muqa 900
driloni com
vipa
vala – old
mbpzhr
Fillimi / Kultura / Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: “Ikja e madhe”, një rrëfim i trishtueshëm për emigracionin shqiptar
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: “Ikja e madhe”, një rrëfim i trishtueshëm për emigracionin shqiptar

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: “Ikja e madhe”, një rrëfim i trishtueshëm për emigracionin shqiptar

Publicisti i njohur, Albert Z. Zholi, është autori i mbi njëzet librave që nga poezia, proza, romani, monografia, publicistika etj. Në jetën e një krijuesi një numër i tillë nuk është pak, për më tepër që autori është i një moshe të re dhe në kulmin e krijimtarisë së tij. Libri publicistik “Ikja e madhe” është ribotuar në vitin 2017, si nevojë e lexuesit shqiptar për të. Albert Z. Zholi shquhet për gjetjet artistike dhe natyrën depërtuese në dukuri dhe fenomene, në kapjen psikologjike të njerëzve dhe personazheve të tij, në aftësinë për të krijuar imazhe dhe përfytyrime të rëndësishme, që lexuesi të ketë një marrëdhënie më korrekte dhe më funksionale, me atë që publicisti shkruan. Përgjithësisht ky tipar, i cili nuk është i zakonshëm, por është element i rëndësishëm i talentit dhe aftësisë, i intelektit dhe kulturës shkrimore të autorit, e bën atë një shkrimtar interesant, intrigues dhe me një prodhimtari të konsiderueshme.

Albert Z. Zholi është një krijues dhe publicist pasionant, është i pajisur me një kulturë të qëndrueshme, me një “sportivitet” të admirueshëm, që në këto njëzet e ca vite është pasqyruar në disa lloje zhanresh që autori i ka ofruar lexuesit librat e tij. Në ritmet e zhvillimit të kohës sonë ky është tipari i krijuesit dhe publicistit modern, i cili duhet ta nisë çdo ditë me një dije të re, me një angazhim të ri dhe bashkëkohor. Albert Z. Zholin e shquajnë dy tipare, që zakonisht përbashkojnë krijuesin dhe publicistin, analiza e dukurive dhe fenomeneve sociale, përmes dukurive dhe fenomeneve të veçanta etnopsikologjike edhe sinteza, të cilat janë rezultante të nevojshme në krijimtari dhe në publicistikë. Kjo e fundit është akoma më e vështirë për shkak të numrit më të shumtë të lexuesit që ajo kërkon dhe duhet të ketë. Zholi duket se e ka kuptuar mirë këtë çështje.

Libri “Ikja e madhe” i autorit është ndoshta njëri nga librat më interesantë të botuar për emigracionin shqiptar që nga viti 1990 e deri sot. Duke u marrë kryesisht me emigracionin shqiptar në shtetin fqinj grek, Zholi njëherësh na ka ofruar një promemorie të stilit diplomatik, një kronikë të gjerë dhe autentike të stilit gazetaresk, një poezi apo një baladë të trishtuar, e cila është shkruar shekuj më parë, por është rikënduar kohë pas kohe dhe epokë pas epoke, një roman interesant, të veçantë, me kaq shumë personazhe pa emra dhe pa vazhdues linjash të subjektit, por që janë kudo, nga fillimi e deri në mbarimin e librit, duke na shpërfaqur një epokë mbijetese në kuptimin më përfaqësues të fjalës.

Libri i kësaj natyre nuk mund të shkruhet nga kushdo dhe kurdo për shkakun e autenticitetit që ai ka, për shkakun e profilitetit të autorit dhe për arsyen e njohjes deri në inde të dukurisë dhe fenomenit të emigracionit, të “angazhuar” në pasqyrimin e tij në rrethanat të gjera, të raporteve socio-ekonomike, socio-politike të vendit.

Në harkun kohor të njëzetë e ca viteve janë shkruar shumë libra për emigracionin. Kanë shkruar emigrantët, publicistët, shkrimtarët, poetët, gazetarët, kanë shkruar reporterët e vendit dhe të huaj për shkak të emocioneve që krijon kjo kategori e shoqërisë, e cila bashkë me emigrimin pleks rreth vetes, familjes dhe shoqërisë probleme të natyrave të ndryshme. Përgjithësisht kjo lloj “letërsie”, pasi më së shumti librat për emigrimin anojnë nga letërsia, ka qenë interesante dhe e lexuar, sepse në të flitet për personazhe të njohur, madje në të shumtën e rasteve të identifikuar. Por shpejt tregu i leximit me libra të kësaj natyre u ngop, sepse librat e kësaj teme kanë një “sekret” të çuditshëm, ato vuajnë nga shabllonet dhe stereotipet e përshkrimeve, ngjarjeve, mbushen me ngjarje të të njëjtës natyrë, por ndryshojnë vetëm personazhet realë, që në fund të fundit për lexuesin janë vetëm personazhe dhe jo individë.

E shkrova gjithë këtë parantezë për një arsye të thjeshtë, që lidhet me librin “Ikja e madhe” e Albert Z. Zholit, duke e konsideruar një libër të mirë e të veçantë për arsyet e qasjes që autori ka zgjedhur të sjellë te lexuesi. Libra të kësaj natyre janë të vështirë për t’u shkruar, aq më tepër pasi ka kaluar kaq shumë kohë për një fenomen të tillë. Çështjet e emigrimit, të natyrës shqiptare dhe të natyrave të ndryshme kanë specifikat e veta, kanë arsyetimet e veta. Ato janë të mbushura me befasi, me iluzione, me ankthe, me dhimbje, vështirësi, me zhgënjime, me pritje dhe të papritura. Kështu ka ndodhur gjithmonë me emigrimin, i çdo forme dhe natyre qoftë. Shqiptarët madje kanë balada të pavdekshme për këtë plagë të përjetshme. Albert Z. Zholi është i njohur mjaft për këtë plagë shekullore shqiptare.

Më ka bërë përshtypje intuita e autorit, i cili dhjetë vite të shkuara, d.m.th që në vitin 1997 e ka ndërtuar librin “Ikja e madhe” mbi një platformë moderne, të veçantë dhe të qëndrueshme. Pavarësisht disa specifikave, të cilat koha i bjerr dhe i bën të parëndësishme me kalimin e saj, libri i Zholit është jashtë çdo klisheje të librave të botuara në atë kohë dhe sot. Dikur largimin biblik të shqiptarëve e shkaktoi vdekja e Skënderbeut, në raste të tjera luftërat, ndërsa në rastin e fundit e shkaktoi ndryshimi i rendit politik, shoqëror dhe ekonomik të vendit. Ky është thelbi i librit dhe analiza e emigracionit të pasviteve ‘90-të. Emigrimi është një koncept universal në historinë e njerëzimit dhe specifikat kombëtare dhe të popujve për të, burojnë nga marrëdhënia dhe raporti që popujt vendosin me zhvillimin dhe pragmatizmin e tij. Ky perceptim është prezent në librin publicistik gjithllojësh të Zholit.

Duke qenë dhe vetë emigrant, duke njohur çdo ind të lëvizjes në shtetin fqinj përmes një super sakrifice të fillimviteve ’90-të dhe në vazhdim me batica dhe zbatica epike të vazhdueshme, autori ka pasur mundësinë të krijojë një lloj hierarkie ngjarjesh, të cilat nuk serviren në mënyrë tradicionale, por specifikisht. Me kalimin e kohës, raportimi i këtyre ngjarjeve krijon terrenin e vet të perceptimit te lexuesi dhe vendi që zë në historinë e letrave të një vendi të caktuar. Për këtë arsye të rëndësishme dhe për shkakun e një shqise të mprehtë dhe përfytyruese, librin e tij “Ikja e madhe“ Zholi e ka shndërruar në një libër fenomenesh dhe jo ngjarjesh edhe pse aty këtu ka ngjarje, por që kthehen në një lloj referencialiteti të nevojshëm dhe funksional. Duke u bërë një libër fenomenesh, i cili është produkt i emigracionit, në vendin e emigrimit, por dhe në vendin nga ku nis ky emigrim, libri fiton peshën e indeve kohore, të marrëdhënieve dhe raporteve të brendshme dhe të jashtme, prandaj me të drejtë mund të thuhet se këtë libër e mbajnë këto elemente racional.

I ndërtuar në dhjetë kapituj interesantë të pjesës së dytë veçmas nën titujt e drejtpërdrejtë si: “Athina”, “Tregu i madh i punës për shqiptarët”, “Një copë shtëpi për të futur kokën”, “Fëmijët dhe drama e gjuhës së shkruar shqipe”, “Vorbulla të reja në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, “Mikrobota e krimit”, “Hotel SEMIRAMIS dhe rrugica të tjera të errëta”, “Truri i kombit në mërgim”, mendoj se përveç intelektit të shkrimtarit për të komunikuar me lexuesin përmes një raporti të thjeshtë dialogues, për shkakun e kapjes pas çështjeve fondamentale të emigrimi në përgjithësi dhe atij shqiptar në Greqi në veçanti, autori ka arritur të kapë gati të gjithë problematikën, të cilën e shtjellon përmes fenomeneve.

Emigrimi shqiptar, veçmas ai në Greqi, ka pasur problematikat e tij për arsyen e masivitetit që ai ka pasur dhe vijon të ketë, duke u përthyer në familjen, mjedisin shoqëror dhe atë ekonomik në një çështje madhore dhe tepër të rëndësishme. Dhe ashtu siç ka pasur rrugëtimin e tij historik dhe në të gjithë kohët dhe emigracioni shqiptar kishte fytyrën e vet, vështirësitë e veta, duke nxjerrë në dritë pasigurinë në vendin e huaj, vështirësitë e vendit të punës, abuzimi i elementit kriminal siç ndodh në këto raste, çështjet e shkollimit të fëmijëve të emigrantëve në gjuhën dhe shkollën e tyre amtare, pastaj kriminaliteti i natyrave të ndryshme, prostitucioni dhe abuzimi me të po nga elementët kriminelë, gjejnë një pasqyrim dhe një analizë të thellë në librin “Ikja e madhe” të Albert Z. Zholit.

Autori ka sjellë prerjet kohore dhe analitike të gjithë këtyre dukurive dhe fenomeneve, duke zbuluar mjaft mirë burimet e së keqes, të cilat kanë pasur një varësi të çuditshme nga marrëdhëniet ndërshtetërore, si në këtë rast mes Shqipërisë dhe Greqisë. Emigracioni i këtyre përmasave nga shqiptarët drejt tokës helene erdhi si pasojë e një shfrimi ideologjik dhe një përvoje të hidhur izolimi të shqiptarëve në përgjithësi. Autori e kupton mirë këtë dhe arrin ta shpërshfaqë në mekanizmin e njohur dhe më vonë të sofistikuar që shqiptarët praktikuan për të ikur nga vendi drejt Greqisë.

Po ashtu në libër bien në sy dhe referencat politike dhe amplitudat ekstreme të politikës, veçmas asaj të Tiranës, e cila në opinionin e autorit nuk e luajti rolin e duhur lidhur me problemet fondamentale të emigracionit shqiptar në Greqi, por nuk duhet harruar, pavarësisht paaftësisë së qeverisë së Tiranës në këtë kohë, veçmas deri në vitin 1996-1997, diplomacia shqiptare po ecte në shtigje të pashkelura. Këto qëndrime autori i ka referuar në raport me ngjarje që i ka përjetuar vetë, prandaj ai i quan të rëndësishme në këtë kohe, duke i rikonfirmuar edhe në ribotimin e librit të tij në vitin 2017.

Libri “Ikja e madhe”, duke qenë një libër me temë të mprehtë kombëtare dhe shoqërore, me një temë të përditshmërisë shqiptare, ka shtruar çështje të prekshme sociale dhe institucionale të shtetit për emigracionin, për të cilat duhet të ketë angazhime dhe studime strategjike në mënyrë që emigrantët të kenë kujdesin e vendit të tyre të përhershëm. Autori nuk harron të përmendë dhe të interpretojë mjaft mirë ndihmën që emigracioni i ka dhënë vendit në ditët e tij më të vështira, duke i lehtësuar atij situata katastrofale ekonomike, kështu që marrëdhënia e shtetit me emigracionin duhet të jetë e ndërsjellë dhe bashkëpunuese. Zholi e njeh mirë emigracionin, problemet e fëmijëve dhe të arsimimit të tyre në kushte jashtë vendit të tyre, kështu që ai prek shqetësimin sindikalist për çështje të tilla.

E gjithë kjo lëvizje, gati kaotike, që në fillimin e viteve ’90-të, ka qenë një “diamant” për racën e krijuesve dhe publicistëve, të cilët kanë arritur të nxjerrin në dritë ngjarje, sakrifica, premisa të zhvillimit, analiza, profilitete shoqërore dhe individë, një pjesë e të cilave zbulohen me një natyrshmëri të nevojshme dhe në këtë libër. Sado që Zholi merret me një temë të mprehtë, e cila ka një ngarkesë të madhe shoqërore, në librin e tij “Ikja e madhe” shpirti poetik dhe shqisa krijuese e tij është e pranishme fakt pas fakti, faqe pas faqeje dhe rast pas rasti. Është një shpirt poetik që e mbush me një ndjeshmëri të mirë të gjithë anën rrëfyese të kësaj periudhe të vështirë. Po ashtu, autori nuk mund t’i shmangej përshkrimeve të imta të mjediseve në tokën helene, veçmas të Athinës, një qytetërim botëror dhe ndër më të rëndësishmit, pa anashkaluar bashkëjetesën emblematike të shqiptarëve me grekët që në diellin më të vjetër të historisë.

Në maratonën e ngjarjeve, pashmangshmërinë e analizave dhe opinionit, studimit dhe interpretimin e fenomeneve të shumta që autori ka arritur t’i zbulojë në faqet e librit të tij, duke pasur në vëmendje këto dekada të emigracionit shqiptar në Greqi, të mrekullueshme janë momentet me njerëzit e shquar, shqiptarë të cilët e mbushin me diell historinë dhe sakrificën njerëzore. Takimet, pritjet dhe përcjelljet, bisedat dhe gjykimet që vijnë nga arvanitasi i madh Aristidh Kolja në ditët e errëta të këtij emigracioni janë prekëse, sjellin shpresë dhe krijojnë ekuilibra. Pastaj pritja dhe bisedat, deri dhe me emigrantët e poetit të njohur shqiptar Dritëro Agolli, e bëjnë shpirtin emigrant të mbushur me dritë dhe shpresë. Në fillim të viteve ’90, duke qenë edhe vetë emigrant në Athinë, përjetoja thellë bashkëbisedimet e Aristidh Kolias me Albert Zholin, Kolec Traboinin, Dionis Qirixhiun, Novruz Abilekën, Arben Lallën, Kastriot Kaçupajn, Mihallaq Qillerin, Miho Gjinin etj. Albert Z. Zholi është mjeshtër i krijimit të situatave emocionale, përdorimi i ngjarjeve në funksion të përgjithësimeve të nevojshme që zakonisht zotërojnë temat në libër.

Shtegtimi i shqiptarëve në tërë vendet e Evropës dhe veçanërisht në Greqi shpërfaqi edhe një tipar tjetër bashkëkohor, integrimin e tyre në jetën dhe kulturën e këtyre vendeve. Marrëdhëniet e shqiptarëve me kulturën helene janë të hershme. Mjaft intelektualë grekë habiteshin kur dëgjonin emigrantët shqiptarë tek flisnin për Homerin, Eskilin, Aristotelin, Sokratin dhe dijetarë të tjerë. Në Panteonin e revolucionit grek 1821-1829 një pjesë e madhe e heronjve ishin shqiptarë: Bubulina, Boçari, Karaiskaqi, Griva, Kollokotroni, Andruci, Xhavella, Kanari, Miauli.

Në këtë integrim të tyre me kulturën dhe jetën në Greqi, emigrantët shqiptarë kuptuan edhe më mirë botën arvanitase, fshatrat dhe krahinat ku ata jetonin dhe kishin lënë gjurmët e tyre. Shoqata kulturore “Marko Boçari” dhe mjaft botime arvanite si: “Veshjet popullore arvanitase”, ato të Antonio Bellushit “Kërkime ndër arvanitasit e Greqisë”, si dhe botimet e Aristidh Kolias: “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, “Gjuha e perëndive”, “Greqia në grackën e serbëve të Millosheviçit” dhe Jani Sharrës, Vangjelis Lapis, Niko Stillos, u çelën dritare të reja në jetën e tyre emigrantëve shqiptarë.

Në faqet e këtij libri, shkrimtari Albert Zholi i lë një vend të veçantë edhe veprimtarisë së larmishme të shoqatës “Vllazërimi” të emigrantëve shqiptarë, në mbrojtje të të drejtave të tyre, si dhe zhvillimit të mjaft aktiviteteve artistike e kulturore për t’i mbajtur gjallë traditat, zakonet, folklorin dhe kulturën bashkëkohore, në të cilat përfshiheshin edhe mjaft intelektualë grekë e arvanitas.

Libri publicistiko-analitik, artistiko-psikologjik, thuajse poetiko-prozaik “Ikja e madhe” vijon të ketë një aktualitet të rëndësishëm për shkak të ngjarjeve që sjell në vëmendje, për arsye të problemeve që ngre dhe bën thirrje për një angazhim institucionesh lidhur mbi çështjet e emigracionit shqiptar, një nga veprimtaritë më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të vendit, në dekadat e fundit të integrimit europian të shqiptarëve.

Tiranë-Vlorë, 31 gusht 2017