vipa
rkl vala loja shperblyese
driloni com
muqa 900
Fillimi / Tema Historike / Prof. assoc. dr. Sabit Syla: Kongresi i Manastirit vlerë e madhe kombëtare
Kongresi i Manastirit i vitit 1908

Prof. assoc. dr. Sabit Syla: Kongresi i Manastirit vlerë e madhe kombëtare

(Me rastin e 109-vjetorit të Kongresit të Manastirit)

Kongresi i Manastirit, për unifikimin e një alfabeti të gjuhës shqipe, radhitet ndër ngjarjet më të shënuara, pra më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Për të arritur deri te një Kongres mbarëkombëtar, siç ishte ai i Manastirit, ishte bërë një rrugë e gjatë dhe shumë e mundimshme. Pengesat vinin nga të gjitha anët, pasi në Kongres jo vetëm që do të diskutohej për alfabetin, por edhe për bashkimin e vilajeteve në një të vetëm dhe pavarësimin e Shqipërisë. Në këtë kuadër, një nga fushat më të rëndësishme në këtë proces padyshim ishte ajo e arsimit dhe unifikimit si faktorë përcaktues të komponentës së zhvillimit kulturor e shpirtëror të një populli, me një rol shumë të rëndësishëm në formimin e karakteristikave themelore të vetëdijes kombëtare dhe të superstrukturës shoqërore. Lidhur me këtë, populli shqiptar kishte njohur shkrim e këndim qysh prej kohërave të lashta. Shume huazime me prejardhje latine, me evolucionin e tyre fonetik e kuptimor, dëshmojnë vazhdimësinë e shkrim-këndimit të shqiptarëve pa ndërprerje. Kësisoj, sistemi i edukimit iliro-shqiptar nuk përfshinte vetëm traditën popullore, por dhe zënien e diturive mësimore, që është zhvilluar në gjuhën latine, e cila, sikurse për popujt tjerë, edhe për shqiptarët konsiderohej gjuhë arsimimi dhe inteligjence.

Që nga shekulli XII tradita e shkrimit u çua më përpara. Huazimet me prejardhje latine si “shkruaj”, “këndoj” etj, me evolucionin e tyre fonetik e kuptimor, dëshmojnë vazhdimësinë e shkrim-këndimit të shqiptarëve pa ndërprerje. Gjuha shqipe shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm për popullin e thjeshtë, bujarinë feudale e klerikët vendas. Sipas disa burimeve gjuha shqipe është përdorur edhe në administratë. Kështu, në shek. XIV, gjuha shqipe përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, në Mbledhjet e Këshillit të madh. Ndërsa, për shkrimin e shqipes dokumentet janë të vona. Në vitin 1332, kryepeshkopi i Tivarit, Guliem Adami shkruante se “shqiptarët, ndonëse kanë gjuhë më vehte dhe të ndryshme nga gjuha latine, megjithatë në marrëdhëniet e përditshme dhe në librat e tyre përdorin shkronjat latine”. Edhe kronisti osman, i shek. XVI, Ruhi, ka pohuar se, “shqiptarët në kohën e kontaktit me osmanët kishin shkrimin e tyre por jo në një stad shumë të zhvilluar”. Ndërsa, si vepër e shkruar shqip deri me tani ka mbetur Perikopeja ungjillore e pashkës, hartuar në fund të shek. XIV.

Gjuha shqipe si gjuhë e shkruar kishte përballë dy gjuhë të rëndësishme të kohës, gjuhën greke dhe atë latine, gjuhë këto me tradita të vjetra letrare. Me vendosjen e sundimit serb në tokat shqiptare u shtua edhe një gjuhë tjetër, sllavishtja. Pavarësisht kushteve e rrethanave të tilla, arsimi dhe edukimi i brezit të ri shqiptar bëhej brenda vendit, pasi kishte shkolla pranë institucioneve fetare. Po ashtu të rinj shqiptarë shkolloheshin edhe jashtë vendit. Ne shek. XIV e në fillim të shek. XV, në qytete të ndryshme shqiptare kemi një numër të madh intelektualësh shqiptarë. Kështu, në periudhën paraosmane dolën personalitete diturorë, si: Andrea Durrsaku, Dhimitër Mikel Shkollari, Gjin Gazulli, Nikollë Durrësaku, etj. Këto personalitete të shquara të kulturës dhe traditës shqiptare, kanë bërë emër gjatë shekujve me veprat dhe punën e tyre. Madje, këto personalitete me origjinë iliro-arbërore kanë vënë themele të reja në kulturën e popujve të ndryshëm të vendeve të Evropës e më gjerë, qoftë të Perëndimit, apo të Lindjes. Në këtë kuadër, shquhet Jan Kukuzeli, për të cilin janë shkruar një sërë studime nga autorë e specialistë të fushave përkatëse.

Shumë shqiptarë të shpërngulur në drejtim të Italisë, të cilët u vendosën kryesisht në Kalabri dhe Siçeli, vazhduan edukimin dhe arsimimin, ngritën shkollat e veta. Njëra syrësh u quajt “Scuola degli Albanesi” (Shkolla e shqiptarëve), në të cilën u shquan: Mihal Artioti, Marin Segoni, Novoberdasi, Leonik Tomeu, Viktor Karpaçi, Marin Beçikemi, Marin Barleti, e shumë të tjerë. Në veçanti, me dy humanistët e fundit shqiptarë, mori konturet historiografia shqiptare, e cila pastaj u pasurua nga kronistë e historigrafë, si Dhimitër Frëngu e të tjerë. Edhe shqiptarët në Shqipërinë e pushtuar arritën të shfrytëzojnë mundësitë minimale të institucioneve fetare të tri konfeksioneve. Në këtë drejtim u shqua, autori i parë i njohur deri më tani i letërsisë së shkruar shqipe, Gjon Buzuku, i cili shqipëroi një libër kishtar që është quajtur “Meshar”, i shtypur në vitin 1555 me germa latine. Meshari ka rëndësi të madhe për historinë e kulturës shqipe, në veçanti për historinë e shqipes së shkruar e të letërsisë shqiptare. Meshari hapi një etapë të re, në lëvrimin e shqipes si gjuhë e shkruar kulture. Letërsia e vjetër shqipe u ngrit me veprat e Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, etj, veprimtaria e të cilëve kishte lidhje të drejtpërdrejta edhe me trevën e Kosovës.

Me vendosjen dhe konsolidimin e Perandorisë Osmane në gjithë trevat shqiptare, shkollat shqipe u zhvilluan në gjuhë të ndryshme si: turqisht, latinisht, greqisht dhe shqip. Shkollat në gjuhën shqipe ishin të pakta. Të tilla shkolla kishte në Janjevë (1671), në Velje të Mirditës (1699), brenda në Shkodër (1699), etj. Shkolla dhe arsimi njohu një lulëzim të madh veçanërisht në Voskopojë. Në këtë vend më 1720, u ngrit një shtypshkronjë, ndërsa më 1744 u hap një shkollë e mesme gjimnaz me emrin “Akademia e Re”, programi i së cilës qe i njëjtë me atë të vendeve më të përparuara të Evropës. Aty dhanë mësim personalitete të shquara në lëmin e arsimit, kulturës dhe shkencës, si: leksikografi, Daniel Haxhi, Koste Çekani mësues, Sevast Leontiadhi, rektor i parë i saj, lauruar në Padova të Italisë, Theodhor Kavalioti nga Voskopoja etj. Në këtë shkollë mësoheshin lëndët e zakonshme të kohës si: gramatikë, letërsia, fizika dhe matematika. Gjuha e mësimit, kuptohet që ishte greqishtja, e cila për Ballkanin konsiderohej si gjuha e kishës, tregtisë dhe kulturës.

Institucionet kryesore arsimore që u ngritën në periudhën e sundimit osman në Kosovë, ishin shkollat e komuniteteve myslimane, dihet, me mësim në gjuhët turko-osmane dhe arabe. Në fillim të shek. XVI, me të ardhurat që vinin nga pasuritë e vakëfuara të feudalëve dhe besimtarëve të tjerë të pasur myslimanë, u hapën në disa qendra të Kosovës, kryesisht pranë xhamive, shkolla fillore ose mejtepe. Këtu mësuesit-hoxhallarë u mësonin nxënësve leximin e librit të shenjtë, të Kur’anit, dhe pak shkrim me shkronja arabe. Në shek. XVII, kur ndodhi islamizimi masiv i shqiptarëve, filloi të shtohej numri i mejtepeve që tashmë gjendeshin edhe në disa fshatra. Pranë mejtepeve në qytetet kryesore të vendit u çelën edhe shkolla të një shkalle më të lartë, medresetë, ku nxënësit mësonin gramatikën dhe leksikun e arabishtes, të persishtes dhe të osmanishtes, retorikën e letërsisë orientale dhe doktrinën islame. Numri i nxënësve në to ishte i kufizuar. Në këto medrese përgatiteshin klerikët që shërbenin në institucionet e kultit islamik dhe në aparatin shtetëror.

Gjuha shqipe padyshim është njëra ndër gjuhët më të vjetra evropiane, mirëpo si gjuhë e shkruar është dëshmuar vonë. Fillimet për lëvrimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe fillojnë gjatë epokës se Humanizmit dhe të Renesancës, kurse zhvillimin më të lartë në shkrime e arriti gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë periudhë shkruheshin libra të ndryshëm nga autorë laikë e fetarë dhe kështu shqiptarët përjetuan një zhvillim të lakmueshëm kulturor. Megjithatë, ekzistonte një problem madhor meqë gjuha shqipe shkruhej me alfabete të ndryshme, pra nuk kishte një alfabet të përbashkët dhe veprat nuk mund të kuptoheshin nga të gjithë. Për t`i kuptuar të gjitha shkrimet e asaj kohe, është dashur që t`i dish alfabetin çirilik, latin, glakolik, grek dhe atë arab, që ishte pothuajse e pamundur.

Përpjekjet për një alfabet të përbashkët në gjuhën shqipe kanë ekzistuar edhe më herët, sidomos në periudhën e agimit të Rilindjes sonë Kombëtare me Naum Veqilharxhin, i cili shkroi një abetare në gjuhën shqipe dhe u përpoq që, duke bashkëpunuar më shoqëritë e ndryshme jashtë vendit, të shpërndahej e afirmohej. Një punë të mirë në këtë drejtim ka bërë edhe Konstandin Kristoforidhi, i cili gjithashtu shkroi një abetare, duke u përpjekur kështu të krijonte një alfabet në gjuhën shqipe, që bazohej në shkronja greke dhe në ato latine. Pas tyre edhe disa rilindës të tjerë, patriotë të kulluar, u angazhuan me tërë qenien që të hartonin një alfabet të përbashkët, duke u bazuar  në shkronjat arabe, greke e latine. Pa dyshim njëri ndër alfabetet më të mira ishte ai i Pashko Vasës, mirëpo edhe Sami Frashëri bëri një alfabet që i përshtatej gjuhës shqipe një tingull për një shkronjë, që i kishte 36 shkronja.

Punë dhe arritje më të mëdha për alfabetin shqip janë pasi u krijuan shoqëritë e ndryshme si: “Shoqëria e Stambollit”, e Shoqëria “Bashkimi” dhe Shoqëria “Agimi”. Secila prej tyre formuan alfabete të veçanta, të cilat ishin të ndryshme dhe nuk kuptoheshin lehtë nga njëri-tjetri. Rrugëtimi deri të Kongresi i Manastirit ishte mjaft i gjatë dhe i vështirë, mirëpo si pararoje e kësaj ngjarje ishin: Kuvendi i Arbrit (1702); Hattisherifi i Gylahanesë (1839); botimi i Abetares (Evetari) të Naum Veqilharxhit (1844); sistemi i shkollimit i cili filloi me hapjen e shkollave të mesme të ulëta-ruzhdijet dhe idajateve ose gjimnazeve të larta (gjatë shek. XVIII dhe gjysmës se parë të shek. XIX); shkollat e ndryshme ushtarake (1830); shkolla Normale (Dar-ul-mu’alimin) me 1848 etj. Këto shkolla e kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre kryesisht në gjuhën turke, por shumica e nxënësve kanë qenë shqiptarë. Me pas, hapja e shkollave në gjuhën shqipe në Korçë, në vitin 1887 me drejtor Pandeli Sotirin, pastaj në Korçë (ajo e vajzave) dhe në qytete të tjera, si: shkolla e Zymit, Shkolla e vajzave në Prizren, Shkolla në Zllakuqan (1897), në Siarinë (1899), etj. Mësuesi i njohur Mati Logoreci (1867-1941), hapi shkollën shqipe në Prizren dhe e mbajti atë për 15 vjet rresht, derisa e mbylli pushteti serb. Pas Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), fillojnë të botohen tekste në gjuhën shqipe me alfabetin e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip” (Shoqëria e Stambollit).

Atë që shqiptarët e shfrytëzuan për të arritur qëllimin madhor, hapjen e shkollave shqipe dhe unifikimin e një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe, ishte Revolucioni xhonturk më 1908. Intelektualët shqiptarë e shfrytëzuan revolucionin xhonturk, këtë mundësi që t`u hapej rruga, për lejimin e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Deri atëherë shkollat ishin organizuar sipas ndarjes fetare; myslimane, ortodokse e katolike, që përdornin shkronja arabe, greke e latine. Por edhe nëse bëhej hapja e shkollave shqipe kishte vështirësi të mëdha, nga se nuk kishte një alfabet të vetëm dhe nuk dinin se cilin alfabet t`ua mësonin fëmijëve. Duke e parë këtë, disa intelektualë shqiptarë shtruan nevojën e intensifikimit të veprimtarisë së tyre në drejtim të unifikimit sa më parë të alfabetit në gjuhën shqipe. Ata ishin të vetëdijshëm se kjo ishte nevojë imanente, mirëpo rrethanat e kohës nuk ishin aspak të favorshme për një grumbullim sa më të shpejtë të të gjithë krerëve të kohës. Iniciativën e mori Klubi “Bashkimi” i Manastirit, i formuar në vitin 1908, dhe kryetari Fehim Zavalani, për thirrjen e Kongresit të Manastirit.

Kongresi i Alfabetit shqip u mbajt prej 14 – 22 nëntor 1908, në Manastir, qytet me një pozitë të rëndësishme në Gadishullin Ilirik. Këtu erdhën përfaqësues nga të gjitha trevat, që përfaqësonin klube dhe shoqëri që vepronin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këtu kishte intelektualë, klerikë, qeveritarë që punonin në administratën osmane, nëpunës, përfaqësues klubesh e shoqërive. Në punimet e Kongresit, u shfaqën shumë vështirësi për unifikimin e alfabetit, ngase secili grup përpiqej që ta fute alfabetin e tij si alfabet kombëtar. Një meritë të madhe padyshim këtu e ka shkrimtari e kleriku Ndre Mjeda, i cili pranoi që të hiqej alfabeti i tij dhe të zgjidhej çështja në të mirë të kombit.

Komisioni, më në fund, vendosi që të zgjidheshin dy alfabete, ai i Shoqërisë së “Stambollit” dhe ai i Shoqërisë “Bashkimi”. Xhonturqit, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, anonin nga alfabeti i Shoqërisë “Stambolli” alfabet me shkronja turko – arabe. Këtë alfabet, edhe pse e zgjodhi komisioni, atë koha vetë e largoi, ngase nuk ishte praktik për shkrimin e gjuhës shqipe. Shkronjat latine i shkonin më së miri natyrës së gjuhës shqipe, si shkronja më të përshtatshme për të shkruar libra, vepra kulturore, letrare e shkencore. Mirëpo edhe alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” i pësoi disa ndryshime më vonë dhe alfabeti më i përafërt me alfabetin që përdorët sot, padyshim ishte ai i Pashko Vasës. Shenjat grafike të alfabetit shqip, për të cilat u vendos në Kongresin e Manastirit, e shprehin orientimin e popullit shqiptar kah civilizimi evropian. Këtu, në Manastir u vulos njëherë e përgjithmonë përkatësia jonë evropiane, qenia jonë pjesë e pandashme e Evropës. Përmes këtij alfabeti ne sot shprehim zgjerimin e dijes, mishërimit, ndihmës së ndërsjellë, ndikimin progresiv të përparimit kulturor, kombëtar e shkencor gjithandej ku çmohet dhe respektohet e drejta e individit.

Pas përfundimit të Kongresit të Manastirit u hapën shumë shkolla në gjuhën shqipe, ku mësohej shqip dhe duhej të mësohej edhe turqisht. Në këto shkolla që po hapeshin në këtë kohë duhej t`i mësonin të dy alfabetet që u pranuan në Kongresin e Manastirit.

Me gjithë luftërat, pengesat dhe problemet tjera, mund të theksojmë se vitet 1908 – 1912, për zhvillimin e arsimit shqiptar përbëjnë etapën e fundit dhe më të lartë për epokën e Rilindjes, ku përmbajtja, masiviteti dhe organizimi arsimor arriti në një shkallë të lakmueshme të konsolidimit. Një rol të madh në këtë drejtim ka luajtur pa dyshim unifikimi i alfabetit tonë. Kjo periudhë, si për nga kryengritjet ashtu edhe zhvillimi kulturor – arsimor mund të krahasohet më atë të Lidhjes së Prizrenit. Madje mund të themi se edhe e tejkaloi atë.

Sot, përkujtimi i ngjarjeve më të rëndësishme e më të ndritshme kulturore të popullit tonë është i domosdoshëm sepse në këtë mënyrë ne drejtohemi kah njohja e vlerave dhe respektimi i tyre. Jemi të lumtur dhe krenarë që kultura shqiptare ka krijuar vlera me rëndësi të dorës së parë për njerëzimin, sepse me alfabetin e Manastirit janë botuar kryevepra me vlera kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Hebrenjt ne Shqiperi

Adil Fetahu: Qëndrimi i shqiptarëve, serbëve e grekve ndaj hebrenjve

Shqiptarët dhe  Hebrejtë Shqiptarët dhe Hebrejtë janë dy ndër popujt më të lashtë në historinë ...