Qendra Rinore “SHL-Kosova” në Rahovec prezantoi të dhënat e hulumtimit të tregut të punës

Qendra Rinore “SHL-Kosova” në Rahovec prezantoi të dhënat e hulumtimit të tregut të punës, realizuar me ndihmën e organizatës “UBO Consulting” nga Prishtina. Ky hulumtim është financuar nga SHL-Kosova me synimin që të sigurohen të dhëna për nevojat e sektorit të ekonomisë në komunën e Rahovecit, si dhe për të ndihmuar autoritetet lokale për nevojat dhe kërkesat e biznesit në këtë komunë. Ndërsa drejtori i Qendrës Rinore Enis Durguti potencoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet organeve komunale, zyrës komunale të punësimit dhe bizneseve, në mënyrë që të dhënat e nxjerra nga ky hulumtim të jetësohen.

Nevojën e bashkëpunimit dhe komunikimit më të mirë e ka ngritur edhe zyrtari i Zyrës komunale të punësimit Myhedin Sharku, i cili tha se Zyrës i mungojnë mjetet themelore për punë dhe nuk ka mundësi që të realizojë sa më shumë objektiva e projekte punësimi. Sharku po ashtu ngriti shqetësimin për mungesë të theksuar të kuadrit të kualifikuar për punë specifike, edhe në rastet kur ofrohet ndonjë mundësi punësimi. Ai kërkoi që edhe bizneset të jenë më të gatshme për bashkëpunim, ngase në shumë raste injorohet puna e Zyrës së punësimit.

 Valon Feka nga organizata që e ka realizuar hulumtimin “UBO Consulting”, tha se potenciali i madh i të rinjve në këtë komunë jep shpresë për një të ardhme më të mirë, mirëpo numri i madh i të papunëve të regjistruar në Zyrën e punësimit është shqetësues. Po ashtu shqetësues është edhe fakti se nga 6376 të papunë sa janë të regjistruar, 4815 janë të pakualifikuar ose 75.5 % e tyre. Në bazë të hulumtimit nevojat e biznesit në komunën e Rahovecit janë më të mëdha për punëtor të kualifikuar ndërtimi (24.6 %), shofer (23.5%), arkëtar (11.7%), montues (dyer-dritare) (8.8%), kamarier e kuzhinier (14.7 %), teknologji ushqimore (2.9%) etj. Sipas këtyre të dhënave sektori i ndërtimtarisë vazhdon të mbetet një nga sektorët më të zhvilluar edhe përkundër faktit se komuna e Rahovecit është kryesisht rajon bujqësor. Është inkurajues fakti se rreth 56 % e ndërmarrjeve të anketuara ka pohuar se në 12 muajt e ardhshëm do të paraqitet nevoja për rritjen e numrit të punëtorëve. Mbi këtë bazë, Feka  ftoi bizneset dhe autoritetet lokale që intensifikojnë komunikimin dhe të përgatisin sa më shumë të rinj e të reja për nevojat e ekonomisë vendore. Prandaj, ai rekomandoi që autoritetet lokale, Zyra e Punësimit dhe bizneset të organizojnë kurse aftësimi në Qendrat e Aftësimit Profesional për sa më shumë të interesuar për punësim. Ndër të tjera Feka rekomandoi që të ndërmerren hapa për informim sa më të gjerë të punëkërkuesve në tërë territorin e komunës dhe të njoftojë opinionin për nevojat e tregut të punës. gjithashtu u kërkuar që bizneset lokale dhe shkolla e mesme profesionale në Rahovec duhet të intensifikojnë komunikimin dhe të harmonizojnë së bashku plan-programet e punës në shkollë, në mënyrë që kuadri i dalë të jetë sa më profesional, pohoi Valon Feka.

 Në këtë kuadër drejtori i shkollës së mesme profesionale në Rahovec Ali Hoxha, tha se nga shtatori kjo shkollë do të nisë edhe katër programe të reja profesionale, ndërsa tashmë është funksionalizuar laboratori i teknologjisë ushqimore, ku nxënësit do të kenë mundësi të pajisen me njohuri teorike dhe praktike.

 Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim Avdullah Kryeziu tha se autoritetet lokale janë të kufizuara në veprimtarinë e vet, pasi që ka kufizime të theksuara ligjore që pamundësojnë rritjen e ofertës për punë për të rinjtë. Ai po ashtu përmendi mungesën e hapësirave të lira për biznes dhe pamundësinë për t’ju dalë në ndihmë bizneseve që kërkojnë sipërfaqe më të mëdha biznesi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Edi Rama me Genc Cakajn e Qemal Minxhozin sot në Hagë, kanë vizituar ish kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri Edi Rama, përshpejton krijimin e Komisionit Parlamentar të Posaçëm për Luftën kundër Dezinformimit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka theksuar nevojën për një përparim të shpejtë në krijimin …