llogari shkaktarët e vërtetë të gjendjes së krijuar në vendin tonë, e cila çoi në revoltë. Lidhur me këto autori decidivisht thotë: “Pa dyshim nga faji dhe përgjegjësia, në këtë rast nuk do të mund të lirohej asnjë faktor tjetër, përveç protestuesve, të cilët u detyruan të dalin rrugëve, të vriten e të sakatohen, jo për shkak të rregullit, ligjit dhe rendit, por për shkak të mungesës së tyre, jo për shkak të lirisë dhe komoditetit, por për shkak të pasigurisë dhe të paperspektivës. Prandaj, fajtorë dhe përgjegjës janë ata që duhet ta garantojnë rregullin, ligjin, rendin, sigurinë dhe perspektivën e qytetarëve…” Libri, f. 19.

Ky është vetëm një konstatim realist i zgjedhur me këtë rast, në mesin e qindra konstatimeve të tilla që janë pjesë integrale e këtij libri dhe që burojnë nga thellësia e gjykimit të drejtë, të paanshëm, i cili godet pamëshirshëm, depërton unazat si dikur shigjeta në duart e Uliksit, godet guximshëm, aty ku duhet goditur.

Një libër meritor si ky i duhej publikut tonë, i duhej ashtu si shiu i verës, që aq shumë u duhet të lashtave në kohën e duhur. I duhet, sepse është mëkat i pafalshëm për shumë intelektualë të vendit tonë që aq lehtë pajtohen me një rezignatë të tillë tragjike, e cila mbretëron ndër ne, tani kur janë thyer shumë e shumë pengesa, që uzurpatorët ua kishin vënë fjalës dhe lirisë së shprehjes.

Fjala e thënë me vend, në kohë, fjala e thënë qartë dhe pa mistifikim, fjala që godet ligësitë, paditurinë, abuzimin, përfitimin e pistë, qoftë ai ekonomik a politik, sot është fjalë e nderit, shpatë e Damokleut. Dhe këto fjalë, si askund tjetër nuk janë kursyer në këtë libër, i cili është një manifest i llojit të veçantë shkrimor, në mbrojtje të së drejtës, të dinjitetit, të nderit dhe të krenarisë së ligjshme kombëtare e njerëzore.

Ky libër as e mbron as e arsyeton dhunën, cilado qoftë ajo, por denoncon shkaktarët e vërtetë të përdhunimit njerëzor dhe kombëtar, të cilët këtë përdhunim e bëjnë në emër të një lloj demokracie eksperimentale, në emër të një rendi të paqëndrueshëm, utopik, të cilin qarqe të caktuara ndërkombëtare dhe vendore po bëjnë përpjekje ta instalojnë në Kosovë.

Analisti Nezir Myrtaj i çjerr maskën vanitetit, rutinës, pacifizmit të vjetër e neopacifizmit aktual, egoizmit, politikës improvizuese e kallpe, e cila është fajtore për të gjitha dështimet e deritanishme. Ky libër ua çjerr maskat fodullëve dhe aminxhijve, përfituesve dhe hipokritëve, të cilët kanë mësuar dhe në të njëjtën kohë i përmbahen me besnikëri parazitizmit, makiavelizmit, përfitimit nga cilido burim i pa pasatër, vetëm për të jetuar në luks e degjenerim, duke rrojtur për të ngrënë, e për të shfryrë iluzionet në botën e tyre skëterrë.

Kontrolloni gjithashtu

Veterani i arsimit dhe i luftës së UÇK-së, Ramadan Rizani, nxori në dritë dy përmbledhje poetike: “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”

Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin …