Përfunduan vizitat sistematike shëndetësore në shkollat e Malishevës

Të enjten edhe zyrtarisht mbyllet procesi i vizitave sistematike shëndetësore në shkollat e Komunës së Malishevës. Për këtë qëllim, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK të Malishevës, Azizi Thaçi dhe drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hajdin Berisha, e kanë vizituar shkollën në Marali, ku edhe ka përfunduar ky projekt në fushën e shëndetësisë.

Kryetari Begaj, i ka takuar mjekët dhe teknikët shëndetësor të angazhuar në këtë projekt, të cilët i ka përgëzuar për këtë punë të lodhshme dhe të vështirë, por që është në shërbim të shëndetit të fëmijëve. Kryetari Begaj, është njoftuar nga mjekët, për ecurinë e këtij procesi.

Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi dhe drejtori për shëndetësi, Hajdin Berisha, i kanë përgëzuar punëtorët shëndetësor, për përmbylljen e këtyre vizitave shëndetësore. “Unë shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjithë punëtorët shëndetësor për përfundim të këtij procesi dhe në mënyrë të veçantë i falënderoj të gjithë drejtorët e shkollave, për bashkëpunim dhe krijimin e kushteve të nevojshme, për realizimin e vizitave shëndetësore”, tha drejtori komunal për shëndetësi, Hajdin Berisha.

Sipas punëtorëve shëndetësor, këtyre vizitave, i janë nënshtruar rreth 3500 nxënës, në të gjitha shkollat, ndërsa këtë vit është vërejtur një përmirësim i dukshëm i higjienës, e sidomos i kujdesit oral. Ekipi i cili e ka realizuar këtë projekt, thanë se shumë shpejt, pasi të përpunohen të gjitha të dhënat e marra nga vizitat, do të dilet me një raport përfundimtar, lidhur me gjendjen shëndetësore të nxënësve, të cilët i janë nënshtruar këtyre vizitave.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …