Ngjarja memoriale “Vrapojmë shtigjeve të Enver Zymberit” mblodhi shumë garues nga e tërë Kosova

Garues të shumtë të atletikës nga e gjithë Kosova kanë marrë pjesë në ngjarjen memoriale “Vrapojmë shtigjeve të Enver Zymberit” që u mbajt në orët e mbrëmjes të së martës në Mitrovicë.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe shumë qytetarë dhe pjesëtarë të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës, si nga ato qendrore, ashtu edhe nga ato lokale, në mesin e të cilëve ishte edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.

Aktivitetin e ka shpallur të hapur drejtori i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport në Mitrovicë, Tafil Peci, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë event.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, tha se institucionet lokale, por edhe ato qendrore kanë obligim që të përkujtojnë një hero çfarë ishte Enver Zymberi.

“Ju pjesëmarrës të nderuar të kësaj ngjarje, meriton mirënjohjen më të thellë, sepse po e nderoni një Hero të Kosovës. Pra, ky është rasti më i mirë që ne të përkujtojmë njerëzit të cilët kanë dhënë jetën për të mbrojtur Republikën e Kosovës. Ne si institucione lokale, por edhe ato qendrore kemi obligim të përkujtojmë në vazhdimësi Heroin Enver Zymberi”, ka thënë Kamberi.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, u shpreh të jetë e lumtur që i është bashkangjitur për herë të dytë kësaj maratone, bashkë me pjesëtarët e policisë e të FSK-së, por edhe të gjithë qytetarëve nga mbarë vendi.

Mimoza Kusari Lila,me rezultatin e arritur  u shpall veterania më e mirë e aktivitetit. Po ashtu, u shpallën edhe fituesit e kategorive të tjera.

Ngjarja  u mbajt në shenjë kujtimi për nderë të pesë vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës Enver Zymberi, nën përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Mitrovicës, Federatës Atletike të Kosovës, si dhe Policisë së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë të Vitisë, aty …