Pal Mark Paluca (17.2.1974 – 5.5.1999)

Pal Mark Paluca (17.2.1974 – 5.5.1999)

Një pjesë e madhe e rinisë shqiptare, e ndjekur nga pushteti udbesk i Slobodan Milosheviqit, dhe e shtypur prej skamjes e fukarallëkut nëpër këto troje, apo pjesa tjetër e shtyrë prej ambicijeve për të nxënë dituri duke shtegtuar për dije e çlirim kombëtar, nëpër botë, shumë herët ishte e detyruar të marrë rrugën e kurbetit apo të mërgimit duke bredhur pas ëndërrave rinore, për ditët më të mira e për një të ardhme më të mbarë. Por, pjesa më e mirë e kësaj rinie, asnjëherë nuk harroi se këtej paten lënë një kodër brengash e një krua lotësh për Kosovën e larë në detin e pikëllimit e të robërisë shekullore, për Kosovën e mbetur nën kthetrat e ‘’Kasapit të Ballkanit’’ e patën lënë të ngulur në ‘’Thikat’’ e Vuk Drashkoviqit, në valet e detit të gjenocidit, etnocidit e të langocidit të ushtruar mbi ne e për ta krijuar një Serbi të ëndërruar tash e një shekulli. Por, barrën dhe përgjegjësinë për ngjarjet e rëndësishme dhe për kthesa të mëdha e marrin vetëm ata që ishin dhe mbetën të mëdhenj; burrat që kishin një ideal të lartë i cili edhe i bëri të madhërishëm. Të madhërishmit iu gjetën pranë Shqipërisë, iu gjetën pranë Kosobës, iu gjetën pranë Drenicës, iu gjetën pranë Pashtrikut e iu gjetën pranë Trepeticës.
I këtillë ishte edhe mbeti Pal Mark Paluca, stuhi e uragan i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i lindur dhe i rritur në gjirin familjar të Palucëve, të ndjekur, të vrarë e të persekutuar, të dënuar e të pushkatuar shumëherë, shpeshherë dhe shumë gjatë deri në ditën kur u dëgjua pushka e kryekomandantit legjendar Adem Jashari në Drenicën heroike.
Plejada e vigajve të trojeve etnike ngado që shtegtonte dëgjonte zërin e Nënës e cila thërriste: ‘’O sot, o kurrë!’’, prandaj me të dëgjuar këtë zë të forcuar me krismat e Jasharajve e të Haradinajve në Drenicë e Dukagjin, u bashku nëpër qendrat e ndryshme të Evropës dhe të Amerikës, nraktisi mërgimin dhe luksin perëndimor për t’i dalë zot Kosovës. Ata ishin shumë dhe të shpërndarë, por ngado që ishin i bashkonte ideali i lartë, i bashkonin dëshirta më sublime dhe madhështia e tyre, i bashkonin luftërat e lirisë, të cilat, këtej në Drenicë, në Dukagjin, në Pashtrik, në Karadak, në Shalë e në Neredime e në Llap veç ia kishin nisur asaj ‘’Ani moj Shypni’’, mos thuj mbarova!’’ duke kujtuar e përkujtuar Gjergj Fishtën, Hil Mosin dhe Dervish Shaqën sepse ‘’Djemt e tu o hala janë gjallë’’ prandaj:

‘’Ndoshta t’dam na jem’ nder veti;
Por ku ne t’na lype Mbreti,
Por ku Shkjau t’na ngasë ‘vend të t’parëve,
Për ket besë, fara e Shqyptarëve,
Turk e i keshntë-merr vesht, or djalë-
Kan me u gjetun krej me ‘ifjalë!’’

Sepse kështu i kishte thënë Oso Kuka Jovanit në ‘’Lahutën e Malcis’’ prandaj me këtë frymë e ideal, në flakë e zjarr, për liri e për Atdhe, prej Perëndimit arrin nëKosovë Pal Mark Paluca i Mirditës së Prizrenit, sot i shkrirë në lapidarë; në bronz e mermer, të cilin prej shokëve e ndau mërgimi por e bashkoi kushtrimi ,,Atdheu në rrezik, vendlinda thërret!’’
Pal Paluca është i lindur më 17 shkurt të vitit 1974 në fshatin Mirditë, ish-Trapeticë, famullia e Velezhës, Rrafshi i Anadrinit, komuna e Prizrenit. Doli dhe u rrit në gjirin familjar të Mark Palucës, vatër kjo mikëpritëse e bujare, e njohur anembanë trojeve tona për burra që pati dhënë, prandaj ishte në shënjestër e në luftë përherë me turk, me shkja e me caragorë, për çka edhe nuk iu ndalën asnjëherë ndjekjet, burgosjet dhe vrasjet djalë pas djali, por i ndihmonte Zoti edhe kur e shkatërronte djalli. Edhe pse Mark Paluca me Rozën e Bardhasanës së Gjakovës, kishte shumë fëmijë; pesë djem: Ndoun, Marjanin, Kastriotin, Vilsonin e Palin, katër vajzal Marinë, Martën, Gjylën e Manën, Mark Paluca kishte dëshirë të flaktë për t’i shkolluar bijtë.
Shkollën fillore Pal Paluca e mbaroi në Velezhë dhe pothuajse menjëherë pas mbarimit të fillores niset për kurbet dhe vendoset në Eichstadt të Republikës së Bayernit të Gjermanisë ku e kishte të vëllanë Marjanin. Në këtë qytet bjen në kontakt me veprimtarët e ‘’Ballit Kombëtar’’ veçanërisht me bashkëshortët Ejupi, Shqipen dhe Kamberin, por edhe me shumë mërgimtarë e veprimtarë të tjerë që jetonin e vepronin në Perëndim e që i ndau kurbeti, por i bashkoi amaneti i Adem Jasharit.
Pasi që kishte të gjitha dispozitat e konstitucuonit trupor, Pali krahas aktiviteteve të tjera, merrej edhe me aktivitete sportive, veçanërisht me futboll, me boks e me sporte luftarake. Të gjitha këto ndikuan në kalitjen e kondicionit të tij fizik. Veçohej me një karakter të fortë dhe një temperament të pashoq. Shumë shpejt sajoi rrethin mjaft të gjerë të shokëve me të cilët e shtrin bashkëpunimin edhe në shumë fusha krahas sportit. Kështu, edhe kur në Perëndim protestohejpër ‘’Çështjen e Madhe’’, Pal Paluca, përherë ishte në krye të pjesëmarrësve në ato protesta e demonstrata. Pikërisht për këto aktivitete u bjen në sy strukturave udbeske të instaluara në Perëndim, prandaj edhe si i ndjekur, nuk kthehet më në Kosovë, ashtu si vepruan shumë bashkëkombas të tij: Fehmi e Xhevë Lladrofci, Bejtë Rexhepi, Xhelal Hajda, Mehdi Hasani, Beki, Berisha, Remzi Ademaj, Milaim Krasniqi, Abedin Rexha e Bekim Sylka.
Edhe përmbajtjet e demonstratave, organizimi, personalitetet pjesëmarrëse dhe brohoritjet, ndikuan në krijimin e anatomisë patriotike dhe formimin e luftëtarit të lirisë që atyre ditëve ëndërronte për t’u bërë si Oso Kuka e si Pren Markola. Priste me padurim që të formohet grupi, prandaj që prej kontaktit të parë të cilin e realizoi Ajvaz Berisha, më 1977, me Musë Jasharin, Pal Paluca, Bejtë Rexhepi e Ajvazi planifikojnë për ta braktisur Gjermaninë. E lëshojnë dhe udhëtojnë në Shqipëri. Këtu zhvillohen ushtrimet intensive-parapërgaditore për ta thyer Pashtrikun , për të depërtuar në Kosovë e për t’u futur në luftë, madje në zonat më të zjarrta të fronteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtrimet nuk zgjasin shumë dhe fillojnë përpjekjet për të depërtuar në Kosovë. Pal Paluca me shokë gjendet në Krumën e Hasit. Ushtrimet vazhdojnë deri në ditën e vendosjes së luleve mbi varrin e Luan Haradinajt në Vlahne dhe së andejmi nisen dy grupe eprorësh të lartë dhe anëtarësh të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pal Paluca kishte të ngarkuar: pushkën automatike, kallashnikovin kinez të shkurtuar, një murtajë-dore T-500, karikatorë e pesë bomba dore, ndërsa në shpinë kishte rocksackun ushtarak me mina. Kishte forcë fizike për ta bartur barrën e t’i ndihmonte Bejtë Rexhepit, sot dëshmor i kombit.
Depërtimi realizohet nëpër kanalin Cahan-Demjan-Pnish-Rogovë-Celinë-Fortesë-Sapnik-Pataqan-Nushpal-Drenoc e Malishevë.
Gjatë qëndrimit në fshatin Drenoc të Zatriqit, Pali takohet me Xhelal Hajdën – Tonin, Selajdin Mullabazin – Micin e Mensur Zyberajn, të gjithë sot dëshmorë të kombit, por takohet edhe me luftëtarë të tjerë sepse prej Fortese e deri në Vasilevë lëvizej nëpër Zonë të Lirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj Pal Paluca, nuk ndahet prej shokëve, synon pozicionet e Fehmi Lladrofcit në Drenicën e Adem Jasharit të Iljaz Kodrës e të Abedin Rexhës. Nuk u nda sepse këtu në front të përbashkëta gjeti: Ismet Jasharin i cili kishte ardhur prej Komunave, gjeti Myhedin Aliun prej Tetove, gjeti Indrit Carën prej Kavaje, gjeti Tahir Sinanin prej Tropoje, gjeti Astrit Sulin prej Berati e Halit Cokën prej Kukësi, gjeti Arian Brahimin prej Shkodre. Ishin bashkuar të gjithë si një, ashtu siç i pati bashkuar Fishta; këtu luftonin Markalleshët e Vraniqit krah i Haradinajve të Gllogjanit, luftonin Sokolrexhët e Drenicës, krah i Adem Jasharit, luftonin të gjithë për një sepse Slobodan Milosheviqi, në frymën e projekteve të Çubriloviqit përpiqej ta shkulte me rrënjë farën e shqiptarit madje me pretendime që këti hordhi të egra e barbare të shkojnë edhe deri në Tiranë.
Pas rënies heroike të bashkëshortëve Lladrofci, Xhevës e Fehmisë, përkatësisht pas rikthimit të Xhelal Hajdës – Tonit e të Selajdin Mullabazit – Micit në Reti, Pal Paluca, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transferohet në Zonën Operative të Pashtrikut për ta riorganizuar Brigadën 125 e cila do ta mbulonte arealen e Prizrenit do të vendoset në Jeshkovë të Vrrinit dhe do ta vazhdonte amanetin e Remzi Ademajt e të Xhevat Berishës, por tash nën drejtimin e Tahir Sinanit.
Ardhja e Palit në Rrafshin e Anadrinit dhe vendosja e tij në Brigadën 125, në fshatin Reti, jo larg vendlindjes së tij, sot Mirditës, përmbush faqet e anelave të luftës me aksione guerile veçanërisht në aksin rrugor Prizren-Gjakovë; te Ura e Landovicës, te Përroni i Keq, në Jeshkovë, te Plepat e Celinës, në Qafën e Pagarushës, te Vorret e Piranës, te Ura e Piranës dhe në pozicione të tjera. Në maj të vitit 1999, disa ditë para rënies, Pal Paluca, me urdhër të Shtabit të Zonës Operative të Pashtrikut, viziton vendlindjen dhe Velezhën, me detyrë të shtrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpër fshatrat e pikave ekstreme të Anadrinit, të Podguritm të Vrrinit e të Lumës. Edhe një herë viziton familjen duke i frymëzuar të gjithë se këtu do të arrijë, do ta organizojë rezistencën dhe do ta shijojë Kosovën e lirë.
Gjatë depërtimit për në vendlindje kreu edhe disa aksione të shkëlqyeshme, u tregoi bashkëluftëtarëve dhe eprorëve se pati arritur në Terpeticë, madje me luftë, me thyerje të pritave serbe të ndihmuara prej shqipfolësve dështakë. Por, më 5 maj të vitit 1999, duke zhvilluar aktivitetet luftarake, madje ofensive, për avancim në drejtim të aksit rrugor Prizren-Gjakovë, bjen heroikisjt në breg të lumit Teplluhë, jo larg Urës së Piranës:
‘’Vjen nji za nga fronti i luftës:
Amaneti i Pal Palucës’’
i kënduan rapsodët, e sot mund të pyesim: Cili ishte amaneti i Pal Palucës?! Eky amanet shkëlqen nëpër lapidarët e dëshmorëve të kombit prej Prapashtice deri në Landovicë:
‘’Vazhdoni aty ku mbeta!’’ e Pali me gjakun e tij skuqi valët e Drinit të Bardhë e sot trupi i Pal Palucës pushon duke pritur realizimin e amanetit, pushon në Qytetin e Dëshmorëve, në Landovicë, pranë Remzi Ademajt e pranë Tahir Sinanit.

‘’fol, more Pal Paluca!
Shqipe në Lapidar,
Se nënlokja gjinin
Ta ka bo hallall!’’

Kontrolloni gjithashtu

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Familja Morina nga fshati Gjergjaj i komunës së Drenasit, gjatë viteve 1939–1945 ishte vatër e …